NGA EUGJEN MERLIKA- Edhe java e fundit e fushatës zgjedhore për votimet kuvendore mbaroi. Ditët pasuese të 25 prillit duhet t’i japin përgjigje titullit të këtij shkrimi. Ndërkaq hulumtimet zgjedhore, për aq sa mund të jenë të besueshme, duket se e kanë dhënë vendimin e tyre. Simbas tyre PS e PD do të jenë mbartësit e shumicës absolute të votave e do të ndajnë ndërmjet tyre dhe aleatëve të tyre pushtetin e ardhshëm.
Një përfundim zgjedhor, që mbetet në kuadrin e demokraturës pas komuniste, që vazhdon të mbështesë siglat e partive të dala nga regjimi i drejtpërdrejtë e nga ndryshimet hipokrite të detyruara nga nevoja për mbijetesë, pasojë e kataklizmit të komunizmit në nivel evropian më 1989, nuk mund të quhet ndryshim. Tablloja që do t’i paraqitet shqiptarëve mbas 25 prillit, do të jetë e njëjta të cilën ata po e provojnë mbi kurrizin e tyre që prej një të katërt shekulli. Pra nuk mund të flitet për ndryshim, por për vazhdimësi në thelbin e saj.
Të gjithë premtimet e servirura pa kursim në këto pak javë të fushatës zgjedhore, që kanë për qëllim bindjen e qytetarëve shqiptarë për të vënë kryqin mbi emrat e partive përkatëse, janë një refren mashtrues i pandërprerë në gjithë këta vite. Krahas atyre premtimeve, para syve të votuesve, është Shqipëria reale me të gjithë problemet e saj të rendit ekonomik, shoqëror e politik, një shtet në të cilin zotërojnë njëshat e “staxhionuar “ të partive deri në ndryshkje në selitë e pushtetit e të politikës, që kanë në dorë të gjithë mekanizmin shtetëror, që përcakton në një mënyrë apo në një tjetër fatin e shqiptarëve.
Të pritet ndryshimi prej tyre është një iluzion naiv, që do të na vinte në rolin e fëmijës që vazhdon të nanuriset me përrallat e gjyshes së qëmotëshme, mbasi fëmijët e ditëve tona pranojnë të gënjehen vetëm me shpikjet më të ndryshme të teknikës bashkëkohore. A do t’a pranojnë veten të kthyer në foshnjërinë politike shqiptarët e sotëm, tek të cilët ende gjen strehë të ngrohtë demagogjia bajate dhjetravjeçare, apo do të jenë në gjëndje t’i thonë ndal asaj dukurie, duke u vetëdijesuar për rolin e tyre?
Mënyra m’e mirë, për të shpresuar ndryshimin e shumëpritur, nuk është thjesht synimi për të sjellë ndërsjelljen në pushtet të forcave tradicionale të politikës së kalesës dhe, aq më pak, për të krijuar regjime dhjetravjeçare që i shohim në botën e sotme në shtetet autoritare komuniste e të ngjajshmit e tyre, por votimi në masë për partitë e reja të krijuara në muajt e fundit. Megjithë një farë mosbesimi që mund të ketë në drejtim të tyre, që buron nga paaftësia për të shmangur copëzimin e për të krijuar një bllok njëtrajtësh në larminë e vet, që do të jepte idenë e një fuqie të besueshme me drejtues t’aftë për të frymëzuar besim nëpërmjet shtatit të tyre moral, atdhetar e profesional, mund të ushqehet shpresa se një mbështetje e fuqishme e trupit zgjedhor, do të jepte ndihmesën për trupëzimin e atij grupimi alternativ mbas votimeve.
Krijimi i asaj alternative, i bashkërenditjes së gjithë programeve e veprimeve të gjithë atyre që nuk njëjtësohen me asnjë prej partive përgjegjëse në qeverisjen e Shqipërisë në 25 vitet e fundit, do t’ishte një fitore jo vetëm e urtësisë në gjirin e zgjedhësve, por do të hapte një tjetër periudhë shpresash. Në gjëndjen e re të hamendësuar këto forca do të kishin mundësinë kushtëzuese të ngjarjeve kuvendore, në të mirë të politikave të dobishme e atyre reformave të domosdoshme, që do të shkatërronin paqësisht sistemin e korruptuar ekzistues, duke i vënë një ledh të fuqishëm mbrojtjeje prirjeve të dëmshme për interesat e vërteta të shqiptarëve në atdhe, në bashkësinë shqipfolëse e kudo në botë ku gjinden ata.
Këto parti të reja do të arrijnë të marrin përsipër misionin e ndryshimit në të mirë, nëse do të jenë në gjëndje të bashkërendojnë synimet e të mos bëhen paterica të partive të mëdha që mund të kenë nevojë të domosdoshme, si pasojë e numërave, të kërkojnë bashkëpunimin e tyre. Kjo është loja e zakonshme politike në çdo Vend e në çdo kohë, e të vegjlit mund të jenë të prirur për t’u tunduar nga këto lloj sirenash.
I paraprin kësaj mundësie propozimi i Ramës për një aleancë të mundëshme qeverisëse me PD e “tëharrur” nga “barnat e këqija” mbas 25 prillit. Është një përpjekje skajore e kryeministrit pësëist, për të zgjatur jetën e pushtetit edhe në rastin kur partia e tij të mos marrë shumën e mandateve, që i japin shumicën në Kuvend. Sado t’a motivojë kryeministri propozimin e tij me “modernizim” të politikës, e vërteta është se ai, në pasigurinë e kutive të votimit, parashikon edhe manovrat pas zgjedhore që do t’a mbanin në pushtet. Kjo i vlen edhe në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, për të cilën ai është tejet i interesuar, sepse me gjasë zgjedhja vetiake e tij katër vjet më parë, i doli, së paku në dukje, me shumë probleme.
Një afirmim bindës i partive të reja do të ishte gjëja më e dobishme në kuadrin politik, nëse ato do t’a quanin një fitore eventuale të tyre jo një “sukses” vetiak të drejtuesve të tyre, por shprehjen më të hapur të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për ndryshim të vërtetë. Në këtë kuadër do t’ishte vendimtar roli i tyre si bërthamë e ardhëshme e një politike që do të hapte rrugën e një tjetër Shqipërie, larg kontureve të një demokrature që i ka marrë frymën jetës shqiptare.