

Fjala e mbajtur në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra nga nënkryetari z.Alfons Grishaj.
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, kryetarit, Dr. Elmi Berisha e të gjithë vatranëve, ju urojmë nga zemra për 70 vjetorin e kësaj qendre fetare e atdhetare, ku punuan dhe punojnë klerikë të mençur dhe patriotë, besimtarë të devotshëm dhe atdhetarë të dalluar! I nderuar Baba Eliton Pashaj, të nderuar Klerikë, të nderuar besimtarë të Bektashizmit, fenerit të paqes, përvujtërisë dhe shpirtit të pastër besimtar. Të nderuar Vatranë, bashkëpuntorë të Vatrës, drejtori i Degëve, z.Mondi Rakaj, Franz Llesh Grishaj anëtari i vjetër i Vatres dhe Teqes Bektashiane. 70 vite më parë në Michigan u hapën portat shpirtërore dhe institucionale të Teqes Bektashiane, e para Teqe në Kontinentin e Amerikës Veriore dhe, besoj dhe Latine… Institucion fetar që u ngrit nga besimtarët Bektashi, Suni dhe të Krishterë. Siç njihet dhe në histori, Vatra , kontriboi me në krye Fan Stilian Nolin. Në krye të Teqes u vendos, Dervish Rexhep Beqiri, (Baba Rexhepi).
Baba Rexhepi, afroi Dervish Bajram, Dervish Lutfi, Dervish Arshi, Dervish Bektash. Teqja Bektashiane e Michiganit , u bë kryeura e bashkësisë feve dhe nacionalizmës, u bë dera e madhe ku u lutën Muslimanë e të Krishterë, ku u bë dhe bekimi i disa nismave të demostratave nacionaliste të iniciuara nga patriotë, ndërsa bekimi jepej nga Baba Rexhepi. Sigurisht, në këtë kontekst, nuk duhet lënë prapa Xhamia e Imam Vehbi Ismailit, që ishte busull e nacionalizmës … dhe, më vonë Kishën e Shën Palit, që u bë promotor i lëvizjeve të mëdha sëbashku me Kisha Zoja Pajtore, me në krye Priftin-poet, Dom Prekë Ndrevashaj. Filozofi Baba Rexhepi u kujdes për gjithçka që lidhej me dijen, botimin e librave dhe përhapjen e kulturës, besimit dhe nacionalizmit. Baba Rexhepi shkrojti në vitin 1970, librin e papërsëritshëm, “Misticizma Islame dhe Bektashizma” Libër, me dedikim: “ Klerikëve të të gjitha feve në Shqipëri , që u–bënë fli për lirinë dhe pavarësinë e saja, si dhe klerikëvet që u torturuan dhe humbën jetën nën terrorin komunist, sepse nuk pranuan të mohojnë idealet e tyre fetare dhe kombëtare, autori ua kushton me këtë vepër me nderim te thellë!”. Prandaj, ne sot, duhet të përulemi me respekt për Shenjtërinë e Tij, Baba Rexhepi dhe pasuesit e Tij që e bënë këtë Institucion gjeneratorin shpirtëror dhe nacional të shqiptarëve në Amerikë dhe më gjërë. Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, shprehet për Bektashizmin: “ Besojnë Zotin e Madh e të vërtetë, Muhamed-Alinë, Hatixhen , Fatimene, Hasanin e Hysejnin. Besojnë në dymbëdhjetë Imamët : Imam Aliu, Imam Hasani, Imam Hysejni, Imam Zejnel Abedini, Imam Muhamed Bakiri, Imam Xhafer Sadiku, Imam Musa Qazimi, Imam Ali Rizaj, Imam Muhamed Tekiu, Imam Ali Neiku, Imam Hasani Askeriu, Imam Muhamed Mehdiu.
Naimi vazhdon: “ Të gjithë Bektashinjtë kanë At Alinë dhe për Nënë Fatimenë. Besojnë të gjithë të “Lumturit”, të tanishëm dhe të shkuar. Besojnë, sidomos në mirësi, të cilën e adhurojnë. Përveç Shenjtorëve, që u përmendën më sipër, të cilët i dashurojnë me shpirt, Bektashinjtë besojnë gjithashtu, Moisinë, Shën Marinë, Krishtin dhe shërbestarët e tij. Kjo është dhe simbioza që Naimi lidh dhe lartëson shpirtin e Bektashizimit, duke nënkuptuar se, besimi dhe Shenjtëria ka një portë për të gjithë besimtarët momoteistë, siç është porta e kësaj Teqeje që na mblodhi sot për të festuar muajin e lindjes. Gjatë këtyre viteve të rritjes së Teqesë, kontribuan shumë patriotë e besimtarë, duke pëfshirë Konsullin Ekrem Bardha, i cili la një pjesë të jetës tij. Baba Eliton Pashaj, një lider shpirtëror i thirrur nga misticizmi islam, i prirë nga urtësia, kurajo, maturia, drejtësia dhe patriotizmi, na bën fatlum që është në krye të këtij tempulli shpirtëror dhe kombëtar. Këshilli i kësaj Teqeje, me në krye mikun tim, Mynyr Nazifi, vatran i motçëm, patriot dhe besimtar… dhe të gjithë ju… e brezat që do vinë… duhet ta mbani të gjallë pishtarin e Hazreti Aliut dhe Baba Rexhepit, për të festuar përvjetore të tilla sa të jetë fryma njerëzore mbi Alem.