PRISHTINË, 11 Gusht 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik lidhur me pretendimet e prezantuara nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), përmes një hulumtimi të opinionit publik në lidhje me besueshmërinë ndaj institucioneve në çështjet e sigurisë.
Qeveria e Kosovës sqaron opinionin publik se të gjitha dikasteret relevante të Qeverisë së Kosovës, dhe bartësit e tyre, janë të angazhuara plotësisht në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në territorin e Kosovës.
Udhëheqësit më të lartë të Qeverisë së Kosovës janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e thirrura për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë, për të bashkërenditur veprimet me qëllim të garantimit të sigurisë në vend.
Qeveria e Kosovës po ashtu ka bashkëpunim dhe koordinim të afërt me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë për të luftuar çdo formë të mundshme të cenimit të rendit dhe të sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.
Në këtë kontekst, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar maksimalisht, duke qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta të botës demokratike, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e të gjitha formave të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Andaj, përtej perceptimeve të plasuara nga anketat apo format e tjera të hulumtimeve të pjesshme, Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Kosovës se institucionet e shtetit janë në nivel të detyrës së tyre për ruajtjen e plotë të rendit dhe të sigurisë në vend./b.j/