• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A DO TË KETË NDRYSHIM MË 25 PRILL?

April 24, 2021 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA- Edhe java e fundit e fushatës zgjedhore për votimet kuvendore mbaroi. Ditët pasuese të 25 prillit duhet t’i japin përgjigje titullit të këtij shkrimi. Ndërkaq hulumtimet zgjedhore, për aq sa mund të jenë të besueshme, duket se e kanë dhënë vendimin e tyre. Simbas tyre PS e PD do të jenë mbartësit e shumicës absolute të votave e do të ndajnë ndërmjet tyre dhe aleatëve të tyre pushtetin e ardhshëm.

Një përfundim zgjedhor, që mbetet në kuadrin e demokraturës pas komuniste, që vazhdon të mbështesë siglat e partive të dala nga regjimi i drejtpërdrejtë e nga ndryshimet hipokrite të detyruara nga nevoja për mbijetesë, pasojë e kataklizmit të komunizmit në nivel evropian më 1989, nuk mund të quhet ndryshim. Tablloja që do t’i paraqitet shqiptarëve mbas 25 prillit, do të jetë e njëjta të cilën ata po e provojnë mbi kurrizin e tyre që prej një të katërt shekulli. Pra nuk mund të flitet për ndryshim, por për vazhdimësi në thelbin e saj. 

Të gjithë premtimet e servirura pa kursim në këto pak javë të fushatës zgjedhore, që kanë për qëllim bindjen e qytetarëve shqiptarë për të vënë kryqin mbi emrat e partive përkatëse, janë një refren mashtrues i pandërprerë në gjithë këta vite. Krahas atyre premtimeve, para syve të votuesve, është Shqipëria reale me të gjithë problemet e saj të rendit ekonomik, shoqëror e politik, një shtet në të cilin zotërojnë njëshat e “staxhionuar “ të partive deri në ndryshkje në selitë e pushtetit e të politikës, që kanë në dorë të gjithë mekanizmin shtetëror, që përcakton në një mënyrë apo në një tjetër fatin e shqiptarëve.

Të pritet ndryshimi prej tyre është një iluzion naiv, që do të na vinte në rolin e fëmijës që vazhdon të nanuriset me përrallat e gjyshes së qëmotëshme, mbasi fëmijët e ditëve tona pranojnë të gënjehen vetëm me shpikjet më të ndryshme të teknikës bashkëkohore. A do t’a pranojnë veten të kthyer në foshnjërinë politike shqiptarët e sotëm, tek të cilët ende gjen strehë të ngrohtë demagogjia bajate dhjetravjeçare, apo do të jenë në gjëndje t’i thonë ndal asaj dukurie, duke u vetëdijesuar për rolin e tyre?

Mënyra m’e mirë, për të shpresuar ndryshimin e shumëpritur, nuk është thjesht synimi për të sjellë ndërsjelljen në pushtet të forcave tradicionale të politikës së kalesës dhe, aq më pak, për të krijuar regjime dhjetravjeçare që i shohim në botën e sotme në shtetet autoritare komuniste e të ngjajshmit e tyre, por votimi në masë për partitë e reja të krijuara në muajt e fundit. Megjithë një farë mosbesimi që mund të ketë në drejtim të tyre, që buron nga paaftësia për të shmangur copëzimin e për të krijuar një bllok njëtrajtësh në larminë e vet, që do të jepte idenë e një fuqie të besueshme me drejtues t’aftë për të frymëzuar besim nëpërmjet shtatit të tyre moral, atdhetar e profesional, mund të ushqehet shpresa se një mbështetje e fuqishme e trupit zgjedhor, do të jepte ndihmesën për trupëzimin e atij grupimi alternativ mbas votimeve.

Krijimi i asaj alternative, i bashkërenditjes së gjithë programeve e veprimeve të gjithë atyre që nuk njëjtësohen me asnjë prej partive përgjegjëse në qeverisjen e Shqipërisë në 25 vitet e fundit, do t’ishte një fitore jo vetëm e urtësisë në gjirin e zgjedhësve, por do të hapte një tjetër periudhë shpresash. Në gjëndjen e re të hamendësuar këto forca do të kishin mundësinë kushtëzuese të ngjarjeve kuvendore, në të mirë të politikave të dobishme e atyre reformave të domosdoshme, që do të shkatërronin paqësisht sistemin e korruptuar ekzistues, duke i vënë një ledh të fuqishëm mbrojtjeje prirjeve të dëmshme për interesat e vërteta të shqiptarëve në atdhe, në bashkësinë shqipfolëse e kudo në botë ku gjinden ata.

Këto parti të reja do të arrijnë të marrin përsipër misionin e ndryshimit në të mirë, nëse do të jenë në gjëndje të bashkërendojnë synimet e të mos bëhen paterica të partive të mëdha që mund të kenë nevojë të domosdoshme, si pasojë e numërave, të kërkojnë bashkëpunimin e tyre. Kjo është loja e zakonshme politike në çdo Vend e në çdo kohë, e të vegjlit mund të jenë të prirur për t’u tunduar nga këto lloj sirenash.

I paraprin kësaj mundësie propozimi i Ramës për një aleancë të mundëshme qeverisëse me PD e “tëharrur” nga “barnat e këqija” mbas 25 prillit. Është një përpjekje skajore e kryeministrit pësëist, për të zgjatur jetën e pushtetit edhe në rastin kur partia e tij të mos marrë shumën e mandateve, që i japin shumicën në Kuvend. Sado t’a motivojë kryeministri propozimin e tij me “modernizim” të politikës, e vërteta është se ai, në pasigurinë e kutive të votimit, parashikon edhe manovrat pas zgjedhore që do t’a mbanin në pushtet. Kjo i vlen edhe në zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, për të cilën ai është tejet i interesuar, sepse me gjasë zgjedhja vetiake e tij katër vjet më parë, i doli, së paku në dukje, me shumë probleme.

Një afirmim bindës i partive të reja do të ishte gjëja më e dobishme në kuadrin politik, nëse ato do t’a quanin një fitore eventuale të tyre jo një “sukses” vetiak të drejtuesve të tyre, por shprehjen më të hapur të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për ndryshim të vërtetë. Në këtë kuadër do t’ishte vendimtar roli i tyre si bërthamë e ardhëshme e një politike që do të hapte rrugën e një tjetër Shqipërie, larg kontureve të një demokrature  që i ka marrë frymën jetës shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 Prill, Eugjen Merlika, ndryshimi

Ndryshimi dhe liria e fjalës

January 28, 2021 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/Jeta është ajo që mendojmë se është, siç e bëjnë mendimet tona. Kur njeriu ndryshon mendimet ndaj gjërave dhe njerëzve të tjerë, gjërat dhe të tjerët do të ndryshojnë ndaj tij. Të gjithë jemi subjekt i mjedisit dhe atyre me të cilët kontaktojmë – mësojmë kur shohim se mendimet e djeshme, sot kanë ndryshuar dhe jeta është bërë më e mirë. Siç thotë Herakliti, nuk ka asgjë të përhershme përveç ndryshimit. Disa friksohen nga ndryshimi dhe çdo ditë bëhen më të këqinj se një ditë më parë. Kjo vërehet aty ku qeverisja është më e zymtë, më e ashpër, më e korruptuar.
Liri fjale do të thotë që të mos i bësh keq njerëzve as për pikëpamjet që ata kanë, as për pikëpamjet që ata shprehin, ose për fjalët që ata thonë ose shkruajnë. Nëse sigurisht që fjalët që ata shkruajnë nuk bëhen ligje qesharake që kufizojnë liritë (si ligji anti-shpifje), dhe vjedhin për asnjë arsye të mirë përveç vjedhjes dhe kontrollit. Realiteti ekzistues është larg nga ndjenja e shprehur. Mbetet rregulli i shtetit policor që ndalon grumbullimet ose protestat. Kështu, kombi a shoqëria humbet besimin në vetvete, procesi i natyrshëm prishet, dhe ndryshimi bllokohet.
Ajo që thuhet është e saktë për aq sa shkon. Ajo që nuk thuhet është shpesh po aq e rëndësishme sa ajo që thuhet. Përsëri, fjalë e urtë më vjen në mendje, ‘djalli do t’ju tregojë një mijë të vërteta për t’ju bërë të besoni një gënjeshtër.’
Ndryshimi i Parë duhet të jetë se nuk mund të përdoret qeveria për t’u hakmarrë. Individët me siguri mund të përgjigjen. Të tjerët gjithashtu kanë lirinë e fjalës. Në një vend jo të gatëshëm për të ndryshuar, liria e virtytshme e shprehjes, në thelb, është një pamundësi. Përdorimi i forcës shkatërron lirinë; forca për qëllime të mira, gjithmonë do të përfundojë në duart e njerëzve që e përdorin atë për të promovuar interesin e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi/Liria e Fjales, ndryshimi

NDRYSHIMI ËSHTË SHPRESA

December 28, 2020 by dgreca

NGA AGUSTIN MIRAKAJ/

Ëndrra e shqiptarit nuk është Shqipëria por PARTIA. Partia i ka mësuar disa të shohin ëndrra me sy hapur e disa të tjerë ta mbajnë portretin e qoft largut te koka ku ëndrra e vetme që kjo farë ka, është ta shohë njeriun jo të lirë por të shtypur dhe skllav të përjetshëm.Në Shqipëri nuk ka liri. E di pse? Sepse populli është skllav i partisë, njësoj si në komunizëm. Unë mendoj se në Shqipëri nuk ka demokraci. E di pse? Sepse komunistët kurrë nuk u dënuan për krimet që bënë gjatë 45 viteve mbi gjakun shqiptarë dhe kurrë nuk u hoqën nga postet qeveritare. Sot drejtojnë, japin mënd, cicërojnë, vjedhin, grabisin dhe sot janë bërë pronarë të pronës së shqiptarëve dhe asnjë ferrë s’u hy në këmbë. Ky regjim i kalbur servilësh e tradhëtarësh duhet të mbarojë sa më shpejt. Në socializëm (njeriu trajtohet si skllav, depersonalizohet) të gjithë hanë njëri-tjetrin e skanë asgjë mbas trupit, pret çfarë ti japë partia për të ngrënë. partia është oksigjeni i skllavit.Në demokraci të gjithë punojnë dhe gëzojnë pa ia marrë kafshatën tjetrit. Njeriu bën biznes dhe nuk paguan rushfete për ta ngritur atë. Në demokraci nuk vidhen pronat e votat. Prona është e shenjtë dhe ajo i shkon të zotit nuk grabitet dhunshëm si në komunizëm. Politika e vjetër dhe ajo e sotmja po bëjnë të pamundurën për ta frymëzuar shqiptarin me një ëndërr mashtruese, ku ëndrra e shqiptarit nuk është Shqipëria e zhvilluar, ëndrra dhe shpresa e vetme që i ka ngelur është ku t’ja mbathë nga sytë këmbët në emigracion.Paqëndrueshmëria dhe korrupsioni i sistemit politik pasqyron te vërtetën trishtuese. Dështim, dështim masiv i politikës në shërbim të qytetarëve gjë e cila bën të mundur jo vetëm migrimin e popullatës por dhe shitjen e trojeve të Shqipërisë.Politika sot është kthyer në vegël mashtrimi ku secili prej tyre mendon për partinë pasuruese dhe jo për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne duhet të lëvizim fort, të shkundim ndryshkun e të ndryshojmë të ardhmen e Shqipërisë ku unë, ti dhe qytetarët të shpresojnë në atdheun e premtuar nga të parët tanë. Shqipëria është vend i bekuar ku të gjithë të jetojmë pa pasur dyshimin më të vogël në të ardhmen e ndritur. Shqipëria ka nevojë për një shtet të qëndrueshëm dhe politikanë të pathyeshëm. Politika e vjetër duhet shuar, ajo është gjarpri që helmon zemrën dhe shpirtin e shqiptarit. SHQIPËRIA BËHET! Unë kam besim!

Filed Under: Politike Tagged With: Agustin Mirakaj, ndryshimi, Shpresa

NDRYSHIMI

May 2, 2018 by dgreca

1 Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Si valë të vogla që formohen në lumë, kështu janë lëvizjet e ndryshimit; proces i vazhdueshëm, i thyer në forma të tjera nga goditjet me pengesa. Kjo jep arsyen pse ndryshimi duhet të jetë ose i vërtetë a i plotë, ose hiç fare; ndryshe nga ëndrra e keqe gjatë gjumit pas ngrënies. Ndryshimi pasqyrohet qartë vetëm kur lëvizja e valëve pushon. Në periudhën kur njeriu fle dhe trupi bie në qetësi, pamjet e ëndrrave në tru reflektohen duke shfaqur imazhet e pamjeve të ditës. Në këto ëndrra, herë herë njeriu duket i hutuar, i çuditshëm, palidhje, i ethshëm, a si i dehur. Ka ëndrra që nxisin e frymëzojnë. Ka edhe nga ato që shkaktojnë trazira e shqetësim. Këto të fundit i ngjajnë ndryshimit që shfaqet si imazh i pasqyruar në mënyrë plotësisht të shtrembëruar, duke sjellë pamje krejt ndryshe nga origjinali. Ndryshimi i vërtetë, që duhej të ishte shfaqur, ende nuk ka ardhur.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, ndryshimi

Reforma në drejtësi, Ambasadori Lu gjyqtarëve: Keni besim, ndryshimi po vjen

December 14, 2015 by dgreca

Ambasadori amerikan Donald Lu, i pranishëm në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, iu drejtua gjyqtarëve të ndershëm të Shqipërisë duke thënë se duhet të kenë besim, pasi ndryshimi po vjen.

“Të ndershmëve u them që të kenë besim pasi ndryshimi po vjen. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës. Të ndershmit e dinë se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë, duhen reforma të mëdha e të menduara”, tha Lu. Në vijim Ai shtoi se “nuk është se nuk ka politikanë të korruptuar në SHBA, por rreziqet e ekspozimit janë të mëdha”.  “Në Shqipëri ka gjyqtarë të korruptuar dhe gjyqtarë të ndershëm. I them të korruptuarve se nëse keni marrë para’ në shkëmbim të një vendimi gjykate, qoftë edhe një herë, jeni të korruptuar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, jeni të korruptuar. Nëse është ky rasti, iu rekomandoj që ta lini këtë profesion menjëherë”, theksoi Lu. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se “parimi i pavarësisë së gjyqësorit është i padiskutueshëm”: “Gjykata mbi pushtetet e tjera është standardi që dua unë të arrij. Gjyqësor i besueshëm është që t’i shërbesh komunitetit sipas nevojës”.  Më tej, Manjani deklaroi: “Nuk besoj që korrupsioni më i madh është në radhët e gjykatësve. Ky fenomen është i përhapur edhe në sektorë të tjerë, por ne kërkojmë nga gjykata të ndëshkojë korrupsionin, të vetin po e po, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye duam një pushtet gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Shpresa e vetme për një shtet të pakorruptuar është gjykata”. Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori tha për reformën në drejtësi se nuk duhet të eksperimentohen modele të reja, në kushtet e presionit të momentit.
“Duhet të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhet të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”,është shprehur Zaganjori. Ai tha se gjyqtarët do të mbështesin forcimin e shtetit ligjor duke kërkuar më shumë përfshirje të gjyqësorit në reformën në drejtësi.

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadori Lu, ndryshimi, Reforma ne Drejtesi

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT