• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2026

Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

January 27, 2026 by s p

Mihal Ciko

Gazetar/

Pjesa III e trilogjisë mbi gjuhën dhe diasporën shqiptare.

Në dy shkrimet e mëparshme pamë dy realitete të kundërta: Një diasporë shqiptare që po humb gjuhën dhe një diasporë shqiptare e kosovës që e mbron shqipen si vijë mbijetese. Por përpara të dyjave ekziston një dëshmi edhe më e fortë, edhe më e pakundërshtueshme: arbërishtja. Një gjuhë pa shtet, pa administratë, pa mbështetje institucionale moderne, që ka mbijetuar mbi 500 vjet në diasporë.

Kjo nuk është thjesht histori. Është provë.

Një ikje që u shndërrua në themel identiteti

Arbëreshët u larguan nga Arbëria në shekullin XV, pas pushtimit osman. Nuk u shpërndanë si individë, por u vendosën si komunitete të organizuara, kryesisht në Italinë e Jugut. Bashkë me vete morën tri shtylla: gjuhën, fenë dhe kujtesën historike. Që në fillim, arbërishtja nuk u trajtua si mjet komunikimi i përkohshëm. U trajtua si kusht ekzistence. Pa të, komuniteti do të shpërbëhej. Ndryshe nga diaspora moderne shqiptare, arbëreshët e kuptuan herët se integrimi pa gjuhë është zhdukje.

Një gjuhë e “mbyllur” për t’u ruajtur

Arbërishtja u shkëput herët nga zhvillimet e shqipes së mëvonshme. Nuk u standardizua, nuk u modernizua nga shteti, por u ruajt përmes transmetimit gojor, familjes dhe ritualit. Në këtë kuptim, ajo është një fosil i gjallë i shqipes mesjetare: ruan forma arkaike, leksik par-osman dhe struktura që sot nuk ekzistojnë më në shqipen standarde. Por ky “fosilizim” nuk ishte dobësi. Ishte strategji mbijetese. Arbërishtja u ruajt sepse nuk u la të shpërbëhej.

Feja si institucion gjuhësor

Një nga dallimet thelbësore të modelit arbëresh është lidhja e gjuhës me ritin bizantin. Arbërishtja u përdor në liturgji, këngë kishtare dhe rite komunitare, duke fituar status të shenjtë. Kjo i dha gjuhës një mbrojtje që asnjë ligj nuk mund ta garantonte: mbrojtjen simbolike. Kur një gjuhë hyn në sferën e së shenjtës, ajo nuk diskutohet dhe nuk zëvendësohet. Ky është një mësim i rëndë për kohën tonë, ku gjuha shpesh relativizohet dhe justifikohet.

Dygjuhësi pa asimilim

Arbëreshët jetuan për shekuj në kontakt të ngushtë me italishten. Por kjo nuk e zhduku arbërishten. Përkundrazi, krijoi një dygjuhësi funksionale:

Italishtja për shtetin dhe administratën, arbërishtja për identitetin dhe komunitetin. Kjo ndarje e qartë rolesh e shpëtoi gjuhën nga zhvendosja. Ndryshe nga shumë pjesë të diasporës shqiptare sot, ku shqipja humbet pikërisht sepse nuk ka më funksion të qartë.

Filed Under: ESSE

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

January 27, 2026 by s p

U.S. Embassy Tirana/

🇦🇱 Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne nderojmë gjashtë milionë viktimat hebreje të Holokaustit dhe ritheksojmë përgjegjësinë tonë të përbashkët për të kujtuar të kaluarën dhe për të punuar drejt një të ardhmeje pa dhunë dhe urrejtje.

Siç ka thënë Sekretari Rubio, “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm. Ne mirëpresim partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i saj vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit.

🇺🇸 On International Holocaust Remembrance Day, we honor the six million Jewish victims of the Holocaust and reaffirm our shared responsibility to remember the past and work toward a future free from violence and hatred.

