KEVIN HAXHIU*/
Një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913.Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh.Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte. Ndaj patriotët shqiptar të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi.
Në këtë takim merrnin pjesë patriot shqiptar të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtar pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi.Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës.Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtar/Iniciator me 28 Anëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit.Anëtarët e Komisionit Nismëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin:-“Besim Nuri,Ferit Vokopola,Nebi Sefa,Qemal Mullaji,Eshref Frashëri,Sheh Ibrahim Karbunara,Abedin Nepravishta,Bajram Haxhiu,Taullah Sinani,Llazar Bozo,Emin Vokopola,Zija Mullaji,Mustafa Vokopola,Jonuz Sefa,Skender Pojani,Kadri Jenisheri,Teki Libohova,Filip Papajani,Jakov Bozo,Andrea Papaj,Qerim Arapi,Rasim Hoxha,Arif Kurti,Abdyl Aziz,Muntar Luarasi,Hamit Xheka,Reshat (Hysni) Shazivari,Hasan Islami Like”. Në datën 1 Janar 1920 Komisioni i Posaçëm (Komisioni Nismëtar/Iniciator për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes) vendosi që me anën e tij por edhe të Katundarisë së Lushnjes të njoftonte nëpërmjet një Letre të gjitha Katundarit e Shqipërisë që të zgjidhnin nga 2 Delegat për në Mbledhjen Kombëtare të Lushnjes (Kongresi i Lushnjes).Në këtë Letër shkruhet: -“Nga shkaku i ngjarjevet të ndryshme këtu e disa muaj më parë në jetën mbledhore të atdheut ton,po ndihet një prapashti livrimi,pra sikundër q’asht e ditun prej si çdo atdhetari këto prapshti shkaktojnë prishjen e qetësis së rendit,pa dyshim në fund dhe humbjen e atdheut të dashtun,populli Shqiptar që këto vjetët e fundit tue u ndodhun në fushën e propagandavet damsore,ka marrë mësimë të mjaftëshme mbi bazët e shpëtimit të veht, dhe ashtu mbas kësaj për mos me u gabue me thash e theme të kota, e të mshehta ose të veçanta ,ka banun marrëveshje tash së voni, dhe asht e ditun që ka vendosun,për një mbledhje të përgjithshme këtu në qëndrën e Lushnjës,ku si Shqipni e veriut ashtu dhe e jugës mundet lehtazi me i bashkue zanet e bisedimit.Pra ky pëlqim i bashkëatdhetarëvet të ndershëm,prej popullit ton u pritën me nderime,me gëzime krejt të zemërta,dhe në emën të popullit Komisioni i jon sot tue u mbledhun me randësin e posaçme,vendosi që me anën e veht dhe të Katundaris bashkërisht të bahen të ditnur gjith katundarit e Shqipnis dhe me anën e këtyne populli Shqiptar mbas programit që u paraqitet ngjitun me i dërgue nga dy delegatë fuqiplotë në këtë mbledhje ku asht për t’u venun i themel i fort një marëveshjes së vërtetë të përjetëshme midis ton.Ky qëllim kaq i shenjt mvaret në dëshirat e përgjithshme e jo në mendimet e veçanta.Pra midis personavet të çdo partie,tue banun një bashkëpunim vllaznor,dhe tue lanë mënjanë ndryshime mendimesh personale.Delegatët duhet me u emënue me pëlqimin e përbashkët.Atdheu i dashtun po na fton në bashkim,në besë,në vllazni me të cilat kemi me fitue dhe uratën mëshirore të së Naltës Fuqitarit Krijues.Perëndie. 1.I.920 NË EMËN TË POPULLIT TË LUSHNJES KOMISIONI POSAÇËM BASHKË ME KATUNDARINË E VENDIT BESIM NURI,SHEH IBRAHIM KARBUNARA,EMIN VOKOPOLA,MUSTAFA VOKOPOLA,ZIJA MULLAJ,RASIM HOXHA,SKËNDER POJANI,ABDYL AZIS,QEMAL MULLAJ,ABEDIN NEPRAVISHTA,BAJRAM HAXHIU,ESHREF FRASHËRI,JONUS SEFA,MUNTAR LUARASI,LLAZAR BOZO, ETJ ”.(1)
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave,AQSH,Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912)),Dosja 38-2-83 “Projekt-program i Kongresit të Lushnjes nga Abdyl Ypi”,fleta 1,shkruhet:-“Katundarija Lushnjes Program i Kongresit Nye-1- qëllimi i mbledhjes së përgjithshme asht sigurimi i vetqeverimit të plotë të shqipnis dhe forcimi i bashkimit shqiptar.Nye -2- në mbledhje kombëtare do të shoshitet gjindja e përbrëndëshme e e përjashtëme e shqipnisë dhe si në administratën e vendit që siguron baskim e qetësie ashtu dhe në fitim të besimit të fuqive të mbëdhaja të botës do të rëfehet gjallnia kombëtare.Nye -3- mbledhja kombëtare tue marë parasysh të gjithë mendimet e ndryshme qi kanë shkaktue ndarjen në shqipënie do të mundohet t’i largonjë mosmarëveshjet e të siguronjë bashkëpunimin qi forëcon jetën e atdheut. Nye -4- çdo nënprefekturë do të përfaqësohet prej dy zotnive të zgjedhun prej popullit të qarkut.Nye -5- çdo përfaqësonjës do të ket një dokument përfaqësimi të vërtetuem prej katundarisë së vendit.Mbledhja do të bëhet në Lushnje me 21 të muajit kallnuer 1920 të mërkurën ora më 10 para dreke. Lushnje më 1 Kallnuer 1920 Letër prej Durrësi,korespondenti ynë na shkruan: sot para dreke mrrivi nj post të posatshme prej Lushne me një shkresë për përlimtaren e Durrësit, me të cilën përlimtarija e Lushnjes e paria e këti vendi në formë të një komisioni jashtëzakonshëm ftojën Durësin e rrethet e tij me zgjedhë dy delegatë për mbledhjen kombëtare që ka m’u mbajtë në Lushne më 21-1- po ndërgojmë kopjen e kësaj shkrese. ndihet se Fejzi beu ,i vetmi delegatë i qeverisë sotme mendon me i kundërshtue realizimit të këtij mendimi por populli i shqypnisë mesme beson se Fejzi beu nuk ka sesi me i kundërshtue dëshirit të miletit”.(2)
Gjithashtu Komisioni Posaçëm Nismëtar për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes përgatiti organizimin e mbledhjes,krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje,organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja.
Kongresi i zhvilloi punimet në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920.Delegatët e zgjedhur nga Prefekturat për t’i përfaqësuar në Kongresin Kombëtar të Lushnjes ishin:-“-Prefektura Durrës:Abdi Toptani,Irfan Ohri,Mytesim Këlliçi,Rexhep Jella,Shezivar Alltuni,Xhaferr Ypi.-Malësia e Gjakovës:Hasan Batusha,Xhemal Beg Bushati.-Prefektura Dibër:Ahmet Zogu,Dine Dema,Dine Nasuh Maqellara,Ramiz Daçi.-Prefektura Shkodër:Ejup Sabri Bushati,Hoxha Kadri,Mati Logoreci,Ndoc Çoba,Rexhep Shala,Xhemal Naibi.-Prefektura Elbasan:Aqif Pashë Elbasani,Adem Gjinishi,Asllan Shahini,Filip Papajani,Kasem Sejdini,Qazim Dyrmishi,Sali Ceka.-Prefektura Korçë:Beqir Rusi,Eshref Frashëri,Ferid Frashëri,Gjokë Ndini Gusho,Idhomen Kosturi,Koço Kota,Sali Butka,Selaudin Blloshmi.-Prefektura Berat:Bektash Cakrani,Hysen Nikolica,Iliaz Vrioni,Kamber Belishova,Llambi Goxhomani,Llazar Bozo,Spiro Papa,Sheh Ibrahim Karbunara.-Prefektura Vlorë:Dhimitër Qypi,Myqerem Hamzaraj,Qazim Kokoshi,Ymer Ali Radhima.-Prefektura Gjirokastër:Ali Këlcyra,Ali Kumbaro,Arshi Shehu,Dervish Seit Grosha,Kasem Radovicka,Kiço Koçi,Rasim Babameto,Shezai Çomo,Spiro Kosova,Veli Harshova.-Diaspora:Sotir Peçi”.
Kongresi i Lushnjes Seancën e Parë e hapi në datën 21 janar 1920,ditën e mërkur,në orën 10 para dreke.Në Seancën e Parë merrnin pjesë delegatet që kishin mbërritur në Lushnje,ndërsa pjesa tjetër e delegatëve nuk kishin mundur të vinin në datën 21 janar,kjo për shkak të vonesës së njoftimit të leter-thirrjes së Komisionit të Posaçëm Iniciator të Lushnjes.
-“Sot dit e mërkurë 21.I.920,ora më 10 para dreke tue qënë dita e caktueme për çeljen e Mbledhies Kombiare, me gjith që ,nga vonesa e , Letër-thirrjevet,nuk kan arritun shumica e delegatëvet,delegatët e arritun u mblodhën në Sallën e Mbledhies në Shtëpi të Z.Kaso be Fugës ……”.(3)
Mbledhjen e ka hapur me një lutje kleriku patrioti Sheh Ibrahim Karbunara ndërsa më pas Anëtari i Komisionit te Posaçëm Iniciator të Lushnjes Ferit Vokopola ka mbajtur një fjalim në emër të komisionit për t’i uruar mirsëardhjen delegatëve dhe kësaj ligjërate Aqif Pashë Elbasani i është përgjigjur me fjalë patriotike të flakta.Pas kësaj Komisioni Posaçëm Iniciator i Lushnjes është larguar nga mbledhja dhe delegatët e pranishëm kanë nisur punën.Sekretar i Mbledhjes Kombëtare përkohësisht u emërua Ferit Vokopola ndërsa për të kontrolluar letër përfaqësimet e Delegatëve u ngrit një Komision i përbërë nga 5 Anëtar: -“Irfan bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kota, Fazlli Frashëri dhe Adem Peqini/Gjinishi”.Mbledhja vendosi ti pezullonte punimet e saj deri sa të mbërrinin në Lushnje shumica e Delegatëve.
Kongresi i Lushnjes pas gati 1 jave ndërprerje i rifilloi përsëri punimet në datën 28 janar 1920,në orën 2 pas dreke ,duke qënë se kishin arritur në Lushnje shumica e Delegatëve. Në Seancën e Dytë të Mbledhjes Kombëtare puna nisi duke u kryer fillimisht verifikimi i letër-përfaqësimeve të delegatëve nga ana e komisionit si dhe sigurimi pjesëmarrjes në mbledhje të shumicës së delgatëve.
-“Cohet Zotni Xhavid Leskoviku e n’emën të grupit inisjator mbanë një ligjerat tue kallzu shkaqet që prunë nevojën e kësaj Mbledhje Kombiare,e u heq vrejtjen delegatëvet përmbi gjëndjen kritike të Atdheut”. (4)
Kryetar i Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes u zgjodh Aqif Pashë Elbasani ndërsa Nën/Kryetar Sotir Peci dhe Sekretar Kostaq Kota e Ferit Vokopola.
-“Për nderimin e të ndjerit Abdyl Be Ypit, që u asasinua mbi qëllim të ndalimit të Mbledhjes Kombiare ,u vendos që t’i pushojë Kuvëndi punët në këtë ditë e, t’i shkruhet familjes së ndjerit një letër ngushëllimi nga ana e Mbledhjes”. (5)
Në datën 28 janar 1920 Mbledhja Kombëtare e Lushnjes i dërgoi në Durrës një letër ngushëllimi Familjes së të ndjerit inisiatorit Abdyl bej Ypi.Në këtë Letër të firmosur nga Kryetari i Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes Z.Aqif Pashë Elbasani,ndër të tjera shkruhej se:-“Mbledhia Kombiare,për nderin e të ndyerit inisiator,vendosi pushimin e bisedimevet të ditës sotshëme tue ndehun për mbi tryezën e Kryesisë nji napë Zije dhe n’emën t’atdheut mu tregu ngushëllimet ma të lotushme Z.suaj qi jeni shejat e vlefshëme t’ati patrioti të ndjer ,po i pa harruem midis shqiptarvet ”.(6)
Seanca e Tretë e Mbledhjes Kombëtare u zhvillua në datën 29 janar 1920.Kuvendi i hapi punimet në orën 9 para dreke,ku u kontrollua fillimisht prezenca e nevojshme e delegatëve për zhvillimin e seancës,u lexua procesverbali i mbledhjes së kaluar dhe më pas Nën/Kryetari i Mbledhjes Sotir Peci i parashtroi kuvendit urdhërin (rendin) e ditës të kësaj mbledhje.
-“Urdhni i ditës 20.I.1920 1)Besedim përmbi masat që duhen marrë kundër vendimit të tri fuqivet t’Entantës për coptimin e Shqipnies si mas paktit të Londrës 1915. 2)Besedim për mbi sjelljen e qeverisë në pikpamje politike të përbrendëshme e të përjashtme si mas programit të dhanë prej Mbledhjes Kombiare të Durrësit. 3)Regjimi që do të ketë përkohësisht Shteti Shqiptar. 4)Bisedim mbesimi ose mos mbesimi i Mbledhjes Kombiare tek Qeveria e përkohëshme. 5)Zgjedhjet e autoritetevet si mas vendimit që do të jepet”. (7)
Në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës së mbledhjes pas shumë bisedimeve vendosën që të bëheshin kundërshtime të rrepta dhe për të kryer këtë u zgjodh një komision i përbërë nga 10 anëtar.
-“Nyji i dytë të urdhënit të ditës,që përbanë sjelljen e Qeverisë në pikpamje të përbrendshëme e, të përjashtme,si mas programit të dhanun prej Mbledhjes Kombtare të Durrësit.Nga bisedimet e fjalët q’u mbajtën u provue sheshazi se: I. Qeveria ka veprue jasht tagrit dhe programit qi i asht dhanë prej Kongresit të Durrësit; II. Qeveria ka prue pengime në mbështjelljen e Senatit të vendosun prej Kongresit të Durrësit; III. Me administratë të keqe të sajë ka shkaktue anarqi në gjithë anët e Shqypnisë; IV. Tue u mbështetun në politika të veçanta shtini në një situacion të keqë gjindjen politike të Shqipnisë e, V. Tue përdorë gjithë fare intrigash u mundue me çdo mënyrë që të ndalin Mbledhjen Kombëtare,që kishte për qëllim shpëtimin e Atdheut nga reziqet e kërcënime”. (8)
Kongresi i Lushnjes për këto arsye si dhe të tjera vepra anti-kombëtare vendosi rrëzimin e Qeverisë së Durrësit.Ne këtë seancë Kongresi zgjodhi edhe delegacionin e ri pranë Konferencës së Paqes të përbërë nga:-“Imzot Luigj Bumçi,Mehmet Konica,Dr.Mihal Turtulli”, ndërsa sa i përket kryesisë së tij u la të zgjidhej midis tyre.
Seanca e Katërt e Mbledhjes Kombëtare u zhvillua në datën 30 janar 1920 punimet u hapën në orën 9 para dreke.Në këtë seancë komisioni i zgjedhur për përgatitjen e protestave paraqiti përpara delegatëve nga një formulë protestimesh për të cilat ishte ngarkuar.
-“Së pari u bisedue protestimi q’i drejtohej Konferencës së Paqit dhe,mas një kundërshtim mendimesh u pranue si u hoqë frazi “Kur ka me kjenë nevojë,organizatorët kemi me i zgjedhë vetë”.Mas këti u bisedue shkresa,q’u drejtu Senatit t’Amerikës,e cila u pranue duke iu shtu tekstit fjalët “Kufit ethnografikë”,Të e mbramja këndohet shkresa për Parlamentin Italjanë, por , mbi tekstin e kësaj shkrese passi u banë shumë kundërshtime, u vendosë që kjo të rrëzohet e të formohet një Komision i ri për me ba një tjetër me mënyrë ma të rreptë”. (9)
Kuvendi pas 10 minutash pushimi filloi përsëri punën ku vazhdoi me diskutimin e pikës Nr.4 të Rendit të Ditës. Kongresi vendosi që përveç Kabinetit (Qeveria) e Këshillës Kombëtare (Senati) të krijohej dhe një Këshillë e Naltë e përbërë nga 4 anëtar, e cila do të funksiononte duke u bazuar në Bazat e Kanunores dhe për këtë të fundit u ngrit një komision prej 10 anëtarësh.
-“ -Bazët e Kanunores së Këshillës Naltë- I. Këshilla e Naltë,detyrohet të pëlqejë (aprovojë) çdo projekt që do t’i paraqitet prej Kabinetit i vërtetuem nga ana e Senatit. II. Ka të drejtë në kohën e krizit ministruer të zgjedhë një Krye Ministrë për formimin e Kabinetit të rie,i cili hyn në fuqi kur se të pëlqehet prej Senatit. III. Të zgjedhunit të Kryetarit të Kabinetit në kjoftë se refuzohet prej Senatit tri herë rresht Këshilla e Naltë detyrohet të mbështjellë Mbledhjen e Kombit. IV. Këshilla e Naltë nuk ka të drejtë me përnda Senatin dhe, në kjoftë se u dalën midis tyne kundërshtime,Mbledhja Kombëtare e përgjithëshme,e rrëzonë Këshillën e Naltë ose përndanë Senatin. V. Në kjofte se njëni nga gjymtyrët e K. së Naltë jep dorheqjen,tre të tjerët vijojnë në detyrë;në dhançin dorëheqjen dy,Senati do të zgjedhin dy të tjerë. VI. Me t’arthmen e Mbretit në Fronin e Nalt mbretrurë Këshilla e Naltë njifet vetvetiu e rrëzueme ”. (10)
Statuti ose Kushtetuta e Parë e shtetit Shqiptar është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe si “Statuti i Lushnjes 1920”.Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtarë siç ishte Kongresi Kombëtarë i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjësë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e shtetit Shqiptarë ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptarë në çdo Prefekturë të Shqipërisë.Statuti i Lushnjes ishte i përkohëshëm pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese.Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth dy vite pasi më pas Këshilli Kombëtarë (Parlamenti) në dhjetor 1922 do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”.Statuti i Lushnjes kishte një përmbajtje të shkurtër vetëm me 6 nene si dhe ishte i përkohshëm por ai ka vend të veçantë në historinë e të drejtës kushtetuese në Shqipëri.
Mbledhja Kombëtare zgjodhi me votim të hapur Imzot Luigj Bumçi,Aqif Pashë Elbasani,Abdi bej Toptani dhe Dr.Mihal Turtulli për Anëtar të Këshillës së Naltë/Lartë, të cilët ishin propozuar nga Delegati i Beratit Iliaz bej Vrioni.Gjithashtu Kongresi vendosi që Imzot Luigj Bumçi e Dr.Mihal Turtulli të qëndronin në Paris dhe punët e Këshillës së Naltë ti kontrollonin dy të tjerë.Këshilla e Naltë ishte një organ kolegjial me atributet e kreut të shtetit/presidentit.
Pas zgjedhjes së Këshillës së Naltë, u vendos me shumicë votash që të ishin 6 Ministra si dhe u propozua Kabineti (Qeveria).Kongresi vendosi që Qeveria të zgjidhej me votim të hapur.
-“Nën kryetari thot të propozohen personet e Kabinetit,Ngrihet z.Bektash Cakrani D. i Mallakastrës e propozonë këta: Zotni Sulejman bej Delvina,Ilias Vrioni,Z.Ahmet bej Zogolli,Sotir Peci,Ndoc Çoba,Mehmet bej Konica. Massi Zotni Ilias bej Vrioni për shkaqe të veçanta nuk e pranojë, u propozu Hoxha Kadriu i cili dhe u pranu”. (11)
Mbledhja Kombëtare vendosi që Këshilli i Lartë të betohej përpara Mbledhjes Kombëtare,Qeveria të betohej përpara Këshillës së Lartë si dhe Delegatët të betoheshin përpara Këshillës së Lartë.
Formulat e betimit ishin:-“BETIMI I DELEGATËVET Mbledhja Kombëtare jep fjalën e nderit dhe Besën Shqiptare,tue u betu n’Emën të Perëndis se, deri sa Këshilla e Naltë vepronë mas ligjet e shtetit,tue ruajtun Independencën e plottë të Shqypnies,me mish e me shpirt do të jetë Mbrojtës e përkrahës i gjithhershëm i kësaj Këshille”. -“BETIMI I KËSHILLËS SË NALTË Betohem n’emën të Perëndis,tue dhanë Besën Shqiptare e fjalën e nderit para Mbledhjes së Kombit se, do t’i shërbej popullit e shtetit Shqiptar drejtësisht e do të mprojë ligjet dhe Independencën e plottë t’Atdheut shejtë”. (12)
Pas kryerjes së betimeve kongresi filloi procedurën për zgjedhjen e Këshillës së Kombit (Senatit). Kongresi zgjodhi një Komision prej 8 anëtarësh i cili do të caktonte numrin e senatorëve për çdo Prefekturë.
Seanca e pestë e Mbledhjes Kombëtare u mbajt në datën 31 janar 1920.Në këtë seancë Kuvendi i hapi punimet në orën 9 para dreke ku si gjithmonë fillimisht u kontrollua kuorumi ku të pranishëm ishin shumica e delegatëve si dhe u lexua proceverbali i mbledhjes së kaluar.
-“Mer fjalën Zotni Eshref bej Frashëri D. i Korçës e thot se,meqën që, mas disa lajmeve të marruna prej Kavaje Durrësi ka mbetë pa Qeverie, duhet sa ma parë Kabineti m’u nisë për Durrës e me marrë frenat e sundimit në dorë. Zotni Ilias bej Vrioni D. i Beratit mer fjalën e thotë meqën se shumic e ministavet të zgjedhun nuk ndodhen këtu,e asht nevojë për njëherë Kabineti me fillu nga puna,prandaj duhet të mejtohemi fort”. (13)
Fjala e Iliaz Vrionit u përkrah e mbështet dhe pas shumë bisedimesh e shkëmbim mendimesh,Kongresi për të shmangur një krizë ministrore të mundshme vendosi të zgjedhë vetëm për këtë herë me propozim të Këshillës së Naltë e me pranim të Mbledhjes Kombëtare të dy Drejtorët e Përgjithshëm të Degëve për Punët Botërore dhe Post-Telegrafit si dhe një Zëvëndës Ministër,duke i dhënë të drejtat që këta zëvëndesisht të merrnin pjesë në Këshillën e Ministrave. Kongresi zgjodhi në këto detyra të propozuarit prej Këshillës së Naltë pra Zëvëndës Ministër Hysen bej Vrioni,Drejtor i Përgjithshëm për Punët Botërore Eshref bej Frashëri dhe Drejtor i Përgjithshëm për Post-Telegrafet Idhomen Kosturi.
Në këtë seancë u krye edhe ndarja e portofolëve të Këshillit të Ministrave ku Kryeministër ishte Sulejman bej Delvina dhe Zëvëndës Kryeministër Eshref bej Frashëri,ndërsa Ministrat ishin:-“Ahmet bej Zogolli/Zogu-Ministër i Punëve të Brendshëme; Mehmet bej Konica-Ministër i Punëve të Jashtme; Sotir Peci-Ministër i Arësimit; Hoxha Kadri/Prishtina-Ministër i Drejtësisë ndërsa zëvëndës Hysen bej Vrioni; Ndoc Çoba-Ministër i Financave ndërsa zëvëndës Idhomen Kosturi”.
Seanca e pestë e Mbledhjes Kombëtare rifilloi punën përsëri mbas dreke pas pushimit.Në këtë seancë u zgjodh Senati ku si fillim komisioni përkatës parashtroi përpara mbledhjes raportin e përgatitur dhe pas dikutimeve Kongresi vendosi që Gjirokastra,Korça,Vlora,Berati,Elbasani,Durrësi,Drini,Shkodra të kishin nga 4 mandate senatori ; Mat,Has e Krasniq 3 mandate senatori, ndërsa Lezha 2 mandate në senat.Senati/Këshilli Kombëtar gjithsej do të përbëhej nga 37 senator.
-“Mas këti Vendimi z.Xhafer Ypi D. i Durrësit propozon që, meqënëse Lushnja mori inisjativën për këtë Kongresë ,t’i jepet për nderim e drejta m’u përfaqësu veçanërisht në Senatë. D. i Lushnjes i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara,tue iu falenderit mbledhjes së Kombit,thotë se Lushnja nuk e bani për shpagim por e qujti për detyrë,atherë Z.Eshref Frashëri D. i Korçës propozon t’i shkruhet popullit Lushnjes një falenderim prej anës së Mbledhies Kombëtare,që të mbetet për kujtim në arqiv të Katundaries së Lushnjes pranohet me trokitje durësh.Mas këtyne Nën Kryetari kërkonë që të paraqiten prej delegatëvet të secilës Prefekturë personet për Këshillën e Kombit,që, tue u shoshitun, t’aprovohen nga Mbledhja Kombëtare”. (14)
Senatorët e zgjedhur nga Kongresi për në Këshillin Kombëtar ishin:-“BERAT:-“Hysen bej Vrioni;Llambi Goxhomani;Bektash bej Cakrani,Spiro (Pilo) Papa”. GJIROKASTËR:-“Beqir bej Rusi (i cili rrogen ia fali qeverise);Kiço Koçi;Dhimiter Kacimbra;Neki Ruli”. KORÇË:-“Qani bej Dishnica;Kostaq (Koço) Kota;Sejfi Vllamasi;Thimi Çikozi”. VLORË:-“Qazim Koculi;Spiro Jorgo Koleka;Sadullah Tepelena;ndersa senatori i 4 u la qe te zgjidhej ne vend”. ELBASAN:-“Shefqet bej Verlaci;Visarion Xhuvani;Adem Peqini/Gjinishi;Qazim Durmishi”. DURRËS:-“Mytesim ef. Tirana/Kelliçi;Ymer bej Shijaku;Irfan bej Ohri (i cili rrogen ia fali qeverise),Veli bej Kruja”. DRIN:-“Dine Dema;Dine bej Mashllara;Ramiz Daci;Osman Mustafa Lita”. MAT,HAS E KRASNIQE:-“Abdurahman Krosi (MATI);Halim bej Çela;Bajram bej Curri””.
Kongresi në lidhje me senatorët e Shkodrës dhe të Lezhës vendosi që ata të zgjidheshin në Prefekturat e veta,duke qënë se delegatët e këtyre prefekturave nuk kishin mundur të vinin në Mbledhjen Kombëtare në Lushnje.
-“Mas aprovimit të Këshillës së Kombit, nënkryetari n’emën të Këshillit Nalt e të Kabinetit iu falë nderit delegatëvet,tue i sigurue se do t’mundohen me çdo therori për me kry barren e randë qi u asht ngarku për shpëtimin e Atdheut e të Kombit”. (15)
Mbledhja Kombëtare i mbylli punimet e saj pasi u përmendën të gjitha pikat e programit të caktuar në rendin e ditës dhe pasi vendosi që delegatët të mos largoheshin nga Lushnja deri sa Qeveria e re të merrte drejtimin e vendit.Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” të miratuara nga Kongresi i Lushnjes përfaqësojnë i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtar (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar.Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj,tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane,të ligjshme dhe demokratike.
REFERENCAT:
1. DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-48;
2. DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912)),Dosja 38-1-82;
3. DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”, fq.11;
4. Po aty,fq.12;
5. Po aty,fq.12;
6. DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 65 (Koleksion fondesh personale (Para vitit 1912)),Dosja 38-2-83;
7. DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”, fq.13;
8. Po aty,fq.14;
9. Po aty,fq.15;
10. Po aty,fq.16-17;
11. Po aty,fq.17-18;
12. Po aty,fq.18-19;
13. Po aty,fq.19;
14. Po aty,fq.21-22;
15. Po aty,fq.24.
*KEVIN HAXHIU – I diplomuar në Master i Shkencave në Drejtësi në “E Drejtë Publike” , si dhe ka fituar titullin AVOKAT me Nr.License:13081,Datë 01.11.2024. Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes,Patriotit Bajram Haxhiu.