
Gezim Zilja
Natën e 28 marsit të vitit 1997, anija e quajtur Kateri i Radës i mbushur kryesisht me gra e fëmijë u nis nga Porti i Vlorës për në bregun italian. Nga 105 fatkeqë në barkun e saj, të gjallë mbërritën një e pesta. Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para, pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë, njerëzit dolën në protesta, duke bërë fajtore qeverinë, pa e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit, që do të merrnin në dorë urat e zjarrit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njëri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj revolte revolucionare, që s’ishte gjë tjetër veçse ‘’marrëzia e një populli të paditur’’, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor shoqëria civile.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, i quajturi ‘’Kateri i Radës’’, i braktisur në një nga anekset e portit të Brindizit në tokë, u ekspozua, në bregun, ku nuk u sos dot “i gjallë”, në Otranto, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Relikja e nxjerrë nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash: “ …Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “ Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…”. Po atë ditë më 29.01.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: “ …Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara edhe Kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi. Duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”
Artisti grek edhe kryebashkiaku italian u shprehën se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë anije të vogël patrulluese në vepër arti: për të mos harruar, për të pranuar fajin, për të ecur para, duke mësuar nga e kaluara. Kam shkruar disa artikuj atëherë, kur u nxorr anija, pse ky “monument,” duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos, por kotekot. Për mua është e qartë sjellja e pushtetarëve dje dhe sot: Ekspozimi në një nga sheshet (edhe sot mund të bëhet) i asaj anijeje të vogël do tu sillte ndërmend shqiptarëve jo vetëm tragjedinë por edhe shkaktarët e saj. Sot një pjesë e sheshit të Portit të Vlorës është shndërruar në një karikaturë betoni, ku edhe me busull Shtëpiza e Pavarësisë vështirë të gjendet. Ai shesh-port ka histori që nga Ismail Qemali, Fan Noli, internimi i vlonjatëve në Sazan më 1920, jetën e vështirë të peshkatarëve veçanërisht çamë, notarët e papërsëritshëm të viteve ‘60-’70, arratisjet e vrasjet e bujshme në vitet 1990-1991 deri te tragjedia e Otrantos më 1997. Qëllimisht gjithçka që është ndërtuar aty të kujton vitin zero, sikur më parë ka qenë shkretëtirë. Vetëm devetë mungojnë se edhe piramida kanë ndërtuar mendjet e sëmura. Sheshi para Portit duhej të ishte vënë në funksion të Shëpisë Muze të Pavarësisë dhe të historisë së Skelës. Ajo që është ndërtuar aty është një njollë e zezë, një turp për ata që e projektuan dhe e ndërtuan, duke menduar të përjetësojnë veten dhe jo historinë. Nuk jemi rastësisht më të vonuarit e Europës. Ne harrojmë, falsikojmë, madje nëpërkëmbim historinë tonë, nuk shikojmë rrugën nga kemi ardhur, largohemi nga e keqja dhe nuk e dënojmë atë; nuk kthehemi asnjëherë nga vetja, nuk lodhemi së urryeri ‘’atë tjetrin’’ si shkaktar të të këqijave që na pllakosin, prandaj do vazhdojmë të vuajmë, të mbetemi të varfër e të përçarë. Djetëra e dhjetëra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ’97. Është folur edhe për tragjedinë e mësipërme nga këndvështrime të ndryshme por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri.
“Kateri i Radës” është një shpirt, (jo vetëm një grumbull metalesh), një simbol i qindra mjeteve lundruese, që u përdorën nga shqiptarët, kur zbuluan Tokën e Premtuar, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare të fundshekullit të kaluar. Ky shpirt endet e endet varrezave të Vlorës, detit Adriatik, e gjithë Shqipërisë pa gjetur prehje e ngushëllim. Nëse katein nuk e biem dot në Vlorë, le të shkojmë, kur të mundemi në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për tu lutur e qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve. Krahas festave të shumta, që edhe kur nuk janë të tilla i shpik parlamenti, le ta caktojmë 28 marsin, si Ditën e Madhe të Kujtesës e Pendesës, që ngjarje të tila të mos përsëriten më.