• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMBASADORI LU: REFORMA NE DREJTESI NUK KA VDEKUR

December 12, 2017 by dgreca

sot LuAmbasadori LU: Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.*/

sot Lu 2

E nderuar Zëvendës Kryetare e Kuvendit Zonja Hysi, e nderuar Zëvendës Kryeministre Zonja Mesi, e nderuar Avokate e Popullit Zonja Ballanca, kolegë diplomatë, zonja dhe zotërinj,

Shumë vite më parë, kur bashkëshortja ime bënte kërkime akademike mbi dhunën në familje, jepte mësime joge në një strehëz në Azinë Qendrore për gratë që kishin qenë viktima të trafikimit ose të dhunës me bazë gjinore. Shpesh herë, ajo kthehej në shtëpi me histori të pabesueshme për ato që gratë dhe vajzat kishin pësuar nga duart e trafikantëve të seksit dhe bandave kriminale.

Kur sapo mbërritëm në Shqipëri, vizituam të  treja strehëzat e OJQ-ve dhe strehëzën shtetërore për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit. Atje takuam vajza të reja të guximshme, disa vetëm 14 vjeçe, që ishin trafikuar dhe kthyer në Shqipëri. Pjesa më e madhe ishin refuzuar nga familjet e tyre dhe kishin përfunduar në këto strehëza.

Atje dëgjuam historinë e një viktime të dhunës në familje, të cilës një gjykatës i korruptuar ia kishte hequr fëmijët. Bashkëshorti i saj abuziv kishte qenë i dënuar për krime seksuale. Kur ajo më në fund pati guximin ta divorconte, në vend që të gjente drejtësi, gjykatat ia morën fëmijët e saj. Kujdestaria për dy nga tre fëmijët e tyre iu dha burrit i cili e rrihte, sepse ai kishte korruptuar gjykatësin. Kjo e shkatërroi atë.

Të gjithë ne luftojmë për arsye vetjake. Unë luftoj për reformën në drejtësi për këtë grua, për fëmijët e saj dhe për të gjitha familjet e tjera që kanë vuajtur nga një sistem gjyqësor i korruptuar. Luftoj për reformën në drejtësi edhe sepse është një përparësi e lartë e Presidentit Amerikan dhe e Sekretarit të Shtetit.

Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e Vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi.

Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.

Sistemi i vjetër i drejtësisë mbronte njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik.  Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.  Ky vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë.

I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm  të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati pesëvjeçar më 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur  Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.

Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi gjyqësor të korruptuar, shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi.

Më lejoni ta mbyll duke lavdëruar Erinda Ballancën.  Ajo më ka bërë përshtypje si një  njeri me bindje dhe vlera të thella vetjake.  Ajo do luftojë fort për të drejtat e grave, fëmijëve, pakicave, komunitetit LGBTI dhe të personave me aftësi të kufizuar.  Ne qëndrojmë përkrah Avokates së Popullit në mbrojtje të të drejtave të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

* Fjala e Ambasadorit Lu në Konferencën vjetore të Avokatit të popullit

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu, NUK KA VDEKUR, Reforma ne Drejtesi

Nuland-Bashës: Suksesi për reformën në drejtësi, nga lidershipi dhe patriotizmi

July 22, 2016 by dgreca

DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë/

TIRANE, 22 Korrik/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland e cila shprehu përgëzimet e saj për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij iu drejtua Nuland, Bashës.

Ndihmessekretarja amerikane me tej theksoi se ky sukses nuk do të kishte qene i mundur pa lidershipin e treguar nga z.Basha, thuhet në njoftimin për shtyp nga selia blu.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën vendimtare të zonjës Nuland per arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen dhe mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi e deri në finalizimin e tij.

Basha shprehu vlerësimin e jashtëzakonshem dhe mirënjohjen për Ambasadorin Donald Lu i cili ka luajtur një rol kyç ne këtë proces te gjate, të mundimshëm dhe të vështireë

Basha theksoi se ky proces historik u mbyll me sukses, dhe duke garantuar standardet me te larta pikërisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që edhe një herë iu gjenden në krah Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në ngjarjet e tjera madhore që nga shtetformimi, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës.

Sfida e ardhshme e zgjedhjeve te lira dhe te ndershme do te kërkojë po kështu nje angazhim dhe mbështetje te madhe te SHBA theksoi kryetari i opozitës.

Zonja Nuland e garantoi zotin Basha per mbeshtetjen e SHBA per zgjedhje te lira dhe te ndershme.

DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare

DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas miratimit të reformës në drejtësi nga Kuvendi.  DASH e konsideron kalimin e reformës një hap historik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

“Kalimi i reformës është një hap historik për Shqipërinë dhe ky sukses u përket shqiptarëve.  SHBA-të janë të angazhuara të ndihmojnë në zbatimin e reformës në drejtësi. Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, – ka deklaruar Shefja e Zyrës për Mediat në Departamentin e Shtetit, Elizabeth Trudeau në komunikimin me mediat.

Ajo tha se ky është gjithashtu një sukses i popullit dhe shoqërisë civile, që nuk u tërhoqën kurrë nga kërkesat e tyre për ndryshim.

Filed Under: Komente Tagged With: Basha, Nuland, patriotizmi, Reforma ne Drejtesi

Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota!…Të gjithë brohorasin: Urraaaaaaaaa…

July 21, 2016 by dgreca

Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota!/

Me vota unanime është miratuar Reforma në Drejtësi. Një ditë historike për Shqipërinë dhe për drejtësinë, një ditë që erdhi pas negociatave të shumta mes mazhorancës dhe opozitës. Mes kërcënimeve të ndërkombëtarëve për ndëshkim të deputetëve që nuk e votojnë dhe me takime të shumta e ndërhyrje nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi, Roma e kryeqytete të tjera.Fillimisht deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë miratuar me 139 vota pro në parim draftin për Reformën në Drejtësi.Në tërësi të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë miratuar me 140 vota Reformën në Drejtësi.Javën që vjen do të diskutohen dhe miratohen edhe 7 ligje të tjera që do të bëjnë të mundur vënien në funksion të Reformës në Drejtësi.

Fleckenstein: Shqipërisë ti hapen negociatat drejt BE-së

Në këtë moment kaq të rëndësishëm për kombin Shqiptar, ku me vota unanime, politika ka votuar pro Reformës në Drejtësi. Është finalizuar me një konsensus të plotë duke marrë 140 vota në votimin e orëve të para të mëngjesit të 22 korrikut.Mes urime të shumta, dalluese por dhe shpresëdhënëse kaq qenë e Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, i cili është një ndër miqtë që dëshiron më të mirën për Shqipërinë. Në një status emocional, Eurodeputeti ka shprehur lumturinë e tij që parlamenti votoji Reformën. Si një raportues i Shqipërisë në lidhje me procesin e anëtarësimin e vendit pranë strukturave të Bashkimit Europian.

z.Knut në intervista dhënë dhe për “Koha Jonë”, shfaqte pesimizëm për kushtet jot ë përshtatshme të vendit për të marrë të drejtën e hapjeve të negociatave por me bendin e Reformës, ai ka ndryshuar mendim. Madje ju ka kërkuar kolegëve të tij në Parlamentin Evropian që ti kërkojnë Këshillit Europian, që të vendosë për hap negociatat për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur. Një hap i mëtejshëm i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

 Letra e Plotë e Eurodeputetit Knut Fleckenstein

Të nderuar miq

Çfarë ditë e mirë për Shqipërinë! Reforma në drejtësi është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Faleminderit të gjithë atyre që kanë punuar me ligjet dhe ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për një reformë të mirë. Faleminderit Kryeministrit, të Kryetarit të Parlamentit dhe të Liderit të Opozitës. Faleminderit ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së dhe të ekspertëve të tyre. Faleminderit kryetares së Këshillit Kombëtar për Integrim Europian. Dhe në sajë të kolegjit tim Eduard Kukan, me të cilin kam marrë pjesë në këtë proces.

Ishte një lindje shumë e vështirë por në fund një konsensus është gjetur. Jam i lumtur! Ne të gjithë e dimë, se puna ende nuk është bërë, në të kundërt, puna duhet të fillojë tani. Zbatimi nuk do të jetë i lehtë por me ndihmën e ndërkombëtare dhe me një zgjim të shoqërisë civile në Shqipëri, ndryshimi është i mundur.

Tani kolegëve të e mi në Parlamentin Evropian dhe do ti kërkoj Këshillit Europian të vendosë për hapjen e negociatave për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur. Një hap i mëtejshëm i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.Kush janë fitues, kush janë humbësit pas gjithë debateve dhe diskutimeve dhe luftë?

Unë nuk mund të shoh ndonjë lirshëm dhe unë nuk i pëlqej diskutime të tilla idiote. Por unë jam i sigurt, nëse ne të gjithë punojmë shumë, në qoftë se ne të gjithë i kushtojmë vëmendje, nëse ne jemi të durueshëm, por të drejtë, atëherë të dy miq të rinj kam bërë pak gjatë vizitave të mia të fundit dhe brezin e tyre, ata do të jetë fituesi i vërtetë i sot.

Gëzuar për Shqipërinë dhe natën e mirë.

 

Deklaratë nga Ambasadori i SHBA Donald Lu:

Miratimi i reformës në drejtësi, mbi të gjitha, është një fitore për popullin shqiptar. Përkushtimi juaj e ka bërë Shqipërinë një vend më të drejtë dhe më demokratik. Përgëzoj parlamentin për gjetjen e konsensusit nën trysni jashtëzakonisht të madhe.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete të reforme fortë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë jetëgjatë, e cila tani është shumë më e fortë.

OSBE uron Shqipërinë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mirëpretur miratimin nga Kuvendi të paketës së ndryshimeve kushtetuese, që synon reformimin e sektorit të drejtësisë. “Ne e përgëzojmë Kuvendin për këtë arritje thelbësore, e cila u mbështet qartë nga shumë ekspertë dhe diplomatë ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e bërë në mesnatë.

“Kjo është një arritje e rëndësishme, që i hap rrugë zbatimit të reformës së njëmendtë në drejtësi. Ndryshimet e miratuara sot tani duhet të pasohen nga ligje dhe akte nënligjore, procedura dhe politika, për të tërë sistemin gjyqësor. Reforma do të jetë e vërtetë vetëm kur të ndihet nga qytetarët shqiptarë, në jetën e tyre të përditshme, anembanë vendit.

Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë”, thuhet në një deklaratë të OSBE-së.

Rama: Reforma do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i drejtësisë

 Kryeministri Edi Rama deklaroi në orët e para të së premtes në parlament se vota e sotme për reformën në drejtësi do të çelë siparin e një revolucioni të shumë pritur në drejtësi.
Reforma do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i drejtësisë”, deklaroi ai.Rama falenderoi edhe përfaqësuesit e huaj të cilët mbështetën arritjen e një marrëveshjeje mes palëve për reformën në drejtësi.

“Këta miq të paçmuar i dhanë shprehje një angazhimi të jashtëzakonshëm, si kurrë ndonjëherë në Shqipërinë e këtyre 25 viteve, për ti çelur popullit shpiptar rrugën që të fillojë dhe të marrë mbrapsht hakun e ngrënë pasbesisht prej 25 vitesh, drejtësinë. Jam i bindur se shqiptarët që sonte ndjekin fundin e kësaj odiseje të gjatë se deri para pak orësh nuk e besonin dot se reforma në drejtësi do të bëhej e thellë, e vërtetë e çertifikuar ndërkombëtarisht dhe e miratuar në fund me konsensus do tu jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë të mëdhenj, SHBA e BE dhe do ti mbajnë mend me figurë e me emër miqtë e shtrenjtë”, deklaroi Rama.

Vota e sotme, do të çelë siparin e një revolucioni shumë të pritur në drejtësi, tha ai, dhe në rrugën e këtij revolucioni Shqipëria, njerëzit e zakonshëm apo ata që kanë hyrë në arenën e e politikës për të shërbyer jo për të rrëmbyer do të jenë krah për karah me SHBA e BE.

“Aleatët tanë strategjik do të jenë taanimë me një rol kushtetues, pjesë aktive e procesit në çdo hap dhe njerëzit duhet ta dijnë dhe duhet të përgatiten se ky proces nuk do të ketë as një hap më të lehtë se ky që hodhëm sot”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Kjo, vijoi ai, është arritja më e shëndetshme, më e ndershme. Ai siguroi gjithë shqiptarët se Gjykatësit e Prokurorët ë korruptuar do ti fshijë nga sistemi i drejtësisë fshesa e hekurt e vetingut, ku trupat e zbatimit të refomës do të paraseleksionohen e do të mbështeten edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit me një luftë të egër me killerat parelinj të drejtësisë së korruptuar shqiptare e me politikën e mbrapshtë e cila nuk do të heqë dorë as një ditë apo natë në përpjekjen e marrër për ta ndalur historinë e re që sapo ka filluar.

 Lulzim Basha: Lamtumirë pushtetit të inkriminuar!

Miratimi i reformës me konsensus, ogur i mirë për Shqipërinë!

Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë përshëndetjen e fundit pas miratimit me konsensus të plotë të reformës në drejtësi. Basha ka deklaruar se konsensusi është një ogur i mirë për Shqipërinë.

“Orë të gajta, javë të gjata. Reaforma në drejtësi sot u miratua me konsensusin e plotë. Konsensusi, ogur i mirë për Shqipërinë. Reforma në drejtësi tashmë është realitet. Nesër beteja jonë kundër krimit dhe korrupsionit do të materializohet. Do të marrë fund pushteti i inkriminuar. Urime shqiptarëve, ëshët fitorja e tyre. Jam krenar që isha pjesë e kësaj beteje”, ka deklaruar Basha.

Bylykbashi: Hap i madh, me këtë reformë do iu japim shqiptarëve një drejtësi pa korrupsion!

Duke e cilësuar ditën e sotme shumë të rëndësishme, Bylykbashi theksoi se më në fund shqiptarët do të kenë një drejtësi që do iu shërbejë atyre, një drejtësi që nuk blihet, pa korrupsion.

“Sot është vërtet ditë e rëndësishme. Jemi në fund të një procesi, që zgjati dhe dikujt mund t’i jetë dukur dhe si kalvar, por jemi në fund të një procesi që ndoshta nuk ndryshon vetëm Kushtetutën, por na çon drejt një Shqipërie më të mirë. Me këto ndryshime do t’i japim shqiptarëve një drejtësi, që iu shërben atyre, një drejtësi që nuk blihet, pa korrupsion. Kjo reformë në themel duhet të ketë konsensusin. Është një hap i madh ky që bëjmë sot”, ka theksuar Bylykbashi.

Mediu: U arrit konsensusi i qytetarëve pa dallime politike

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu e ka quajtur konsensusin e arritur nga palët politike për draftin e Reformës në Drejtësi, si konsensusin e qytetarëve.

“Ky është konsensusi i qytetarëve pa dallime politike, rruga e vetme për integrimin në BE. Kemi bërë shumë ligje, por problemi më i madh mbetet implementimi i tyre. Mbas miratimit duhet të shikojmë me vëmendje të miratojmë ligje sa më të thjeshta dhe që implementohen,” tha Mediu.

Më tej gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i PR tha se reforma duhet t’i shërbejë shtetit të së drejtës dhe qytetarëve shqiptarë.

“U përfshimë në këtë proces sepse kemi bindjen se është proces i rëndësishëm. Opozita ka patur durimin dhe kthjelltësinë për të përcjellë shqetësimet e saj, në mënyrë që drejtësia të mos ishte kapur politikisht, por që t’i shërbej të drejtës,” tha ai.

 

 

 

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: me 140 vota!, miratohet, Reforma ne Drejtesi

Reforma në Drejtësi – farsa e radhës e politikës shqiptare

July 19, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

E ashtuquajtura “Reformë në Drejtësi” prej kushedi sa kohësh ka qënë dhe mbetet tema e ditës në Shqipëri. Vlerësimet për të janë ndër më ekstremet: nga një “revolucion” apo “çlirim i dytë” i Shqipërisë, që do të ndryshojë si me magji rrjedhën e zhvillimeve tona të mëtejshme, e deri në mohimin e saj të plotë, apo, thënë me fjalë të tjera: si të miratohet, si të mos miratohet, asgjë nuk ka për të ndryshuar në atë vend pra, edhe po u miratua, nuk do të ketë drejtësi!

Unë jam më tepër me  këtë të dytën. Për mua, gjithë sa është thënë e është bërë deri tani për këtë reformë, nuk është asgjë më shumë se një nga farsat e shumta që kanë shoqëruar çerekshekullin e fundit pluralist tek ne. Këtë nuk e them vetëm unë, por kam bindjen se e mendon gjithsekush që ka një minimum kulture politiko-sociale e që ka ndjekur zhvillimet pas-diktatoriale tek ne, pavarësisht se, për arsye nga më të ndryshmet, jo vetëm që nuk e thotë këtë, por iu mban edhe iso të tjerëvet.

E filluam me “çekun e bardhë”, që do të na sillte parajsën e munguar sa të hapësh e të mbyllësh sytë dhe ja ku arritëm tek kjo e ashtuquajtur “reformë”, që si me një shkop magjik, do t’i japë fund njëherë e mirë çdo shfaqjeje korrupsioni, vjedhjeje e padrejtësie…Ndonjeri që nuk na njeh e që dëgjon një retorikë të tillë, do të hapte sytë e do të mblidhte buzët i habitur: “More, po ku paskeni qënë ju deri tani?! Si nuk e keni kuptuar e realizuar me kohë këtë, por keni lejuar një situatë të tillë që po ju merr frymën, nga korrupsioni e vjedhjet masive, duke filluar nga ata lart, që kapardisen në kolltuqe qeveritare e lëvizin me makina të blinduara e deri tek hallexhinjtë e gjorë që mezi shtyjnë ditët me ndonjë lëmoshë që iu jep shteti?!”

Po atëhere, pse gjithë kjo zhurmë, tërë këto përpjekje për të miratuar një reformë që s’ka për të vendosur drejtësi, gjë që e dinë edhe më mirë se unë ata që po lëvizin çdo gur, gjoja për ta miratuar atë se, në të vërtetë, janë pikërisht ata që po e pengojnë miratimin e saj. Të krijohet përshtypja sikur tek ne gjithë fajin për këtë gjendje korruptive na e paska vetëm sistemi i drejtësiësë se të qe për ata, si “burra të ndershëm” që janë, situata do të qe krejt tjetër A ka ndonjë budalla që mund ta hajë këtë? Që Sistemi i Drejtësië ka përegjegjësinë kryesore, kjo është e vërtetë, por jo e tëra. Po kaq përgjegjësi kanë dhe vetë të korruptuarit.

Unë nuk habitem fare me gjithë sa dëgjoj nga politikanët tanë të të gjitha krahëve e niveleve, se ashtu ua do puna. Me të tilla demagogjira bajate e retorika boshe e kanë shtyrë dhe do ta shtyjnë deri në zgjedhjet e ardhëshme, por pyes veten: “Po ata dy ambasadorët, që përfaqësojnë potenciale madhore, a thua se vërtet nuk e kanë kuptuar se me ç’politikanë kanë të bëjnë? Mos vallë ata janë kaq naivë sa të presin që vetë shkelësit e ligjit të firmosin vendimin për prangosjen e tyre?”  Kjo do të qe njëlloj si dikush të priste degën e një peme ku është ulur vetë apo sikur hajdutëve t’iu kërkohet që të firmosin një vendim për të shkuar të nesërmen në burg. Kjo është qesharake edhe ta mendosh

E pra, mos vallë dy ambasadorët e sipërpëmendur nuk e kuptojnë kaqë gjë?! Unë nuk do ta besoja këtë se përndryshe do t’i fyeja, por po e përligj qëndrimin e veprimet e tyre me slloganin që sapo përmenda më lart se edhe atyre, “ashtu ua do puna”. Dhe sa herë i shoh që, si një çift i lumtur, bredhin dorë për dore, nga njera seli partie tek tjetra, sinqerisht që ndjej dhe keqardhje për ta. Dhe a e dini pse? Jo se dyshoj në qëllimet e tyre të mira por, nga gjithë sa kam parë e dëgjuar me sytë e veshët e mij, më ngjan se po punojnë në boshllëk. Po e ilustroj me një shëmbull fare të thjeshtë.

Kohë më parë, vendin tonë e vizitoi prokurori kroat që paskej çuar pas hekurave ish-kryeministrin e vendit të vet. Bukur, meriton vërtet respekt. Pyetjes “se si e kishin zbuluar korrupsionin e tij”, iu përgjegj se qenë nisur nga disa tregues të jashtëm, ndër të tjera edhe nga orët e dorës që mbante.(!). “Ua, çudi, sa interesant…Ku iu ka vajtur mendja…”.- thoshin ata që e dëgjonin. Unë i dëgjoja këto reagime e s’doja t’iu besoja vëshëve. “Po pse kjo u ka munguar organeve tona të Drejtësisë që nuk kanë bërë të njëjtën gjë si prokurori kroat dhe jo vetëm ai!?”. Neise, kaloi edhe kjo si gjithë çudirat tona. Kur, një ditë prej ditësh, dëgjoj dhe ambasadorin e ri amerikan që iu thoshte gjyqtarëve, në një konferencë me ta: ”Edhe tej ju, kush ka orë të shtrenjta mund ta gjejë veten pas hekurave në të ardhmen…”. Pra, dhe ky i gjori, (po e quaj kështu për nga perceptimi i gabuar që kishte), pra dhe ky fliste për orë të shtrenjta e më the të thashë, kur politikanët e qeveritarët tanë, të të gjitha rangjeve e niveleve, kanë jo vetëm orë të shtrenjta, që edhe mund të mos bien shumë në sy, por vila gjigante që mund t’i kishte zili edhe ndonjë miliarder i huaj. Ata shkojnë me pushime në vendet më të shtrenjta të botës, kapardisen në makina super luksoze …e kështu me radhë. Po ku i gjetën paratë ata për gjithë këto? Mos vallë duhet të jesh shumë i zgjuar që të arrish në një përfundim të tillë se gjithë klasa jonë politike, me ndonjë përjashtim të rrallë, është deri në fyt e korruptuar? Këtë e dinë dhe e thonë të gjithë, pa asnjë përjashtim.

Pse të mos jemi qoftë edhe një herë të sinqertë me veten?! A nuk mendojnë të gjithë tek ne se ata lart janë njerëzit më të korruptuar dhe se pa filluar krasitja e tyre, është e kotë çdo reformë e çdo inicativë tjetër?! Të gjithë e pranojnë tashmë se korrupsioni tek ne ka depërtuar tek të gjithë kapilarët e trupit që mban emrin Shqipëri, duke filluar nga maja e kupolës e duke përfunduar tek punonjësi më i thejshtë i një institucioni, siç mund të jetë, fjala vjen, roja i një spitali që s’të lë të hysh pa i dhënë diçka nën dorë. Dhe si mendoni ju, se tërë këtë “kancer” social mund ta “shërojë” reforma? A thua se ka njerëz kaq naivë tek ne? Deri tani ne jemi marrë vetëm me ato raste që kanë bërë bujë, kur fajtorët janë kapur me presh në duar. Por, për të gjithë është fare e qartë se tërë kjo është vetëm maja e ajzbergut e tërë atij korrupsioni masiv që vetë ligjvënësit e qeveritarët bëjnë ç’është e mundur për të mos u zbuluar. Ndaj them se të presësh që këta të jenë të interesuar për një reformë që mund t’ju vërë prangat dhe se do t’i japë fund pandëshkueshmërisë, do qe më tepër se utopi

Nën klimën aktuale politike, ku të gjitha parimet demokratike institucionale janë shkelur tërësisht me këmbë, dhe vetë institucionet nuk bashkëpunojnë por janë në armiqësi me njëra tjetrën, të presësh rezultate pozitive nga marrëveshjet e tyre do qe sa e gabuar aq edhe e rrezikëshme.

Unë e quajta farsë, por kjo që ka ndodhur e po ndodh tek ne do ndonjë emër tjetër më kuptimplotë e më tronditës.

Po kaq qesharakë bëhen edhe ata që propozojnë referendum për reformën. Jo më njerëzit e thjeshtë, puntorë e fshatarë, që nuk e kanë fare idenë e reformës por, siç e kanë pohuar vetë shumë intelektualë e specialistë, qoftë edhe të Drejtësisë, nuk janë shumë të kthjellët se ç’përmban ajo e si do të zbatohet. Referendumi ka kuptim kur është fjala për një çështje që e kanë të qartë të gjithë, si për shembull: presidenti të zgjidhet direkt nga populli apo nga Kuvendi? apo: Jeni për lista zgjedhjesh të mbyllura, të hartuar nga kryetarët e partive apo për lista të hapura e për sistem maxhoritar, e të tjera  pyetje si këto.

Vetëm naivët dhe ata që  nuk e njohin sadopak realitetin shqiptar mund të besojnë se reforma në fjalë do të vendosë drejtësinë tek ne. Sikur na e ka fajin mungesa e ligjeve që kemi arritur në këtë gjendje?!. Për hir të së vërtetës duhet thënë se dhe krimet e Diktaturës së Hoxhës nuk mund të konceptohen vetëm si pasojë e ligjeve të mbrapshta të asaj kohe se sa nga fakti që ato nuk zbatoheshin apo nuk përfilleshin fare por viktimat dënoheshin sipas urdhërave të diktatorit dhe të atyre që i shkonin pas. Dhe sot, të gjithë e dimë se ajo që ne na ka penguar për të na shkuar punët mbarë, për të patur pra edhe sadopak drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit nuk është mos pasja e ligjeve dhe reformave, por mungesa e respektit për to. Ndaj dhe tani, qofsha i gabuar, por unë as që pres që kjo reformë, do të zgjidhë ndonjë gjë, edhe pse për miratimin e saj janë angazhuar edhe ndërkombëtarët, për të mos thënë se protagonizmii tyre, siç po e shohim përditë në media, është turpi ynë më i madh. A do të dalim dot ndonjëherë nga ky lloj infantilizmi, që për çdo gjë duhet të pyesim të huajt?

Për këdo është e qartë se që të vendoset rendi e drejtësia tek ne, duhet të reformohet së pari vetë politika shqiptare. Janë ata peshkaqenët e mëdhenj që e pengojnë reformën e vendosjen e shtetit ligjor tek ne. Pra, përgjegjësinë kryesore për këtë të ashtuquajtur reformë që po na shurdhon veshët, e ka politika jonë e mbrapshtë, qoftë edhe e këtij çerekshekullit të fundit. Edhe kjo, tashmë, mund të quhet me plot gojën, një klasë e dështuar politike.

Me gjithë sa u shpreha më sipër, kurrsesi nuk dua të them se ne do të vazhdojmë të zhgërryhemi përgjithmonë në këto këneta. Ndryshime do të ketë por jo me anë të reformës në fjalë por pëmes një procesi të gjatë kulturimi e emancipimi të gjithë shoqërisë, përfshi dhe politikanët e gjyqtarët, gjë që do të kërkojë kohë të gjatë dhe haraç të madh.

 

NY, 18 korrik 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, farse, Reforma ne Drejtesi

REFORMA NE DREJTESI, TAKIM TRESH: RAMA, BASHA, META

July 18, 2016 by dgreca

Bisedimet trepalëshe, Basha: “është rënë dakort për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Rama: Konsensus janë dhe dy të tretat e votave në parlament/

Në Shqipëri palët politike duket se po bëjnë një përpjekje të fundit në kërkim të një marrëveshjeje për Reformën në Drejtësi. Në përfundim të takimit të sotëm mes kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, i cili zgjati pak më shumë se 100 minuta, palët kanë vendosur të rinisin bisedimet. Zoti Basha njoftoi se është rënë dakort që “secili të angazhojë nga një përfaqësues për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Sipas kryetarit të opozitës Basha kjo është “një mundësi për të përmbyllur me sukses reformën”.

Pak më vonë, duke folur për Reformën në Drejtësi, kryeministri Edi Rama nuk shfaqi ndonjë shenjë optimizmi mbi takimin e sotëm. “Edhe një herë sot kam bërë të qartë që ne pranojmë çdo propozim dhe cdo zgjidhje që ofron PD, me kusht që zgjidhja në fjalë të konsiderohet zgjidhje dhe jo zgjedhë mbi sistemin e drejtësisë, nga partnerët tanë”, deklaroi zoti Rama. Ai shtoi se “ne nuk mund t’i lejojmë vetes për asnjë arsye, për asnjë interes të natyrshëm legjitim, politik, partiak apo numerik që të pranojmë në heshtje pengmarrjen e vendit tonë dhe që në heshtje të shohim se si Shqipëria në vend që të çelë dyert e BE jo vetëm ta humb këtë mundësi por të damkoset si vendi që nuk pati kurajon për shkak të përfaqësuesve në parlament të kalojë Reformën në Drejtësi dhe refuzoi përfshirjen e partnerëve tanë në procesin e pastrimit të sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”.

Pavarësisht se uroi që më 21 korrik Reforma të kalojë me konsensus, zoti Rama nuk duket se ka shumë shpresë për këtë, por se Reforma do të mund të votohet “me konsensus apo pa konsensus. Kushtetuta ka një konsensus, me dy të tretat”, theksoi ai si një përgjigje që tingëllon t’i drejtohet edhe aleatit të vet LSI-së, drejtuesi i së cilës, Ilir Meta deklaroi një ditë më parë se “miratimi i Reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor”.

Në pamje të parë duket se opozita ka bërë një hap të lehtë pas, duke pranuar që bisedimet të mbështeten te propozimi i bërë nga Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, më 10 korrik në Tiranë, ndonëse zoti Basha përsëriti se “ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid tërësisht brenda paramatrave të Komisionit të Venecias është dëshmia e përkushtimit dhe sinqeritetit të PD”. Praktikisht zoti Basha nënvizon se sipas tij propozimi hibrid nuk është në përputhje me rekomandimet e Venecias, ndërkohë që si ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, por edhe vetë zonja Nuland, mbështesin të kundërtën.

Gjatë paradites, në përgjigje të ftesës së djeshme të zotit Meta për takimin e sotëm, zoti Basha kishte deklaruar se “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjesisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik”, saktësonte zoti Basha, në deklaratën e cila niste me përkrahjen e idesë tjetër të zotit Meta për një qeveri teknike pas miratimit të Reformës në Drejtësi.

Por kjo përgjigje e tij nuk është mirëpritur nga ambasadori amerikan Lu dhe kreu i Delegacionit të BE-së Vlahutin të cilët dje kishin deklaruar se ishin të gatshëm të përfshiheshin në bisedimet të cilat duhet të kishin si bazë propozimin hibrid të zonjës Nuland. Në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët Lu dhe Vlahutin shpjeguan se kishin informuar kryetarin e Parlamentit Meta se “pas deklaratës së zotit Basha, nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Zoti Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik”, nënvizohej në deklaratë, duke shtuar se “nëse zoti Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”.(VOA)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Meta, Reforma ne Drejtesi, TAKIM TRESH: RAMA

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT