Me rastin e përvjetorit të 49 vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan Stilian Noli/
Konica për Nolin/
Me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit, u poqa me shokun e vjetër, peshkop Fan Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjet. Fan Noli, (një njeriu që ka lojtur një rol aq të madh në lëvizjen tonë dhe është aq i njohur mund t’i përmnedet emri pa ndonjë titull si një fytyre historike, pa hyrë në ndonjë pakësim nderimi në këtë mungesë titulli), Fan Noli, thom, s’ka ndërruar shumë.
Heronjtë e Homerit shkëmbejin fjalë të ashpra, pastaj bashkoheshin si më parë. Sado që s’jemi si ata heronj, m’u kujtuan kur u poqa me një fytyrë me të cilën kam luftuar aq shumë kohë si shok, edhe pak kohë si kundërshtar. Me Fan Nolin merrem kurdoherë vesh më lehtë, se flasim një gjuhë: kuptohemi se njeriu që shkruajti muzikën e Don Giovanit bëri një punë më të madhe se njeriu që shpiku telefonin, ose kur themi se Partheoni edhe Tarxh Mahali janë monumente më të larta se Kulla e Eifelit, e cila është një mijë këmbë e lartë. Fan Noli është edhe i ri, prova më e mirë është se është i zoti të qeshë. Në bëfshi mundimin e këndoni një letër time të botuar në numër të Janarit të së përkohshmës “Judge” në Nju Jork, do të shihni se ç’kuptim të thellë i jep zotërisë për qeshje.
Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë që një njeriu të atillë nukë i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit! Ç’humbje që nukë i jepet rast të organizojë një universitet popullor në Shqipëri, ku njerëz të pjekur të venë një a dy orë ditën të stërviten!
Fan Noli është hequr nga politika edhe më shumë se sa jam hequr unë. Kuptohet se një njeri i mendjes ka nevojë për siguri dhe për dinjitet; po t’i jepeshin këto, do të ish një fitim për Shqipërinë.
…Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që harriu i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të këllasi zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë është një ogur i bardhë në udhë të përparimit tonë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët ta harrojnë.
Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, Atë Noli nga kultura dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane.
Hasan Dosti për Nolin
…Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit t’onë. Ky burrë simbolizon sinthezin e virtuteve të racës arbënore. Të shumta e të paçmuarshme janë veprat që ai i ka kushtuar Atdheut, në fushën e kulturës e të edukimit të popullit.
Po, përmbi të gjitha, qëndron ndërmarrja e themelimit të Kishës Autoqedale të Shqipërisë, e çkëputur nga Patriarkati i Fanarit, që ka qenë qendra arkane e mohimit të të drejtave të kombësisë s’onë.
Fan Noli i madh i ynë ka qenë patrioti që ka menduar, gjykuar e vendosur se autoqefalia e kishës kombëtare është akti plotësues i pamvarësisë dhe sovranitetit të Shtetit. Dhe kështu burri i madh kauzës së autoqefalisë i ka kushtuar nxehtësinë e patriotizmit, energjitë shpirtërore, inteligjencën e mrekullueshme dhe kulturën e gjerë theologjike e filosofike.
Me rastin e përkujtimit të këtij prelati të lartë, mendimi dhe emocioni ynë drejtohen edhe nga martirëzimi i tre prelatëve të tjerë të Kishës orthodokse shqiptare: e kam fjalën te Pappa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani – poet, dhe Papa Llambri Ballamaçi. Megjithëse të edukuar në shkollën greke dhe të dorëzuar priftër prej peshkopësh grekë, këta u rrëmbyen nga mistika e racës dhe e gjakut shqiptar. Si bij të popullit ata i janë vënë me mish e shpirt çështjes së edukimit politik kombëtar. Kështu ata janë bërë objekt i mallkimeve dhe ndjekjeve të Fanarit dhe më së fundi u martirizuan prej andartëve grekë…
Ernest Koliqi për Nolin
…Stefan Stiljan Noli, nji ndër personalitetet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi nji fytyrë poliedrike, d. m. th. e shumanëshme, e cila gja lodhë menden e kujdo kur vjen momenti me dhanë nji gjykim synthetik mbi rrolin qi ai luejti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhdhetë vjet dhe në nji periudhë historike ndër ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtazi bahet objekt kritikash sepse nji jetë kaq e gjatë rrethohet, në fazat e ndryshme të saj, me drita e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethanat, nëpër të cilat u përshkue, ma tepër se nga nji vullnet i prem e i paravendosun m’u sjellë si u suell.
Si të gjithë njerzit me nji vlerë të veçantë, edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij. E verteta asht se veprimtarija e nji njeriu, qi gjatë tetëdhetë vjetve rresht gjallese në ket shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të nji ideali, i cili synthetizonte në vete qellime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vu në nji kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Nioli ka mujtë me ba, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi me 1909 i fletores “Dielli”, preludium i themelimit të Shoqatës Panshqiptare Vatra në Boston, me 1912, në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë…
Mitrush Kuteli për Nolin
Kompleks dhe gjenial është personaliteti i Fan S. Nolit. I pajisur me një kulturë të gjerë, të mbledhur si për çudi, në rrethana kaqe kundërshtare, e në një jetë kaqe të turbulltë, njohës i kaqe gjuhrave, i kaqe dishiplinave të ndryshme, i kaqe klimateve shpirtërore. Me një sensibilitet artistik kaqe të zhvilluar, ay mban brenda tij edhe njatë dhuratë të madhe që u jep Filla – fjala është e tija – njerzve: dhuratën e krijesës. Gazetar, theollog, orator, dramaturg, historian, kritik, letrar, kompozitor e gjithmonë poet. Fan S. Noli ka sjellë në gjithë degat ku ka punuar një sulm të tijnë, një verb të panjojtur, madhor.
Edhe të gjitha këto dhurata, gjithë ky veprim i tija, prej dyzet e ca vjet, vetëm në shërbim të një ideali: ideali shqiptar. Një ideal, si t’i thuash, shoqëror – kombëtar; gjithëmonë shoqëror, gjithëmonë kombëtar.
Fragment nga letra e George Bernard Show drejtuar Nolit
U gabuat në zanatin kur u dorëzuat klerik. Libri juaj “Bethoven and the French Revolution” nuk është predikimi a hagjiografia e një kallogjeri, po është vepra e një kritiku e biografi të dorës së parë. E lexova që në krye gjer në fund me kënaqësinë më të madhe, duke qenë vetë mjeshtër si muzikant, kritik dhe artist-filozof professional. E dini ndoshta se njeiu kurrë nuk lexon librat, që i dhurohen me thasë, ashti siç m’i dërgojnë mua.
…Ju jam thellësisht mirënjohës
G. Bernard Show, më 11 nëntor 1947
Qerim Panariti për Nolin
“…Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.
Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë. Noli kujtoj se profesoriit iu bë një padrejtësi dhe një-me-një organizoj një demonstratë të studentëve në favor të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qërshor, sipas zakonit.
Më duket se nuk gabohem shumë po t’a karakterizonj Nolin si Prometheun e Rilindjes Shqiptare. Prometheu, pas mithollogjisë kllasike, pruri zjarrin në botë dhe munt të karakterizohet si shkencëtari i parë i botës kllasike. Për çpikjen e zjarrit, domethënë për sjelljen e dritës në botë, perënditë ziliqare dhe reaksionare, dërguan një kovaç i cili e mbërtheu Prometheun pas një shkëmbi të zi dhe e la atje të torturohet gjer të vdesë.
Noli si mithollogu kllasik, i pruri dritë popullit Shqiptar që t’i stërvitë mëndjen, se me shkrimet eë tij mësuam se vijmë nga një racë e moçime, që i dha Evropës përdorimin e hekurit, një kontributë tepër importante për botën para-historike. Që t’a kuptojmë më mirë këtë çështje vlen të theksohet se Ilirianët, stërgjyshët tonë, filluan të përdorin hekurin në një kohë kur Athina dhe Roma s’ishin dëgjuar fare në historin’ e njerëzimit.
Peter R. Prifti për Nolin
“… Më kujtohet Kuvendi i “Vatrës” më 1958. Siç dihet, Noli ish “Kryetar Nderi” i “Vatrës”, dhe si i tillë nuk merrte pjesë në punët e përditshme të organizatës. Megjithatë, vinte në kuvendet e “Vatrës”. E kish zakon të bënte një vizitë ceremoniale gjatë punimeve të kuvendit, për t’u përshëndetur me delegatët. Për 10 a 15 minuta punët e kuvendit ndaleshin. Rifillonin pasi shkonte Noli.
Kristo Thanasi ish atë vit kryetar i “Vatrës”. Unë rrija pranë tij. Sapo hyri Noli në sallën e kuvendit, Kristua mu afrua e më tha më zë të ulët, “Ai është fuqia prapa ‘Vatrës!”. Kristua deshi të më jepte të kuptoja se, ndonëse ai vetë ishte kryetar i “Vatrës”, baza e organizatës dhe burimi i vërtetë i fuqisë së saj ishte Fan Stilian Noli. Atë çast unë kuptova më mirë influencën e madhe të Nolit brenda “Vatrës”, si edhe midis Shqiptarëve kudo në Amerikë.(Dielli-Arkiv)