
Prof.Asoc.Dr.Pashk Lekaj,“Mësues i Merituar”,
ish maturant i parë e drejtues arsimi në rreth
Vladimit Kola, drejtori shkollës mesme Pukë
Gjimnazi i Pukës në 60 vjetorin e Tij, fidanishtja e parë e përgatitjes së specialistëve dhe drejtuesve të ardhshëm brenda e jashtë rrethit.
Arsimi para çlirimit në Pukë
Rrethi i Pukës ndodhet në qendër të veriut të Shqipërisë i rrethuar në tre anët nga lumi Drin, me qendër administrative qytetin e vogël me të njëjtin emër. Puka është 850 m mbi nivelin e detit i rrethuar me pyje pishash. Rreth tij janë lagjet Zezaj, Kukaj dhe një fshat i vogël, Lajthizë.
Para çlirimit të vendit ka qenë nënprefekturë e Shkodrës. Në këtë periudhë, pothuajse e gjithë popullsia e kësaj zone ishte analfabete. Vetëm priftërinjët ishin të arsimuar mirë në Itali, apo Austri dhe disa hoxhallarë që zhvillonin mësim shqip, fshehurazi në kisha e xhami. Ngjarje e veçantë për Pukën ishte hapja e shkollës shqipe në Iballe në vitin 1903, me mësues Kolë Zezaj, e para në zonën e veriut, me inisiativën e patriotëve vendas, Frrok Pemati, Kol Nik Alia, Palush Pjetra. Kjo inisjativë u mbështet nga vëllëzerit Ndre e Lazër Mjeda me origjinë nga kjo zonë si dhe Konsullatës Austrohungareze në Shkodër. Ajo u mbyll pas tre vitesh sepse u dogj nga qarqe reaksionare, për t’u rihap më vonë.
Në një dokument tȅ vitit 1916, thuhet: ”Në Pukȅ s’gjindet asnjȅ njeri qȅ me kenȅ i zoti me u pȅrdorȅ si mȅsues, pȅrpos njiktyne: -Dom Gaspȅr Thaçi (prifti i Qelzȅs), Dom Nikollȅ Deda (prifti i Komanit), Dom Mathedius Mikaish (prifti i Iballȅs)…”.
Me hapjen e Normales sȅ Elbasanit, nga Puka u dȅrguan në njȅ kurs tre mujor pesȅ vetȅ, në vitin 1917, pȅr t‘u pȅrgaditur si mȅsues. Kjo krijoi mundësinë për hapjen e shkollave shqipe nȅ vitin 1918, në Pukȅ, Qȅrret, Iballȅ e Kulumri.
Nga të dhënat e statistikave dërguar Ministrisë sȅ Arsimit nga Puka, rezulton se nȅ vitin 1922 ishte me 338 frymȅ, kishte 41 nxȅnȅs.
Ngjarje e shënuar ishte ardhja e Migjenit, nȅ Pukȅ me 1936, si mësues e kryemësus për nënprefekturën. Ai jo vetëm shtoi numrin e nxënësve, por u kujdes për tërheqjen edhe të vajzave në shkollë, bile ndonjë nga një zonë e largët.
Në vitin 1937 si rezultat i punȅs së Migjenit, pȅr herȅ tȅ parȅ nȅ shkollȅn e Pukës dalin 10 nxȅnȅs qȅ kryen arsimin e plotȅ fillor me 5 klasȅ, kurse nȅ tȅ gjitha shkollat e tjera tȅ rrethit nxȅnȅsit merrnin vetȅm deri nȅ 3 klasȅ. Nȅ vitet 1939-1944, megjithȅse me ndȅrprerje, mȅsimet vazhduan nȅ shkollë.
Hapja e gjimnazit në Pukë ngjarja më e rëndësishme për zhvillimin e arsimit në rreth, vatër e përgatitjes të specialistëve të ardhshëm
Në ndarjen administrative, mbas çlirimit, Puka ishte një ndër 26 rrethet e vendit, e kategorisë së tretë, ku përfshiheshin rrethet e vogla. Në vitin 1949 rrethit iu shtua zona e Gjegjanit, që u shkëput nga rrethi i Mirditës. Tashmë rrethi kishte, si ndarje administrative katër lokalitete: Pukë, Fushë Arrëz, Iballe dhe Gjegjan. Më vonë fshati i Komanit i kaloi Shkodrës, ndërsa fshatrat: Srriqja, Mollë Kuqe dhe Arat e Mira, nga Kukësi i kaluan në vartësi Pukës.
Në vitin 1991 Puka kishte një sipërfaqe 1034 m2, dy qytete (Pukë, Fushë Arrëz), me një popullsi 50286, nga të cilët në qytete 6077, ose 12%, me 20 fshatra të bashkuar e 74 fshatra të veçantë. Rrethi i Pukës ishte kudo i banuar, por kishte terrenin më të thyer malor, me rreshje të shumta, temperatura të ulta, ku mungonte infrastruktura rrugore dhe mungesa të kushteve të banimit e ushqimit, sidomos mbas tufëzimit, në vitet 1980.
Mbas çlirimit u tregua një kujdes i veçantë për zhvillimin e arsimit, që mori një masivizim në të gjitha zonat, krahas politizimit të tij. Nȅ vitin 1945 nȅ Pukȅ,funksiononin 16 shkolla fillore. Në qytetin e Pukës kishte 104 nxënës, që frekuentonin 92 prej tyre dhe jepnin mësim 3 mësues. Në vitin 1949 në Pukë (që përfshinte dhe Lajthizën) kishte 155 nxënës, në pesë klasa me 4 mësues.
Nȅ vitin 1949 u hap shkolla e parȅ 7-vjeçare nȅ qytetin e Pukȅs, që shȅnon njȅ ngjarje tȅ rȅndȅsishme për zhvillimin e arsimit.
Vazhdimi i shkollave të mesme, me një numër të pakët nxënësish, bëhej jashtë rrethit, kryesisht në Shkodër, në pedagogjike dhe pyjore, në Peshkopi për agronomi, në Lezhë për ekonomi, në Tiranë për gjuhë të huaja, nga të cilët në raste të rralla, vazhdonin shkollat e larta, në Shkodër e Tiranë.
Puka, duke qenë një qytet me popullsi të vogël, kishte pak nxënës në 7-vjeçare. Për t’i paraprirë hapjes së shkollës së mesme me një numër më të madh nxënësish, si dhe në veçanti për të tërhequr nxënës nga gjithë fshatrat, që nuk kishin shkolla 7-vjeçare, u hap konvikti i parë në rreth, me 1 mars 1960.
Mbas një punë bindëse nga mësuesit me prindërit e nxënësve të klasave të katërta, me rezultate më të larta, në fshtra, erdhën në konvikt 40 nxënës, për të filluar klasën e pestë në qytet, prej të cilëve 10 ishin femra. Në moshën 12 vjeçare, këta nxënës, me një valixhe druri në dorë, duke bërë disa orë në këmbë, nga disa fshatra të rrethit (atëhere nuk kishtë rrugë makine zona e Gjegjanit, Fierzës, fshatrat e zonës Iballe) erdhën në qytetin e Pukës për të filluar klasën e pestë. Ndërtesa e banimit të konviktorve ishte një barakë me dërrasa, ku është posta sot. Konviktorëve u dhanë veshje uniformë (kostum, pallto, këpucë), që në fillim thanë se do ishin falas, por në fund të vitit shkollor u morën lekët prindërve për to.
U krijuan kështu në qytetin e Pukës, dy klasa të pesta. Mësimi zhvillohej, ku është sot muzeu “Migjeni”. Në gjithë shkollat e rrethit mësimi fillonte me 1 mars, bënin pushimet e verës dhe vazhdonte deri me 30 nëntor (quheshin shkolla verore ishin në disa rrethe malore të Shqipërisë).
Shkolla e mesme e përgjithshme (gjimnazi) në qytetin e Pukës u hap për herë të parë në vitin 1963 e para në rreth dhe e fundit nga të 26 rrethet që kishte Shqipëria.
Fillimisht, gjimnazi u hap në ambjentet e shkollës 7-vjeçare “Migjeni” (sot 9-vjeçare) deri në vitin 1979, kur përfundoi ndërtesa aktuale. Në këtë vit, institucioni u emërtua “35 Vjetori i Çlirimit“, në nderim të përvjetorit të çlirimit të vendit. Këtë emër kjo shkollë e ka mbajtur deri në vitin 2004. Me vendim të Këshillit të Bashkisë Pukë, në vitin 2004, mori emrin, shkolla e mesme “Sabah Sinani” për nder të ish maturantit të parët, mësuesit dhe drejtuesit të talentuar, Sabah Sinani, i cili u nda nga jeta aksidentalisht në vitin 1994.
Në vitin e parë u regjistruan 36 nxënës, me 5 femra, prej të cilëve 25 ishin me bursë të plotë.
Gjimnazi ishte i bashkuar me 7-vjeçaren, me të njëjtin drejtues. Mësimi filloi në godinën, ku sot është shkolla 9-vjeçare, që u ndërtua atë vit e re, në të cilën herë pas here kontribonim edhe ne me punë vullnetare.
Gjithashtu u ndërtua dhe konvikti i ri, një godinë e bukur, ngjitur me bashkinë, e cila në fund të viteve 90 u prish duke u ndërtuar një godinë e re, afër shkollës 8-vjeçare, ku është sot.
Mësuesit ishin nga Shkodra, me Institut 2-vjeçar, nga të cilët vetëm dy pukjanë, Ndue Pjetri (fiskuturë) e Xhemal Meçi “Mjeshtër i Madh” (letërsi). Në vitin e tretë të shkollës së mesme, për herë të parë, erdhën mësues që kishin mbaruar Universitetin e Tiranës, Zyhdi Heqimi për matematikë, Adnan Beli për fizikë, Fatmir Kazazi për bio-kimi, Paulin Shtjefni për letërsi, që jo vetëm e zhvillonin mësimin me nivel e cilësi, por dhe kishin kërkesa shumë të larta në vlerësimin me notë të nxënësve.
Përgatija e maturantëve para vitit 1991, ishte baza kryesore për të vazhduar arsimin e lartë, për përgatitjen e specialistëve me nivel shkencor e profesional, në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomiko-shoqëror, për të shërbyer në rrethin e Pukës. Gjithashtu, edhe ata që nuk vazhdonin e arsimin e lartë, shkonin në kurse një e dy vjeçare duke u përgatitur si teknikë në profesione të ndryshme, aq të nevojshme për rrethin. Deri në vitin 1991, Partia e Punës, nuk lejonte largimin e popullsisë nga fshati, bile edhe në qytetin e Pukës, ishte shumë e vështirë të merrje pasaportizimin. Mundësi largimi nga rrethi, kishin vetëm ata që mbaronin shkollat për oficer.
Në nëntor të vitin 1966 mbaruan maturën, për herë të parë në rreth, 21 nxënës nga të cilët tri vajza. Gjatë vazhdimit të shkollës së mesme pati largime. Disa nxënës, për arsye ekonomike u detyruan të fillonin punë në ndihmë të familjes, apo vazhduan ndonjë shkollë profesionale jashtë rrethit, krahas atyre që largoheshin familjarisht. Matura e parë ka qenë me rezultatet më të lartë në mësime, ndër të gjitha maturat, si në arsimin e mesëm, ashtu edhe në arsimin e lartë, nga të 16 që e mbaruan atë. Nota mesatare e maturantëve ishte mbi 8, nga të cilët 5 nxënës merrnin 10 në matematikë. Ky rezultat doli edhe nga kontrolli i Minstrisë së Arsimit e Kulturës, i cili u përserit dy here. Kjo maturë u vlerësua si ndër më të mirat në Shqipëri.
Shkollat e larta fillonin mësimet me një shtator. Matura e parë mbaroi mësimet në nëntor, prandaj studimet do i vazhdonin pas një viti. Pothuaj gjithë maturantët e parë, u dërguan në një kurs 15 ditor gjatë muajit shkurt 1967, pranë shkollës pedagogjike Shkodër. Me 1 mars u emëruan mësues në disa shkolla 7-vjeçare të rrethit, duke dhënë kryesisht lëndët e shkencave të natyrës.
Në konviktin e Pukës pranoheshin në klasën e pestë (nga fshatrat që nuk kishte shkollë 7-8-vjeçare), nxënësit më të mirë të klasave të katërta dhe në vitin e parë gjimnaz më të mirët që mbaronin 7-8-vjeçaren. Konviktorët përbënin 70-85% të nxënësve të shkollës së mesme. Në Pukë, caktoheshin mësuesit më të përgatitur shkencërisht dhe të aftë metodikisht. Gjithashtu drejtuesit e gjimnazit të Pukës kanë qenë të aftë e të përkushtuar në punë. Kanë lënë mbresa të veçantë tek kolegët e nxënësit drejtorët e shkollës nga rrethet e tjera, si: i pari Xhevat Hoxha, Jazo Bilani, Burhan Tabaku, Eftimaq Postoli, drejtoresha e konviktit Prena Lekçaj, me eduktoren mbi 15 vjet, Verore Leknikaj, nga Korça dhe më vonë Zenepe Laçi, 21 vjet, ish maturante. Nxënësit mësonin rregullisht e me dëshirë. Në konvikt studimi ishte me orar të përcaktuar.
Në vitet 1970-1980 rrethti i Pukës, pati një zhvillim të shpejtë ekonomik, pasi kishte pasuri të
mëdha mbi e nëntoksore.
Kolektivizimi i bujqësisë në të gjithë rrethin, në vitin 1967, rriti kërkesa për specialist të bujqësisë (në fillim në çdo fshat kishte një kooperativë bujqësore, pastaj u krijuan në bazë fshati të bashkuar, gjithsej 20). U mbyllën kisha e xhami dhe u hoq prona private.
U hap rruga e re automobilistike nga Rresheni, në Gjegjan, Fushë Arrëz, Qafë Mali, deri në Fierzë, e cila u asfaltua. Në të u transportuan materiale ndërtimi e makineri, për ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës, një vepër madhore, me përmasa Evropiane. Në vitin 1970 përfundoi elektrifikimi i plotë i Shqipërisë, pra edhe i rrethit të Pukës.
Rrethi i Pukës zinte vendin e parë në Shqipëri për pyjet që përbënin 80 % të tyre. Puka zinte vendin e parë për bakër, zink, squfur, ar, argjend. U zbuluan vendburimet e bakrit në Munellë, Qafë-Bari, Lak Roshi,Tuç që u hapën miniera aty. Gjithashtu dhe për mineralet jometalore ajo mban vendin e parë për kaulinën, granitet, që janë përdorur në industrine e porcelanit dhe të qeramikës, si dhe për xhamin vullkanik, që përdorej në hidrocentralet për çimenton portland. U ndërtua fabrika e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz. Ndërmarrja e Sharrave, për përpunim e drurit, repartin e mobiljeve, të kompensatës, ishte ndër më të mëdhatë në vend. U ndërtua fabrika e kollofonit (që shërbente si lëndë e parë për sapunin dhe për eksport), fabrika e pllakave të zdrukthit dhe terpentinës. U hap Parku i Mallrave me 300 makina, 100 prej të cilave ishin për transportimin e lëndës drusore. Drejtoritë e këtyre ndërmarrjeve ishtin të gjitha të përqendruar në Fushë Arrëz, i cili u bë dhe një qendër punëtorësh. Në Pukë u krijua Korpusi i Ushtrisë (më vonë Regjiment) që drejtone nga ana ushtarake pothuaj gjithë veriun.
Në shëndetësi kishte spital në Pukë, Fushë Arrëz, Gjegjan, Iballe, si dhe çdo fshat i bashkuar, kishte qendra shendetësore, me mjek e infermjere.
Në vitin 1985 rrethi Pukës, kudo i banuar, kishte 5 shkolla të mesme (që në vitin 1990 u
bënë 10), 55 shkolla 8-vjeçare, 42 të ciklit të ulët dhe 40 kopshte. Në Pukë, Fushë Arrëz ishin me profilin gjimnaz, që sipas rastet u hapën profile profesionale, për përgatije të specilistëve të fushave përkatëse të ekonomisë, pyjeve, minierave, gjeologjisë, mekanikës, ndërsa në fshatra kishin vetëm profilin agronomi.
Ky zhvillim, domosdo, kërkonte shumë kuadro e specialistë të aftë e të përgatitur, me arsim të lartë, për gjithë sektorët, ku shkollat e mesme ishin baza për të arritur këtë synim me kuadro vendas.
Deri në vitin 1971, nga rrethi kishin mbaruar Universitetin me “pikatore”, si Milazim Mustafa
inxhinieri elektrike, Ismail Djaloshi, histori-gjeografi, Halil Kopani drejtësi, Elez Selimi mjeksi (këta punuan më shumë jashtë rrethit), Sulejman Sula, agronomi, Filip Koliçi veterinari, Qamil Pema biokimi dhe ndonjë tjetër me korespondencë.
Gjimnazi i Pukës, duke patur nxënësit më cilësor të rrethit se shkollat e tjera të mesme, sherbeu si bazë që ata të vazhdonin arsimin e lartë sistematikisht çdo vit 70-80 % e tyre, nëse plotësonin kriteret politike, notën mesatare mbi 7 dhe historinë e Partisë 8 e lart.
Në vitin 1967, në gjithë Shqipërinë, shkollat verore u kthyen në dimrore. Kështu viti i ri
shkollor filloi me 1 mars dhe përfundoi me 15 gusht 1977, për të vazhduar vitin pasardhës me 1 shtator. Me këtë rast të gjitha klasat përfituan një vit shkollor për 6 muaj.
Me 1 shtator 1967, nga 39 nxënës nga dy maturat, 29 filluan Universitein e Tiranës, Institutin e Lartë pedagogjik Shkodër dhe shkollën e lartë të oficerëve, në degë të ndryshme të mësuesisë,ekonomisë, inxhinierisë, mjeksisë etj. Në degët e mësuesisë vazhduan (matematikë, gjuhë letërsi, biokimi) katër maturant. Nga katër maturat e para (1966-1969), me 71 nxënës, mbaruan arsimin e lartë 56, ose 79% e tyre.
Në vitin 1968 arsimi 7-vjeçar u kthye në 8-vjeçare, kështu që në vitin 1970, nuk pati maturant, mbasi ishin në vitin e tretë të shkollës së mesme, e cila tashmë ishte 4-vjeçare.
Shkolla e mesme Pukë, u bë model, jo vetëm në përgatijen e nxënësve me nivel e cilësi, por edhe për pajisjen e klasave me mjete mësimore, ngritjen e laboratoreve të kimisë, fizikës, biologjisë, kabineteve mësimore dhe bibliotekës. Kabineti i kimisë i ndërtuar nga mësuesi Qamil Pema, nga Qerreti, u bë shembull në shkallë kombëtare.
Në vitin 1971, filluan të dalin specialistët e parë me arsim të lartë, që kishin mbaruar gjimnazin në Pukë. Në arsim ishin 3 me arsim të lartë.
Në vitin 1975, me kërkesën e rrethit u emëruan nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës në Pukë mbi 90 mësues me arsim të lartë (afër 50 nga Gjirokastra), djem e vajza nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Ata, megjithë kushtet e vështira të rrethit, jo vetëm ndikuan në ngritjen e nivelit të mësuesve me arsim përkatës, mbasi u larguan ata pa arsim përkatës, por dhe punuan me pasion e ndërgjegje të lartë, duke ndikuar në ngritjen cilësore të arsimit në të gjitha ciklet. Disa vite vazhduan të vinin shumë mësues nga rrethet e tjera, por tashmë filluan të shtoheshin edhe vendas, ku pjesa më madhe kishte mbaruar shkollën e mesme në Pukë.
Nȅ vitin 1959 nȅ rrethin e Pukȅs kishte vetȅm njȅ mȅsues me arsim tȅ lartȅ pedagogjik, me 1974 kishte 127 mȅsues, ndȅrsa me 1980, ky numȅr arriti nȅ 266.
Në vitin 1985, nga 28 institucione e ndërmarrje që kishte rrethi, nëpunës me arsim të lartë
ishin 767, nga të cilët 280 në arsim, ose 37%.
1989, me arsim të lartë ishin, 981, nga të cilët 531 në arsim, ose 39%,. Nga këta ishin vendas në arsim 66%, ndërsa në të gjithë sektorët 54% ishin vendas. Në vitin 1991, në gjithë rrethin e Pukës kishte vetëm 91 mësues nga rrethet e tjera.
Nga ekipi i kontrollit të Ministrisë së Arsmit e Kulturës, në vitin 1985 dhe në vitin 1989, në sektorin e arsimit u vlerësua lart puna drejtuese dhe e disa mësuese edhe të shkollës së mesme Pukë.
Nga viti 1966 deri në vitin 1991 mbaruan gjimnazin ditën, deri në vitin 1991, 25 matura, me
976 nxënës, 416 femra, prej të cilëve 112 me banim jashtë rrethit. Gjithshtu mbaruan gjimnazin pa shkëputje nga puna (mbrëmje dhe korespondeca), 22 matura, me 524 nxënës, na të cilët 312 femra. Në vitin 1991 në gjimnaz ishin 80 nxënës.
Në gjimnazin e Pukës pati edhe degë të tjera që u hapën përkohësisht për të ndihmuar me specialist, në zhvillimin e vrullshëm ekonomiko-shoqëror të rrethit, pranë saj janë hapur degët: e frutikulturës, nȅ vitin 1972-1973 pa shkȅputje nga puna (e mbrëmjes), me 5 matura, mbasi ferma Luf-Qerret, kishte drejtim kryesor frutikulturën, e cila vazhdoi deri nȅ vitin shkollor 1975-1976, që u hap bujqësore (ditën) me 8 matura, në 1976-1991; zootekni (ditën) me 3 matura, në vitet 1983-1985; gjeologji, ditën, me një maturë, në vitin 1985; miniera (ditën) me një maturë, në vitin 1987; frutikulturë, mbrëmje me 5 matura, në vitet 1974-1978 dhe korespondencë me dy matura;
Në këto profile përfunduan në profilet: agronomi, 233 nxënës, 145 femra, frutikulturë mbrëmja e korespondencë 277 nxënës, 38 femra, zooteknikë mbrëmja 80 nxënës, 44 femra, gjeologji dhe miniera, ditën, vetëm nga një vit, me përkatësisht 34 e 25 nxënës, të gjithë djem.
Në vitin 1991 kanë dhënë mësim në shkollën e mesme e 21 mësues, nga të cilët 12 pukjanë, 3
ish maturant të shkollës, pa përfshirë të mësuesit e jashtëm që jepnin disa orë sipas profileve.
Deri në vitin 1991, gjithë ata që mbaruan shkollën e lartë, u kthyen, për të punuar sipas profileve, në institucione e ndërmarrje të rrethit. Kërkesat nga ana e dikastereve për ndonjë specialist nuk pranoheshin nga rrethi sepse kishte nevojë për kuadro. Familjet e këtyre specilistëve nuk u lejohej të lëviznin nga fshati. Ata që nuk shkuan në arsimin e lartë, vazhduan kurse një e dy vjeçare në specialitete të ndryshme apo kurse kualifikimi dhe u punësuan si teknikë në ndërtim, gjeologji, miniera, parkun e mallrave, ndërmarrjen e sharrave, ndërmarrjen elektrike, kooperativa bujqësore, apo si mësues e infermiere.
Tashmë u krijuan mundësitë që jo vetëm specialistët, por dhe drejtues në institucione e ndërmarrje të rrethit të jenë edhe ish maturant të gjimnazit të Pukës që treguan aftësi drejtuese, profesionalizëm të lartë duke u vlerësuar deri në shkallë kombëtare. Disa prej të cilëve janë: Mrikë Cara, e para oficere në rreth, deputete në Kuvendin Popullor, kryetare e Organizatës së grave të rrethit; Pjetër Dema, drejtor i Ndërmarrjes së Sharrave dhe i Fermës Luf-Qerret; Tonin Deda kryeinxhinier e drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike; Kolec Daja drejtor i farmacive të rrethit, drejtor i famacive në Ministri të Shendetësisë Tiranë; Martin Deda, Nikoll Topjana, jurist e drejtues në dikastere qendrore Tiranë; Mark Vata, kryetar i Komitetit të Fiskulturës Rrethit; Ndue Binaku shef i Seksionit të Arsimit e Kulturës, Muhamet Cufaj, Fran Cara, inspektor në seksion e metodist në Kabinetin Pedagogjik; Bardh Alia drejtor në gjimnazin e Pukës; drejtues në shkollat e tjera; Gjon Gjoka, Sabah Sinani, Tom Curri, Rrok Nikolli, Bardh Doda, Mark Prela, Fadil Çoba, Ndue Rexhepi dhe shumë inxhinier, agronom, zooteknik, veterinar, mësues që shërbyen në zona të ndryshme të rrethit.
Janë me dhjetra edhe nga ish maturant të Pukës, që si specialist, me arsimt të mesëm e të lartë, duke qenë larg familjeve, punuan me përkushtin, në fshatra e sektor të largët, pa kushte të përshtatëshme për banim, por në male të larta e terrene të vështira, në dimër me shi e dëborë, në verë të nxehtë, me turne, duke fjetur në baraka druri, pa u ankuar, duke realizuar detyrat e ngarkuara me nivel e cilësi.
Lëvizja e lirë e njerëzve, me vendosjen e demokracisë në vend, pas vitit 1991, solli edhë në rrethin e Pukës, migrimet drejt qyteteve Shkodër, Lezhë, Laç, Krujë, Tiranë, Durrës, si dhe shumë emigrimet jashtë vendit, duke sjellë pakësimin e popullsisë dhe për pasojë edhe të numrit të nxënësve e të mësuesve, që tashmë,ishin të gjithë vendas. U shpërbënë kooperativat bujqësore, disa ndërmarrje shtetërore u mbyllën, apo u zvogluan, duke bërë që të mbesin pa punë e të largohen shumë specialist vendas.
Theksojmë se shumë ish maturant të gjimnazit të Pukës, edhe pas vitit 1991, u bënë të sukseshëm, brenda e jashtë rrethit, duke u zgjedhur në organet më të larta të pushtetit qendror e vendor, drejtues më arsim, ndërmarrje e institucione shtetërore e private, pedagog në universitet, me tituj e grada shkencore, biznesmen të suksesshëm në shkallë kombëtare.
Përveç atyre që u përmendëm, vazhduan të jenë të sukseshmën në detyra të rëndësishme, brenda e jashtë rrethit, maturantë e ish nxënës të tjerë të shkollës së mesme Pukë të cilët arriten të kryejnë detyra me rëndësi deri në në shkallë kombëtare: Nikoll Pali, Simon Puta, Fran Pjetri, deputet; Haki Mustafa prefekt në Fier dhe kryetar i Njësisë Bashkike Nr.11 Tiranë; Rrustem Struga, Gjon Gjoni, Rrok Doda, kryetar bashkie në Pukë, Prel Cena në Fushë Arrëz; Ndue Mjekaj, gjeneral në ushtri; Pjetër Dema, Dedë Përshpali, kryetar të këshillit të rrethit Pukë; Gjergj Sokoli, drejtor i Ndërmarrjës së Sharrave Fushë Arrëz; Ndue Seferi, drejtor i Parkut të Mallrave, Hilë Alia kryeinxhnier i këtij Parku; Pjetër Leka, Ndue Përdoçi, drejtor të Ndërmarrjes Elektrike të rrethit; Ndokë Seferi, Blerina Pema, drejtor të drejtorisë arsimore të rrethit, drejtor në hidrocentarin e Komanit; Leze Maluta, Fatmir Shkjau, Anxhelin Marku, drejtor shkolle, Florinda Ishmaku përgjegjese e statistkës rrethit; Musa Halili anëtar i Gjykatës Lartë, Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese; Aleks Paci inxhinier elektrik, Nikoll Paluca inxhinier ndërtimi, specialist të vlerësuar në shkallë kombëtare, deri pedagog në Universitet; Vitor Maluta, doktor i Shkencave Veterinare, pedagog në Fakultetin e Veterinarisë; Tonin Deda, doktor i Shkencave Gjeologjike; Nikoll Deda, kryetar i Urdhërit të Dentistëve të Shqipërisë; Fran Mula dhe Fran Vuka, drejtues përkatësisht, në shtëpi të kulturës dhe Pallatin e Kulturës rrethit e Kamzës; Riza Hoxha, koreograf, “Mjeshtër i Madh”; Zamira Matoshi, kryetare e Shoqatës së Mësuesve Pukjanë në Tiranë; mjekët me speciliizime pasuniversitare Dod Suta, Tone Nika, Dodë Boci, Rifat Laçi, Silvana Ahmeti; Rrok Gjoka e Vitor Delia, biznesmen të suksesshëm në shkallë kombëtare e me dhjetra specilist të tjerë në fusha të ndryshme shkencës.
Gjthashtu maturant, apo ish nxënës të shkollës mesme Pukë nga ata që kanë emigruar, kanë arritur të jenë të suksesshm, në punët që kanë kryer si punëtor, student apo si intelektual, si Mimoza Matoshi, Diana Kukaj në Angli, apo Esmeralda Vata deri drejtuese departamenti, në një Universitet të Njew Jersit, SHBA.
U mbyllën disa shkolla të mesme në fshatra, veç atyre të arsimit 8-vjeçar e të ciklit të ulët. Të gjitha profilet në shkollat mesme u kthyen në gjimnaz.
Mbas vitit 1991 gjimnazi i Pukës ka funksionuar normalisht, duke patur nga 80-100 nxënës me katër paralele, deri në vitin 2020, kur numri i maturantëve ra në dy paralele. Në vitin 2023 mbaruan gjimnazin 57 maturant.
Në shkollën e mesme Pukë u hap dega e pedagogjikës (ditën) më 4 matura, në vitet 2007-2010. të cilën e vazhduan kryesisht specialist të bujqësisë, 69% e të cilëve ishin femra, mbasi arsimi ishte i vetmi vend ku mund të punësoheshin afër vendbanimit.
Gjithashtu ka vazhduar gjimnazi pa shkëputje nga puna (mbrëmjës) dhe korespondenca deri në vitin 2007.
Bazuar në të dhënat e marra nga Arkiva e Shtetit dhe Arkiva e shkollës mesme Pukë, rezulton se deri në vitin 2023 kanë marrë maturën 5433 nxënës, nga të cilët 2598 femra ose 48%. Në këtë shkollë kanë mbaruar profilin gjimnaz (arsimi i mesëm i përgjishëm), ditën 3794 nxënës, nga të cilët 1967 femra ose 52% e tyre.
Në gjimnaz, që nga hapja e tij deri në vitin 2023, kanë dhënë mësim 290 mësues dhe specialistë sipas degëve, nga rrethi dhe jashtë tij.
Gjimnazi i Pukës ka qenë, është e do të mbetet krenaria e rrethit, për nivel tëlartë e cilësi në mësim dhe bazë në përgatijen specialistëve për të përballuar me sukses detyrat që marrim përsipër kudo, brenda e jashtë Shqipërisë.
Referenca:
Sabah Sinani, Historiku i Arsimit të rrethtit Pukë, 1989.
Muzeu i Shkodrës, Fondi Migjeni.
Buletini “Puka dhe shkolla”,1974.
Arkiva e shkollës mesme Pukë.
Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit,1985.
Arkivi Qendror i Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave fondi: Aktkontrolli i Ministrisë Arsmit, 1989.
Vjetari statistikor i Shqipërisë 1991.
Pashk Lekaj. „Zhvillimi i arsimit parauniversitar e prognoza e tij, gjendja e infrastrukturës shkollore dhe nevojat e saj, në rrethin e Pukës“.1998.