Bledi Filipi/
Si Sot, më 21 shkurt 1999, UNESCO-ja shpalli Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Në mënyrë të përvitshme, vihet theksi tek vlera universale që mbart shumëllojshmëria gjuhësore e kombeve. Gjuha, si njësi e pandashme kulturore e vendeve, shërben jo vetëm si një mjet komunikimi, por edhe si simbol përbashkësie.Por ç’ndodh me gjuhët në botë?Të paktën 43% e 6000 gjuhëve që fliten nëpër botë janë në rrezik. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë me të vërtetë një vend në sistemet arsimore dhe më pak se 100 prej tyre përdoren në botën digjitale.Shoqëritë shumë gjuhësore dhe multikulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturën tradicionale në një mënyrë të qëndrueshme dhe Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare bëhet çdo vit për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor.Ditët e sotme është gjithnjë e më shumë në rritje ndërgjegjësimi që gjuhët luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillim, në sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut interkulturor, por gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit dhe duke arritur një edukim cilësor për të gjithë, duke ndërtuar shoqëritë e njohurive gjithëpërfshirëse, duke ruajtur trashëgiminë kulturore, dhe në mobilizimin e vullnetit politik për zbatimin e përfitimeve të shkencës dhe teknologjisë në zhvillim të qëndrueshëm.Po shqipja jonë?Vargjet e Mjedës, Fishtës dhe rilindësve për shqipen na vijnë si një fllad i freskët edhe sot.Përmbi za që lshon bylbyli, Gjuha shqipe m’shungullon; Përmbi er’ që jep zymbyli, Pa da zemren ma ngushëllon. N. Mjedja Në bazë të thënieve të dijetarëve shqiptarë dhe të huaj për gjuhën amtare vijmë në përfundim në fjalët e gjuhëtarit kombëtar Eqrem Çabej, i cili thotë: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”. (SF/2, 1967:15)Prandaj edhe ne, me rastin e 21 Shkurtit, Ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, jemi të detyruar të shikojmë veten në pasqyrë, se sa i shërbejmë gjuhës sonë amtare. Shërbimi duhet t`i bëhet nga secili prej nesh dhe deri te institucionet shtetërore, të cilat e kanë edhe obligim kushtetues. Në shumë vende të botës gjuha amtare mbrohet me ligj.(LC 1995:35)Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli, nëpërmjet së cilës shprehet shpirti, kultura, arti, historia dhe trashëgimia kombëtare. Fjalët e Filip Shirokës kumbojnë edhe sot, në veshët e shqiptarëve me gjithë forcën që kanë, se “kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.(HD, 1992:31) Këto fjalë janë alarm për shumë njerëz, për shumë familje shqiptare, por edhe për shumë institucione private dhe publike, të cilat duhet të bëjnë më shumë për gjuhën e nënës apo duhet t`i kthehen vetes sepse përndryshe nesër do të jetë vonë. Pra, nëse ne si komb me institucionet tona nuk ecim me ritmin e përshpejtuar ka drojë se brezat e ardhshëm do të jenë analfabet për gjuhën amtare.