3 shtator 1920 – 2013; 93 vjetorit të Luftës heroike të Vlorës/
Intervistë me studjuesin Enver Memishaj – Lepenica/
-Zoti Lepenica ! Ju keni botuar dy vepra për udhëheqësit e Luftës së Vlorës, 1920: “Emblema e një epopeje” dhe “Major Ahmet Lepenica…” Si janë vlerësuar këto vepra?
E. Memishaj: “Emblema e një epopeje”, flet për 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dhe 2 komandantët e luftës. Recenca është bërë nga Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu në Institutin e Historisë dhe Prof. Dr. Uran Asllani, vlerësime që janë botuar në hyrje të librit, si dhe janë shkruar e botuar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.
“Major Ahmet Lepenica … “, është monografi për Komandantin e Përgjithshëm të Luftës së Vlorës, 1920. Vepra është vlerësuar nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe është promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe janë shkruar shumë artikuj në shtypin e përditshëm.
Pra të dy veprat janë vlerësuar si punime të mirëfillta shkencore.
– Pse duhet vlerësuar Lufta e Vlorës, cilat janë të veçantat e kësaj lufte?
E. Memisha: Për për të kuptuar, veçorinë dhe rëndësinë që ajo luftë ka në historinë e tonë, duhet të kthehemi pak pas. Më 17 dhjetor 1912, Konferenca e Ambasadorëve njohu Shqipërinë autonome, nën sovranitetin e Sulltanit dhe nën garancinë dhe kontrollin Fuqive të Mëdha.
Më 29 korrik 1913, Shqipëria u shpall principatë autonome, sovrane e trashëgueshme, çdo lidhje me Turqinë pritej, shpallej asnjanëse nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha.
Mbi bazën e këtij vendimi më 7 mars 1914, arriti në Durrës, princi Vilhelm fon Vidi, dhe më 17 mars 1914, formoi qeverinë nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, që filloi më 4 gusht 1914, në krah të Antantës (Anglisë, Francës dhe Rusisë), u radhit edhe Italia, së cilës më 26 prill 1915, i dhanë si shpëblim territoret shqiptare dhe i kërkuan që ajo nuk do të kundërshtonte dëshirën e Antantës, për t`i dhënë Serbisë e Malit të Zi zonat veriore, ndërsa Greqisë zonat jugore të Shqipërisë, kështu që Shteti shqiptar mbetej vetëm Shqipëria e Mesme nën protektoriatin italian.
Më 18 janar 1919, filloi punimet në Paris, Konferenca e Paqes e cila e trajtoti Shqipërinë, megjithëse asnjanëse, më keq se shtetet që humbën luftën, pra çështja shqiptare do të zgjidhej sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës të vitit 1915.
Në vazhdim të punimeve të Konferencës, Italia dhe Greqia, më 29 korrik 1919, nënshkruan një marrëveshje, sipas së cilës Italia do të mbështeste Greqinë për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.
Para, sipas këtyre marrëveshjeve, Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes e kishte përmbysuar Pavarësinë Kombëtare, Shqipëria ishte coptuar ndërmjet fqinjëve dhe shteti shqiptar nuk ekzistonte më.
Patriotët shqiptar vendosën t`i dilnin vet zot vendit të tyre prandaj më 21 janar 1920, mbajtën Kongresin e Lushnjës, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë e shpalli vendin të pavarur, dhe që nuk i njihte marrëveshjet e Fuqive të Mëdha.
Por, pavarësisht vendimeve të këtij kongresi Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar: në Jug nga Greqia, në Veri nga Serbia dhe Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra nga Italia, pra vendimet e Kongresit, ishin formale dhe mbeteshin në letër.
Në këto rrethana vlonjatët rrëmbyen armët dhe bënë Luftën e Vlorës, fitorja e së cilës, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe hodhi poshtë planet armiqësore të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve grabitqar, për coptimin e tretë të Shqipërisë.
-Cilët ishin udhëheqësit kryesorë dhe nga kush u mbështet kjo luftë?
E.Memisha: Ideja e çlirimit të Vlorës nga pushtuesi italian dhe bashkimi sajë me qeverinë e Sulejman Delvinës lindi në Vlorë nga elita e patriotëve vlonjatë dhe u mbështet nga gjithë populli shqiptar dhe në fshehtësi nga qeveria e Sulejman Delvinës.
Vlonjat, që nga dita e pushtimit italian, më 25 dhjetor 1914, në përpjekjet e pandërprera për liri, arritën që më 29 maj 1920 të formonin Komtetin e “Mbrojtjes Kombëtare” që do të organizonte dhe udhëhiqte luftën çlirimtareme të Vlorës.
Në krye të Komitetit u zgjodh patriota i shquar Osmën Haxhiu( 1885 – 1937) dhe anëtarë: Sali Bedini (1850 – 1938), Hamit Selmani (1844 – 1923), Duro Shaska (1859 – 1924), Hazbi Canua (1860 – 1931), Beqir Agalliu (1886 – 1944), Ali Velça (1868 – 1943), Alem Mehmet (1869 – 1926), Hysni Shehu (1880 – 1938), Qazim Kokoshi (1882 – 1947), Murat Miftar (1881 – 1948) dhe Myqerem Hamzaraj (1895 – 1946).
Komiteti shpalli mobilizimin e popullit për luftë, duke zgjedhur edhe Shtabin e Luftës, në krye të të cilit u emërua patrioti i shquar, major Ahmet Lepenica.
Në Shtabin e Luftës u zgjodhën ish oficerë të shkëlqyer të Perandorisë Osmane: Ibrahim Abdullahu (1880-1955), major Ismail Haki Kuç (1866-1920), major Ismail Haki Libohova (1873-1928), kapiten Qazim Koculi (1883-1943), kapiten Ahmet Muka (1885-1947), toger Halil Kajo (1880-1921), toger Aziz Çami (1893-1943), toger Abdurrahman Çiraku (1887-1967), toger Elmas Ademi ( ? )
Udhëheqësit e Luftës së Vlorës duhen vlerësuar jo vetëm se ideuan, organizuan dhe udhëhoqën në fitore një nga betejat më të rëndësishme të historisë sonë, dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare, por edhe për një veçori tjetër: ata e filluan dhe e mbajtën luftën me pasurinë e tyre nga data 5 deri në 10 qershor 1920.
Peshën kryesore të kësaj lufte e mbajti Vlora me forca të gjalla, me armatim, me municion, me barna dhe me ushqime, se vetëm në 10 qershor 1920, arritën në Vlora ndihmat e para nga ana e Beratit.
-Sa zgjati Lufta e Vlorës ?
E.Memishaj: Lufta filloi më 5 qershor 1920, dhe brenda një natë e një dite ranë të gjitha garnizonet italianë të dislokuara jashtë qytetit të Vlorës. Kryengritësit e rrethuan Vlorën dhe e mbajtën në një darë të hekurt.Vlora u sulmua më 10 qershor, kryengritësit përballuan kundërsulmin armik më 18 qershor dhe sulmuan përsëri 22 korrik 1920. Pas fitoreve të shqiptarëve dhe dy sulmeve mbi Vlorë, Italia u detyrua të nënshkruaj më 2 gusht 1920 njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërheqien nga tokat shqiptare.
Më 3 shtator 1920, nëVlorë, u festua me madhështi, nga i gjithë kombi shqiptar, rishpallja e Pavarësisë Kombëtare që ishte rrjedhojë e fitores së Luftës së Vlorës. Nga ai vit 3 shtatori, ka qënë për vlonjatët një festë kombëtare që çmohej e vlerësohej si 28 nëntori i vitit 1912. Kështu festohej kjo festë deri më 29 nëntor 1944. Pas kësaj date komunistët e harruan dhe nuk e festuan më 3 shtatorin sepse atë lufte e kishin udhëhequr bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit!
-Si u arrit fitorja e luftës ndaj një Mbretërie 40 milionëshe?
E. Memishaj: Shqipëtarët kishin të drejtë ta sulmonin Italinë befasisht sikundër ajo pabesisht e kishte pushtuar vendin, por ata që drejtonin luftën ishin burra të shquar me një qartësi dhe largpamësi të admirueshme. Ata i dërguan Komandës Italiane një ultimatum sepse: duhet të tregonin se ishin shtet, se do të luftonin, ballë për ballë dhe kjo luftë duhej të dihej e të njihej nga Europa që e kishta coptuar Shqipërinë.
Ultimatumi thoshte: Hiquni nga Vlora ose do të kemi luftë! Pra një grusht shqiptarësh i shpallte luftë një mbretërie 40 milionshe, nga më të fuqishmet e kohës, që kishte dalë fitimtare nga Lufta e Parë Botërore.
Fitorja u arrit sepse shqiptarët bënin një luftë të drejtë, për liri.Në një luftë të tillë, shpërthen patriotizmi dhe vetmohimi ashtu siç ndodhi edhe në Vlorë në vitin 1920. Kryengritësit ishin betuar se do të luftonin deri në shuarje të njerës palë, thuhej në ultimatumin e dërguar pushtuesit. Pra luftëtarët do të ktheheshin në shtëpi me fitore ose të vdekur. Për këtë arsye çetat u ndanë për të luftuar larg vendlindjes, kështu psh: çeta e Dukatit kalonte malin e lartë dhe vinte të luftonte në Gjorm, çeta e Gjormit dhe e Lepenicës kalonte malin dhe shkonte të luftonte në Llogora të Dukatit e kështu me radhë.
Lufta e Vlorës u përballua nga i gjith populli të pasur e të varfër, burra e gra fëmijë dhe pleq me një solidaritet që nuk ishte parë më parë.
Një rol të veçantë në këtë luftë pati patriotizmi i gruas vlonjate, që shkuan në luftë në krah të burrave si Rubie Hosi, Hanko Merte, Sartë Rrokaj, Sado Koshena Zakine Krasta, Safë Musai etj.
Në fitoren e luftës, një rol të rëndësishëm luajti vendosmëria, mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Sulejman Delvinës, e cila nuk doli haptas pasi do të konsiderohej se i shpallte luftë Italisë, luftë të cilën nuk mund ta përballonte dot, kështu që qeveria la të kuptohej se ishte një kryengritje popullore që qeveria nuk kishte gisht në të.
Qeveria e Sulejman Delvinës, duke qënë e bindur se nga fati i Vlorës varej fati i Shqipërisë, ishte e vendosur ta çlironte Vlorën me çdo sakrificë.
Shtypi ndikoi në zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, veçanërisht gazeta “Drita”, që botohej në Gjirokastër nga Veli Hashrova.
Në fitoren e luftës influencoi edhe faktori jashtëm. Lufta u përkrah nga të gjitha kolonitë shqiptare, nga Amerika erdhën vullnetarë për të luftuar.
Proletariati italian,i lodhur nga katër vjet të Luftës Parë Botërore u ngrit në greva e demonstrata të fuqishme dhe nuk lejuan t`i dërgoheshin ndihma ushtrisë italiane në Vlorë. Në Parlament, Partia Socialiste punoi shumë kundër luftës, duke kërkuar tërheqien e trupave nga Vlora.
Fitorja e Luftës së Vlorës, ishte kurorëzim i përpjekjeve të popullit tonë, për ta parë atdheun e tij përsëri të lirë dhe të pavarur. Vlonjatët dhe gjithë populli shqiptar, me fitoren e Luftës së Vlorës, bënë pluhur e hi planet armiqësore të fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha; Anglisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, për coptimin e Shqipërisë dhe për zhdukjen e saj nga harta politike e Europës si shtet i pavarur dhe sovran.
Lufta e Vlorës qe vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Si luftë çlirimtare zë një vënd të rëndësishëm në historinë e vëndit tonë. Këtej e tutje nuk mund të mendohej më për coptimin e
Shqipërisë gjë që edhe u vërtetua në fakt.
– Cili është mendimi i studiusve dhe historianëve, për rëndësinë e kësaj lufte?
E. Memishaj: Për këtë ngjarje historike ka pasur dhe ka një mirëkuptim të plotë ndërmjet studiusve dhe historianëve: Lufta e Vlorës më 1920, rishpalli Pavarësinë Kombëtare, të përmbysur e harruar nga Lufta e Parë Botërore. Pa u zgjatur shumë le të citojmë dy nga autoritetet e shquara të historisë sonë.
Prof. Dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial.”
(Muin Çami “Shqipëria në marrdhëniet ndërkombëtare 1914-1918”, Tiranë 1987, f. 331)
Prof. Dr. Arben Puto thotë se: “Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më të ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur… Nga pikëpamja e rëndësisë dhe e pasojave, si Kongresi i Lushnjës ashtu edhe Lufta e Vlorës, mund të barazohen me shpalljen e Pavarësisë në nëtor të vitit 1912”.
(Arben Puto “Shqipëria politike 1912 – 1939”, Toena, tiranë 2009, f. 273)
– Si është vlerësuar kjo luftë në regjimin komunist ?
E.Memishaj: Lufta e Vlorës dhe udhëheqësit e sajë nuk u vlerësuan në regjimin komunist, sepse sipas komunistëve atë luftë e kishin bërë bejlerët dhe agallarët që ishin gjakpirës të popullit !?
Lufta u falsifikua, sikur gjoja ishte organizuar dhe udhëhequr nga fshatarët e varfër edhe sot më ndonjë rast përmënden si udhëheqës fshatarët e varfër që ranë dëshmor në këtë luftë dhe para tyre duhet të përulemi me nderim, por ata nuk qenë udhëheqës dhe nuk mund të ishin të tillë.
Jo vetëm që lufta u falsifikua por udhëheqësit e asaj luftë heroike, familjet dhe të afërmit u persekutuan egërsisht. Kështu ndodhi me familjen e Osmën Haxhiut, Sali Bedinit, Hamit Selmanit. Djali vetëm i Duro Shaskës, Sadiku për t`i shpëtuar ndëshkimit komunist në nëntor të vitit 1944 u arratis jashtë shtetit së bashku me 3 kushërinj të tij, 4 nipa të tjerë që mbetën në Shqipëri u burgosën. Kujtimi djali i Ali Beqirit var në litar në vitin 1946.
Alem Mehmetit i grabitën pasurinë, i dogjën shtëpinë dhe djali vetëm Mehmeti u arratis jashtë shtetit. Tre djemtë e Hysni Shehut: Temua, Suloua dhe Raufi vdiqën në burgjet komunite. Qazim Kokoshi vdiq në burgun e Vlorës dhe gjithë të afërmit e tij kaluan nëpër burgjet e zeza komuniste.Ventigjari djali Myqerem Hamzarajt u dënuan me 20 vjet burg.
Po këtë persekucion barbar pësoi edhe Shtabi i Luftës. Qazim Koculi u vra nga mercenarët dibranë në janar të vitit 1943, djali dhe vajza e tij vuajtën burgun. Aziz Çami u vra me atentat më 15 dhjetor 1943, nga komunistët, e kështu me radhë.
Vetëm në vitin 1962, në 5O vjetorin e Pavarësisë Kombëtare u vlerësuan dëshmorët dhe disa udhëheqës të kësaj luftë por jo sipas meritave.(Intervistoi: Intervistoi: Albert Zholi)