• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VASFI VISOKA U DËNUA NGA KOMUNISTET ME BURG PSE KISHTE BOTUAR LIBRIN “NËNA KOSOVË”

June 2, 2022 by s p

Nga Enver Memishaj

I vetmi vend në botë që dënonte shtetasit e tij se shkruanin libra me ide patriotike!

upload.wikimedia.org/wikipedia/sq/thumb/d/d4/Va...mNena-kosove.jpg

Nuk është e vërtetë aspak që unë të kem qenë urdhënue prej ndokujt me bamë atë libër, por e kam bamë vetë vullnetarisht. (Vasfi Visoka)

Vasfi Samimi (Visokë, 1908 – 4 gusht 1981) graduar profesor doktor i shkencave, mjek veteriner, futbollist me “Fenerbaçen “ në Turqi, shkrimtar dhe publicist. Bashkëthemelues i shërbimit veterinar shqiptar dhe institucioneve të para diagnostike veterinare e humane, shëndetit publik veterinar dhe ligjit të parë të shërbimit veterinar, kontribute të shquara në zhvillimin e konsolidimin e veterinarisë dhe kërkimit shkencor.Petagog në Universitetin Bujqësor Tiranë.

Jeta dhe vepra e tij janë botuar në 28 vëllime, nga dy djemtë e tij, pasi shteti e kishte harruar këtë patriot dhe shkencëtar. Samimi është përfaqësues i asaj gjenerate profesionistësh intelektualë të formuar në Turqi dhe Gjermani, të cilët jetësuan lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ndër botimet e tij në fushën e letërsisë, përmendim “Nëna Kosovë” është një nga përshkrimet e sinqerta dhe romantike të autorit për vitet 1938-43. Libri çelet me shprehjen poetike: “Kam shkuar pesë herë në Kosovë. I jam bërë pesë herë dashnor.Qielli i Kosovës ndriçon me rrezet e diellit që i veshin syrin njeriut, atmosfera e saj është mbushur me një fuqi tërheqëse dhe në tokat e saja të shenjta valon një fuqi magjiplote.”

Vepra “Shqipërija e vërtetë, Nëna Kosovë” (1938–1943), Njenja dhe mendime, Përshtypje udhëtimi nga Tokat e Liruara,  botimi i parë në Tiranë 1943, botimi i dytë Tiranë1995.

“Ky libër i dedikohet martirëve të motshëm e të rinjë, kohrave të kaluara e të ditëve te sotshme, që kanë ra dëshmorë për lirinë e kombit e t’atdheut. Në këtë libër nuk ka politikë, shovinizëm dhe pamje të nji-anshëme, por ka vetëm nji parashtrim të sinqert, nji të vërtete të shenjtë njerëzore!…”

Me të ardhur komunistët në pushtet, Vasfi Visoka është një nga të parët që u arrestua më 7 dhjetor 1944, dhe e shpunë  para Gjyqit Special për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit i njohur ndryshe si Gjyqi Special, që ishte një gjykatë komuniste që veproi në pranverën e vitit1945.

Trupi gjykues përbehej nga 9 veta, kryetar i saj u emërua gjeneral lejtnant Koçi Xoxe (teneqexhi me 5 klasë shkollë), dhe anëtarë: kol. Hysni Kapo, n/kol. Beqir Balluku, kap. i I Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, dr. Medar Shtylla; Faik Shehu, Halim Budo, gjykatës; Gaqo Floqi, gjykatës. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë edhe Bilbil Klosi, major Gjon Banushi dhe major Haki Toska. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu, gjeneralmajor. Sipas Badri Spahiut, Enver Hoxha ishte udhëheqësi i vërtëtë, gjykatësi dhe prokurori.

Prokuroti kërkoi dënimin e Vasfi Samimit me 5 vjet burg, ndërsa gjykata u tregua e “humane” dhe e dënoi me 3 vjet burg, pa asnjë provë juridike. Ai u lirua nga burgu në vitin 1946 me amnisti dhe mbeti për jetë i suverjuar nga Sigurimi i Shtetit.  

Po përse u dënua patrioti dhe shkencëtari Vasfi Visoka ?

Nga proçesvrabali igjykatës, mësojmë se Vasfi Visoka udënua për botimin e librit “Nëna Kosovë”, pasi idetë e këtij libri prishnin miqësinë me serbët që mbanin të pushtuar Kosovën martire, sepse autori i cilësonte akademikët serbë intelektualë kriminelë në lidhje me Kosovën dhe mbronte pikëpamjen se nuk ka as Shqipëri të Madhe, as Shqipëri të Vogël, por ka vetëm Shqipëri të Vërtetë.

Ai libër i shkruar me pathos atdhetari, plot ndjenja njerëzore, përgjegjësi të madhe qytetare e guxim të spikatur intelektual,  ishte bërë ndëshkim i pamëshirshëm për të, për sa qe gjallë. Në dhjetor të vitit 1944 libri u hoq nga qarkullimi dhe mbeti libër i ndaluar përgjatë periudhës sa vazhdoi regjimi komunist. 

Më poshtë proçesverbali i gjykatës: 

“U thirr i pandehuri Vasfi Samim Visoka i biri Zeqirit dhe Safete Aliut, lindur në Berat më 1905, (disa japin si vitlindje, vitin 1908) i martuar ka dy fëmijë, i pa dënuem, me arsim të naltë në veterinari në Stamboll e Berlin. 

Ju kënduen të pandehurit akuzat  e formulueme prej Komisjonit Qëndror për Zbulimin e Krimeve e të Kriminelëve të Luftës dhe Armiqve të Popullit, me akt-akuzën datë 24.2. 1945, që përmban: 

I.Ka qenë vegël e ndërgjegjëshme e propagandës armike si publicist. 

II.Si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës Popullore ka qenë përgjegjës për fushata propagandistike antialeate dhe antinaccionalçlirimtare. 

U pyet i pandehuar t’u përgjigjet akuzave të më sipërme e tha: 

Prej 15 vitesh si nëpunës me ndërgjegje jam munduar për të mirën e vendit tim. Unë si njeri e nëpunës teknik, nuk kam peshuar kurrë në drejtimet politike që janë ndjekë në vendin tonë dhe as jam përzier e as kam dashtë të përzihem me rryma politike. Arikujt që unë kam shkrue 70%  kanë përmbajtje bujqësore e blektorale, 20%  me karakter sportiv dhe 10 %  me fqymë letrare. 

Librin “Nëna Kosovë”, e kam bërë unë me plot ndërgjegje dhe marr përgjegjësi për përmbajtjen e saj. Këtë libër e kam shkrye si shqiptar dhe ka një stil human dhe kam thënë në atë libër se problemi i Kosovës me asnjë mënyrë nuk duhej të zgjidhej me luftë. Nuk është e vërtetë aspak që unë të kem qenë urdhënue prej ndokujt me bamë atë libër, por e kam bamë vetë vullnetarisht. Unë kam pas dhe kam bindje për të mirat e një Federate Ballkanike dhe jam kundërshtar i rreptë i çdo lloj shovinizmi. Në këtë libër po të shqyrtohet do të shihet se nuk kam përdorë fjalën “fashizëm”, ose ndonjë fjalë kundër ndonjë fqinji. 

Mbi kërkimin e prokuroroti tha: 

Unë në këtë libër nuk kam sulmue serbët dhe nuk kam qenë urëdhërue prej Mid’hat Frashërit me e përgatit, mbasi unë me Ballin Kombëtar nuk kam pas asnjë lidhje. Artikulli i botuar në gazetën  “Bashkimi i Kombit” më datën 6 janar 1944 “Goditëm por dëgjomë” i referohet me frymës njerëzore që përmban dhe krejt i pa anshëm, për zhdukjen e vëlla-vrasjes, sepse unë nuk dojshe që ballisti të vriste një pjesëtar të Nacionalçlirimtares dhe anasjelltas. Bashkimin unë e dojshe për të mirën e vendit dhe kundër okupatorit. Artikulli vetë asht i qartë. Artikulli nuk ka qenë kontrollue prej gjermanve sepse në atë kohë gjermanët nuk ushtrojshin kontroll mbi shtypin. 

Unë mendojshe si krejt i pa anshëm që kombi shqiptar si i vogël dhe i varfër duhej të kishte një takt, me ndalimin e vëlla-vrasjes. Unë them se lufta duhej të vazhdonte kundër okupatorit. Unë nuk kam pasur asnjë qëllim politik në artikujt e mi, sepse në asnjë grup politik nuk jam marrë dhe këtë juve do ta keni konstatue, dhe se emri im nuk asht përmënd në organizatat politike…   

Artikujt e mi nuk duhet të kenë interpretimin që u jep zotni prokurori, sepse ato janë të qarta se janë bame me një frymë humanitare dhe krejt të pa anshëm….

Avokati tha se kena këta dëshmitarë: Inxh. Jovan Adam, Andon Mazreku, Gaqo progri, Sokrat Mio, Kostaq Cipo, Hilmi Taçi, Dr. Veis Sejko, inxh. Lazar Treska. Tiranë më 22.3.1945

Fjala e fundit përpara gjykatës: “I shoqërohem mbrojtësit tim, duke shtuar se prej 15 vjetësh në shërbim kam shkruar libra e artikuj gjithnjë në shërbim të popullit e të vendit tim, në rast se kam bërë ndonjë gabim kërkoj ndjesë nga Gjykata e Popullit dhe kam besim se do vendosni pafajsinë time”.

Para gjykatës më 22 mars 1945 për të dhënë fjalën e fundit nuk u paraqitën: Emin Toro, Koço Kota, Mahmut Golemi, e Abedin Xhiku sepse ndodhshin të sëmurë në burg, vuanin nga sëmindja e dajakut!, ndërsa Et’hem Cara, Refat Begolli dhe Ihsan Libohova ndodheshin në spitalin e burgut, pasi kishin ngrenë më shumë dru se katër të parët. 

Gjykata tregohet “humane” dhe cakton: Gaqo Floqin, Hysni Kapon, Beqir Ballukun dhe Bilbil Klosin, për t’u marrë fjalën e fundit shtatë të pandehurve atje ku dergjeshin nga sëmundja e dajakut!” (Arkivi i MPB, Dosja 1568, f. 266 – 267)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Memishaj

PATRIOTI QË IU SHKRUA EMRI NË GUR

September 25, 2021 by s p

Rreth librit të Kanan Cenodemaj “Skëndomemajt në rrënjët e Vranishtit”, Vlorë 2021

Nga Enver MEMISHAJ

Mund të jetë një imazh i 2 persona
https://i.prcdn.co/img?regionKey=Jq1swbkxZNq6tXBsrmt%2bpQ%3d%3d
Dëshmori i atdheut Roland Likaj

Kanan Cenodemaj, është një pensionist, por që nuk di të pushojë, ai ose do të shkruaj e botojë poezi me frymën e poezizë popullore , me tema kryesisht atdhetare, ose do të merret me studime historike, kryesisht të vendlindjes. 

Këtë vit ai botoi librin voluminoz  “Skëndomemajt në rrënjët e Vranishtit”, që ka si lëndë fisin Skëndomemaj, pra merr në studim një nga fiset që janë në origjinë të Vranishtit të Vlorës, ku Kanani është dhëndërr.

Sipas autorit, fisi Skëndomemaj në periudha të ndryshme historike i ka dhenë atdheut burra dhe gra të cilat kanë bërë emër të mirë në fshat, në krahinë dhe më gjerë.

Autori ndalet në disa momente të historisë sonë, për të treguar ndikimin dhe pjesëmarren e këtij fisi dhe të vranishiotëve në këto ngjarje. Kështu p.sh. ai ndalet gjatë në historinë e Horës, pararendësia e Vranishtit të sotëm, në tërritorin e së cilës ka pasur 10 kisha si kisha e Shën Rrokut, emërtim që e gjejmë edhe në Tërbaç, shpella e Shiroke(K. Cenodemaj f. 37)

Hora, thotë autori, ka qenë një qendër e vjetër dhe e njohur e asaj krahinë në qëndresën e saj gjatë pushtimeve, në bashkimin me të gjitha forcat e saj me djalin e Skënderbeut gjatë zbarkimit të tij në Himarë. Veçanërisht autori qëndron në Horën e Greqisë dhe Horën Arbreshe të Italisë, duke u munduar të provojë origjinën e tyre nga Hora shqiptare.

Vëmëndjen e lexuesit e tërheq sidomos ngjarja e ndodhur gjatë kryengritjeve të mëdha të viteve 1911 – 1912, në territorin e Shqipërisë Etnike.

Në nëntor të vitit 1912, tregon autori, tre burra të paharruar vranishiotë, u arratisën nga batalioni turk Birinxhi që luftonte në rajonin e Nishit dhe u bashkuan me luftëtarët e Isa Boletinit në Mitrovicë: 

Sheme Zoto Ribi  që ra dëshmor në janar 1913 dhe nuk njihet as si dëshmor dhe as si patriot, 

Shemja u varros me nderime nga kosovarët dhe mbeti në Mitrovicë. Sot ai labi nga Vranishti u bën roje sinoreve të atdheut. Asnjë fjalë për këtë dëshmor të pavarësisë!!!  

Meçan Selam Skëndomemaj  që në shkurt të vitit 1913 u plagos rëndë. Shokët menduan se kishte vdekur  dhe e lanë në vend duke vazhduar luftimet, kundër fuqive turke të Shefqet Turgut Pashës. Kur u kthyen shokët për ta varrosur, nuk e gjetën Meçanin tek vendi që e kishën lënë. Atë e kishte gjetur një kosovar që e mori dhe e kuroi në shtëpinë e tij. Mbas dy muajve ai u ngrit në këmbë dhe patriotët kosovarë e përcuallën me kafshë nga një fshat në tjetrin deri sa mbriti në Vlorë. 

I treti ishte Xhelo Murat Shkurti i cili luftoi deri në fund dhe mendohet se Xhelo Shkurti erdhi në Vlorë me forcat e Isa Boletinit në vitin 1912.

Kur u kthye në familjen e tij në fshat, ai u habit kur mori vesh që Meçan Skëndomemaj, shoku dhe bashkëluftëtari tij, ishte gjallë dhe ishte kthyer në shtëpi. Ai vajti e takoi dhe i dha orën me gjithë qostrek të tij, që ia kishte marrë në momentin e plagosjes që e menduan të vdekur.    

Ja pra, dëshmorë e luftëtarë të Pavarësisë, të pa njohur e të pa vlerësuar, që na i nxjerr në dritë autori i librit Cenodemaj.

Pas publikimit të këtij fakti plot vlera e patriotizëm është detyra e organeve shtetërore për vlerësimin zyrtar të xhestit patriotik që bënë tre fshtarë të varfër nga Vranishti i Vlorës të pa shkollë, por që ishin ushqyer më ndjenja atdhetare që në gjirin e nënës dhe bënë heroizëm kur nuk kishte Shqipëri, por atyre që në djep nëna u kish thënë se ishin shqiptarë…

Më tutje libri bëhet më interesant  dhe lexohet me kuriozitet, pasi autori tregon ngjarje me ndikim të madh në zhvillimin dhe pëparimin e vendlindjes së tij. I pa harruar ka mbetur ne kujtesën e vranishiotëve por edhe në gjithë krahinën emri i Laze Çelo Cinoj. Lazja kishte vënë pasuri dhe një ditë i tha kryeplakut Rrapo Meto:

-Kam menduar të ndërtoj një shkollë në fshat të mësojnë fëmijët e fshatit pasi mua nuk më dha Zoti fëmijë. 

-Po e ndërtove i tha patrioti Rrapo Meto, emrin tënd do ta shkruaj në gur që të kujtohesh brez pas brezi. 

Lazia e ngriti shkollën duke harxhuar për të gjithë pasurinë e tij, në oborrin e xhamisë në vitin 1913, në një dhomë me 20 nxënës  pastaj ajo u shtua me dy dhoma të tjera. Në ballë të shkollës u gdhend emri tij dhe shqiponja me flamur. Më vonë këto dhoma u përdorën si zyra të kooperativës dhe sallë kulture. 

Mbetej të mbante fjalën edhe kryeplaku patriot Rrapo Meto dhe ai si burrë krahine e mbajti fjalën: emiri i Laze Çelo Cinoj u shkrua në një shkëmb të madhë në mes të fshatit. Shkëmbi me emrin e Laze Çelo Cinoj dhe emërtimi i shkollës “Laze Çelo Cino”  u nderuan dhe u kujtuan deri sa erdhën komunistet në pushtet. Ata e fshinë emërtimin e shkollës dhe emrin e patriotit “Laze Çelo Cino”, ndërsa gurin e thyen, duke zhdukur kështu një nga veprat më të shquara që kishin bërë në histori vranishiotët, në mos vepra më e shquar. Ndërsa patrioti Rrapo Meto ishte vrarë në vitin 1943 nga bandat komunistë të mehmet Shehut.

Emri nderuar i Laze Çelo Cino, u zëvëndësua me emrin e një dëshmori, një padrejtësi që u shkon për shtat vetëm shoqërive primitive e që shoqata e Vranishtit pritet ta koregjojë duke i kthyer emërtimin e merituar shkollës: “Laze Çelo Cino”, sepse s’ka vepër më të madhe që mund të bëjë njeriu në jetën e tij se sa ngritja e një shkolle që realizohet për herë të parë në historinë e Vranishtit në një kohë kur pothuajse nuk kishte Shqipëri, dhe para një popullsise pothuajse 100 % analfabete.    

Cenodemaj qëndron gjatë në Luftën Antifashiste duke përshkruar vuajtjet e mjerimet që hoqën vranishiot gjatë kësaj luftë, jo vetëm nga pushtuesit, por edhe nga disa mburracakë e frikacakë siç shprehet autori të celulës së Partisë Komuniste të fshatit. 

Masakra e Vranishtit të Vlorës nga gjermanët mbetet një ndër ngjarjet më të përgjakshme dhe më tragjiket e Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë. I gjithë fshati u dogj, numri i viktimave të asaj masakre vajti në  58 vetë , prej të cilëve 10 më datën 18 dhjetor 1943, 18 më 9 shkurt dhe 30 të  tjerë  u pushkatuan në Brataj më 10 Shkurt 1944, krahas 2 qytetarëve vlonjatë dhe dy partizanëve të Brigadës së Pestë. (Bardhosh Mici “Gra burrnesha të  Vranishtit”, Vlorë  2017)

Kanan Cenodemaj, si një studjues serioz e gjen burimin e kësaj masakre tek celula komuniste e Vranishtit e cila pabesisht qëlloi pas krahëve e vrau me bukë në gojë një skuadër rikonicioni gjermane, ndërsa ata ishin ulur në qendër të fshatit dhe po hanin bukë…, prandaj gjermanët u hakmorën.

Për këtë masakër pati një heshtje vrastare nga pushteti komunist, se po të analizohej e vlerësohej duhet të viheshin para përgjegjësisë ata që e shkakëtuan, të cilët rehatoheshin duke vazhduar udhën e krimit në gjykatën e lartë dhe në institucionë të tjera të shtetit…  

Mbreslënëse është përshkrimi i vuajtjeve të këtij fshati gjatë luftës italo – greke, për këtë le t’ia lëmë fjalën autorit, pasi na bën një përshkrim që s’mund të harrohet, duke treguar kështu edhe talentin e tij letrar: 

“Në luftën italo – greke, Italia u tërhoq dhe u dislokua në Vranisht. Vija e frontit kalonte në mes ta fshtait në përroin e fshatit,  gjysma e fshatit mbeti nga ana e grekut dhe gjysma tjetër nga ana e italianëve. Për 4 muaj fshati u kthye në shesh luftimesh duke vrarë dhe shkatërruar çdo gjë. Popullsia u shpërngul në dy drejtime në atë të Vlorës dhe atë të Kuçit, duke lënë çdo gjë në dorë të ushtrive të huaja. U vranë 20 njerës të pa fajshëm, u dogjën dhe shkatërruan 80 % e shtëpive, me mijëra kokë bagëti të imta dhe të trasha u hëngrën nga ushtritë ndrëluftuese, drithi dhe çdo ushqim tjetër u grabitën, 

Njerëzit vetëm me rrobat e trupit morën rrugët pa ditur se ku do të venin për pesë muaj dhjetor 1943 dhe janar –prill 194. Iknin natë e ditë, në atë dimër të acartë. Ku i zinte nata pa guxuar të ndiznin zjarr se diktoheshin e qëlloheshin nga pushtuesit. Flinin rrëzë gurëve, shpellave, pemëve si turma kopesh pa çoban. Lypnin një kothere buke, po kujt t’ia lypnin se në ato fshatra ku kalonin pak njerës kishin mbetur se edhe ata kishin ikur, ik të ikim…Mundoheshin të gjenin ndonjë jeshillëk, lakër, po ku kishte lakra në dimër, se të tjerët para tyre i kishiun mbledhur. Ku të gjenin një grusht miell misri t’ua bënin fëmijve qull pa kripë, se nuk kishin.

Të zbathur, të pa veshur, të lagur, shkelnin me këmbët e skuqura e të mavijosura nga të ftohtit e ngrica. Ku të gjenin strehë? Ku të laheshin, e më çfarë të ndërroheshin?  Urija, pisllëku, mizerja, mugesa e ushqimit dhe e barnave mori shumë njerës, sidomos pleq e fëmijë që sëmureshin dhe vdisnin rrugëve dhe po atje varroseshin.

Nuset shtatzana lindën fëmijët nëpër shpella e shumë vdiqën pas lindjes bashkë me foshnjën.

Fshtaraët u kthyen në vatrat e tyre në pranverë, por gjetën shtëpitë të shkatërruara dhe asnjë kothere bukë për të mbajtur shpirtin, asnjë bagëti asnjë farë drithi për të mbjallë. E vetmja aleate e tyre ishte pranvera…” (K. Cenodemaj f. 101 – 102)

Me interes janë edhe toponimet që na jep autori dhe shqipërimet e fjalëve si p.sh.  Meri – gr., dita,   Hora – kryqendra, etj.

Le të citojmë një nga këto toponime: Lugu i Valles, që në Lepenicë të Vlorës në pronat e Avdulla Memishahut ka një toponim të tillë: Lugvalleza.

“Në Vranisht lagjia Sheshi i Mesit, thotë autori, ka qenë e shtrirë nga bregu Lugut të Valles deri në mes të sheshit aty ku ka një ngritje dhe është varri i babë Shakos… Në bregun me emërtim domethënës Luguvalle që ka një trasformim nga origjinali,  si për shumë emërtime të tjera në zonë, që janë bashkuar, janë shkurtuar e për rrjedhojë janë trasformuar, emri i dytë është original- valles, aty ku është hedhur valle, po ku?  Në breg, po kjo lugu sikur nuk shkon dhe të futet midis dy të tjerave; atëhere është ndryshuar një gërmë nga o  është bërë u , atëhere merr kuptim fjala në logu dhe lidhet me të gjithën e kuptueshme Bregu i Logut të Valles, pra aty janë zhvilluar si themi sot koncerte, festivale me këngë e valle, por që atëhere në vend të këtyre përdorej fjala Logu. Logu i burrave, Logu i kuvendit, fjalë që në Veri është përdorur deri vonë.

Nuk është e tepërt të mendohet që aty diku të ketë qenë edhe ndonjë vend në formë amfitetari ku janë kënduar këngë e hedhur valle në festa të ndryshme, veçanërisht në fitoret mbi armikun”. (K. Cenodemaj f. 25 -26)

Në kapitullin e fundit  autori përshkruan të gjitha familjet që përbëjnë fisin Skëndomemaj, që nga muzgu i shekujve të lashtë deri në ditët tona, por edhe vajzat e këtij fisi ku ato janë martuar dhe kanë krijuar famijen e tyre. Në këtë kapitull ndërmjet të tjerëve, na tërhoqi vëmëndjen ish oficeri trim i policisë së Vlorës, Roland Likaj që ra në krye të detyrës më 18 tetor të vitit 2010 duke patrulluar në orët e para të mëngjesit. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm vrasësin e tij, Jetnor Nakolecin.

Trëndelina, bashkëshortja e Rolandit ishte bijë e Skëndomemajve të Vranishtit, që mbeti me dy vajza jetime Edra dhe Sonja 5 dhe 3 vjeçe. 

Si pë Trëndelinën dhe Rolandin, dëshmorin e atdheut, vazhdon të na tregojë autori për gjithë fisin Skëndomemaj 

U ndalëm vetëm në disa episode të këtij libri, por lexuesi do të gjej material të gjerë për historinë, jo vetëm të fisit Skëndomemaj, por edhe të Vranishtit të Vlorës. 

Si përfundim 

do të thoshim se autori në tregimin e historisë së Skëndomemajve dhe të vendlindjes së tij është realist në gjykimet e tij, duke na sjellë fakte e prova që dëshmojnë kulturën  e autorit.

Libri është një shembull i dashurisë për rrënjët, fisin, vendlindjen dhe atdheun, një shembull se pas duhet të lemë gjurmë për brezat që vijnë pas nesh, pasi ne për vetë kushtet historike nuk trashëguam gjurmë të tilla. 

Autori ka ditur të harmonizojë historinë e këtij fisi me historinë e fshatit, gjë që i jep vlera monografisë dhe nxit interesin e lexuesit. 

E urojmë autorin për vepra të tjera.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Memishaj

DËSHMORËT E PANJOHUR TË ÇETËS PLAKË TË VLORËS

September 19, 2021 by s p

Kur do të shpallën dëshmorë luftëtarët trima, të çetës Plakë të Vlorës?

Vazhdon lufta e klasave: dëshmorët e atdheut trajtohen ca të nënës e ca të njerkës.

Nga Enver MEMISHAJ

  1. Komunistët të vrasin natën dhe të qajnë ditën

Një nga njollat më të errëta dhe çnjerëzore e Partisë Komuniste, ishte edhe eliminimi i shokëve të tyre të idealit, liminim që filloi që gjatë Luftës Antifashiste. Udheheqësi i lartë i P.K., Gogo Nushi ka deklaruar në plenumin e Beratit në nëtor të vitit 1944: “Për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë nga Komiteti Qëndror që këta t’i  zhduknim”. 

Disa nga ata luftëtarë, që Partia Komuniste i vrau natën, i qau ditën: pas çlirimit i shpalli dëshmorë të atdheut! Kështu p.sh. vetën nga Grupi Komunist i “Të Rinjve”, u vranë 8 vetë: Mynyr Xhindi, Fejzo Gjomema, Feta Ekmeçiu, Arap Shenaj, Fejzi Micolli, Hydajet Micolli, Haki Xhelo dhe Jorgo Plaku, të tetë këta pas çlirimit u shpallën dëshmorë. 

Në vitin 1944 komunistët pushkatuan në Ramicë të Vlorës Ramize Gjebrean dhe në vitin 1947 e shpallën dëshmore. 

Më 8 qershor 1944 u vra dhe Zaho Koka. Sipas Sofokli Lazërit dhe general Mevlan Dervishit thonë se e vranë pas krahëve. ( “Dita”, 23.12.2002; “Ballkan” 18.6.2005) Edhe Zahua u shpall “Hero i Popullit”

Në Fier u pushkatua çifti i bukur Zyba Fasllia dhe Kito Zarka  dhe pas çlirimit Kitua u shpall dshmorë, ndërsa Zyba mbeti armike e epopullit!!!

Në Gjinar të Elbasanit pushkatohen Velide Murataj nga Tragjasi dhe Bido Hasani nga Delvina. Bidua u shpall pas çlirimit dëshmorë, sepse familja e tij kishte qëndrim të mirë politik,  ndërsa Velideja mbeti armike e popullit pasi prindërit e saj ishin ballistë!!!

Më 3 maj 1944, u pushkatua vajza 18 vjeçare, Hazbo Gjoni nga Gusmari Kurveleshit. 

Në fund të vitit 1944 në Peshkëpi u vra Mustafa Gjinishi në një pritë të realizuar nga Liri Gega, dhe më pas u shpall dëshmor. 

E famëshmja Musine Kokalari shkruan se komunistët vranë Mustafa Gjinishin, Mustafa Kaçaçin, dhe Abas Shehun  sepse ata mendonin të krijonin një opozitë socialdemokrate mbas mbarimit të luftës, (M.K. “Si lindi Partia Socialdemokrate”) të tre këta pas çlirimit u shpallën dëshmorë dhe heronj.

Ka edhe raste të tjera kur partizanët janë vrarë për hakmarrje personale si Shyqyri Alimerko nga Tragjasi, Sadik Zotaj nga Ramica, ose janë vrarë nga hajdutët për ti grabitur si Ramis Aranitasi nga Skrapari , Mitro Xhani e Lefter Talo nga minoritar grek, (“Tema”, 7.12.2008) Dervish Hekali u vra pas krahëve dhe të gjith këta pas lufte u shpallën dëshmorë dhe heronj populli!!! 

Me këtë listë mund të vazhdonim gjatë…

  1. Kur do të shpallën dëshmorë luftëtarët trima, të çetës Plakë të Vlorës apo vazhdon lufta e klasave: dëshmorët trajtohen ca të nënës e ca të njerkës.

Në të njejtat rrethana janë pushkatuar nga Partia Komuniste gjatë luftës edhe shumë partizanë të çetës Plakë të Vlorës, formuar më 4 dhjetor 1942, ndër ta:  Neki Ymeri, Xhafer Dalani, Xhemil Çakërri, Selim Laçej, Refit Saçaj, Duro Elmazi, Shask Rustemi, Faslli Kapaj, Isuf Rexho, Bexhet Pashaj, Arshi Muka, Jaho Tushi, Qazim Bilbili, Nurçe Bajrami, Hasan Meçorrapaj, të cilët ishin luftëtarë trima me armë në dorë dhe nuk janë shpallur dëshmorë, pasi familjet e tyre nuk kishin qëndrim të mirë politk!!!

Pse u pushkatuan nga Partia Komuniste dhe konkretisht nga Dushan Mugosha dhe Liri Gega, shumë partizanët trima të çetës Plakë të Vlorës?

Në vitin 1943, me daljen e të ashtuquajturit fraksion i Vlorës i udhëhequr nga Sadik Premtja shumë partizanë iu bashkuan këtij fraksioni. Dihen akuzat që iu bënë Sadik Premtes dhe Grupit të “Të Rinjëve”, si armiq e tradhëtarë të Partisë dhe të popullit dhe bashkëpuntorë të fashizmit, akuza që nuk kanë asgjë të vërtetë, sepse nuk ka asnjë provë e fakt juridik për të mbështetur këtë akuzë.

Me dhjetra dokumenta të policisë fashiste provojnë se Sadik Premtja ishte në ndjekje për t`u arrestuar si armik i rrezikshëm i fashiznit. (Shih: “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve”, Tiranë 2016)

Enver Hoxha, i shqetësuar në kulm nga përmasat e asaj lëvizjeje që po ndodhte në Vlorë, e cila po lëkundte pozitat e tij, që nga strofkat ku fshihej në Tiranë, më 3 maj të vitit 1943, dërgoi një letër, që ishte në fakt një urdhër, që ia drejtonte Qarkorit të Vlorës dhe për njoftim gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë. Në atë letër ai urdhëronte: 

“Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit”.  Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin edhe ata të pushkatohen… Të forcohet disiplina. Të shkojnë dy vetë të flasin me H.L. dhe t’i japin arsyet, e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve”.

(AQSH, F.18/AP, V. 1943, D. 1, f. 4; Xhepi – Sadik Premtja, Pali – Pali Terova, Vangjua – Neki Ymeri, Difi – Qazim Çakërri, H.L. – Hysni Lepenica)

Vetëm nga leximi i këtij citati të shkurtër të asaj letre, që është shumë e gjatë, të lindin vetvetiu disa pyetje dhe shqetësime: 

Në radhë të pare, ku e gjeti ai njeri legjitimitetin që të arrijë të japë vendime për arrestime dhe për pushkatime? 

Kush ia dha atij të drejtën për t’i quajtur ata që nuk mendonin si ai, “armiq të popullit”,  mbi ç’bazë ligjore e morale jepte urdhëra të pushkatoheshin njerëz? 

Dhe po të mbahet parasysh se kjo ndodhte vetëm një vit e gjysmë nga dita që ai kishte marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm (ashtu si e kishte marrë) të PKSH-së, mund të arrihet në përfundimin se çfarë ka bërë ai më vonë, kur pushteti i tij u forcua dhe pozitat e tij në krye të partisë e të shtetit u konsoliduan me tej. 

Në zbatim të këtij urdhëri Dushan Mugosha dhe Liri Gega ngritën një njësit terrorist në shpellën e Shiroke në Tërbaç dhe vranë me atentat dhe me metoda të tjera mafjoze shumë partizanë të çetës Plakë, të Vlorës. 

Nisur nga fakti se të gjithë partizanët e çetës Plakë ishin luftëtar lirije, antifashistë, që kishin luftuar me armë në dorë dhe se nuk mund t’u ngrihet asnjë akuzë, duke pasur parasysh se të gjithë ata pas vitit 1990, janë vlerësuar e dekoruar nga autoritetet vendore dhe Presidenti i Republikës, si dhe praktikën se shumë partizanë të ekzekutuar nga PKSH gjatë luftës u shpallën dëshmorë pas çlirimit: 

Më 23 prill 2018 dhe më 31 maj të vitit 2020, familjarët e partizanëve të pushkatuar nga Partia Komuniste, gjatë Luftës Antifashiste, gjatë viteve 1943 – 1944, i kanë drejtuar një kërkesë prefektit të Vlorës, z. Flamur Mamaj dhe kërkojnë prej tij: 

Të vlerësohen e shpallen si dëshmorë të atdheut të afërmit tanë, të cilët kanë luftuar kundër pushtuesit fashistë me armë në dorë që nga 4 dhjetori i vitit 1942, kohë kur u formua çeta Plakë e Vlorës. 

Dihet gjithashtu  që jo vetëm u vranë padrejtësisht, por pas çlirimit familjet e tyre u persekutuan dhe internuan dhe sot këto familje mbajnë Statusin e ish të Përndjekurve Politikë. 

Pothuajse të gjithë partizanët e përmendur në këtë kërkesë kanë marrë vlerësime të larta nga Këshilli i Qarkut të Vlorës dhe nga Presidenti i Republikës dhe konkretisht:  

Komandanti i çetës Neki Ymeri “Vangjo” (1918 – 1943) i vrarë në pritë më 27 gusht 1943 është dekoruar:

1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin: “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”

2 – “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha, duke sakrifikuar edhe jetën”.

3 – “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me këtë motivacion: “Vrarë në LANÇl, 1943, Komandant i çetës Plakë, Vlorë. Student, drejtues në Lëvizjen Kombëtare e Antifashiste. Franksionist në Partinë Komuniste Shqiptare”

Xhemil Çakërri – “Milo” (1920 – 1943), pushkatuar në të njëjtën ditë dhe orë me Hydajet Micollin është Shpallur “Martir i Demokracisë”

Xhafer Dalan Xhaferaj – “Shpuza” (1913 – 1943), pushkatuar. Dekoruar, pas vdekjes:

1 – “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”

2 -“Medalja e Artë e Shqiponjës” me motivacionin: “Vrarë nga partizanët si franksionist. Antifashist i orëve të para, franksionist në PKSH”.

Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943), pushkatuar. Shpallur “Martir i Demokracisë”

Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), u pushkatua dhe u shpall dëshmor. Shpallur “Martir i Demokracisë”

Prefekti i qarkut të Vlorës z. Flamur Mamaj me shkresën nr. 598\1 datë 15.6.2020, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Komisjonit Qëndror të Statusit “Dëshmor i Atdheut” dhe bazuar në ligjin nr. 109\2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” propozon që  partizanët e çetës Plakë të sipërcituar të shpallen “Dëshmorë të Atdheut”. Propozimi i prefektit shoqërohet me dosjen e plotë me dokumentacionin provues. 

Ja dhe disa shembuj se si autoritetet shtetërore kanë vepruar me dy standarte, ose disa pyetje që kërkojnë përgjigje:  

Përse Mynyr Xhindi që e vranë pas krahëve, shokët e tij në kodrat e Velçës më 5 nëntor 1943,u shpall dëshmorë ndërsa Neki Ymeri komandanti i çetës Plakë që u vra me atentat nga Shyqyri Alimerko dhe Sadik Zotaj mbeti armik i popullit?

Përse Hydajet Micolli që u vra në të njëjtën ditë dhe orë me Xhemil Çakërrin u shpall dëshmor ndërsa Xhemil Çakërri mbeti armik i popullit? Për më shumë: Në maj të vitit 1943 te mulliri i Kutës në Mallakastër  u vranë nga komunisti Idris Seiti brenda një orë: Hydajet Micolli nga Bolena dhe Xhemil Çakërri nga Tragjasi. Të dy këta ishin luftëtarë antifashist, me merita pothuajse të barabarta, për më tepër Xhelim Çakërri ishte komisar politik i çetës Plakë. Të dy simpatizant të Sadik Premtes. Hydajet Micolli pas çlirimit shpallet “Dëshmor i atdheut”, ndërsa Xhemil Çakërri “ armik i popullit”. Kjo ndodhte nga parimi luftës së klasave sepse Xhemili ishte familje me qëndrim të keq politik megjithëse fashizmi i kishte djegur dy shtëpi dhe i kishte burgosur motrën në moshën 17 vjeçare.

Përse Haki Xhelua u shpall dëshmor, ndërsa Duro Elmazi armik i popullit!!! Për më tepër: Të dy djemtë e rinj, Duro Tahir Elmazi (1918 – 1943) dhe Haki Hazbi Xhelo (1923 – 1943), anëtarë të Grupit Komunist  të “Të Rinjëve”, simpatizant dhe mbështetës të Sadik Premtes u arrestuan në një ditë dhe në një orë dhe u pushkatuan, duke humbur varret e tyre përgjithmonë. Pas çlirimit Haki Xhelua u shpall dëshmor ndërsa Duro Elmazi armik i popullit!!!

Po kështu mund të bënim krahasime për të gjithë luftëtarët antifashistë, partizanë të çetës Plakë të Vlorës, të ekzekutuar padrejtësisht nga Partia Komuniste me urdhër të Dushan Mugoshës dhe Liri Gegës. 

Pra kemi një praktikë  e cila padrejtësisht nuk zbatohet njësoj, ose t’u hiqet titulli i deshmorit atyre që u vranë nga Partia Komuniste dhe më pas u shpallën dëshmorë ose t’u jepet titulli “Dëshmor i atdheut”, të gjithë partizanëve që u vranë në të njëjtat rrethana me ata që u shpallën dëshmorë.

Ndarja sipas parimeve kriminale të luftës së klasave ndodhte në diktaturën komuniste. Kjo ndodh edhe sot në demokraci, prandaj autoriteti shtetëror sa më parë duhet të bëjë koregjimin e këtij qëndrimi absurd: t’u japë titullin “Dëshmorë i atdheut” të gjithë  partizanëve trima, antifashistëve, të çetës Plakë të Vlorës, që kanë luftuar fashizmin me armë në dorë.  

Deri më sot kërkesa e familjarëve të të pushkatuarve si edhe kerkesa e prefektit z. Flamur Mamaj të Qarkut të Vlorës ka mbetur pa përgjigje. Autoriteteve shtetërore u kujtojmë gjithëashtu se ata në bazë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informacionit…”, kanë detyrimin që të kthejnë përgjigje brenda një afati të arsyeshëm dhe ligjor, detyrim i cili nuk është realizuar.

DISA DËSHMORË TË PANJOHUR TË ÇETËS PLAKË TË VLORËS

Neki Ymeri                                     Xhemi Çakërri                             Nimet Mita                                Duro Elmazi

Xhafer Dalani                                Shaskë Rustemaj               Hodo Muhameti                             Isuf Rexha

              Gjysh Premtaj                                    Osmën Ymeraj

Filed Under: Histori Tagged With: Deshmoret e Vlores, Enver Memishaj

NEIM SAÇO SAÇAJ, INTELEKTUAL DHE ANTIFASHIST I SHQUAR NË LUFTËN ANTIFASHISTE

September 14, 2021 by s p

Neimi e Refiti, dy vëllezër të rënë nga plumbat e pabesisë komuniste

Nga Enver MEMISHAJ

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_1963.jpg
E:\DCIM\100KM863\100_1964.JPG

Gjatë Luftës Antifashiste, krahina e Gorishtit të Vlorës që përmbledh 12 fshatra, ishte angazhuar në luftë, në radhët e Ballit Kombëtar. Batalioni kësaj force “3 shtatori”, me komandant Shanin Nuredin Bregun dhe komisar politik Neim Saço Saçaj, diplomuar në Itali për mësuesi, pati jehonë në të gjithë qarkun.

Për këtë arsye Partia Komuniste ushtroi një terror të egër ndaj kësaj krahine me qëllim që të asgjesonte forcat e Ballit Kombëtar dhe të eleminonte me atentate dhe metoda mafioze personalitete e luftëtarë të kësaj krahine, që ishin rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar. 

Veprimtaria terroriste e Partisë Komuniste, në fund të luftës rezultoi me një bilanci tragjik: 

U vranë me atentate dhe metoda mafioze 20 burra, si Dine Zeka, Fehim Ferraj, Lilo Nuredini etj. Nga këta pesë familje patën nga dy të vrarë: Shahin Nuredini me të birin Bexhetin, Neim Saçaj me të vëllanë Refitin, Aben Mahili me të birin Serjanin, Zenepe Caushi me të birin Alimin, Tartar Berdo me të vëllanë Shaqon.

U arratisën nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndëshkimit të komunistëve nëntë burra, si Çize Zyka, Beqir Çize, Bajram Alushi etj.  

U dënuan për motive politike me burgime të rënda 20 burra si, Ali Hyska, Bajram Shahini, Fejzo Lulo, etj. Nga këta vdiqën në burgun e Burrelit nga sëmundja e urisë dhe mungesa e barnave tre vetë:  Kajmak Delo, Shaqo Bendo e Xhafer Smaili.

Familjet e të gjith këtyre u persekutuan egërsisht, iu sekuestrua pasuria dhe toka,  u internuan dhe iu mohuan të drejtat elementare njerzore. Të mbetur pa tokë dhe pasuri shume familje u larguan nga fshati për në qytete, kryesisht në Vlorë. Por edhe këtu nuk u lanë të qetë. Në vitin 1966, 18 familje gorishiote të vendosura në qytetin e Vlorës, i shpërngulën me dhunë dhe i dërguan në fshat, në vendlindjet e tyre. Këta të mjerë duhet ta fillonin jetën edhe një herë nga xerua, pa shtëpi, pa tokë, pa bagëti pa asgje prej gjëje veç krahëve të punes. 

Ne po ndalemi te komisari batalionit “3 Shtatori”, Neim Saço Saçaj, dekoruar nga Këshilli i Qarkut Vlorë “Nder i Qarkut Vlorë”.

                                                                     *       *      *

Neim Saçaj  ka lindur në katundin Gorisht të Vlorës më 20 dhjetor 1913 në një familje të njohur patriotike. Babai I Neimit kishte luftuar trimërisht në luftën e Vlorë me 1920 dhe në Kotë ishte plagosur rëndë. Nga këto plagë vdiq në vitin 1923. Më parë Neimit i kishte vdekur edhe e ëma dhe për mirërritjen e tij u kujdes xhaxhai Selman Saçaj, emri të cilit duhet të përmëndet me nderim të madh, për atë që bëri për bonjakun Neim saçaj.

Neimi pas mbarimit të shkollës në vendlindje ndoqi mësimet në Medresenë e Tiranës, duke u dalluar mbi shokët e tij për inteligjencë dhe përvetësimin e gjuhëve të huaja. 

Duke parë zgjuarsinë e tij xhaxhai i kërkoi ndihmë deputetit të Vlorës z. Sadik Shaskaj dhe Neimi u nis për studime pedagogjike në Itali të cilën e kreu në vitin 1935. Gjatë viteti 1935 – 1942, Neimi do të punonte në gjimnazin e Gjirokastrës si professor, dhe më pas Kryemyfti. 

Vendlindja e thirri atë, për të marrë pjesë në lëvizjen kundër pushtuesit fashist. Kështu ai kthehej në Vlorë për të marrë pjesë aktive në luftë kundër pushtuesit.

Veprimtaria e Neim Saçaj tërhoqi vëmëndjen e nacionalistëve Hysni Lepenica, Skënder Muço dhe Isuf Luzaj, të cilët kërkuan të takoheshin me të në shtëpinë e tij. Neimi ra dakort të merrte pushkën në dorë. Po këtë ditë u formua çeta e Ballit Kombëtar me komandant patriotin Shahin Nuredin Bregu dhe drejtues politik u zgjodh Neim Saçaj. Më vonë kjo çetë do të rritej në batalionin “3 Shtatori”

Prej këtij çasti Neimi do të bëhej një propagandist i flaktë me idenë që të ngrinte popullin në luftë dhe duke kritikuar Partinë Komuniste si parti e huaj për zakonet dhe traditat e popullit tonë. Në prill të vitit 1943 Neimi kishte mbledhur popullin e krahinës së Gorishtit dhe ndërmjet të tjerave ai do të deklaronte: “Të luftojmë fashizmin  dhe të mos lidhemi me Rusinë komuniste” (Gazeta “Balli i Kombit” Tiranë dt. 9.1.1997)

Kështu me aktivitetin dhe besimin që populli kishte te ky luftëtar lirije ishte rritur autoriteti tij dhe besimi që populli kishte tek ky bir i tij. Në vazhdën e veprimtarisë së tij ai do të bënte pjesë në çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës prej 100 luftëtarësh që do të udhëtonte nga Vlora për të mbritur në Mukje, e për të marrë pjesë e mbrojtur Konferencën e Mukjes 1 – 3 gusht të vitit 1943. Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte edhe Hysni Lepenica, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, një betejë të përbashkët të Ballit dhe të Frontit në afërsi të Qafë Shtamës, kundër ushtrisë italiane.  Neimi në përbërje të çetës “Shqiponja” do te mrrte pjesë e do të luftonte me trimëri në këtë luftë. 

Pas kësaj fitorje dhe triumfi çeta e Hysni Lepenicës i emëruar anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë dhe Komandant i Prefekturave të Jugut do te kthehej në Vlorë, duke udhëtuar natë e ditë në këmbë. Hysni Lepenica i vendosi forcat e Ballit Kombëtar në Brataj dhe bëri riorganizimin e këtyre forcave. Neim Saçaj u emërua propogandist në krahinën e Gorishtit. Ka edhe mendime se u emërua anëtar i Qarkorit të B. Kombëtar të Vlorës.

Dihet se pas 1 tetorit të vitit 1943 Partia Komuniste i shpalli luftë Ballit Kombëtar dhe sulmoi me forca të shumta disa fshtra të Vlorës si Sevasterin, Velçën, Lepenicën, Gjormin etj. duke djegur, vrarë dhe grabitur pasurinë e fshatrëve të varfër që ishin me Ballin Kombëtar. 

Para kësaj gjendje Neim Saçaj u thirr në Tiranë nga Mid’hat Frashëri për konsultime. Komunistët kishin parë tek Neimi një luftëtar dhe propogandues të zotin dhe me infuencë, prandaj vendosën ta asgjesonin. Më 25 nëntor 1943 ndërsa kthehej në Vlorë një njësit komunist i bëri atentat tek ura e Mifolit dhe e vranë pabesisht. Më pas komunistët, po për të njëjtat arsye do të vrisnin pabesisht edhe vëllanë e tij Refit Saçaj.

Familja e tij pas çlirimit kaloi kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të egra. 

Pas vitit 1990, Neim Saço Saçaj i është dhenë “Statusi i ish të Përndjekurve Politikë”. 

Këshilli i Qarkut Vlorë me vendim nr. 26/1 datë 22.11.2012 i ka dhenë titullin “Nder i  Qarkut të Vlorës”, me motivacion: “Pjesëmarrës aktiv në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, intelektual dhe antifashist i shquar në Luftën e Dytë Botërore “  

oooOooo

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, Neim Sacaj

NJË LIBËR SI NJE DOKUMENT HISTORIK

May 4, 2021 by dgreca

Rreth dosjes së Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten përgatitur nga Enver Memishaj./

Shkruan: Dr. Bujar Leskaj/

Në këtë libër, studjuesi Enver Memishaj boton   dosjen e Sigurimit të Shtetit, Drejtoria e Zbulimit Politik, për Sadik Premten, ish nënkryetar i G. K. të “Të Rinjve” dhe njeri nga themeluesit e Partisë Komuniste. (Arkivi MPB, Sigurimi i Shtetit, Drejtoria e Zbulimit Politik, Fashikulli Sadik Premtja nr. Regjistrit 2960/21)

Libri është vazhdim i veprës së këtij autori “Eliminimi i Grupit Komunist të “Të Rinjve”, botuar  në vitin 2016 me dokumente, dëshmi e studime, ku është botuar edhe përmbledhja e dosjes së Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten. Por botimi i plotë i kësaj dosje hedh dritë të plotë mbi aktivitetin antikombëtar të Sigurimit të Shtetit.

“Sadik Premtja, siç na thotë autori i këtij libri, ishte  produkt i ëndrrës së vegjëlisë shqiptare për një jetë më të mirë, pa bejlerë e agallarë, por edhe e një populli që lufton për liri e demokraci. Ai ka patur një jetë pritash, pusish e atentatesh të gatuara mafiozisht nga sivëllezërit e tij të idealit”.

Partia Komuniste Shqiptare në emër të fillimit nga e para të historisë, legjitimoi edhe përdorimin e dhunës si mjeti më efikas për të arritur sa më shpejt qëllimin dhe që, në vend sa t’i zgjidhnin problemet së bashku me njerëzit, i përdorën ata thjesht si objekte që duhet t’i nënshtroheshin politikës së partisë.

Historia e diktaturës komuniste në Shqipëri që fillon më 8 nëntor 1941, është dramatikisht e mbushur me gabime e krimet e mëndjeve të sunduara nga ideologjia staliniste, që, duke menduar se historia fillon me ta, nuk kanë lënë krim e dhunë pa bërë ndaj atyre që i pengonin në rrugën e tyre.

Libri që paraqet para lexuesve z. Enver Memishaj ka si synim të hedhë më shumë dritë mbi përndjekjen e dhunshme që iu bë Sadik Premtes, njerit prej kundërshtarëve të Enver Hoxhës, e njësoj si ky gjithë kundërshtarëve të asaj partie terroriste.

Po për çfarë ndiqeshin dhe eliminoheshin edhe anëtarët e Partisë Komuniste? Gogo Nushi, udhëheqësi i lartë i kësaj partie na thotë se: “Për ata që ishin anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose që kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë nga Komiteti Qëndror që këta t’i zhduknim” (Libri “Politikë Antikombëtare e Enver Hoxhës” Plenumi II i KQPKSH,Berat 23 -27 nëntor 1944, Tiranë 1996, f. 86)

Kështu shumë komunistë ndër ta Anastas Lula,   Sadik Premte etj u vunë në grykën e pushkës së shokëve të tyre. Mynyr Xhindin, thotë Hysni Kapua, në plenum in e Beratit, e vramë për hiç gjë!!!

Sadik Premtja u shpëtoi atentateve të shokëve të tij dhe u arratis në Francë, por edhe atje ish shokët e tij do ta ndiqnin këmba këmbës dhe do t’i bënin atentat, por që për fatin e tij të mirë shpëtoi, ashtu si edhe në Shqipëri, dhe vdiq në prill të vitit 1991.

Sadik Premte në radhë të parë ishte një “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha”. (Dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë prof. dr. Sali Berisha nr.1494 datë 22. 5. 1996, që dekoron Sadik Premten “Martir i Demokracisë”.)

Për këtë arsye prof. Sonila Boçi thotë me të drejtë: “Më shumë se një histori personale, studimi i figurës së Sadik Premtes, Anastas Lulës dhe të gjithë anëtarëve të Grupit Komunist të “Të Rinjve”, që u përjashtuan nga radhët e PKSH-së, do të na jepte një përgjigje për një sërë pyetje mbi mënyrën se si u ndërtua kjo parti që në lindjen e saj. Zbatimi i parimit stalinist se partia forcohet duke u spastruar, ishte një nga motot që iu imponua PKSH-së nga të dërguarit jugosllav, Miladin Popoviç

dhe Dushan Mugosha…

Historiografia shqiptare i ka një “borxh” Sadik Premtes, pasi ende nuk i ka kushtuar vëmendjen e

duhur figurës së tij… Ende ka nevojë për vështrim më të thellë në jetën e njeriut që sfidoi për shumë kohë drejtuesit e PKSH/PPSH, në emër të idealizmit dhe një të majte më evropiane”. (Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi, gazeta Tema Tiranë dt. 5.3.2017, f. 5)

Dosja e Sigurimit të Shtetit për Sadik Premten që botohet e në këtë libër është një dokument historik, është pjesë e historisë sonë, për një periudhë të errët historike nën të cilën vuajti populli jonë. Prandaj libri që na paraqet z. Memishaj është një dritare më shumë në drejtim të njohjes së këtij personazhi të historisë sonë. Libra të këtij lloji vijnë si detyrim dhe mision që rezoluta e Këshillit të Europës dhe e Kuvendit të Shqipërisë për “Domozdoshmërinë e dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare, komuniste“, vë përpara intelektualëve, studjuesve dhe

historianëve. 

(Rezolutë nr. 1481, viti 2006 e Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës; “gjykimi moral dhe dënimi i krimeve të kryera, luan një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj”.

Rezolutë, më 30 tetor 2006 Kuvëndit i Republikës së Shqipërisë. “Kuvëndi i Shqipërisë fton akademikët, historianët dhe ekspertët e pa varur, që t’ i intensifikojnë kërkimet e tyre për përcaktimin dhe verifikimin objektiv të historisë së Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste”.)

Është detyrë e shtetit demokratik të botojë libra  të këtij lloji me dokumente historike,por edhe e çdo

studjuesi siç po bën z. Memishaj, nëpërmjet të cilave populli të njohë e të mësojë se sistemi komunist që ngriti Enver Hoxhës ishte diktaturë dhe terror mbi popullin shqiptar.

Dosja e Sigurmit është gjithashtu është libri I njohjes, i njohjes nga të rinjtë, nga ata që vijnë pas nesh, por edhe nga të gjithë shqiptarët që provuan dhe jetuan atë kohë e megjithatë nuk e njihnin si duhet armën më të dashur të partisë së Enver Hoxhës dhe që për popullin ishte arma mizore që ushtroi dhunë dhe terror, pra ky është libri i njohjes të atij sistemi diktatorial.

Kush studjon diktaturën komuniste në Shqipëri duhet të njohë historinë e armës terroriste, mafioze

të emërtuar Sigurimi i Shtetit. Kush do të mësojë se si banda terroriste e Enver Hoxhës ndiqte, persekutonte, censuronte, ndërpriste e kontrollonte korespodencën e mohonte të drejtat elementare njerzore duhet të njihet me dosje të tilla të Sigurimit të Shtetit. Jo vetëm studjuesit dhe historianët, por çdo njeri nuk mund të gjykojë e vlerësojë atë sistem çnjerëzor pa njohur dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Kështu kjo dosje është pjesë e historisë kriminale të Sigurimit të Shtetit dhe na vjen në ndihmë për popullin e veçanërisht për të rinjtë të mësojnë se si ka punuar Sigurimi i Shtetit. Ka ardhur koha që të botohen të gjitha historitë e degëve të Sigurimit të Shtetit për çdo rreth që vetë oficerët e Sigurimit i hartuan ato në vitet ’70, nën siglën “Tepër Sekret”, që gjenden në arkivin e Ministrisë së

Punëve të Brendshme, pasi vetë ata hartuesit e këtyre historikëve konfirmojnë krimet e kryera. Po ashtu duhen botuar dosjet e zbulimit si dhe të kundërzbulimit. Nëpërmjet këtyre botimeve do të kuptohet në thellësi diktatura komuniste, do të kuptohet hipokrizia e regjimit të ngritur në sistem, që ndryshe propagandonte dhe ndryshe vepronte nën rrogos me sistemin policor politik.

Të rinjtë duhet të mësojnë për atë botë absurde që vuajtën shqiptarët. Pra ky libër ofron një dritare të

qartë dhe të dobishme mbi vështirësitë që u detyruan të përballen shqiptarët gjatë sundimit komunist 1944 – 1990. Dosja që përmblidhet në këtë libër do t’u shërbejë edhe studjuesve për të studjuar metodat e punës së Sigurimit, personalitetet, karkteret, botën njerëzore, idetë, bindjet e njeriut që nuk ndryshojnë edhe kur jetojnë në një botë demokratike si Franca, veçanërisht mësojmë mendimet dhe idetë, kontraditat e mendimeve të emigrantëve politik shqiptar.

Kështu Nexhat Peshkëpia një prej udhëheqësve të Ballit Kombëtar e përshkruan gjendjen e popullit

shqiptar në vitet ’53 me këto fjalë: “Populli Shqiptar – tha ai – sot është duke ngordhur për bukë dhe për liri, për hir të një lufte tmerrësisht vëlla-vrasëse të imponuar nga të huajt dhe që populli i ynë nuk ja ka ndjerë aspak nevojën. Pastaj vazhdoi ay çfarë konkuista shoqërore janë bërë në Shqipëri. Sot shteti detyron katundarin të dorëzojë drithin dhe ullirin në depot e shtetit duke e numëruar kokërr për kokërr, dhe kush nuk e dorëzon ndëshkohet me dënimet më të rënda. Populli

s’ka parë kurrë një skllavëri të tillë. Ai don të shpëtojë nga kjo gjendje pa u interesuar as pak se cili mund të jetë çliruesi i tijë”. (Informacion i vitit 1953.)

E kundërta ndodh me Sadik Premtaj. Është interesant se ky njeri vdiq komunist dhe në asnjë rrethanë ai nuk mundi të shifte dhe të kuptonte realitetin si gjatë luftës ashtu edhe pas çlirimit të Shqipërisë. Ai ëndërronte për përmbysjen e regjimit diktatorial në Shqipëri dhe ëndërroi deri në fund të jetës, që në Shqipëri të vendosej përsëri diktatura komunist, por tashmë jo sipas Enver

Hoxhës por sisps Sadik Premtes!!!

Sadiku thotë se unë jam komunist i vërtetë dhe se ata në Shqipëri janë terrorista dhe kanë devijuar

nga komunizmi. Enver Hoxha dhe shokët e tija kanë tradhëtuar komunizmin sepse sipas tij “Demokracia është një kuptim relative. Duhet që klasa punëtore të jetë e lidhur me sindikatat e saja pa asnjë frymë politike, kështu sindikata vetë të interesohet për mbrojtjen e interesave të punëtoris dhe të ketë në dorë grevat dhe luftën sociale, pa nji thump politik, asnjë drejtim partije, kundra kapitalizmit. Kështu ishte përpara luftës në Francë dhe kështu duhet të jetë sot. Titua ka bërë çdo gjë për të themeluar socializmin në Jugosllavi. Ideollogjija e tijë është një socializëm independent dhe jo të jetë i shtypur. Ka liruar shumë të burgosur prej burgu sepse kështu e kishte parashikuar prej kohe, nuk u rrejtë ose u shitë me oksidentin por bani tregëti të lirë dhe do të përmirësoi

gjendjen e popullit”.(Marrë nga raporti i Francës datë 19. 3. 1952)

Kështu pra Sadik Premtja si ideolog mbetet një utopist. Pasi përvoja 100 vjeçare në Rusi dhe afro 50 vjeçare në Eurpoën Lindore tregoi se komuniszmi nuk mund të ekzistotë pa luftën e klasave, pa burgjet politike dhe kampet e internimeve. Po ashtu edhe shpresat e Sadik Premtes për një

lëvizje nga brenda për të përmbysur bandën mafjoze të Enver Hoxhës me anë të Bedri Spahiut, Dali Ndreut, Kristo Themelkos etj ish anëtarë të G.K. “Të Rinjëve”, mbeten utopi pasi diktaturat nuk mund të përmbysen me format që shpresonte Premtja.

Konkluzionet që arrin Sigurimi i Shtetit se “aktiviteti i Sadik Premtes prej agjenti dhe provokatori të ndyrë kryesisht në shërbim të zbulimit jugosllav, atij Sovjetik dhe shërbimeve të tjera. Ka të dhëna nga emigrantët e Lindjes se ai është edhe agjent i shërbimeve të policisë së Atlantikut. Nga detyrat që kryen në këtë kuadër janë pjesëmarrja e tij në grupet trockiste, dhënia e informatave mbi vendin tonë dhe njerëzit që njef dhe puna që bën në radhët e emigracionit reaksionar dhe atij

Kosovar”, në pamjen e parë këto cilësime janë qesharake, por edhe me interes se tregojnë fare qartë nivelin e mjeruar intelektual të oficerëve të Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, me teoritë qesharake të poliagjentëve.

Emigracioni përndjekja, vuajtja e të afërmve në Shqipëri natyrisht që e lodhën Sadik Premten dhe në disa raste është i detyruar të deklarojë se: “Ta kisha ditur, do t’i kisha pranuar të gjitha urdhërat e Partisë dhe sotë me pozitë influente që do të kisha do t’i vleja më shumë gjendjes së sotme dhe kauzës sime. Fatkeqësisht kam qenë i ri dhe më ka munguar eksperienca”.

Socialisti Vasil Gërmenji pasi përshkruan varfërinë dhe terrorin në Shqipëri, thotë qëllimin e jetës së tij: Dhe gjëja më me rëndësi është të evitojmë rikthimin e bejlerëve. (Letër e Vasil Gërmenjit drejtuar S. Premtes e datës 24 janar 1948)

Kundër mendimeve të Sadik Premtes dhe Vasil  Gërmenjit shprehet Ali Toto: “Unë jam besniku privat këtu në Paris i Nuredin Vlorës, i cili më ka thënë që të mos merrem me partitë politike por të kem durim e të pres; vetëm të jem kurdoherë anti komunist dhe t’i luftoj me të gjitha mjetet

e mija të gjithë ata komunista të cilët nën çfarëdo maske që të jenë fshehur, janë agjent të Legatës. Kjo asht detyra ime kombtare”. (Informacion i vitit 1954)

Nga ana tjetër grupi zogist i përbërë nga Nuçi Kota, Isuf Begeja, Sefedin Çollaku përpiqet për bashkimin nëpërmjet komitetit “Lëvizjen Patriotike Shqiptare”, me kryetar Nuçi Kote, por gjen kundërshtar nga gjithë grupet e tjera.

Po ashtu nga kjo dosje mësojmë edhe për jetën dhe vuajtjet e emigrantëve politik shqiptar nëpër botë. Vasil Gërmenji shkruan: Këtu veç punës me kazmë, për të huajt s’ka tjetër.(Letër Vasil Gërmenjit drejtuar S. Premtes e datës 24 janar 1948)

Nga dosja e Sigurimit të Shtetit paraqitur në këtë libër del e qartë se Sadik Premtja po ashtu edhe

emigranët e tjerë politik të njohur dhe që zhvillonin  aktivitet propogandistik kundër regjimit në Shqipëri ndiqeshin në çdo hap që hidhnin nëpër Europë, ose Amerikë.

Të dhënat dhe informacionet Sigurimi i Shtetit i merrte nga bashkëpunëtorët e tij, të rekrutuar dhe të

paguar me paratë e shqiptarëve. Pra ndërsa populli vuante Sigurimi për mbajtjen e pushtetit me dhunë, paguante pa kursim, bile paguante edhe për të vrarë emigrantët shqiptar atje ku i kishte hedhur fati zi, siç përshkruhet në këtë libër atentati dështuar kundër Sadik Premtes.

Libri që ka përgatitur z. Memishaj është me vlerë si dokument historik, por edhe pse për këtë temë e për këto dokumente në të ardhmen do të bjerë interesi e do të shkruhet pak. ose aspak

Vlorë më 15 prill 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Bujar Leskaj, Enver Memishaj, Sadik Premte

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT