
NGA NDUE BACAJ
HYRJE
Malësorët si dhe shqiptarët etjerë patriot e kishin pritur pushtimin fashist me indinjatë të thellë dhe me deshirë (“të pa realizuar…”) për tu rrjeshtuar në ushtrinë mbrojtëse shqiptare, kundra pushtuesve Italian. Por perkundër kësaj , në qendresën e pabarabartë por heroike të ushtrisë shqiptare që priti me plumba e jo me lule fashistet italian me 7 prill (1939) në bregdetin e Durrësit e më gjerë, do të dalloheshin për trimerinë, atdhetarinë dhe qëndresen heroike tre ushtarakë malësor- hotjanë; Mul Deli Bajraktari -Komandant i batalionit “Deja”, Toger Gjelosh Luli -Dedëvukaj i cili komandonte një pjesë të baterisë së topave të vendosur në vijen e parë të mbrojtjes në kodrat e Durrësit, si dhe Zef Martini-një nëtoger i shquar i këmbësorisë shqiptare..1. Në këto kohë gjysma e Malesisë së Madhe lengonte nën pushtimin e Malit Zi, që kishte filluar të pakten që nga kongresi i Berlinit e “finalizuar” me konferencen e Londres (1913).. Në këto kushte paria e kësaj “gjysme” të Malesisë Madhe (nën Malin e Zi) për të shpetuar çfarë mund të shpëtonte (edhe pse përkohësisht), me datën 12 maj 1941, (Hoti, Gruda, Trieshi, Koja, Tuzi,Vllana, Vrana dhe Matagushi) u dergojnë autoriteteve qeveritare fashiste në Tiranë një Memorandum për bashkimin me Shqiperinë nënë, të trojeve shqiptare të lëna padrejtesisht nën Malin e Zi…2. Me dekretin e 7 gushtit të vitit 1941pushtuesi fashist (edhe për qellime propogandistike) shpalli ribashkimin e trojeve shqiptare që i mbanin të pushtuara Serbo-Malazezet, ku perfitonte edhe Malësia e Madhe …3. Për të vënë në zbatim këtë dekret qëndra e N/Prefektures u vendos nga Kopliku në Tuz.Vlen të cilësohet se gjatë luftës antifashiste, si nga Partia komuniste Jugosllave dhe bija e saj PKSH-ja propagandohej, se mbas çlirimit nga fashistët, edhe shqiptaret në trojet e tyre etnike kanë të drejtë të vendosin lirshëm se me kë dëshirojnë të jetojnë: me Shqipnin nanë apo me Malin e Zi që i kishte bashkuar (dhunshëm) Europa plakë. Këtë të drejtë sipas propoganduesve jugosllavë e shqiptare ua jepte lufta e përbashkët që gjoja i kishte vëllazëruar. Këtij premtimi, si gjithë premtimeve të tjera të sllavëve do t’u delte boja pa vonuar…
“ËNDËRRA” E RIBASHKIMIT TË MALËSISË SË MADHE NË DORË TË KOMUNISTËVE JUGOSLLAV…
Megjithë këtë klimë qe solli një ënderr ribashkimi të trojeve shqiptare, Malësia si gjithë Shqiperia e urrente fashizmin si ideologji dhe pushtues, i cili si per çudi solli kushtet e favorshme që emisaret jugosllav, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha etjerë të krijojnë bijen e tyre; Partinë Komuniste Shqiptare me 8 nentor 1941. Këtë të vertetë të mjerueme historike për shqiptarët do t’ua komunikonin edhe malësorëve hapët emisarët komunist malazez-jugosllav veçse gjashtë muaj nga dita e krijimit të PKSH, në një mbledhje në fshatin Kopilaj të Piperit me 23 maj 1942… Këtë mbledhje e prëshkruan në ditarin e tij intelektuali dhe nacionalisti Prekë Gruda, i cili ishte pjesmarrës në ketë “kumt” kobndjedhes për shqiptaret e vertet, nga i cili ndër të tjera citoj: “…U çua në kambë tuj perdredhë mustaqet Bllazhe Jovanoviqi, (i deleguari i Titos N.B.) dhe mbasi na kqyri me ata sy gaca sikur donte me na coptua të tanve, ia filloi me folë rrufeshëm pa maskë të kuqe: “Partinë Komuniste të Shqiperisë e kemi në dorë ne malazezet, dhe i kemi atje organizatoret tanë që drejtojnë e komandojnë. Edhe në Kosovë ku jemi tuj ndeshë mjaftë pengesa nga naionalizmi shqiptar, ia kemi dalë me i organizue partizanët shqiptar si jugosllavë, dhe këtë gja e kemi garantua me ndihmen e komunistave të Shqiperisë, për të larguar veshtirsitë tona atje në atë Serbi të vjeter. Pra për çdo gja i kemi vu bazat në Kosovë që çdo pikë ujë të shkojnë në mulli të Jugosllavisë së madhe, dhe me siguri do ta zmadhojmë nga të gjitha anët. Për pakicat shqiptare në Mal të Zi nuk kemi biseduar aspak me komunistë të Shqiperisë. I kemi në dorë pa asnjë konditë. Ungji Stalin ndoshta ka me na e lanë krejt Ballkanin në dorë e jo ma Shqipninë që e kemi qysh tashti në grusht. Ma në fund mos harroni e duhet ta dijmë mirë të gjithë se na janë vrarë në luften Ballkanike (1912-1913, rrethimi i Shkodrës N.B.) njëmbëdhjetë mijë malazez në rrethinat e Shkodres, atë çfarë nuk e perfituan etnit tanë ateherë me luftë, jemi tue fitua ne me mënyrë tjeter. Malet shkambore të Malësisë Madhe e as ata të Krajës me Ruminë nuk na duhen gja sepse male kemi majft, dhe aq ma pak na duhen gja banoret trima të egër të atyne krahinave. Na duhet Liqeni i Shkodres, që do të thahet dhe do të bahet Banata e Malit Zi, hambari i pasun per bukën e popullit tonë, e prej Matagushit e deri në Vraken e vllazneve tanë malazez kanë me lulëzua katundet sllave dhe ajo Shkodër, kaq fortë e dëshirueme prej nesh do të bahen krejtësisht sllave, sikurse janë ba Podgorica, Tivari dhe shumë krahina të tjera të marruna shqiptarëve mbas kongresit të Berlinit e deri në luftën ballkanike.”.4.
TUBIMI I FUSHËS SË TUZIT, 7 SHKURT 1945
Përshkrimin e këtij tubimi tradhtie e turpi, mendova t’ia lë nacionalistit Prekë Gruda, pjesmarrës në këtë tubim, të cilin e përshkruan në një dorshkrim që më ka ra në dorë para rreth 30 viteve me titull : Hot, Grudë, pervjetuer turpi për komunistat shqiptarë, nga i cili për të kujtuar këtë ngjarje tragjike mendova të citoj : “Mbas tërheqjes së gjermanëve prej Malit të Zi, Shtabi i divizionit VI-të, të ashtuquajturës ushtri naç – çlirimitare shqiptare, thirri në Tuz të gjithë burrat e Malësisë ku lajmëtarët kumtojshin që mos të mungonte asnjë mashkull, dhe porositnin të shkonin të gjithë të armatosur në bashkim, ku do të komunikoheshin disa çështje me rëndësi. Bashkimi u bë në fushë të Tuzit me dt.7.02.1945. Në tribunë zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Marasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Kërkush nuk mundej me mendue tragjikomedinë e turpshme që kishin pranuar me vu në skenë n’at çerdhe Shqiptarie komunistët shqiptare… Perden e hapi Shefqet Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, e i porositi për qetësi dhe i ftoi të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, dhe i porositi ata burra Shqiptarë t’i duan Serbo-Malazezët, me të cilët (gjoja) i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye mercenari nga gjeneral Gjoku me shokë e u tha: Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun t’i vrisni, në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Këtu ia preu fjalën Kol Zefi i Grudës, i cili ndër të tjera tha: “Tash 52 vjet kjeshë detyruar me shtëpinë teme me i shërbye sllavëve, tuj o mbrojtë me gjoks e fanatizëm interesat e këtyre maleve shqitpare, që qysh prej kongresit të Berlinit e këndej filluan të shkatërrohen prej malazezëve. Ju këta i paskeni ba vëllazën, ndërsa ne kurrë as për formë nuk kemi muejtë me u thanë miq… Me 1890, kur filluam luftën kundër Turqve, na kjeme lidhë me besë të Zotit drejtpërdrejtë me Kral Nikollën e Mark Milanin, per me na ndihmue, e Vendet tona që do t’i merrshim me gjak prej turqve me na i njoftë si zona të lira shqiptare, por ata na rrejtën. Trojet që i çliruam me aq sakrificë ia bashkuan Malit të Zi. Gjithmon na kanë rrejtë e mashtruar dhe tradhëtuar. Shumë më zi kanë meua ba ju, shpejt keni me u pendue, por ka me kenë vonë me fitua çfarë sot, me syplasët po dhunoni. Jemi shqiptarë me mish e me shpirt të gjithë në këto male, prandaj na duket shumë e natyrshme e njerëzore që të mbetemi me Shqipninë. Sa për dajakun ktheje ka doli se na e kemi pasur traditë me u pre me shpata me Malazez, e me u vra me pushkë ballë për ballë, e jo me u rrahë si gratë me shkopinj”. Mbas Kolës, foli Smajl Haxhia i Hotit, që nuk pranoi me i dhanë dorën gjeneral Gjokut. Smajli të nesërmen vdiq, plasi nga maraku që mbuloi Malësinë. Tomë Nika i Traboinit foli, me nji ton të zjarrtë patriotik tuj vu në dukje luftëtarët e përpjekjet e Malësisë për Shqipni. Po kështu i argumentuan punët Ali Zeku i Vranjes, Nikë Zeka i Trieshit, Pretash Zeka i Kojës, Luc Maxhi i Luharit e Osman Bajri i Dinoshës. Të gjithë kërkuan energjikisht mos të ndaheshin ma prej Shqipnie, por me kë me folë e kujt me iu drejtue?… Vetëm komisari i divizionit të VI-të, Muyzafer Spaho, u prek e pa me sy tradhëtinë e tij e të shokëve të vet. Ai tha: “Qëndroni shqiptarë, se ne nuk luftuem me vendosë kufijtë e versajës e as të boshtit për liri e bashkëpunim të popujve. Ju qenkeni më shqiptarë se ne, prandaj gjaku ynë i kësaj lufte e i juaji gjithnjë për liri, u garantojnë vetvendosjen tuaj në bazë të luftës sonë e të premtimeve aleate.” Këtu ia zunë në fyt fjalët Peçi me shokë, atë ditë ra viktimë e idesë mashtruese edhe Myzaferi, që kishte lënë studimet në Itali, për të luftuar për lirinë e Shqipërisë. Ai ishte një ndër të paktët që nuk iu nënshtrua turpit mashtrues. Nuk munguan oratorët malazez me folë me demagogjinë marksiste, tuj lavdërue shërbëtorët e vet. Gjendja u keqsua fort. Malësorët edhe pse e panë se çështja e tyre shqiptare asi shtegu dështoi, vendosën të gjithë të vdesin me armë në dorë, por kurrë mos me u dorëzue, ç’burrni ishte në atë tubim Tradhëtie. Pater Zefi që qysh në fillim kishte refuzuar me ndejtë në tribunë, duel nga mesi i trumës në shesh të burrave, e theksoi rrufeshëm: “Po e shihni, o komunista shqiptarë. Mjerë Shqipnia në duart tuaj. A keni mendua ndopak për historinë e kombit? Ku janë premtimet marksiste për liri e të drejta të popujve? Ndërsa ju Malazez u lumshin krahët, sepse dini gjithmonë me manovrue për të mirën e Malit të Zi e Jugosllavisë. Na jemi tuj e pa se prapë u bëmë robët tuaj, por jo për dobësi të këtyre burrave luaj malesh ndër pranga, por për tradhëti të komunistëve shqiptarë që i paski marrua e ç’burrua kështu. Sa për dorëzimin e armëve Malësorët paskan punë me ju, por siç po e shihni nuk dëshirojnë me i dorëzue sot këtu, prandaj le t’i kthejnë të armatosur ndër shtëpia të veta. Ju e dini se me to nuk u bien tradhtishtë. Vëllezën shqiptarë që u braktisën Vëllazënit e Shqipnisë, qindroni burra e të urtë. Detyrën tuaj e keni krye, ma tepër nuk keni çfarë me ba. Armët keni me i dorëzue autoriteteve Jugosllave kur t’jua kërkojnë. Të shpërndahemi për në shtëpiat tona. Rrnoftë Shqipnia. Zoti kjoft me ne.” Akti i Parë i tragjeditë u mbyll, tjetri u luajt dy javë më vonë, (me 19 shkurt 1945 N.B.), kur natën hynë brigadat Serbo – Malazeze, gjoja me bashkue armët. Në atë natë të kobshme terri mjaftë burra nacionalista të përvëluar për Shqipëri u vranë pa faj, pa kurrë një farë gjyqi të paktën formal. (U pushkatuan atë ditë edhe, Pjetër Zeku Camaj, Vasel Mirashi Camaj, Zef Miliqi Lulgjuraj, Gjelosh Gjoka Lajçaj, vëllezërit nga Gruda, Lucë, Dodë dhe Gjergj Preka Lulgjuraj, Kolë Gjel Çaku nga Trieshi etjerë, N,B.). Po atë natë u muar në kishë të Traboinit, ndërsa ishte ndër të lutuna edhe Pater Zefi (Leonardi) e u pushkatua ndër sy të nanës së tij, vetëm pse i shërbeu Zotit e Kombit me besnikëri. Akti i Tretë i tragjedisë u vu në skenë në Hot e Grudë, ndër krahina të Ulqinit e Tivarit me Larje e Shestan dhe në Plavë e Guci me rrethe etjerë…5. Sot edhe pse kanë kaluar kaq vite nga kjo tradhti kombëtare e komunistëve shqiptar, trojet etnike shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjërë vazhdojnë t’a vuajnë këtë ndarje…por pa humbur shpresen e ribashkimit me Shqipninë Nanë…6.
REFERENCAT :
1.Mul Deli Bajraktari, Beslidhjet e Malësisë, kujtime 1939-1945, fq.9, Shkodër 2004.
2.At Marin Sirdani “Ndriçime te historisë,kultures dhe artit shqiptar, fq.61-62. Prishtinë 2002.
3.Fletore zyrtare 7 gusht 1941.
4. Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme,sa kam shprese kame shpirte”(1937-1975) pjesa I, fq.192-193.Tiranë 1995.
5.Prekë Gruda, Hot-Grudë, pervjetuer turpi per komunistat shqiptar (dorshkrim…), + Ndue Bacaj, gazeta “Shqiperia Etnike,nr.15, viti 2001,+Kostaq Xoxa, gaz.55,dt.7 qershor 2010.
6.Më e zgjerueme kjo histori tradhtie e krimesh komuniste, është pasqyruar në librin tim të botuar në vitin 2018 me titull: Malësia e Madhe Kundër…, ku janë të shënuar edhe emrat e plotë të të pushkatuarve nga komunizmi jugosllav e shqptar etj…