*Prof.Asc. Dr. Ardian Greca lartësoi Shqipërinë në shumë auditore të Europës, Azisë dhe Amerikës./
*Përveç doktorimit në Japoni dhe punës kërkimore në Qendrën Shkencore NTTJ, ai ishte anëtar i mbikqyrur i Komitetit të Tezave të Studentëve M.S në Georgia; anëtar i Institutit Amerikan të Aeronautikës dhe Astronautikës, ishte pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare për Sistemet Informative Kompjuterike…/
Ne Foto:Prof.Asc. Dr. Ardian Greca 25 Tetor 1968-3 Prill 2012/
Nga Dalip GRECA/
Prof. Asc. Dr. Ardian Greca, u nda nga jeta në moshën 43 vjeçare në Nju Jork me 3 Prill 2012. Edhe pse mbanim të njëjtin mbiemër, në të gjallë, nuk pata rastin ta njihja. Dhe tek u takova me prindërit e tij të pikëlluar, një ditë marsi 2015 në Vatër, pasi biseduam për orë të tëra, rreth Ardianit, ua shpreha pengun e mostakimit:Sa do të doja ta kisha njohur sa qe gjallë!
Jeta e Ardianit edhe pse tepër e shkurtër, ishte e mbushur me ngjarje, suksese, me dhimbje. Ai përfaqësoi Shqipërinë në shumë auditore të Europës, Azisë dhe Amerikës. Artikujt e tij shkencorë janë publikuar në revista autoritative të shkëncës si në: IEEE, IEICE etj. Përveç doktorimit në Japoni dhe punës kërkimore në Qendrën Shkencore NTTJ, ai ishte anëtar i mbikqyrur i Komitetit të Tezave të Studentëve M.S në Georgia; anëtar i Institutit Amerikan të Aeronautikës dhe Astronautikës, ishte pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare për Sistemet Informative Kompjuterike,ndërkohë që në Universitetin e Georgias, Ardiani futi programe e koncepte të reja; si pjesë e departamentit të Shkencave kompjuterike që më 2001, ai dha një kontribut të veçantë,si Asitent Profesor në Yamacrau, ku ishte përgjegjës për edukimin në shkencat kompjuterike.
Biseda me prindërit dhe xhaxhanë rreth Ardianit, nuk ishte e lehtë.Emocionet gjatë rrëfimit, krijonin ngërçin e shpërthimeve të dhimbjes dhe mallit.Veçanërisht nëna Liliana, e kishte më të vështirë të tregonte; lotët e tradhëtonin, por edhe babain e Ardianit, Ndriçimin, e mbërthenin emocione të forta. Xhaxhai, dr. Sefedini, mbahej. Gjithësesi e bëmë një pakt,- ta prezantonim Profesor Ardianin tek lexuesit e Diellit, përmes bisedës, dokumenteve që ata kishin sjellë me vete. Ata rrëfejnë radhazi, herë-herë ndërpresin njëri-tjetrin.Vendin e dhimbjes e zë krenaria për një talent të shkencës. Biseda kapërcen oqeanin, shkon në Elbasan, atje ku i lind Ardiani me 25 tetor 1968. Nëna, mësuese Liliana, tregon hapat e parë të formimit, shkollimin, që nisi në shtatorin e vitit 1974 në Shkollën “Dr. Xhaferr Kongoli” të qytetit të Elbasanit. Duke pasur edhe prindërit mësues ai qe një nga nxënësit më të mirë, por veçanërisht shkëlqente në matematikë. Me rritjen e moshës rriteshin dhe interesat e Ardianit; i pëlqenin librat, muzika(ushtronte instrumentin e violinës),i pëlqenin udhëtimet, pushimet në plazhe gjatë verës. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë. Në Universitet studimet i kreu në fakultetin e inxhinierisë, dega elektrike & elektronikë. E rrëmbeu elektronika dhe harrohej në labirintet e saj. Ishte student i shkëlqyer. Ëndërronte, por jeta nuk ta shtron rrugën si në ëndrra. Kur përfundoi studimet në vitin 1991, Shqipëria ishte në shpërthim. Ai kishte nevojë të punonte. Po ku? I ofruan vendin e elektriçistit në Teatrin Kombëtar.Sa larg ëndrrës për elektronikë.Po pa punë s’rrihej, pranoi. Nga studimet nuk hoqi dorë. Pas ca kohësh sistemohet në drejtorinë e doganave. Dha kontribut të rëndësishëm në kompjuterizmin e sistemit. Spikati talenti i tij në elektronikë dhe rezultatet që pat aty solli kërkesa nga Institucionet e Ministritë. Ardiani ishte bërë si doktori i kompjuterave.Kudo, ku kishte defekte, kërkohej ndihma e tij.Për Ardianin nisën edhe kërkesat nga kompani europiane.Kërkesa e parë erdhi nga IMB. Austriakët kishin një përfaqësi në Tiranë dhe e kërkuan aty. Nga ana e tij, Departamenti i Elektronikës në Universitetin e Tiranës e ftoi si pedagog, ku dha mësim si i jashtëm. Tash ishte më shumë i vlerësuar dhe ndjente kënaqësinë e punës së vet, por ëndrra nuk mbaronte këtu. Synim ishin studimet pasuniversitare, kryrja e doktoraturës në ndonjë nga vendet perëndimore. Puna në universitet, dogana, dikasteret, ia shtuan kontaktet. Hyri në lidhje me Universitete të njohura në Gjermani, Francë, Angli, SHBA, Itali. Pranime erdhën nga Franca, Anglia si dhe shumë universitete në SHBA, por kushti financiar ishte i papërballushëm. Një shpresë plot dritë dukej përgjigja që i pat ardhë nga Universiteti i Darmstatit në Gjermani, i cili duke parë CV e tij, e ftonte që të paraqitej në Ambasdën Gjermane dhe të merrte vizën. Por s’ishte e thënë; edhe pse Ardiani njihte disa gjuhë të huaja, përfshi anglishten, i doli pengesë Gjermanishtja.Atasheu kulturor i ambasadës e refuzoi për mosnjohje të gjuhës.
Një trainim në SHBA, edhe pse i shkurtër, i hapi një dritare të re Ardianit, ashtu siç i hapi një dritare plot shpresa, edhe një shërbim kualifikues në Japoni.Në Japoni la përshtypje të shkëlqyera.Njohuritë e tij, njohja e shumë programeve, që sapo ishin hedhë në treg, prakticiteti, informacioni, ishin të mjafta për t’u admiruar nga Japonezët.Duke parë cilësitë e Ardianit, Japonezët i ofruan mundësinë e aplikimit për të thelluar njohuritë përmes një burse. Ia treguan praktikën që duhej të ndiqte për ta fituar të drejtën e doktoraturës.Një vit pas aplikimit, kur i kishte humbur shpresat, i vjen përgjigja”PO”. Përgjigja arriti në nëntor 1995, ai duhej të nisej më 26 Janar 1996. Shteti Japonez i akordonte bursë të plotë. Madje edhe biletën e udhëtimit e kishte të rezervuar. Një ditë të ftohtë me borë udhëtoi me autobus nga Tirana në Sofje për t’u pajisur me vizë në ambasadën Japoneze. Procedura në ambasadën Japoneze kaloi pa problem. I gëzuar u kthye në Tiranë dhe nisi përgatitjet. Me 26 Janar 1996 udhëtoi në linjën Tiranë-Munih- Tokio. Vendqëndrimi i tij ishte në Jamagata,Yonezawa. Ky është qyteti ku u shpalos talenti i shkencëtarit të ri Ardian Greca. Doktoraturën ai e mbrojti në Universitetin Yamagata. Teza e doktoraturës ishte:” Algoritmet vetshërues dhe akordimi i kapaciteteve rezervë për ATM mbijetuse dhe rrjete me kanale optike.”Doktoraturën e udhëhiqte profesor Tano. Marrdhëniet që në fillim ishin të ngrohta. Profesori përveç laboratorit, ku i dha hapësirë shkencëtarit nga Shqipëria, e afroi atë edhe në mjedisin familjar. E konsideroi si djalin e tij. Ia pëlqeu sjelljen, karakterin, mbi të gjitha ia vlerësoi aftësitë profesionale dhe shpirtin kërkues të shkencëtarit. Në laborator Ardiani punonte me orë të zgjatura.Ishte shumë i dhënë pas kërkimeve shkencore. Profesor Tano ishte i kënaqur me studentin e tij,me mënyrën se si i shtronte tezat shkencore, habitej me këmbënguljen dhe i thoshte :Ardian, ke për t’u ngjitur lart. Ti je i veçantë nga të gjithë studentët e tjerë që kam udhëhequr. Profesori shprehte siguri që doktorimi i studentit të tij do të vlerësohej “Shkëlqyshëm”. Mirëpo në kulmin e studimit, profesor Tano ndërroi jetë. Kjo qe një goditje e rëndë për Ardianin.E qau me lotët e shpirtit profesorin.Pas vdekjes të udhëheqësit të vet kaloi çaste të vështira. Kishte kaluar një vit e gjysëm studime në udhëheqjen shkencore të profesorit Tano. Rektorati i Universitetit e vonoi caktimin e një udhëheqësi të ri të studimeve. Ardiani u trondit nën dilemën e ikjes kot të një viti e gjysëm.Kaloi një perudhë të vështirë stresi. Kishte zëra në universitet që përshpërisnin se nuk kishte një të dytë si profesori që ndërroi jetë. Por sërish fati i buzqeshi, profesor Kioshi Nakagawa, një personalitet i njohur në fushën e fibrave optike, pasi kishte parë vlerësimet e profesor Tano, që tregonin se me Ardianin kishin një rast të rrallë në fushën e elektronikës, një shkencëtar i së ardhmes, pranoi ta udhëhiqte. Ashtu si parardhësi i tij, edhe Nakagawa,i afroi bashkëpunim të ngushtë në laborator, por edhe miqësi familjare. Madje edhe kur prindërit e Ardianit shkuan për vizitë, në shtator 2000 profesori i ftoi në shtëpinë e tij. Ardiani i kishte bërë për vete japonezët. Profesori Kenixhi Kato dhe bashkëshortja e tij Joko i mbajtën dy ditë në shtëpinë e tyre prindërit e Ardianit dhe më pas i mundësuan të viztonin qendra turistike, shkolla, ujra termale, muze etj.
Autoriteti shkencor i Ardianit sa vinte e rritej. Atë filluan ta ftonin në simpoziume e katedra që të shpaloste arritjet shkencore.Ftesa e parë i erdhi nga Austria. Tërhoqi vëmendjen e rretheve akademike të fushës me studimin e tij. Në korrik 2000 ai u ftua në konferencën ndërkombëtare të Frankfurtit, ku paraqiti punimin e tij shkencor, që u vlerësua nga autoritetet ndërkombëtare. Në udhëtimin e tij shoqërohej nga Keixh, që ndihej krenar me Ardianin. Pas konferencës, profesori japonez dhe bashkshortja u ftuan në Shqipëri. Familja e Ardianit i priti ngrohtësisht dhe u ofroi mundësi që të vizitonin bukuritë shqiptare, muzetë, si ai i Skënderbeut në Krujë, bënë vizita në qytetin piktoresk të Pogradecit, në Korçë, të gjitha këto u lanë mbresa të jashtzakonshme japonezëve. Ishte forcuar miqësia mes Ardianit e familjes së tij dhe familjes së profesorit. Kur u kthyen në Japoni, Ardiani konsiderohej pjesë e familjes dhe nuk kishte ngjarje familjare apo festa të qytetit, ku të mos ishte bashkë me ta edhe Ardiani.
Studimet e Ardianit po arrinin kulmin. Profesori Nakagawa ishte i kënaqur me arritjet e shkencëtarit të ri dhe po thurte plane për të ardhmen e tij në Japoni. Doktoratura kishte përfunduar me sukses. Doktori i Shkencave u vlerësua shkëlqyshëm. Tash dyert e shkencës ishin hapur. NTTJ, një ndër institucionet prestigjioze në botë, e punësoi Ardianin. Ky ishte një tjetër shans i shkëlqyer. Stafi shkencor i NTTJ, e priti me ngrohtësi. U caktua që të punonte me grupin studimor të telekomunikimit. Ardiani ishte jo vetëm një studiues që premtonte, por ftohej në konferenca e simpoziume ndërkombëtare. Vlerësimet në këtë qendër shkencore nuk munguan. Ata e inkurajonin dhe e vlerësuan kur prezantoi në konferencën ndërkombëtare të Nagojës, qytet në Jug të Japonisë, punimin e tij të ri shkencor. Drejtori e thirri në zyrë pas konferencës dhe e përgëzoi për suksesin që kishte arritë, dhe i parashtroi të ardhme të shkëlqyer në këtë qendër. Mirëpo, pas një viti pune në NTTJ, drejtusit dhe grupi i studiusve u habitën kur mësuan se shkencëtari shqiptar kishte kërkuar që të largohej nga institucioni për arsye familjare. Pjesa më e madhe e këshillonin që të mos e ndërmerrte këtë hap pasi e ardhmja e tij ishte aty. Vetë drejtori i qendrës e thirri në zyrë dhe i tha të mos merrte veprime të nxituara.Ai i kishte garantuar pajisjen me pasaportë japoneze, si një shkencëtar me të dhëna të shkelqyera. Shko e mendohu dhe një herë, i tha ai. Po Ardiani nuk e mori këtë veprim pa u menduar. Drejtori e thirri sërish, kur e pa se Ardiani nuk kishte ndryshu mendim, i tha:” E pranoj kërkesën tuaj, edhe pse nuk jam i një mendje me ju. Je i vetmi shqiptar që ke punuar në qendrën tonë. Nuk besoj se do të kemi një të dytë, si ju. Ju falenderoj. Natyrisht, ç’keni arritur këtu, do ta harroni, nuk do ta dergoni në vend tjetër. Përbën sekret.” Ardiani e miratoi dhe firmosi.
Në mars 2001 ai u largua nga Japonia drejt SHBA-së. Zbriti në aeroportin e Nju Jorkut. Ishte bashkë me motrën, Matildën. Ajo ishte arsyeja që ai la Japoninë për Amerikën. Filloi intervistat. Fillimisht u intervistua nga kompania japoneze”Mitsubishi”, më pas i erdhi një ftesë nga NAVY, një tjetër ftesë erdhi nga Georgia Southern University. Intervistuesit në këtë universitet, duke parë CV e tij,gradën shkencore, përvojë në qendrën kërkimore shkencore në Japoni, e vlerësuan si një rast të rënë nga qielli dhe e pranuan menjëherë. I ofruan programin e kërkimeve shkencore. Puna si profesor në Universitet e rrëmbeu. Përvoja që sillte nga Japonia i jepte siguri. Pati dhe momente përplasje me kolegët. Kështu psh është shkruar për një debat me paraardhësin e lëndës Prof. Dr. Zheng. Debati i diktuar nga reagimi i studentëve, që kishin konstatuar koncepte të reja, arritje të fundit të elektronikës tek Profesori Ardian Greca, kërkuan një debat akademik mes tyre. Ardiani nuk iu shmang dhe me fakte tregoi se koncepteve që kishte përcjellë prof. Zheng, u kishte kaluar koha. Dhe solli referencat më të fundit që ishin publikuar në konferencat ndërkombëtare, ku ai vetë kishte qenë lektor. Profesori e përgëzoi për bagazhin shkencor që manifestonte Ardiani. Ky ballafaqim ia rriti kreditet. Shumë nga profesorët e tjerë kërkuan bashkëpunim për studimet e tyre. Nga ana e tij Ardiani nuk i ndërpreu studimet dhe kërkimet shkencore. Ai referoi artikuj shkencor në Conecticut, New York, Colorado, Las Vegas, Orlando, Hawai, Toronto, Alaska etj. Në tërësi, sipas statistikave të botuara Ardiani, promovoi nëpër konferenca shkencore dhe botoi nëpër revista të njohura të shkencës 48 artikuj shkencorë. Rektorati i Universitetit e vlerësonte shkencëtarin e ri. Por një ditë, ëndrra u thye. Ardiani mësoi se brenda trupit të tij, flinte e keqja, kanceri. Nuk u dorëzua, por luftoi për ta fituar betejën. Nuk hoqi dorë as nga projektet shkencore. Madje as nga studentët e tij nuk u nda, i kryqëzuar në karrocë, shkonte t’i ndihmonte. Kishte në projekt të botonte dhe një libër me kërkimet e veta shkencore, por koha nuk qe e mjaftë. Betejën përfundimtare nuk mundi ta fitojë. Me 3 prill 2012 zemra e lodhur nga dyluftimi, shkoi të pushojë. Ardiani shkoi të flejë përgjithmonë.
…I shoh bashkëbiseduesit e mi tek nuk kanë të ndalur së rrefyeri mirësitë e Ardianit. Me vete kanë edhe një libër me 222 faqe, që i kushtohet Ardianit. Në faqet e tij ka shumë vajë e lot, ka dhe kujtime malli. E kanë qarë të gjithë me poezi shpirti. Këto ditë që publikohet ky shkrim, i ati i Ardianit, Ndriçimi, është në Tiranë për t’iu gëzuar një libri të ri me rastin e 3 vjetorit të ndarjes nga jeta e të birit!
….Ja kështu, 3 vjet të shkuara, me 3 prill 2012, një shkencëtar i ri u nda nga jeta në kulmin e kërkimeve shkencore, në mesin e jetës plot ëndrra. Fati, sa të pafuqishëm përball tij ?!
Ngushellimet e mia ma te hella per familjen e te ndjerit Dr.Ardian Greca, nji figure e cmueshme me nji te ardhme te shkelqyeshme, dhe me jete te shkurte, fatkeqsisht.
Zoti i dhashte paqen e perjeteshme!
E kujtoj me respekt figuren e tij shokun tim te feminise .i paharuar qofte kujtimi dhe vepra e tij.Zoti e ndihmofte ne jeten e perjetshme