Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Bëhen 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, me të cilin iu hap rruga fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur dhe kapitullimit kriminelit Sllobodan Millosheviqi në Kumanovë. Pra firmosja e Rambujesë i hapi rrugë bombardimeve të NATO-s, çlirimit të saj dhe pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008.
Në mbrëmjen e 18 marsit 1999 delegacioni shqiptar i Kosovës nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë me një ceremoni të thjeshtë pa fjalime dhe deklarata. Dy nënshkruarit ndërkombëtar, Wolfgang Petritsch dhe Cristopher Hill, e nënshkruan dokumentin si ndërmjetësues ndërkombëtar. Ndërsa rusi Boris Majorksi ishte i pranishëm, por nuk e nënshkroi. Pas nënshkrimit, delegacioni kosovar bëri të njohur letrën e hapur drejtuar kryesuesit të konferencës ndërmjetësuesve si edhe Sekretares Amerikane Madeleine Albright dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana. Në letër flitej për “ofensivën brutale të forcave serbe kundër popullit të Kosovës”, si edhe për “mizoritë shkatërrimet dhe plaçkitjet që në këto çaste ndodhin në Kosovë”. Bashkësisë ndërkombëtare i kërkohej ta vinte në jetë me besnikëri marrëveshjen “me përgjegjësinë njerëzore të shprehur qartë dhe shpesh prej Grupit të Kontaktit dhe të vinte përpara përgjegjësisë së plotë ata që kundërshtonin arritjen e asaj dhe vazhdonin pareshtur veprimet luftarake.”
Më 18 mars tre ndërmjetësuesit ndërkombëtar i dërguan letër të fundit kryesuesit të delegacionit serb-jugosllav, në të cilën shprehnin edhe një herë gatishmërinë për të filluar në çdo kohë bisedimet për vënien në jetë të marrëveshjes.
Pas kësaj ambasadori Petritsch i njoftoi ambasadorët e BE-së të mbetur në Beograd për dështimin e procesit të bisedimeve dhe ata menjëherë filluan të merrnin masat përkatëse për sulmet e pritshme të NATO-s. Petriztsch u largua nga Beogradi në pasditen e 24 marsit. Në mbrëmje e asaj pasdite filloi sulmi ajror i NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Serbë, në Kosovë, në Mal të Zi dhe Vojvodinë. Pritjet e Millosheviqit se bashkësia ndërkombëtare do ta detyronte NATO-n të ndërpresë sulmet dhe se Rusia do të vihej hapur në anën e Serbisë nuk u bënë realitet. Po ashtu pakënaqësia e popullsisë serbe me qeverinë e saj u shtua dukshëm nga fillimi i majit, pasi NATO-ja dukshëm kishte intensifikuar sulmet ajrore, të cilat fillimisht ishin penguar për shkak të planifikimit joadekuat dhe motit të keq. Më 3 qershor – pas vizitës së emisarit të posaçëm rus Viktor Çernomyrdin dhe kryetarit finlandez Martti Ahtisaari në Beograd – Parlamenti serb miratoi një plan të përgatitur nga shtetet e G-8-shes, i cili u plotësua më 9 qershor përmes një marrëveshjeje ushtarake të negociuar në Kumanovë (në veri të Maqedonisë), e cila u nënshkrua nga Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq. Ky i fundit, më pas është akuzuar nga trbunali ndërkombëtar i Hagës për krime lufte dhe gjenocid. Një ditë më vonë NATO i dha fund luftës pas 35’000 aksioneve ajrore. Marrëveshja e cila solli kapitullin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, parashihte që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare serbe, duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, paramilitare dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë nisi zbarkimi i trupave të para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa nisi largimi i forcave pushtuese serbe, të cilat me pak ndërprerje ishin prezentë në Kosovë që nga luftërat ballkanike 1912/13. Kjo ishte fitorja më e madhe shqiptarëve të Kosovës që nga Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nëntor 1912.
Foto 1: Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga Delegacioni i Kosovës
Foto 2: Firmosja e Marrëveshjes së Kimanovës nga Gjenerali i NATO-s Michael Jackson dhe ushtarët serbë
Foto 3: Nënshkrimet e palëve në Kumanovë me të cilën vulosej çlirimi serb i Kosovës