• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

NGA ZJARRI I LUFTËS NË PËRQAFIMIN E BERATASVE…

June 7, 2025 by s p

Veri Talushllari/

Lufta e Kosovës, shpërndarja e shqiptarëve të Kosovës në rrethin e Beratit, prill 1999.

Po vjen 11 qershori, ajo ditë e bekuar, kur më në fund serbët morën nga sytë këmbët dhe Kosova jonë, plaga e madhe e shqiptarisë, filloi të mbyllej më në fund! Kosova e lirë! Ëndrra e madhe e një populli, e një kombi, u bë e vërtetë! Iu dha fund një padrejtësie më se shekullore, një krimi shtetëror edhe me frymëzimin dhe mbështetjen e Rusisë dhe bekimin e fuqive të mëdha, do t’i jepej fund një plani kriminal të përpunuar dhe realizuar nga mendjet më të errëta të një grupi akademikësh e shtetarësh serbë që përpunuan me hollësi spastrimin etnik të një kombi e të një populli që prej shekujsh jetonte në trojet e veta, e që përfshinte në faqet e atij plani aktet më monstruoze, deri vrasjen dhe hedhjen në zjarr të fëmijëve e të grave, pa llogaritur burrat dhe pleqtë. Shifrat e viktimave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve janë të frikshme, dhe nuk po përmendim krimin tjetër, atë të shpërnguljes masive, e megjithatë shqiptarët ja dolën të mbijetojnë, dhe marsi i vitit 1999 e gjeti Kosovën me 1.7 milion banorë, 93% e tyre shqiptarë.

Pikërisht ndaj tyre Miloshevçi dhe regjimi i tij fashist filloi dhe realizoi një sulm të egër për ta spastruar Kosovën etnikisht. Dhe ja arriti. Më se 1 milion shqiptarë të Kosovës lanë pas të vrarët dhe varret e të parëve, shtëpi e katandi, dhe morën rrugët e botës. Në Maqedoni, në Mal të Zi, Zvicër e Gjermani e deri në SHBA, dhjetëra kampe refugjatësh pritën kosovarët e tmerruar nga paramilitarët dhe ushtarët kriminelë serbë. Por ajo pritje që iu bë në Shqipëri ishte e jashtëzakonshme. Sigurisht, edhe kampingjet ishin shumë ndryshe nga ato në vendet fqinje dhe atyre të largët, për kushtet e jetesës e për më tepër për trajtimin vëllazëror, ngrohtësinë njerëzore që shqiptarët e dheut mëmë u dhanë vëllezërve të ikur nga tmerret e luftës. Por ajo që habiti botën ishte hapja e dyerve të shtëpive që shqiptarët e bënë me gjithë zemër, duke ndarë me ta jo vetëm atë pak hapësirë ku jetonin vetë, por edhe bukën e gojës e rrobat e trupit. Ka mijëra episode e ngjarje nga më të bukurat, nga më prekëset të asaj mikpritjeje. Ajo që bënë Kukësi dhe kuksianët, kur në qytetin e tyre të vogël erdhën valë-valë katërqind mijë vëllezër kosovarë, ata pa hezitim u hapën dyert e zemrave e të shtëpive kanat më kanat, është një mrekulli e shpirtit njerëzor dhe karakterit mikpritës e vëllazëror shqiptar. E si të mos mjaftonin ata që morën nëpër shtëpi, u çuan ushqim apo rroba për t’u veshur apo për shtresa e mbulesa edhe atyre nëpër salla apo kampingje.

Unë mund të tregoj për prindërit e mi në Berat, që pasi mbajtën disa ditë dy gra me gjithë fëmijët nga dera e Kryezinjve në Rahovec, nuk lanë të ikte në kamping vjehrrën e tyre, nënë Havanë, por e mbajtën deri sa erdhën djemtë nga Zvicra. Plaka e mirë u bë shoqe e mirë me nënën time, Parizen, dhe kur erdhi dita u ndanë me lot në sy. Dhe mund të përmend shokun dhe kolegun tonë, Isuf Bramo dhe bashkëshorten e tij, Tatjanën, në Kuçovë, që jo vetëm i mbajtën në apartamentin e tyre të vogël deri sa erdhi dita fatlume që miqtë e tyre nga fshatrat e Prizrenit të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por bashkë me ta dërguan edhe djalin e tyre, Eltonin, të siguroheshin që mbërritën shëndoshë e mirë. E plot ngjarje të tilla. Në Berat autobusët me gra, burra e fëmijë erdhën një mesnatë marsi dhe një pjesë u strehuan ashtu si mundën në mjediset e Shtëpisë së Ushtarakëve. Të nesërmen filloi ngritja e kampingjeve.

Në muajin prill, në rrethin e Beratit kishte 13 kampingje me gjithsej 4407 kosovarë të vendosur në 7 kampingje dhe nëpër familjet e qytetit dhe të fshatrave e konkretisht: 604 veta në familjet e qytetit të Beratit, 1010 veta në kampingun e Paranguajt, Dushnik, 490 në kampingun e Kombinatit të Tekstileve, 390 në kampingun e Moravës, Rep. Usht. 5001, 575 ne kampingun e Myftinisë, ish-NPD, 50 veta tek Caritasi Uznovë, 53 te Konvikti i Shkollës Bujqësore, 106 veta tek dhomat e sportistëve te Stadiumi “Tomori”, 200 veta në familjet e Urës Vajgurore, 124 në fshatrat e komunës Kutalli, 50 në Poshnje, 135 veta në fshatrat e Komunës Velabisht, 200 veta në fshatrat e Komunës Vërtop, 400 veta në Otllak. Këto shifra dhe kjo shpërndarje flasin vetë dhe besoj se krijojnë një pamje të asaj që ka ndodhur në Berat dhe në gjithë Shqipërinë.

Me Luftën e UÇK-së dhe ndihmës vendimtare të NATO-s, bishës naziste të Beogradit iu pre koka dhe, më 11 qershor, Kosova ishte e lirë! Bijtë e bijat më të mirë të atyre trojeve e vaditën me gjakun e tyre pemën e Lirisë dhe tani zëri i Adem e Hamëz Jasharit dhe 56 pjesëtarëve të asaj familjeje legjendare, zëri i Zahir Pajazitit dhe Ismet Jasharit, Kumanovës, i Luan Hajradinajt dhe Astrit Sulit, djaloshit beratas dhe atij tjetrit, Indritit, Ushtar Kavajës, i Antigona Fazlliut dhe familjes së Ymer Elshanit e sa e sa të tjerëve, i thërriste të shpërngulurve në atë eksod biblik të ktheheshin. Dhe ata u kthyen duke marrë me vete edhe një copë Shqipëri, një pjesë nga ajo vëlla-pritje dhe bujari që me të drejtë u quajt Legjendare. Berati dhe beratasit ishin dhe janë krenarë që edhe ata e kaluan me dinjitet e përulësi atë provë ku i vuri, bashkë me viset e tjera shqiptare, nga Tropoja në Sarandë.

Filed Under: Interviste

Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631

June 7, 2025 by s p

– Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë

Fotaq Andrea & Dritan Muka

Une image contenant peinture, personne, habits, affiche

Description générée automatiquement

Pjesa I

Kohët e fundit, historiania amerikane e artit Louise Rice, profesore në New York University, falë studimit të saj « Kuptimi brenda kuptimit sipas një vizatimi të Jacques Stella-s »1 që ndodhet në muzeun Ashmolean të Oksfordit, ka arritur të zbërthejë, në mënyrë të meritueshme, një enigmë që ka tërhequr vëmendjen e historianëve të artit që prej gati katër shekujsh: kush personazh historik qëndron prapa figurës qendrore të vizatimit të piktorit të shquar francez Jacques Stella (1596-1657), realizuar gjatë kohës kur ai ka jetuar në Itali. Është fjala për një vepër artistike të vitit 1631, në përmasat 29,1 x 41,9 cm punuar kryesisht me teknikën pendë dhe lavis, apo ngjyrosje e lëngshme e të kafenjtës me guash të bardhë. Një princ – apo një mbret -, me shpurën e vet, shfaqet në një çast fushimi. Dhe, për nga vetë përkrenarja me kokën e dhisë përsipër, që ky personazh historik mban mbi krye, Louise Rice, me të drejtë, dallon që në fillim figurën e Skënderbeut, Heroit Kombëtar shqiptar. 

Veçse, siç do vërejmë më poshtë, vëzhgimet e saj në disa rrafshe dhe në disa pista hulumtimi e çojnë studiuesen Louise Rice në konkluzionin se prapa figurës historike të një Skënderbeu “me veshje moderne” qëndron figura e lashtë e Pirros së Epirit(!) Një konkluzion ky për të cilin detyrohemi të shprehim rezervat tona që në fillim. Sepse, duke u përqëndruar në shumë elementë të tjerë përbërës të kompozimit të veprës, dhe sidomos në kontekstin historik të realizimit të saj, shohim këtu, para së gjithash e mbi të gjitha, përtej aluzioneve e analogjive, thjesht dhe vetëm figurën madhore të kombit shqiptar, Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun.    

Për më tepër që, pas analizës që i bën Louise Rice vizatimit të Jacques Stella-s, një tjetër historian bashkëkohor i artit, Sylvain Kerspern, vëren me të drejtë se, prapëseprapë, “subjekti i veprës mbetet enigmatik”2. Që do të thotë se ka vend për studim edhe më të thelluar, me zbërthime të mëtejshme elementësh përbërës, pra, me prurje të reja, të cilat ne do përpiqemi t’i parashtrojmë mbi bazën e skënderbegologjisë, si degë e rëndësishme e shkencave albanologjike. 

Por le të shohim fillimisht më nga afër, në mënyrë të përmbledhur, vëzhgimet, analizat dhe përfundimet e studimit të Prof. Louise Rice, si dhe të dhënat e reja plotësuese të hulumtuesit dhe studiuesit francez Dr. Sylvain Kerspern.

Prof. Rice sheh pra, në këtë vizatim të piktorit Jacques Stella, “një mbret me oficerët e tij, mbledhur përpara një kampi ushtarak, paraqitur me veshje ekzotike që të bën të mendosh për një vend me përkatësi nga Lindja, por ndoshta edhe nga Perëndimi”. Në të majtë, qëndron flamur-mbajtësi, me shqiponjë shpalosur e të kurorëzuar, në të djathtë, në shatër në moshë të re tek mban para vetes një mburojë me emblemë, si dhe në plan të parë një qen që rend drejt një zone të pyllëzuar. Në të djathtë, shihen tre ushtarë duke kuvenduar dhe në plan të dytë, tumpetistë, që japin alarmin për mbledhje të trupave. Një shirit i shndritshëm në formë harku ylberor është i mbushur me personazhe të kapur dorëpërdore, duke u ngjitur drejt qiellit. 

Si bën këtë paraqitje të elementëve kompozicionalë të vizatimit, Louise Rice jep një historik të përmbledhur të studimeve të para lidhur me këtë vizatim, dhe konkretisht: 

“… I pari që ka bërë një interpretim serioz të përmbajtjes, thotë ajo, është ikonografi i madh francez Jean Seznec, i cili më 1954 sheh këtu një skenë të përqëndruar në Hungari; mbreti është Mathias Corvinus dhe shatri i tij është Ippolito d’Este”, domethënë nipi i mbretit hungarez. Dhe Rice që shton: “Veshja gjysmë-orientale e mbretit dhe e shërbenjësve të tij të krijon përshtypjen se ngjarja po ndodh në Hungari, kurse flamuri me shqiponjën bën aluzion për Ippoliton, duke qenë se shqiponja ishte emblemë e parapëlqyer e familjes Este…”.3 Veçse, kundërshton menjëherë Prof. Rice, teoria e Seznec nuk jep shpjegim për shumicën e aspekteve të tjera të vizatimit”. Për më tepër që nuk i përgjigjet realitetit të gjërave, kur në mburojën e shatrit nuk shfaqet as emblema e Mathias Korvinit, as emblema e familjes Este. “Dhe përse flamuri me shqiponjë mban mbi krye një kapë kardinali? – pyet prof. Rice, që vijon: “Përse (për më tepër), shfaqet në plan të parë një qen duke rendur? Dhe ç’përfaqësojnë, nga ana tjetër, figurat, burra e gra, në ngjitje drejt qiellit përmes një shiriti të shndritshëm?”4. Ja do pyetje, konkludon ajo, për të cilat studjuesi francez Seznec nuk jep kurrfarë shpjegimi bindës. 

E njëjta gjë me shpjegime të pështjella ndodh edhe me historianin hungarez të artit Sandor Baumgarten (1864-1928), i cili kishte vërejtur më herët në këtë vizatim të Stella-s, një skenë që paska lidhje jo vetëm me historinë e Hungarisë, por edhe me figurën e veçantë të kardinalit Ippolito d’Este. Dhe çuditërisht, ai e sheh këtë personazh të realizuar te figura madhore e mbretit, si figura kryesore, dhe jo te figura e shatrit djaloshar! Domosdo që, për prof. Rice, edhe ky argument i Baumgarten bie poshtë si i pakuptimtë, tek shmang kësisoj të dy këto interpretime të para të gabuara të mesit të shek. XX mbështetur mbi “tematikën hungareze”.

Në këtë mënyrë, sekreti i vizatimit të Jacques Stella-s do të mbisundonte deri kohët e fundit, kur Louise Rice, më 2021, do të kërkojë para së gjithash të zbulojë arsyen themelore të realizimit të kësaj vepre. Dhe arsyeja, si për mjaft vepra të tjera të kësaj gjinie, qëndron në dukurinë e kohës: kur në Itali, por edhe në Francë, studentë që mbronin teza doktorale publike i ilustronin punimet e tyre shkencore me vepra artistike, shpesh me tematikë të huazuar nga Lashtësia, por edhe nga Orienti ekzotik. Shfaqen kësisoj në këto ilustrime elementë ikonografikë përkushtues, ku veçanërisht bien në sy emblema të figurave historike apo të familjeve të mëdha fisnike. Dhe në rastin tonë, kompozimi i Jacques Stella-s shfaq konkretisht emblemën e kardinalit Desiderio Scaglia (1567-1639), i njohur ndryshe me emrin Kardinali i Kremones. 

Une image contenant dessin, croquis, art, Objet de collection

Description générée automatiquement

 (foto 2) Kardinali Desiderio Scaglia (1567-1639) dhe emblema e tij.

Nuk mungojnë elementët përbërës të kësaj embleme qoftë në shqytën e shatrit, qoftë edhe të shpërndarë në gravurë: konkretisht, qeni duke rendur mbi një pjerrësirë tokësore apo shqiponja me një krye, kurorëzuar me kapë kardinali dhe mbajtur nga katër engjëj ajërorë, mu në mes të ilustrimit. Këtë shpjegim të prof. Rice lidhur me emblematikën e tablosë së Stella-s e shohim mëse të drejtë dhe të mirargumentuar.  

Veçse më pas, Prof. Rice do të kërkojë shtresëzimet kuptimore të elementëve përbërës të veprës artistike, duke lexuar vëmendshëm “kuptimet brenda kuptimeve”, siç e titullon ajo esenë e saj, duke u ndalur në detajet e shumta të kompozimit. Për studiuesen amerikane të artit, “detaji më i çuditshëm (apo i pazakontë), siç thotë ajo, është kurora e mbretit, një element gati i papërmendur në komentet e bëra rreth këtij vizatimi”. Pra, shkurt dhe saktë: vetë  përkrenarja me kokën e dhisë i zbulon prof. Rice figurën historike të Skënderbeut shqiptar! Me një dallim të dukshëm: që ajo sheh në këtë përkrenare “një kokë cjapi me brirë të gjatë” (!) Në fakt, jo një herë, ne, në analizat tona, kemi vënë në dukje se është e vështirë të përcaktohet me përpikmëri gjinia e kafshës falë brirëve të saj: është dhi apo është cjap ?!5 Por nga ana tjetër, shënojmë kalimthi se në heraldikë, zakonisht, dallimi i gjinisë bëhet këtu duke e paraqitur për shembull cjapin me brirë më të gjatë e të përthyer fort, madje edhe të rrumbullakosur një a dy herë rreth vetes, si në përkrenaren e Aleksandrit të Madh. 

Rrjedhimisht, konkludon me të drejtë prof. Rice, shfaqet këtu “një kurorë (përkrenare) paraqitur krejt ndryshe nga ajo e mbretërve të Hungarisë a Polonisë, apo krejt ndryshe nga çfarëdo simboli tjetër heraldik brenda kufijëve të Perandorisë së Shenjtë germano-romake. “Dhe duket qartë, vijon ajo, se kemi të bëjmë thellësisht me një objekt të lidhur ngushtë me historinë heroike të një rajoni tjetër të Europës së Lindjes, konkretisht me Shqipërinë” (nënvizimi ynë F.A. & D.M.). “Sepse Stella – nënvizon Rice -, e ka modeluar atë kurorë mbi bazën e përkrenares të udhëheqësit të madh shqiptar të shekullit XV dhe mbrojtës i Europës kundër turqve osmanë Gjergj Kastriotit, i njohur më mirë me emrin Skanderbeg (1405-1468)”. 

Une image contenant croquis, dessin, art, peinture

Description générée automatiquement“Përkrenarja e Skënderbeut, si dhe dy nga shpatat e tij, shpjegon ajo, u çuan në Itali nga e veja Donika Kastrioti, dhe më pas u morën në zotërim nga arqiduka Ferdinand i Tirolit, një koleksionist i apasionuar armësh e armaturash, që i ruajti ato si objektet më të çmuara të tij në Scholss Ambras të Insbrukut, ku qëndruan deri në shpërnguljen e tyre në Vjenë në fillim të shek. XIX”. Ja një shpjegim i qartë e i bindshëm nën penën e prof. Rice.

(foto3) Stella – Skënderbeu me përkrenaren.

Më tej, për të përforcuar tezën e saj, ajo i referohet drejtpërdrejt ikonografisë kastriotine të kohës së piktorit francez J. Stella, dhe vëren se nuk mungojnë assesi veprat artistike që paraqesin Skënderbeun dhe përkrenaren e tij me kokën e dhisë përsipër. Përmend kështu “Skënderbeun” e piktorit italian Giovanni Baptista Fontana (1541-1587), me gravurim të Dominicus Custos në vitin 1601, duke parë në këtë portret të Heroit shqiptar modelin që i ka shërbyer J. Stella-s për realizimin e veprës së tij. 

(foto 4) Skënderbeu i Stella-s dhe i Fontana – Custos.

Madje, me shumë mprehtësi, studiuesja amerikane vëren se këndi i paraqitjes së përkrenares së Skënderbeut te vepra e Custos, është po ai i përkrenares së vendosur mbi kryet e Heroit te vepra e Stella-s. Nga ana tjetër, Prof. Rice përcakton me shumë të drejtë si modelin më të përafërt të “Skënderbeut” të Stella-s gravurën e realizuar për Heroin shqiptar nga Hieronymus Henninges në veprën “Theatrum Genealogicum”6, ku Gjergj Kastrioti nuk shfaqet me mjekrën e gjatë legjendare të Custos, por thjesht me mustak të rëndë, veshur me veladon të gjatë gjithë motive e thile, tek mban në dorë të djathtë flamurin shqiptar me shqiponjën dykrerëshe dhe në krahun e majtë shpatën në brez. Përngjasa e madhe e dy portreteve të Skënderbeut realizuar njeri nga Henninges (v.1598) dhe tjetri nga Stella (v.1631) e bindin prof. Rice të shohë këtu, pa kurrfarë dyshimi, të njëjtin portret të KryeHeroit shqiptar. Dhe me të drejtë (shih foto 9).

Pasi jep një përshkrim të shkurtër biografik të Skënderbeut dhe rendit vlerësimet për KryeHeroin shqiptar “si mbrojtës i guximshëm i kishës katolike romane dhe i kristianizmit europian në përgjithësi, cilësuar “tmerr i turqve dhe fshikullues i të pabesëve”, “kur vetë emri i tij, Iskander bey do të thotë lordi Aleksandër, ose më mirë Aleksandri i Madh”, Louise Rice kërkon të tërheqë vëmendjen se Skënderbeu, siç thotë ajo, “nuk ishte figurë mbretërore, as madje figurë princërore”, por thjesht një “prijës shqiptar” (!).7 Dhe, pikërisht, kjo zhbërje e papritur (me/pa paragjykim), kjo “rezervë” e saj, apo më mirë teza që ajo parashtron sipas së cilës “në Lashtësi nuk ka pasur një Shqipëri me emër të tillë, por as komb, as popull shqiptar”, (tezë plotësisht e kontestueshme dhe e qartësuar nga historiografia shqiptare), e bën studiuesen amerikane të kërkojë prapa figurës së Skënderbeut “kuptimin e kuptimit”, domethënë: Kush qëndron pas personazhit “Skënderbe”? Dhe përgjigja nuk do vonojë nga ana e saj, tek shprehet: “Rajoni njihej në Lashtësi me emrin e Epirit dhe kulturalisht e politikisht ishte i lidhur pas Greqisë, duke krijuar provincën më veri-perëndimore të vendit, kufirin gjysmë barbar të tij. Epiri, thotë ajo, qeverisej nga mbretër dhe më i famshmi syresh ishte Pirroja, që mbretëroi në vitet 297-272 para J.K., sidomos i njohur për luftërat që ndërmorri për të mbrojtur Magna Graecia-n kundër Romës grabitqare dhe ekspansioniste.”

Filed Under: Politike

Kosova është Evropë — në histori, në vlera dhe në shpirt

June 7, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Në diskursin ndërkombëtar, shpesh Kosova përmendet si një vend që “aspiron” t’i bashkohet Evropës. Një vend që duhet të “arrijë” standardet evropiane. Një vend që kërkon të bëhet pjesë e një komuniteti vlerash të cilit ende nuk i përket. Kjo është një paraqitje thellësisht e gabuar. Kosova nuk është një komb që synon të bëhet evropian — Kosova është Evropë. Dhe këtë e ka dëshmuar jo vetëm në mënyrë deklarative, por në mënyrë thelbësore: në rrënjët e saj historike, në ndërgjegjen e saj qytetare, në vlerat për të cilat ka luftuar dhe në mënyrën se si ndërton shtetin e saj.

Trashëgimia antike dhe themelet evropiane
Që në antikitet, territori i Kosovës ishte pjesë përbërëse e botës romake dhe më pas bizantine, duke ndarë me pjesën tjetër të Evropës Perëndimore dhe Lindore të njëjtat forma të organizimit qytetar, ligjor dhe kulturor. Qytetet si Ulpiana, Municipium Dardanorum dhe Theranda dëshmojnë jo vetëm për zhvillim urban të avancuar, por edhe për përkatësi të qartë në hapësirën e qytetërimit greko-romak — i cili përbën bazën e kulturës politike dhe juridike të Evropës së sotme. Ligji romak, koncepti i res publica, e drejta qytetare — të gjitha këto u shtrinë në këto troje shumë kohë para se të lindnin shtetet moderne të Evropës.

Krishterimi i hershëm dhe përkatësia shpirtërore

Në shekujt që pasuan, krishterimi perëndimor zuri vend të rëndësishëm në Kosovë, veçanërisht nëpërmjet priftërinjve françeskanë dhe lidhjeve me selinë papnore. Bazilikat paleokristiane në Ulpianë, në Nikadin, në Harilaq apo në Dresnik dëshmojnë se Kosova ishte jo vetëm pjesë e përhapjes së krishterimit, por edhe ruajtëse e kësaj tradite evropiane, pavarësisht pushtimeve dhe ndikimeve të jashtme. Kjo përkatësi shpirtërore dhe kulturore me Perëndimin ka qenë konstante, përkundër ndryshimeve të forcës dhe historisë.

Skënderbeu dhe rezistenca evropiane nga zemra e Kosovës
Kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me rrënjë familjare nga Drenica, ngriti flamurin e rezistencës ndaj Perandorisë Osmane, ai nuk mbrojti vetëm një territor shqiptar, por një kufi të qytetërimit evropian. Ai konsiderohej nga Papa si “mbrojtësi i krishterimit”, dhe nga mbretërit evropianë si aleat strategjik. Rezistenca e tij, e mbështetur nga qytetet e Kosovës si Novobërda, Prizreni dhe Vuçiterna, ishte në thelb një përballje për ruajtjen e Evropës nga zgjerimi i Lindjes autokratike.

Rilindja Kombëtare dhe përthithja e ideve iluministe evropiane

Në shekujt XIX dhe XX, kur popujt e Ballkanit u ngritën në kërkim të lirisë dhe shteteve të tyre kombëtare, Kosova ishte epiqendër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Prizreni, Gjakova, Peja dhe Mitrovica u shndërruan në qendra politike, arsimore dhe kulturore, ku u shpërnda ideja evropiane e shtetformimit, e frymëzuar nga Iluminizmi francez, liberalizmi italian dhe nacionalizmi gjerman. Një numër i madh i ideologëve shqiptarë, si Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi dhe Hasan Prishtina, e panë të ardhmen e shqiptarëve si pjesë e një Evrope të kombeve të lira, jo si provincë osmane apo periferi sllave.

Lëvizja e rezistencës paqësore dhe pavarësia demokratike
Në fundin e shekullit XX, Kosova dha një nga shembujt më të rrallë në historinë evropiane moderne: rezistencën paqësore dhe qytetare ndaj okupimit dhe shtypjes sistematike. Udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, Kosova ndërtoi institucione paralele, mbrojti identitetin kombëtar dhe promovoi kulturën e mosdhunës — një qasje që do ta admirojnë edhe sot në Evropë si model i qytetërimit politik. Pas periudhës së luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjes humanitare të NATO-s në vitin 1999, Kosova u drejtua me vetëdije drejt ndërtimit të një shteti demokratik multietnik, me kushtetutë moderne dhe orientim të qartë euro-atlantik.

Sot: Evropa është në ne, më shumë sesa ne jemi në Evropë
Edhe sot, Kosova është ndër vendet më të reja në Evropë që përkundër sfidave të mëdha të brendshme dhe jashtme, është e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave që përbëjnë thelbin e Bashkimit Evropian: sundimi i ligjit, barazia, drejtësia sociale, liria e shprehjes dhe respektimi i të drejtave të pakicave. Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të barabarta për të gjitha komunitetet, përfaqësim proporcional në institucione dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore të të gjithëve — shumë më shumë sesa shtete që janë pjesë formale të BE-së, por që s’respektojnë këto parime.

Në një kohë kur disa vende evropiane rrëshqasin drejt populizmit, autokracisë dhe intolerancës, Kosova shpesh është një përjashtim pozitiv. Shoqëria civile është aktive, media është kritike dhe pluraliste, të rinjtë janë të orientuar drejt dijes dhe mobilitetit, dhe shpresa për një të ardhme në bashkësi me popujt e lirë të Evropës mbetet gjallë.

Kosova nuk është një kandidate për Evropë — Kosova është Evropë
Të mohosh përkatësinë evropiane të Kosovës, do të thotë të mohosh vetë historinë e Evropës. Kosova nuk ka nevojë të imitojë Evropën, sepse ajo e ka ndërtuar vetveten mbi themelet e saj. Është një ndër të paktat vende në rajon që ka mbrojtur vlerat evropiane në kushte të pamundura, shpeshherë pa mbështetje, vetëm me idealizëm, me dinjitet dhe me përkushtim.

Nëse Europa ka ende një shpirt, ai është pikërisht shpirti i atyre që luftuan për liri, që ndërtuan shtete të drejtësisë dhe që nuk u nënshtruan as pushtimit, as korrupsionit, as tiranisë. Kosova është pikërisht një nga ato histori.

Dhe ne, shqiptarët kudo që jemi — në atdhe apo në diasporë — duhet ta themi këtë me krenari, pa frikë dhe pa kompleks:

Kosova është Evropë. Në çdo kuptim të fjalës.

Filed Under: Rajon

Prishtina, një qytet me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe kombëtare për shqiptarët

June 7, 2025 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Prishtina është kryeqyteti i Republikës së Kosovës – një qytet me rëndësi të veçantë shpirtërore dhe kombëtare për shqiptarët. Për dekada me radhë, përmes valëve të Radios dhe Televizorit te Prishtinës, shqiptarët nga të gjitha anët kanë ndjekur rrahjet e pulsit të pjesës tjetër të kombit, dëshminë e mbijetesës dhe rezistencës kulturore. Në periudhat kur Rilindësit dhe ndërtuesit e shtetit shqiptar ishin të ndaluar në Shqipëri, Prishtina mbeti një hapësirë e hapur frymëzimi për lirinë e Dardanisë.

Intelektualët, shkrimtarët, studiuesit dhe historianët e Kosovës – rilindësit e rinj të kësaj ane të Gegnisë – pavarësisht mungesës së lirisë politike, përbënin një burim frymëzimi edhe për Shqipërinë e izoluar nga diktatura. Në Kosovë ruhej ende e pastër dhe e gjallë lidhja me Shqipërinë Tradicionale, e cila përtej kufirit ishte bërë objekt ndalese. “Lahuta e Malesise” ishte libri i shenjte i Kosoves ne ruajtjen e identitetit. Kjo ruajtje e autenticitetit kombëtar ndërthurej me një formim intelektual thelbësisht të ndryshëm nga ai i Shqipërisë, ku për një gjysmë shekulli universi akademik evropian dhe ai i eterve te kultures kishte qenë i ndaluar.

Takimi im i parë me studiuesit e Kosovës – që, ia dolën të marrin pjesë në forumet shkencore në Shkodër dhe Tiranë, në kohën kur Kosova ende ndodhej nën pushtim – mbetet një përvojë e paharrueshme dhe e pashlyeshme për mua.

Sot Kosova është e lirë.

Dje u ktheva nga Prishtina me shpresën se ajo frymë e dikurshme do të ruhet, do të zhvillohet dhe do të ngrihet më lart në funksion të misionit të një shteti modern evropian.

Kosova ka pasur dhe ka personalitete me ndikim të madh në fushën e historiografisë, me autoritet të pakontestueshëm në prodhimin e dijes shkencore. Ata kanë ndërtuar një traditë të konsoliduar të përgatitjes së brezave të rinj të studiuesve, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë. Reputacioni i tyre është ndërtuar mbi përkushtimin ndaj standardeve akademike dhe mbi një punë kërkimore të palëkundur.

Unë,mendoj se periudha e tranzicionit nuk duhet të çojë në harrimin e kësaj trashëgimie, dhe as të hapë rrugë për krijimin e “padrinove” që ushtrojnë kontroll arbitrar mbi shkrimin shkencor të historisë, duke përzgjedhur dhe vendosur në mënyrë të njëanshme mbi vlerën e veprave kërkimore.

Në kontekstin e vendeve post komuniste, raporti midis pushtetit, autoritetit akademik dhe prodhimit të dijes është shpesh i ngarkuar me tensione strukturore dhe personale. Prandaj, në përputhje me parimet e epistemologjisë bashkëkohore, lejimi i krijimit të figurave me pushtet arbitrar vendimmarrës është në kundërshtim me frymën e kërkimit shkencor të lirë dhe të verifikueshëm.

Duhet të kemi parasysh se historiografia moderne nuk është ndërtuar mbi hierarki autoritetesh, por mbi dialog, kritikë të ndërsjellë dhe rishikim të vazhdueshëm të tezave në dritën e burimeve të reja dhe qasjeve teorike të përparuara. Kulti i autoritetit personal bie ndesh me parimet themelore të shkencës: një punim është i vlefshëm jo sepse e pohon një autoritet, por sepse është ndërtuar mbi metoda të qëndrueshme, burime të mirëpërdorura dhe analizë të thelluar.

Republika mendoj se duhet të vazhdojë të investojë në zhvillimin e shkencës mbi këto parime, por njëkohësisht duhet të jetë e kujdesshme për të identifikuar nëse aktorë të caktuar financojne tinzisht me synim të deformojnë këtë rrugë modernizuese dhe europianizuese të institucioneve që janë themeluar për të përmbushur një mision të lartë kombëtar dhe qytetar.

Filed Under: Opinion

MALËSIA E MADHE PËLLËMBË THESARI

June 7, 2025 by s p

(Kushtuar Patriotit Kolë Prek Gojçaj)- Thesaret, ato që shkëlqejnë nën dritën e historisë, zakonisht matën me vlerën e tyre materiale rriten, bien, ose shuhen me kohën. Por thesaret njerëzore janë krejt ndryshe: janë burime të pashtershme idesh, veprash dhe shpirtmadhësie. Sa janë gjallë, përkushtimi i tyre është aq i natyrshëm sa shpesh kalon pa u vënë re. Por kur largohen nga kjo botë, vepra e tyre ndriçon si një dritë që nuk shuhet kurrë, duke u bërë pasuri e përhershme për brezat që vijnë.
Në këtë plejadë të ndritur atdhetarësh, një vend nderi zë Kolë Prek Gojçaj biri i Helmicës së Malësisë së Madhe të Hotit dhe një nga shtyllat e komunitetit shqiptaro-amerikan në Michigan. Lindur në një familje që kishte paguar çmimin e lirisë me shtëpinë e djegur pesë herë nga pushtuesit, ai trashëgoi jo vetëm plagët, por edhe krenarinë dhe ndjenjën e përjetshme të atdhedashurisë. Dera e shtëpisë së tij kurrë nuk u mbyll; ajo mbeti hapur për të pritur miqtë, bashkëkombasit dhe çdo ideal të shenjtë të kombit shqiptar.
Prej më shumë se gjysmë shekulli në Amerikë, Kolë Gojçaj jetoi me shpirtin e një misionari të heshtur për çështjen kombëtare. Vizitat e tij të shpeshta në Shqipëri ishin një dëshmi e lidhjes së pashkëputshme me rrënjët. Ishte një njeri i besës, i fjalës së dhënë dhe i veprës së kryer me vizion të qartë dhe me guxim të palëkundur.

Në komunitetin shqiptar në SHBA, ai shërbeu si Kryetar i Këshillit të Kishës së Shën Palit, ishte donator i palodhur dhe pjesëmarrës aktiv në çdo nismë për të ruajtur identitetin, kulturën dhe traditat tona. Biznesmen i suksesshëm, por mbi të gjitha patriot i devotshëm, Kola nuk mungoi kurrë në protestat, grevat dhe demonstratat për lirinë e Kosovës. Ishte ndër ata që i dhanë shpirt dhe mbështetje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e ndihmuar financiarisht dhe moralisht, për çka më pas u nderua me titullin Veteran i UÇK-së dhe gëzonte respektin e pakufishëm të institucioneve kosovare.
Në vitet e fundit, jetonte i ndarë mes Amerikës dhe Helmicës së tij të dashur, aty ku i rrinte gjithmonë zemra. Ndarja e tij nga jeta në moshën 89-vjeçare është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por për mbarë Malësinë, për diasporën shqiptare në Amerikë, dhe për të gjithë ata që e njohën e punuan me të.
Patriotizmi i tij nuk shteroi me largimin e trupit të tij fizik. Ai la pas një pasuri të çmuar vlerash, që do të ndriçojë përherë historinë tonë dhe do të frymëzojë brezat që vijnë.

Në nderim të veprës së tij, ALBTVUSA së shpejti do të transmetojë intervistën ekskluzive të realizuar me Kolë Gojçajn disa vite më parë një rrëfim i gjallë i jetës dhe kontributit të tij atdhetar.
Ngushëllimet më të thella familjes së nderuar Gojçaj, Malësisë së Madhe dhe mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan për humbjen e këtij burri të rrallë, që i fali jetës shqiptare më shumë dritë e nder.

Gani Vila
Drejtor
ALBTVUSA

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT