Nga Gaspër Marku/- Mëngjesin e së dielës së 27 dhjetorit, vetëm pak ditë nga festa e ndërrimit të viteve kur të gjithë po përgatiten të festojnë ardhjen e Vitit të Ri 2016, shkodranët marrin një lajm aspak të mirë, ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Bik Ndoja.
Në një moshë të thyer 90-vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë që e mundonte gjatë periudhës së fundit, shkodranët kanë humbur bashkëqytetarin e tyre, këngëtarin e madh popullor, mjeshtrin e famshëm të jareve shkodrane që askush nuk i interpretonte më mirë se ai.
Një humbje tepër e madhe, jo vetëm për familjen e njohur dhe plot traditë të këngës popullore Gjergji-Ndoja, por për tërë komunitetin shkodran e më gjerë, së cilës i përkiste Bik Ndoja. Këngët dhe magjia e interpretimit të mjeshtrit Bik Ndoja kanë qenë përherë pjesë e gëzimeve të familjeve shkodrane, ku përpos përformancës së përcjellë në skenën e teatrit “Migjeni”, ai gjente kohë t’ia plotësonte dëshirën bashkëqytetarëve të tij për të marrë pjesë në dasmat dhe ahengjet tradicionale, që Shkodra përherë i ka pasur të vetat.
Nga e majta në të djathtë Bik Ndoja Mark Kaftalli Muhamet Grimci Abdullah Salabegu Lah MemaTrupi i tij i pajetë do të përcillet mesditen e së hënës për në banesën e fundit në varrezat e Rrmajve të qytetit të Shkodrës, por më parë drejtoria e teatrit “Migjeni” dhe bashkia e Shkodrës kanë organizuar homazhe në hollin e teatrit ku ai këndoi për shumë e shumë vite nga ora 11.00 deri në 13.00 të së hënës.
Largohet fizikisht kështu një nga perlat e muzikës popullore shkodrane, por emri i tij dhe sidomos këngët e tij do të vijojnë të jetojnë gjatë brez pas brezi në qytetin e tij të lindjes por edhe më gjerë, ku ai këndoi për shumë e shumë vite, sidomos në Kosovë, të cilën ai e kishte aq përzemër dhe që realisht kosovarët e donin jashtë mase.
I lindur dhe rritur në një nga rrugicat karakteristike të Rusit të Vogël në një familje shkodrane me tradita muzikore dhe shumë artdashëse si ajo Gjergji, nga gjiri i të cilës kanë dalë breza të tërë artistësh, Biku që në fëmijëri dhe deri sa mbylli sytë përgjithmonë ka spikatur për talentin e këngëve të interpretuara prej tij.
Bik Ndoja-bashkeshortja NetaPor, përveç kësaj, ai ka qenë edhe një rrobaqepës i talentuar, profesion që në rini iu desh ta ushtronte për t’i ardhur në ndihmë familjes, ndërkohë që për vite të tëra ka qenë ndër shtyllat kryesore të ansamblit të teatrit “Migjeni”, Radio Shkodrës dhe Radio Televizionit Shqiptar.
Orkestra e tyre e famshme me drejtues fizarmonicistin Karlo Radoja, ku përveç Bik Ndojës këndonin me po aq zell, pasion e mjeshtri edhe orkestrantët Mark Kaftalli, Muhamet Grimci, Abdullah Salabegu e Lah Mema ka qenë për vite e vite me radhë ndër më të dashurat dhe të preferuarat e shkodranëve.
Ndërkohë, po aq të veçanta kanë qenë koncertet që Bik Ndoja përcillte në publik me kolegët e tij të nderuar Shyqyri Alushi, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi etj, duke marrë duartrokitje të pafund nga spektatorët për atë interpretim brilant të këngës popullore shkodrane, serenatave dhe ahengut tipik shkodran; “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat i vogël je”, “Kënga e Ded Gjo’Lulit, “S’ma din hallin qi kam”, “Jare te due”, etj. Për karrierën e tij të pasur artistike Bik Ndoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”, titullin “Krenaria e qytetit” akorduar nga Bashkia e Shkodrës, “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, akorduar nga Qendra Kombëtare e veprimtarive folklorike, etj.
Ndarja nga jeta paraditen e së dielës e mjeshtrit të madh të këngës popullore shkodrane ka tërhequr jo pak vëmendjen e opinionit publik në Shkodër dhe më gjerë, deri edhe përtej kufijve të Shqipërisë, të cilët menjëherë nuk kanë nguruar të përcjellin ngushëllimet e tyre për humbjen e kësaj figure të rëndësishme të artit shqiptar.
Një nga ato është edhe ajo e kolegut tonë Ramadan Bigza, ish-gazetarit të Radio Shkodrës që për fatin e tij të mirë gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka pasur rastin ta ketë të ftuar sa e sa herë në studion e Radio Shkodrës shumë e shumë vite më parë.
Nga Athina e Greqisë ku ai jeton prej më shumë se 20 vitesh, Bigza shkruan: “Lamtumirë Bik Ndoja, lamtumirë “Mjeshtër i Madh”- E kam me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, i cili që nga viti 2011 ka në sirtaret e tij të gjithë dokumentacionin për ta bërë “Mjeshtër të Madh”, këngëtarin e njohur popullor Bik Ndoja. Por jeta e mjeshtrit të këngës shkodrane nuk e ka pritur Presidentin deri në pafundësi. Ai është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare. Shkodra në këtë ditë të diel duket edhe me vogël, nuk e ka atë entuziamin e saj karakteristik. Edhe pse me një kohë plot diell, qielli duket se është vranësuar. Në oborrin e saj nuk do të këndojë më bylbyli Bik Ndoja. Eshtë një humbje e madhe për popullin dhe kulturën e tij. E megjithatë, ky Mjeshtër i Madh ende nuk është pagëzuar si i tillë nga shteti i tij. Por Bik Ndoja me zërin e tij brilant është bërë për popullin mjeshtër e kaluar mjeshtrit. Sot ai u largua fizikisht, por shpirtërisht ai ka për të mbetur përjetësisht në mendjet dhe zemrat e çdo qytetari shkodran. Lamtumirë Bik Ndoja. Lamtumirë “Mjeshtër i Madh”!.
Emocionuese janë edhe komentet e dy këngëtarëve të njohur shkodranë, Bashkim Alibali dhe Frederik Ndoci, të cilët kanë mësuar shumë në bashkëpunimin që kanë pasur në skenë dhe jashtë saj nga mjeshtria e të madhit Bik Ndoja. “Me hidhërim të thellë mora vesh ndarjen nga jeta e të pazëvendësueshmit, e yllit të jares shkodrane, e njeriut gjithmonë të qeshur, i pa kursyer në ndihmën për këngëtarët, njeriut me shpirt të madh, i atij që na dha thesar, por vete kishte një jetë modeste. Tashti që nuk asht ma, do të kujtohen pushtetarët. Kam respektin ma të madh dhe i detyrohem për ndihmën që më ka dhanë. Ngushëlloj familjen për këtë humbje të madhe dhe shpirti i pushoftë në paqe, siç ishte edhe vetë shumë paqësor”, shkruan këngëtari i njohur shkodran Bashkim Alibali.
Ndërsa, një tjetër këngëtar po aq i njohur shkodran, Frederik Ndoci në mesazhin ngushëllues shkruan: “Lamtumirë Artisti ma i madh i jares shkodrane. BIK NDOJA…Shkodra, Gjakova, Ulqini, Struga, ndoshta edhe shumë shqiptarë përloten.. Sa kryeministra kaloi ky kollos, e sa pak u vlerësu? Nuk e di sot a do të pikëllohen ish qeveritarët që nuk patën mundësi për një titull -“Mjeshtër i Madh”, që nuk e la kush pa e blerë atë titull, por që varfëria e këtij kollosi nuk pat atë mundësi ta blinte. Nesër do të jetë shumë hipokrizi për ndonjë qeveritar që do të marrë pjesë në lamtumirën e fundit… Bik Ndoja, me shuarjen tande do shuhet edhe një gamë dhe vlerë e madhe e artit shqiptar, jarja të cilën askush si ti nuk e lëvroi për më se 70 vite. Mi fal lotët që s’po më pushojnë o kollos”./m.m/