As Secretary Rubio has said, “Antisemitism has no place in this world.” The United States remains committed to confronting antisemitism and Holocaust distortion. We recognize Albania’s unique history as one of the few Nazi-occupied countries where Jews found refuge, thanks to the courage of ordinary Albanians. We welcome Albania’s continued partnership in combating antisemitism, such as its endorsement last year of the Best Practices for the Washington Conference Principles on Nazi-Confiscated Art, which promote justice and restitution for Holocaust-era cultural property.

https://www.state.gov/…/best-practices-for-the…

Filed Under: Politike

Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij

January 27, 2026 by s p

U bënë 12 vite që kur ustai i sazeve të Përmetit, i është bashkuar varganit të gjatë të atyre; zëri, përkushtimi dhe vepra e të cilëve është shprehje e thesarit tonë kombëtar. Po, është dhe do të mbetet një tempull i lartë i vetëdijes dhe përkatësisë sonë. Është ajo çfarë ushqen shpirtin e gjithësisë me vezullimin e aktit sublim të krijimit. Është zëri dhe thirrja e thellë e gjeneratave që na fton në kujtesë dhe përshpirtje, nderim dhe mirënjohje, sepse ishin ata, dhe Laver Bariu mes tyre, që e bënë muzikën tonë më autentike, më të pasur, më përfaqësuese,

Edhe pse kanë kaluar dymbëdhjetë vite nga ndarja e tij nga jeta, Laver Bariu nuk i përket së shkuarës. Ai vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e gjallë të kulturës sonë, si një prani që nuk shuhet, por përforcohet me kohën. Tingulli i gërrnetës së tij nuk ishte thjesht muzikë, ishte një frymë, një gjuhë e padukshme që lidhi njerëzit me kujtesën, mallin, dhimbjen dhe bukurinë. Sot, ai është përjetësuar edhe në bronz, në një statujë që e tregon ashtu siç ishte gjithmonë, duke i rënë gërnetës, sikur të mos kishte pushuar kurrë.

Ai është aty, në zemër të Përmetit të luleve dhe dashurisë, në qytetin ku u lind ai tingull që mbushi eterin dhe u shndërrua në kujtesë shpirtërore të një kombi. Aty ku tradita nuk tretet, por merr frymë; ku muzika nuk është argëtim, por identitet; ku bukuria nuk shihet, por dëgjohet. Përmeti është gjeografia e zërit të tij, ndërsa gërrneta, alfabeti i shpirtit të tij.

Laver Bariu lindi më 2 maj 1929 dhe u shua më 26 janar 2014, por jeta e tij nuk u mat me vite, por me tinguj. Ai ishte dhe mbetet një nga figurat më të ndritura të muzikës popullore shqiptare, mjeshtër i pakontestuar i gërnetës dhe një nga zërat më autentikë të këngës tradicionale të Toskërisë. Si themelues dhe udhëheqës i Sazeve të Përmetit, ai e çoi këtë formacion në një shkallë të re artistike, duke i kthyer në ambasadorë të kulturës sonë brenda dhe jashtë kufijve.

Që në fëmijëri, muzika ishte për të një instinkt. Veglat e para i ndërtonte vetë, nga degë pemësh, kallam gruri, nga çdo material që mund të shndërrohej në zë. Pas zhvendosjes së familjes në Korçë, ai përthithi ndikime vendimtare nga mjeshtër të njohur dhe, rreth moshës dhjetëvjeçare, nisi të formësonte atë që do të bëhej më vonë gjuha e tij muzikore. Kthimi në Përmet në fund të vitit 1944 shënoi kthimin në rrënjë, por edhe nisjen e një udhe të re: aty ku gërneta u bë zëri i shpirtit të tij.

Me themelimin e Sazeve të Përmetit në vitin 1951 dhe fitoren në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar më 1952, nisi një rrugëtim i gjatë dhe i ndritur. Regjistrimet historike, kabatë përmetare të incizuara në Radio-Tirana, pjesëmarrjet në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, e kthyen emrin e Laver Bariut në një pikë referimi të pakapërcyeshme të folklorit shqiptar.

Formacioni i tij i konsoliduar, i njohur si “Bilbilat e Përmetit”, ishte unik jo vetëm për virtuozitetin, por për autenticitetin: saze që këndonin vetë, që rrëfenin përmes veglave dhe zërave një botë të tërë ndjenjash. Ai ishte krijues, riformatues, mësues. Nga duart e tij dolën hyrje këngësh, kaba, valle dhe reinterpretim i trashëgimisë së vjetër, duke formësuar identitetin e këngës popullore përmetare.

Laver Bariu ishte gjithashtu një shpirt kërkues. I apasionuar pas astronomisë dhe parapsikologjisë, ai shihte përtej dukjes, sikur edhe muzika për të të ishte një mënyrë për të depërtuar në misteret e qenies. Bashkëpunoi me estradën, me artistë të rinj, dhe performoi me emrat më të mëdhenj të këngës popullore shqiptare për më shumë se katër dekada.

Muzika e filmit “Gjeneral Gramafoni”, dokumentari “Këngët e zemrës”, disqet e realizuara në Angli, Greqi e Australi, janë dëshmi se vepra e tij e tejkaloi hapësirën lokale dhe u bë pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë. Dekorimet dhe titujt nderues ishin vetëm një formalitet institucional për atë që populli e kishte shpallur prej kohësh: një mjeshtër të madh.

Laver Bariu mund të quhet me të drejtë i fundit i ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Jugut. Ai nuk ishte thjesht interpretues i muzikës popullore; ai ishte ruajtësi i një fryme, arkitekti i një identiteti muzikor dhe dëshmia se tradita, kur bie në duar të tilla, nuk ngurtësohet, por rilind. Sot, kur tingulli i gërinetës së tij dëgjohet ende në kujtesën kolektive, Laver Bariu mbetet një figurë emblematike, jo vetëm mjeshtër i sazeve, por simbol i shpirtit krijues shqiptar, që di të ruajë rrënjët dhe t’i kthejë ato në art të përjetshëm.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË

January 27, 2026 by s p

Screenshot

Të nderuar klerikë! Të nderuar dibranë dhe bashkombast të mitë – Sot shënojmë një ditë të shënuar dhe historike për kombet, një ngjarje që kujton guximin dhe sakrificën e këtyre dibranëve trima e të mirë, atdhetar, fisnik dhe që lartësuan me veprën e tyre të humanizmin kombin shqiptar në plejadën botërore. 

Sot bota e qytetruar e ka kthyer këtë datë, në një ditë simbol të kujtesës botërore, për mos të harruar krimet që i ndodhen njerzimit në luftën e dytë botërore. Shqipërisë nuk mund të i mungonte dhe kontributi dibran në mbrotje të jetëve njerzore, Dibra krahina që ka qënëgjithmonë në kuvendin e të ardhmes së atdheut tonë të dashur.

Pikrishtë këtu nga kjo rrugë në dimrin e vitit 1943 patrioti Imer Ndregjoni do të merte në dorzim nga patriotët Tiranës Xhemal Herri, dhe Avdulla Mëniku në dorzim familjen hebraike të Emanuel Rubenit të përbërë prej 7 vetash që kishin ardhur nga Beogradi në Tiranë. Besa e shqiptarit është betim që shpiae tije është e mikut dhe e Zotit. Dhe kështu do të vazhdonte rrugëtimi dy ditor nga ky vend drejt fshatit të bukur dhe të egër të Katërgrykëve të Dibrës Lukani përball malit të Runjës, i rrethuar me pyje shekullore të Vanasit e të Bungës. Aty do ti priste Kapiten luftëtari kundra serbëve, i plagosur nga ky armik shekullor, burri i shquar i Lukanit dhe Katërgrykëve Llan Ndregjoni në shtëpinë e tij tre katshe. Por në shërbim të hebrjve do të ishin i gjithë fisi Ndregjonë, do të ishin i gjithë fshati Lukan fiset Brucet, Dervishët, Ndreka e Buci, Totrakët e Lleshët, Loshët e Kokët e Bushet. Por e gjithë krahina e Katërgrykëveme Qafmurrën, Selishtën, Kacninë, të gjithë ishin në gadishmëri për të shpëtuar miqtë që ishin vendosur tek Ndregjonët. Dhe në fund të vitit 1945 këtë familje e mbajti me krenari Trimi i Qafmurrës mikpritësi dhe humani Ramadan Biba në katundin e vjetër të Murrës dhe i cili i përcolli drejt Tiranës ku shkuan në vendin nga kishin ardhur. Dhe kështu u mbyll kjo histori qendrese e humane.  Mirnjohjekatërgrykëve të Dibrës, për mbrotjen që u banë hebrenjve! Venerim atyre burrave e grave, që ndanin bukën dhe ushqimin me miqtë e largët por të kërkuar nga nazizmi gjerman, Mirnjohje këtyre burrave e grave që u banë pjesë e mbrotjes së miqve. Jam krenar që jam Lukanjak, Katërgrykas, Dibranë.Ndregjonet, Biba dhe katërgrykët u banë lavdi e Dibrës për këto vlera kombëtare.

Ne e nderojmë këtë ditë , sepse ajo është një dëshmi  e lavdisë së kombit shqiptar dhe e qëndresës ndaj çdo pushtuesi, pamvarsishtregjimit dhe ideologjisë që mund të imponoheshim.

Ne sakrifikuam për të ju siguruar lirinë dhe jetën hebrenjve, por me largimin e trupave naziste ne u ndodhëm vetë si kombe përball një diktaturë të egër si nazizmi diktatura e kriminelit Enver Hoxha. Cfarë u ndodhi këtyre qëndrestarve, humanistëve, dhe fisnikëve të Dibrës, Patrioti Llan Ndregjoni do të vritej në vitin 1946 në përpjekje me kriminelin Shefqet Peçi, do të i vritshin djalin Xhevitin, 18 vjeçar, dhe djalin e xhaxhit Xhetanin 24 vjeçare, atë kullë që kishte mbrojte hebrejtë barbarët komuniste do ta digjnin si kulle e armikut të komunisteve. Ramadan Bibën sëbashku me Imer Ndregjonin do ti arrestonin dhe do të i dënonin me dhjetra vite burg, duke i dërguar në kënetën e Vloqishtit në Korçe ku do të dilnin të sakatuar nga ai gulak ku kryeheshintortura çnjerzore. Dhe ne trashgimtarët e tyre do të provonim luftën e klasve një torturë çnjerzore që vetëm komunizmi enverist shqiptar e provuam. Ne antikomunistët fisnikët shqiptar provuam dhe mbas pluralizmit një përcundim të kësaj klase politike. Askush nuk e ka çuar ndërmend se 35 vite  më vonë pasardhësit e Byrosë Politike do të drejtojnë vendin, do të kenë në dorë ekonominë do të bënin ligje dhe do të vijonin të vendosnin fatin e shqiptarve. Askush nuk e mendonte se drejtuesi Partisë që Ekzekutoi Llan Ndregjoni, dënoi me dhjetra vite burg Ramadan Bibën dhe Imer Ndregjoni do të ishte sot në Izrael duke folur për antisimetizmi, pa i nderuar këto burra që nderuan Shqipërinë, dhe pa u kërkua falje për ekzekutimet dhe burgimet që u kishte bërë partia e tije. Askush nuk e kishte menduar se 6000 shqiptarë sdo të kishin një varr në tokën e tyre se partia që i zhduki, do të sundonte me pasardhësit e enveristëve. As kush se kishte menduar se Partia e parë opozitare që u krijua në dhjetor të 90 do të i bashkohej Partisë sundues rilindjes komuniste, që mos ti dënonte krimet e komunizmit siç bëri europa. Nuk mund të ndërtohet demokracia me muratorë të ferrit komunistë, nuk mund të mbrohet liria me dhunuesit e drejtave të njeriut. Sot flitet për drejtsi për dëshmorët e partisë, dhe jo për vlerat e larta të kombit shqiptar siç janë këto dibranë trima e fisnikë

Po e mbyll fjalën time  me një shprehje të Martin Luter Kingut Një padrejtsi në çfardo vendi, është një kërcnim për drejtësinë kudo!

Filed Under: Kulture

Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim

January 26, 2026 by s p

Zverneci Mund të Ndërtohet; Sazani Duhet të Ruhet

Nga Cafo Boga – 25 Dhjetor 2026

Njoftimi se Affinity Partners, e udhëhequr nga Jared Kushner, po ndjek një investim prej 1.4 miliardë dollarësh përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë ka ngjallur njëkohësisht entuziazëm dhe shqetësim. Investime të huaja të kësaj përmase janë të rralla për Shqipërinë dhe, nëse menaxhohen siç duhet, mund të sjellin infrastrukturë të nevojshme, vende pune dhe dukshmëri ndërkombëtare. Por jo çdo zhvillim është i njëjtë dhe jo çdo territor ka të njëjtën peshë.

Që në vitin 2024, kur Jared Kushner shprehu për herë të parë interes për të investuar në Shqipëri—pas projektit të tij të propozuar në Beograd—shkrova një artikull me titull “Vlerësimi i Projekteve Transformuese Turistike të Jared Kushner në Shqipëri: Përfituese, të Dëmshme apo Të Dyja për Vendin?”. Artikulli, i botuar më 24 mars 2024, u shpërnda fillimisht në faqen time në Facebook dhe më pas u publikua nga disa media. Në të, analizova të mirat dhe të këqijat e zhvillimit masiv të turizmit, vlerësova investimin e propozuar nga Kushner dhe paraqita atë që, sipas meje, do të ishte rruga më e përgjegjshme për Shqipërinë.

Tani që ky projekt duket se po afrohet gjithnjë e më shumë drejt realizimit, ndiej detyrimin ta rikthej këtë çështje në vëmendje. Ky shkrim është shkruar me shpresën që shqiptarët ta lexojnë me kujdes dhe të reflektojnë mbi vendimet që po merren në emrin e tyre. Vendimet që prekin pasuri kombëtare të pazëvendësueshme kërkojnë largpamësi, sepse sapo këto projekte realizohen, nuk ka më kthim pas. Ajo që humbet në emër të zhvillimit, shpesh humbet përgjithmonë.

Projektet e propozuara përfshijnë dy pasuri krejtësisht të ndryshme: zonën bregdetare pranë Zvernecit dhe Ishullin e Sazanit, një ish-bazë ushtarake në hyrje të korridorit Adriatik–Jon. Trajtimi i tyre si një paketë e vetme është një gabim.

Zhvillimi i Zvernecit për turizëm të nivelit të lartë është, në parim, i mbrojtshëm. Shqipëria prej kohësh ka identifikuar pjesë të bregdetit të saj për rritje turistike dhe Zverneci ndodhet në tokë kontinentale, është i aksesueshëm dhe tashmë pjesë e një korridori më të gjerë zhvillimi. Nëse një zhvillim i tillë respekton rregulla të qarta planifikimi, mbrojtje mjedisore dhe integrim me ekonominë lokale, ai mund të sjellë vlerë pa dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme pasuritë kombëtare. Turizmi cilësor është diçka që Shqipërisë i nevojitet.

Sazani, megjithatë, është një rast krejtësisht tjetër.

Shqipëria nuk ka shumë ishuj. Në fakt, Sazani mund të jetë i vetmi ishull me përmasa reale, histori dhe rëndësi strategjike nën kontrollin e saj. Ai nuk është thjesht tokë; është simbol kombëtar, pikë strategjike detare, dhe arkiv historik e ekologjik. Gjatë Luftës së Ftohtë shërbeu për qëllime ushtarake; sot përfaqëson diçka shumë më të çmuar: një nga hapësirat e pakta publike të paprekura që Shqipëria ende zotëron.

Ata që argumentojnë se Shqipëria duhet ta komercializojë plotësisht Sazanin për të konkurruar në turizmin mesdhetar, mjafton të hedhin një sy përtej Adriatikut. Kroacia, një vend me mbi një mijë ishuj, ka ndërtuar një nga industritë turistike më të suksesshme në Evropë pa sakrifikuar shumicën e ishujve të saj për zhvillime luksoze private. Përkundrazi, Kroacia i përqendroi hotelet dhe resortet në tokën kontinentale dhe në disa ishuj urbanë të përzgjedhur, ndërsa shumicën e ishujve i ruajti si zona natyrore të mbrojtura, parqe kombëtare ose destinacione me akses të kufizuar. Turizmi lulëzoi jo sepse çdo ishull u ndërtua, por sepse mungesa, autenticiteti dhe ruajtja u bënë pjesë e vetë tërheqjes.

Ky model është shumë i vlefshëm për Shqipërinë. Nëse një vend me bollëk ishujsh zgjedh përmbajtjen, Shqipëria—me vetëm një ishull me rëndësi reale—duhet të tregojë edhe më shumë kujdes.

Shndërrimi i Sazanit në një “eko-resort” luksoz ngre shqetësime serioze. Edhe zhvillimi privat më i menduar do ta ndryshonte përgjithmonë ekosistemin e ishullit, do ta kufizonte në praktikë aksesin publik dhe do t’i kalonte kontrollin efektiv të një pasurie unike kombëtare interesave private për dekada. Pasi një transformim i tillë ndodh, ai nuk mund të zhbëhet.

Ekziston gjithashtu një dimension strategjik që nuk mund të neglizhohet. Pozicioni i Sazanit i jep atij rëndësi ushtarake dhe detare, veçanërisht në një rajon të lidhur me sigurinë e NATO-s dhe rrugë të rëndësishme detare. Kontrolli afatgjatë privat i një zone të tillë—sidomos nga një entitet i huaj i lidhur ngushtë me elitën politike të një vendi tjetër—kërkon kujdes të jashtëzakonshëm, transparencë dhe konsensus publik.

Ekziston një alternativë më e mirë—dhe ajo nuk është as kundër investimeve dhe as kundër turizmit.

Sazani duhet të mbetet pronë publike, i mbrojtur si park kombëtar dhe sit kulturor-historik, ndërkohë që të hapet për turizëm ditor të rregulluar. Vizitorët mund të shkojnë në ishull me varka nga Zverneci, duke gjeneruar aktivitet ekonomik pa hequr dorë nga pronësia, sovraniteti apo trashëgimia. Zverneci, nga ana tjetër, mund të shërbejë si qendra turistike: hotele, shërbime dhe infrastrukturë në tokë; ruajtje dhe akses i kontrolluar në ishull.

Kjo është pikërisht balanca që arriti Kroacia—dhe është balanca që Shqipëria duhet të ndjekë.

Çështja më e thellë që nxjerr në pah projekti Kushner nuk është thjesht ligjshmëria, edhe pse respektimi i ligjeve mjedisore dhe interesit publik është i rëndësishëm. Problemi i vërtetë është qeverisja. Vendimet që prekin pasuri kombëtare të pazëvendësueshme nuk duhet të përshpejtohen përmes kanaleve ekzekutive apo të negociohen pas dyerve të mbyllura, veçanërisht në një vend që ende po rindërton besimin në institucionet e tij.

Shqipëria ka nevojë për investime—por i duhen sipas kushteve të saj, të udhëhequra nga strategjia dhe jo nga ngutja. Zverneci mund të zhvillohet. Sazani duhet të ruhet. Ngatërrimi i këtyre dyve rrezikon të përsërisë pikërisht gabimet që Shqipëria është përpjekur t’i kapërcejë për tri dekada.

“Përgjegjësia e shkrimtarit si agjent moral është të përpiqet të sjellë të vërtetën mbi çështje me rëndësi njerëzore tek një audiencë që mund të bëjë diçka për to.”— Noam Chomsky

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT