• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

SHKOLLA SHQIPE “GJERGJ FISHTA” NEW YORK FESTOI 1 -QERSHORIN, DITËN NDËRKOMBËTARË TË FËMIJËVE

June 2, 2025 by s p

Përgatiti: Mësuese Fabjola Gjinaj/

Shkolla “Gjergj Fishta” N.Y. organizoi koncert muzikor me këngë, valle dhe recitime me nxënësit e shkollës për Festën e 1-Qershorit, nën kujdesin e mësuese Fabjolës, ku të pranishëm ishin prindër, vatran dhe miq të shkollës shqipe. Dr. Paulin Marku, bashkëthemelues e drejtues i kësaj shkolle, mbajti fjalën e hapjes së aktivitetit dhe përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen dhe uroj nxënësit e shkollës Gjergj Fishta, Gëzuar Festën e 1- Qershorit. Ai bëri një përmbledhje të shkurtër të arritjeve të shkollës gjatë vitit 2024-2025 ku vuri theksin në seriozitetin e prindërve, nxënësve dhe stafit të shkollës për angazhimin dhe bashkëpunimin e frytshëm në mësimin e gjuhës, historisë e vlerave kombëtare shqiptare. Gjatë këtij viti mësimor kemi arritur të organizojmë edhe disa aktivitete kulturore e atdhetare me këngë e vadhe, recitimeve e interpretimeve në shqip nga nxënësit e shkollës tonë, brenda dhe jashtë ambienteve të shkollës tonë në bashkëpunim më organizata e shoqata të tjera. Në mbyllje të fjalës së tij, falënderoi përzemërsisht prindërit që bashkëpunuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit të shkollës tonë, ku një mirënjohje të veçantë shprehu për prindërit e shkollës, të cilët kishin përgatitur ushqime tradicionale për të pranishmit.

Aktivitetin e përshëndetën miqtë e prindërit e shkollës shqipe. Znj. Anila Pantazi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi organizatorët për ftesën dhe për emocionet që fëmijët e shkollës dhuruan gjatë koncertit. Ajo shpërndau dhurata simbolike për prindërit dhe fëmijët dhe ofroi bashkëpunim dhe mbështetje për shkollën “Gjergj Fishta” dhe Vatrën në Long Island, N.Y. Sociologia, Denisa Karaçi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi themeluesit e shkollës, Dr, Paulinin dhe mësuese Fabjolën për nismën dhe udhëtimin shembullor me shkollën shqipe në Long Island, dhe vlerësoi kontributin e vyer për të bashkuar shqiptarët, prindër e nxënës që vlerat tona kombëtare shqiptare të rriten dhe kultivohen në brezat e ardhshëm.

Zonja, Malvina Bilali, në fjalën e saj përshëndetëse, uroj fëmijët dhe prindërit e shkollës tonë dhe si prindër i kësaj shkolle, falënderoi prof. Paulinin dhe mësuese Fabjolën për punën e palodhur që bëjnë për fëmijët e komunitetit shqiptar, këtu në Long Island, N.Y. duke vendosur theksin edhe në rëndësinë e shkollës dhe Vatrës që shërben si një urë lidhëse midis shqiptarëve për të bashkëpunuar e bashkëvepruar së bashku në komunitet.

Aktiviteti u prezantua nga zonja, Borana Coka: Në fillim përshëndeti të pranishmit, uroj nxënësit me rastin e 1-Qershorit dhe shprehu mirënjohje për prof. Paulinin dhe mësuese Fabjolën për angazhimin e tyre në mësimdhënie dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme me nxënësit e shkollës shqipe. Edhe pse jetojmë e punojmë prej shumë vitesh në këtë zonë të bukur, si prindër mund të them se fatmirësisht, shkolla shqipe u themelua për kultivimin e gjuhës shqipe, vlerave tonë kombëtare si dhe për të bashkuar komunitetin tonë këtu në Long Island. Znj. Borana prezantoi aktivitetin si më poshtë: Arnisin dhe Arnisën të kënduan këngën: -1 Qershori; Klea Bilali, recitoi vjershën,- Ç’ke harruar moj Valbonë; Alisia Durra, recitoi vjershën, -Babanë pyeti Beni; Ajla Durra dhe Kamila Marku, kënduan këngën,-Qingji i vogël; Tre vëllezërit, Dritëroi, Shqiptari dhe Albini, recituan vjershën,- 1 Qershori; Nxënësit e shkollës performuan,- valle kosovare; Parta recitoi vjershën,- Vjeshta; Wendy Bilali recitoi vjershën,- Nëna; Emeli dhe Bora kënduan, – Këngën e gjyshes; Aleks Qepuri, recitoi vjershën, Liria; Warda Bilali, recitoi,- Lapsi magjik; Emeli Marku, recitoi vjershën, -Duart tona; Wendi & Warda Bilali, kënduan këngën, -Nëna; Ajla Durra, recitoi vjershën, – Mollë të kuqe; Nxënësit performuan me valle, – Vallen e Tropojës; nxënësit e shkollës shqipe, Aron Domi, Bojken dhe Era Bajraktari, recituan vjershën, -mace mace, pis pis pis, si dhe uruan festën e 1-qershorit për bashkëmoshatarët; Parta, këndoi këngën, -Sa i dua frutat; Arnisa Muçaj, recitoi vjershën, -Qershia; Bora, recitoi vjershën,-Pranvera; Alisia dhe Klea, kënduan këngën,- Mos ua prishni lumturinë; Nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta” e mbyllën programin me vallen, – Vallja e Zanave.

Mësuese, Fabjola Gjinaj, bashkëthemeluese e shkollës “Gjergj Fishta” N.Y. në mbyllje të aktivitetit muzikor, falënderoi të pranishmit, veçanërisht prindërit e shkollës shqipe për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për kontributin e tyre për organizimin e festës së 1-Qershorit në shkollën tonë shqipe me nxënësit e mrekullueshëm që përcjellin emocione e dashuri. Ajo vuri theksin se tradita shqiptare e gatimit vijon të ruhet edhe këtu në Amerikë, ndaj sot dua të falënderoj përzemërsisht, të gjithë prindërit e shkollës tonë që gatuan dhe shtruan drekë me gatime tradicionale shqiptare për të pranishmit. Le të shërbejë kjo shkollë për mësimin e gjuhës e vlerave atdhetare kombëtare. Në mbyllje përgëzoi nxënësit për përformancën e tyre plot emocione dhe ju uroi atyre, Gëzuar 1 Qershorin dhe qofshi gjithmonë të bekuar dhe të suksesshëm në jetë.

Filed Under: Vatra

Mendimtari që hodhi urën mes kombit dhe qytetërimit

June 2, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi

175 vjetori i lindjes së Sami Frashërit

Në historinë e shqiptarëve, pak figura arrijnë të sintetizojnë në mënyrë kaq të thellë përpjekjen për identitet kombëtar, përparim kulturor dhe ndërhyrje reformuese në një perandori të vjetër siç bëri Sami Frashëri. I lindur në një periferi të Ballkanit, por me një horizont që përfshinte krejt hapësirën mesdhetare dhe orientale, Samiu u bë një arkitekt i ideve që kapërcyen kufijtë etnikë dhe kohorë, duke ndikuar në mënyrë të pazëvendësueshme jo vetëm procesin e ndërgjegjësimit kombëtar shqiptar, por edhe zhvillimet e modernizmit osman.

Lindja e një mendimtari në kohë të trazuara

Kur Sami Frashëri erdhi në jetë, Perandoria Osmane ishte në një fazë krizash të shumanshme: goditje nga fuqitë europiane, lëvizje nacionaliste brenda dhe rënie e thellë institucionale. Ballkani ishte një vatër e këtyre transformimeve, dhe pikërisht në këtë qendër tensioni u formua vetëdija politike dhe kulturore e Samiut. Ai e kuptoi herët se shqiptarët, nëse donin të mbijetonin në këtë vorbull të ndryshimeve, duhej të organizoheshin si një trup i vetëm, i lidhur jo me fe apo fis, por me gjuhë, kulturë dhe qëllim historik të përbashkët.

Gjuha si akt politik

Një nga prurjet më origjinale të mendimit të tij ishte pikërisht roli që i dha gjuhës. Në një kohë kur shumica e popujve të Ballkanit nisën të artikulonin identitetin e tyre përmes simboleve fetare, Sami Frashëri vendosi gjuhën në themel të përkatësisë kombëtare. Ai nuk e trajtoi shqipen thjesht si një mjet komunikimi, por si një hapësirë të ndërgjegjes kolektive, ku fshiheshin kujtimet, zakonet, ndjenjat dhe vetë shpirti i një populli.

Për këtë arsye, përpjekjet e tij për standardizimin e alfabetit, për hartimin e teksteve arsimore dhe për shtypin në gjuhën shqipe nuk ishin veprime teknike, por akte themeluese të një kulture shtetformuese. Ai e dinte mirë që një komb pa shkollë në gjuhën e vet, pa fjalor dhe pa shtyp, mbetej i pafuqishëm përballë të tjerëve.

Kombi si krijesë kulturore dhe politike

Ajo që e veçon Sami Frashërin nga shumë rilindës të kohës së tij është aftësia për ta konceptuar kombin jo si një dhuratë të së kaluarës, por si një projekt që duhet ndërtuar. Për të, shqiptarët nuk ishin një komb sepse kishin të njëjtën gjuhë, por sepse mund të bëheshin një komb përmes vetëdijes, arsimit dhe organizimit politik.

Kjo ide e tij i parapriu koncepteve moderne të kombformimit në Europën Qendrore, ku shteti i të drejtës dhe qytetaria përbëjnë themelin e unitetit. Samiu e kishte të qartë se në një truall me kaq shumë ndarje fetare, vetëm një identitet laik dhe gjithëpërfshirës mund të garantonte bashkimin e shqiptarëve.

Reformator në trupin e një perandorie të vjetër

Një nga paradokset më të mëdha të figurës së Samiut është se, ndonëse ideolog i një kombi të ri, ai punoi për një pjesë të madhe të jetës së tij brenda strukturave të Perandorisë Osmane. Kjo nuk ishte një kontradiktë, por një zgjedhje strategjike. Samiu e kuptonte se ndikimi duhej ushtruar nga brenda, me gjuhën dhe format institucionale të kohës.

Si zyrtar, mendimtar dhe përkthyes në Stamboll, ai ndikoi drejtpërdrejt në proceset e modernizimit osman. Një nga përpjekjet më të mëdha të tij ishte reformimi i gjuhës turke, duke propozuar përdorimin e alfabetit latin dhe thjeshtimin e strukturës leksikore. Përmes veprës së tij enciklopedike dhe shkrimeve didaktike, ai u bë një mesues i qytetërimit, që sillte dijet europiane në një perandori që përpëlitej në krizën e orientimit historik.

Një mendimtar europian i lindur në Lindje

Sami Frashëri nuk u kthye kurrë në një ithtar të ideve nacionaliste shoviniste, siç ndodhi me shumë figura të tjera në Ballkan. Ai përqafoi një model intelektuali europian, që e sheh kombin si një formë organizimi demokratik, dhe jo si një përjashtim të tjerëve. Për të, Europa nuk ishte një model i gatshëm për t’u kopjuar, por një univers vlerash që duhej përthithur në mënyrë kritike: liria, arsimi, barazia para ligjit dhe drejtësia sociale.

Në këtë kontekst, Samiu krijoi një frymë që i parapriu shumë zhvillimeve që ndodhën më vonë në Shqipëri: laicizmit të shtetit, arsimimit të femrës, krijimit të institucioneve kulturore kombëtare dhe afirmimit të të drejtave qytetare.

Aktualiteti i një vizioni të papërfunduar

Figura e Sami Frashërit nuk është thjesht pjesë e së kaluarës. Mendimi i tij mbetet aktual sepse pyetjet që ai ngriti janë ende të hapura: Çfarë do të thotë të jesh shqiptar përtej gjuhës dhe prejardhjes? A mund të ndërtohet një shtet modern mbi themelet e arsimit dhe dijes? Si mund të jetojmë në një hapësirë ku Lindja dhe Perëndimi bashkëjetojnë, pa rënë në nënshtrim ndaj asnjërës? Pikërisht këto janë temat që bëjnë Sami Frashërin një figurë themeluese por jo të mbyllur, një frymë që vazhdon të mbajë gjallë ambicien për një komb të ndërtuar mbi dijen, qytetarinë dhe vizionin.

Filed Under: Politike

Arti është mjet, jo qëllim: Është mjeti për t’u folur njerëzve!

June 1, 2025 by s p

Në të gjitha ditët e fundjavëve të muajit maj, ku pemët janë mbushur me lëng jete të gjelbër dhe dita më ditë shohim shpërthimin e bulëzimet e gjetheve që tashmë pemët janë shndërruar në kurora të lulëzimit mbretërojnë në ngjyrat e tokës, në njërën nga sallat e Producer Club Theatër në New York City, u shfaq për artdashësit “Net të Bardha” të Feodor Dostojevski, me produksion skenik nga Bujar Alimani.

“Net të Bardha”, një roman i shkurtër sentimental, është një nga krijimet më të hershme të Dostojevskit, ku paraprin temat dhe shqetësimet që karakterizojnë romanet e tij më të pjekur, duke u konsoliduar si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të letërsisë psikologjike dhe humaniste. Kjo vepër është sjellë në gjuhën shqipe nga shumë përkthyes, po më ka bërë përshtypje midis tyre është Luan Myftyu edhe Islam Spahiu të dënuar politik, ku përkthimi i kësaj vepre u shndërrrua në akuzë, krahas akuzave të tjera për t’i dënuar politikisht ata. “Net të Bardha” mbetet një dëshmi prekëse e aftësisë njerëzore pë të dashur dhe ëndërruar edhe në mes të vetmisë më të thellë.

Autori është një nga shkrimtarët më të njohur në Rusinë Cariste duke krijuar vepra që eksplorojnë psikologjinë njerëzore në konteksin social, politik, ekonomik dhe shpirtëror që përjetoi vendi gjatë gjysmës së dytë të shekullit 19-të. Ai konsiderohet si një nga gjenitë më të mëdhenj letrarë të perëndimit. Niçe, një nga filozofët më të mëdhenj të kohës e lavdëroi duke deklaruar : – “Dostojevski, i vetmi psikolog me që ra fjala, nga i cili më është dashur të mësoj diçka. Ai është një nga goditjet më të bukura të fatit të jetës sime.” Nuk ka dyshim se stili i tij tregimtar dhe morali i tregimeve të tij janë të përjetshëm dhe se është nevojshme ta lexojmë atë për ta kuptuar shoqërinë në të cilën ka jetuar. Romani përbëhet nga katër kapituj dhe një epilog (4 netë dhe një mëngjes). Titulli – Netët e bardha i referohet një fenomeni natyror që zakonisht ndodh në Rusi gjatë solsticit të verës, kjo, në zonat me gjerësi të madhe. Në të, perëndimet e diellit janë vonë dhe lindjet e diellit ndodhin më herët. Për rrjedhojë, muzgu nuk është kurrë plotësisht i errët.

Ngjarja përdoret nga Dostojevski si mjedisore ashtu edhe metaforike. Leon Daudet- shprehet për Dostojevskin: – “Nuk është gabim të thuhet që është një mbret, i një esence dhe cilësie të tillë që, te modernët, vetëm Shekspiri mund të krahasohet me të. Mundet që pas Shekspirit dhe Eskilit ai që njeriu që ka zbritur më thellë, më ashpërsisht në honin e zemrave të trupave… Pra, rinia e sotme duhet të ketë parasysh jo vetëm atë që është e përjetshme:- ndjenjat rinore, cilado qofshin ato janë të natyrshme, e natyra ka ligjet e saj që nuk vdesin,por përtërihen pafundësisht, janë aktuale. “Net të Bardha”, roman sentimental (nga kujtimet e një ëndërruesi)- “Qielli ish aq i yjëzuar aq i ndritur sa, duke e parë, pa dashur pyesim veten :-a është e mundur që nën një qiell kaq të bukur të ketë njerëz të këqij?…….. një brengë. M’u duk papritmas se po më braktisnin të gjithë, se të gjithë po më largoheshin…… A është e mundur të jetë mëkat të ndiesh një mëshirë vëllazërore për ju?… Unë jam një ëndërrues.”

Si shumë histori të tija, edhe kjo është treguar nga një norator pa emër. Noratori është një burrë i ri, që interpretohet mrekullisht nga aktori i njohur Erjon Mustafaraj, një burrë që vuan nga vetmia. Është historia e një të riu që lufton kundër gjallërisë së tij rinore dhe që bie në vuajtjet e dashurisë. Ai bie në dashuri me një vajzë të re Ana (Nastjenka), interpretuar me zhdërvjelltësi nga Yllka Lola; por dashuria ngelet e pakthyer, pasi ajo ka një të dashur, që i mungon, dhe me të bashkohet së fundmi. Loja e aktorëve, mjeshtëria deri në detaje më të imta për dhënien e fabulës nga produksioni, Bujar Alimani, manaxheri i produksionit Damian Pervizi, ndriçimi, zëri dhe efektet e saj prej Tan Kazasi, Ilir Dhamo; muzika nga violinisti Arenc Leka, si skenat me detajet specifike sjell te spektatori gjithë historinë e protagonistes sonë Ana. Skenografia Albulena Beqiri, sidomos mbyllja e dramës leximi i letrës që i ka shkruar ëndërrimtarit të saj është një gjetje që transmeton te spektatori i pranishëm gjithë botën reale dhe atë shpirtërore me luhatjet dhe kontradiktat ndjesore.

Sjellja në skenë e kesaj vepre klasike eshtë ashtu si shprehet vete B. Alimani :-“Të merresh me art është sa zgjedhje po kaq dhe luks. Nuk e kanë fatin ta bëjnë të gjithë thelbësisht, sepse nuk është e lehtë. Të vendosësh të notosh në ujëra të thella është akoma më e vështirë. Të bësh film është një gjë e lartë. Por të bësh teatër është një akt suprem…..Teatri është një tempull ku këmbejmë në heshtje mendimet, ku përfitojmë ide e dalim më të mirë sesa kur hymë në sallë.. “Net të Bardha” është një shfaqje teatrale ku do mund të jepej në çdo sallë të botës për nivelin e ofertës estetike që ofrohet në çdo element artistik”.

Violeta Mirakaj
New York, Maj 2025

Filed Under: Kulture

Sami Frashëri, 1 qershor 1850 – 18 qershor 1904

June 1, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor. Ai kreu gjimnazin “Zosimea”, së bashku me Naimin. Më 1872 u vendos në Stamboll. Ishte një ndër organizatorët kryesor të Komitetit Qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo vepër sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idetë demokratike të Sami Frashërit për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkencës. Për veprimtarinë e tij në të mirë të lëvizjes kombëtare shqiptare Porta e Lartë e izoloi Sami Frashërin, duke e ndaluar vitet e fundit të dilte lirisht nga shtëpia. Vdiq më 18 qershor në Stamboll.

Një kujtim i Mid’hat Frashërit për Sami Frashërin

N’Eren- Qoj, një nga fshatrat e bukur të Stambollit nga an’ e Ysqydarit, është një udh’ e gjërë afër stacionit të vijës së hekurt, një udhë që vete nga deti e gjer në Merdiven – Qoj. Cop’ e kësaj udhe q’është m’anë të poshtme të fshatit, është anosur me dy rradhë repë të mëdhenj që hedhin një hije të hollë mbi pluhurin e trashë që mbulon rrugën në verë dhe mbi baltën ngjitëse në dimër.

Duke ardhur nga deti dhe duke ngjitur drejt veriut, udha ka një vajsimë të lehtë; më të dy anët shtëpi të bukura, brënda në kopësht dhe në vreshtë, mbajnë ndënjësit e fatshëm të kryeqytetit një gjindje që do dhe kërkon zbavitjen dhe që nuk le t’i shkojë as ndonjë rasje për t’i dhënë udhë dëfrimit.

Kjo udhë, si shkon rajet e hekurtë, zgjatet, prapë ashtu e gjërë, po drurët e anës ç’duken dhe shtëpitë bëhen më të rralla; ca më tutje, duke kthyer pak më të mëngjër, kryqëzohet me një udhë tjetër që vjen nga Koz – Gataku e vete në Gjoz – Tepe. Këtu vendi formon një shesh të lartë; ca më tej, tek kryqëzohen udhët duket xhamia e Sahrai – Xhedit; më tutje duken ca varre, varre të vjetër e të rinj, që gjithë tok kanë bërë një katër kindje të gjatë.

Nga ky vënt ka një pamje të bukur mbi Çamllixhe-në. Nga veriu, përmbi dhe parapa Merdiven-Qojit, unjen piqinjt’ e gjelbër të bregut kaq të hijshëm dhe të dëgjuar të Çamllixhe-së. Sadoqë shumë herë kam mbetur i çuditur përpara kësaj bukurie t’atij piqiri të veshur në bar e në drurë dhe stolisur me shtëpi të hijshme, gjithnjë kam gjetur një shije të re n’atë pamje. Po tani mëndja jonë s’ka prehjen e duhur për të ndjerë shijen e kësaj bukurije.

– Këtu, në këta varre, – i them shokut që kam pranë, – kemi dy shqiptarë: Tahsim Hoxha dhe Sami beu. Të parit, për fat të keq nuk dimë ku i dergjen eshtrat, sa për të dytin, ky çip dhé ja mban të mbeturat e vdirshme, nën këtë pirg balte fle gjumin e përjetshëm

Një grusht dhé mbulon një njeri të gjallë, plot vullnet, tërë shpresë dhe dëshirë; një pushim i thellë tani ka zënë vendin e asaj mëndjeje gjithnjë në lëvrim dhe në punë. Rrojti një herë dhe tani më s’është!

Më kujtohet gjithnjë një vjershë në persisht që këndonte Sami beu me një zë të mallëngjyer:

Der gurbet egjër myrq bigjired damen-i men

Aja qi qyned kabr qi duzed qefen-i men

Tabut-i-mera der xhoj-i bylend pyzarid

Ta bad byred buj mera der vatan-i men.

Shumë herë këtë vjershë e pasonte një psherëtimë që Sami beu pothua se e kish për vete të tij, aqë një përshtypje të madhe dhe të veçantë bënte.

Si sot po e shoh: Sami beu, kur shkruante e kish zakon që rrinte këmbë-kryq mbi një shilte të unjët; përpara mbante një fron t’unjët ku ishin rradhitur të hapura librat; libra dhe harta të hapura kish më të dy anët, më të mëngjër më të djathtë. Shkuante kurdoherë me një rregull dhe me një durim të çudiçmë, duke u ngjitur fort herët në mëngjes.

Nganjëherë, në mes të shkrimit ngrinte kokën nga karta që mbante në dorë, se zakon’ e kish të shkruante pa pshtetur kartën gjëkund dhe shkruante pastër, me një shkrim të bukur, pa fare prishje dhe ndreqje ; ahere syt’ e zes që i jepnin aqë bukuri fytyrës, i ngrinte, psherëtinte dhe një vjershë dilte nga goja me një zë t’unjët; veç kësaj vjershe persisht, shpesh thosh dhe të tjera persisht e arabisht.

Po ish dhe një tjetër vjershë frengjisht për të cilën kish një dashje të posaçme; dy vjersha të Viktor Hygoit:

Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse

O jours de mon enfance et de mon allegresse?

Ç’ishin hidhërimet dhe shpresat e djalërisë që kujtonte Sami beu? Në ç’shpresa, në ç’projekte pritmi, në ç’ëndërrime të djalërisë kthente sytë dhe shikonte? Ç’ishin këto shpresa që s’ishin mbaruar, që kishin pritur më kot?

Kot kemi bërë shumë herë këto pyetje me vete tonë! Po Sami beu s’i kish të shuma fjalët. Atë që di është se çfarë do që të kenë qënë shpresat, ëndërrimet dhe hidhërimet e tij, ay ish gjithnjë plot durim dhe kurrë s’e njohu dëshpërimin.

Prapë ja shoh të dy syt’ e zez plot mendime dhe ëmbëlsi, të shkëlqyeshëm ballët e zbuluar; me të rrallë i dilte ndonjë fjalë hidhërimi nga goja, një psherëtimë e hollë; ahere pandehnja se dëshpërimi ja shtrëngonte zemrën, po kjo pahndehje shuhej shpejt duke parë durimin me të cilin punonte, shpresat dhe projektet që bënte… Ahere thoshnja dhe më dukej se kurrë ndonjëherë dëshprimin nuk ia njohu zemra dhe mendja. Edhe kështu vajti gjer në orë të fundit.

Nga një njeri plot mëndje dhe punë, tani ky pirg i vogël ka mbetur!

Stamboll, 7 gusht 1910

Filed Under: Histori

Në Albany, NY 2025 festë madhështore për mbylljen e vitit shkollor të Shkollës Shqipe Alba Life

June 1, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Është gjuhë e Ilirisë/ që në lindje të njerëzimit/ Do t’i këndojmë Shqipërisë/ Kryezonjës së Naimit!

Dita e fundit e shkollës Shqipe “Alba Life” në kryeqytetin e Nju Jorkut në Albany në një nga shkollat e rrjetit më të madh në diasporë të Familjes së Madhe “Alba Life” ishte e dielltë, si vetë ndriçimi i Gjuhës Shqipe ndër shekuj. Ishte një ditë e bukur plot me ndjenja nostalgjie që kaluan bashkë në bangat e shkollës nxënësit e kësaj shkolle, por dhe me padurimin për t’u takuar prapë në shtator. Bota e fëmijëve është magjike, zgjidhen dhe lidhen shpejt, por emëruesi i përbashkët është se ngelen miq përjetësisht. Kjo shkollë u hap në këtë vit akademik per herë të parë në historinë e Diasporës

Shqiptaro – Amerikane në Albany dhe po udhëton bukur drejt dijes.

Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë profesional dhe plot kulturë me mësuese Era Çorbaxhi njëherazi dhe koordinatore së bashku me bashkëshortin e saj Algertin dhe më vonë po aq profesionalisht iu bashkua Misionit Kombëtar dhe mësuese Edvina Belishta.

Ishte krenari e ligjshme të shikoje prindërit, gjyshërit, mësuesit dhe nxënësit të mbushnin korridorin dhe të drejtoheshin në shkollen publike amerikane “Sand Creek Middle School”, aty ku do të zhvillohej ceremonia e mbylljes së vitit shkollor të Shkollës së Parë Shqipe në Albany. Ceremonia u hap nga autorja e shkrimit me urimin e madh: Ju faleminderit të dashur bashkatdhetarë, prindër dhe ju nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit që u ulët për herë të parë në bangat e shkollës në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, një ndër metropolet më të mëdha në botë. Ju faleminderit ju nxënës të dashur që tani po i drejtoheni skenës për të kënduar, vallëzuar dhe intepretuar shqip.

Sipas mësueseve të përkushtuara shumë prej tyre nuk dinin shqip, por tek i shikoja në skenë plot emocion, zemra më gufonte nga gëzimi. Kur e filluam këtë nismë në Albany rruga nuk ka qenë e shtruar në dafina, por me përpjekje të mëdha, durim, vullnet, inteligjencë, sakrificë arritëm ta shtrinim rrejtin shqip deri në Albany. Kjo ka qene nje ëndërr e kahershme e Themeluesit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” vizionarit Qemal Zylo, i cili përulësisht solli përvojën e madhe midis dy kontinenteve si Shef Katedre dhe professor i lëndëve inxhinierike në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë si dhe pedagog i lëndëve kompjuterike në kolegj në Manhattan.

Nxënësit me lule në duar iu dhuronin mësueseve me dashuri dhe natyrshëm çuçurisnin dhe gëzonin duke luajtur me njeri tjetrin sa të vendoseshin kamerat, lidhja kompjuterike, dekorimi i tavolinave realizuar plot shije nga mësuese Era.

Jam krenare tha mesuese Edvina t’i jem bashkuar Alba Life dhe të sjellë përvojën time pranë këtij komuniteti të rëndësishëm në Diasporë. Ato premtuan fort se do ta vazhdonin këtë mission bashkë me dy asistentet Lusiana Bardhi dhe Breana Bardhollari. Gjyshërit na takonin me lot në sy dhe të kënaqur duke u shprehur se është hapur një mësonjëtore si e Korçës në Albany.

Nxënësit recitonin vjersha të bukura plot frymëzim, ku prindërit e tyre shpesh lotonin, kur dëgjonin nga fëmijët e tyre që flisnin aq bukur shqip. Po ashtu në mes të nje entuziazmi u ndanë dhe çertifikatat për nxënësit që ishin në sallë pasi kishte mungesa. Në këto ditë edhe në Amerikë zhvillohen mjaft aktivitete, ceremoni të ndryshme në prag të mbylljes së vitit shkollor e mirënjohjes për punën dhe bashkëpunimin e palodhur me shkollën, per rrjedhoje duke qenë nxënës në këto shkolla amerikane nuk mund të mungonin. Me çertifikata mirënjohje u vlerësuan për punen e tyre të palodhur mësueset Era Çorbaxhi, Edvina Belishta, dy asistentet e dashura si Lusiana Bardhi dhe Breana Bardhollari.

Mirënjohje dhe vlerësim morën nga z. Qemal Zylo sponsorizuesit si për bluzat kuq e zi të Alba Life nga sipërmarresi dhe atdhetari Fidaim Balaj si dhe sponsori i ushqimit për këtë ditë ceremoniale, sipërmarrësi dhe dashamirësi i shkollave z. Rigels Bracellari. Dhënia e çertifikatave u mirëprit me duartrokitje të nxehta nga pjesëmarrësit.

Programi për Festivalin e Shkollave Shqipe dhe mbyllja e vitit akademik: 2024-2025 në Albany, 30 qershor, 2025

Aktiviteti filloi me dy himnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë të shoqëruar nga kori i shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. Nxënësit e klasës së më të rriturve me mësuese Erën filluan programin me poezinë Atdheu të shkruar nga shkrimtari i shquar Odhise Grillo dhe u intepretua nga Olivia Kita, Anila Ahmeti, Lucas Xhabej, Moziana Myftaraj, Silvia Hysenllari. Poezia “Abetare, Abetare” shkruar nga akademiku Xhevahir Spahiu u intperetua nga Emma Kacani, Ermelisa Bardhi. Gjuha jonë nga Naim Frashëri u intepretua nga Madison Hoxha.

Isabela Kupe inerpretoi: “Lumja ti moj Korçë o lule” nga Naim Frashëri. Katalea Azisllari recitoi “Mërgimtari”. Për një shkronjë u intepretua nga Dylan Delia, Arbër Prifti, ndërsa Bora Çorbaxhi “Shqiponja” nga Xhevahir Spahiu.

Grupi i klases së më të vegjëlve me mësuese Edvina Belishta e filloi programin me poezinë

“1 Qershori” interpretuar nga Hana Hoxha. “Festa e Abetares” nga Besmir Çorbaxhi dhe George Nasi. “Kukulla ime”, Mia Kacani

“Xhamadani vija vija” u luajt në violinë dhe violë nga Lusiana Bardhi dhe Breana Bardhollari, të dyja janë asistente pranë shkollës dhe kënaqësi t’i dëgjojmë duke intepretuar në violinë dhe violë.

Vallja e Kajtushkës u intepretua mjaft bukur nga nxënësit e grupmoshës së më të rriturve me mësuese dhe koordinatore Era Shkëmbi. Nxënësit e grupmoshës se më të vegjëlve me mësuese Edvina Belishta intepretuan këngën: “Çke moj kukull që po qan”? Në mbyllje të gjithë i uruan ditëlindjen me këngë në shqip si “Shumë urime për ty” nxënësit Besmir Çorbaxhi që vjen me aq dëshirë dhe dashuri në këtë shkollë. Rastësia e solli të kishte 6 vjetorin e tij në këtë festë të bukur. Çfarë kujtimi do t’i ngelet në jetën e tij nga nxënësit shqiptarë në Albany! Prindërit, gjyshërit mësuesit, ndiheshin krenarë tek i dëgjonin intepretimet e tyre në këtë shkollëtë “Alba Life” që operon me atdhetari cep më cep të Nju Jorkut.

Aktiviteti u filmua nga bashkëpunëtori i TV “Alba Life” z.Algert Çorbaxhi në bashkëpunim me z. Budion Belishta dhe do të transmetohet në kanalet televizive nga Alba Life në Amerikë. Pushime të mbara Shkolla e parë Shqipe “Alba Life” në Albany! Mos e harroni Gjuhen Shqipe! Ajo është identiteti ynë kombëtar kudo që të jemi: Eshtë gjuhë e Ilirisë/ që në lindje të njerëzimit/ Do t’i këndojmë Shqipërisë/ Kryezonjës së Naimit!!

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

30 Maj, 2025

Albany, New York

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT