• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËTA E KANË KAPUR PATRIOTIZMIN DHE DEMOKRACINË PËR BISHTI…

February 6, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

1 Frank rama Thaci

Në foto, Presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye parlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Edi Rama dhe dy zv.ministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli  — Kujtojmë se kjo foto është marrë pas përplasjeve të ashpra javën që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë dhe  pas përplasjeve mes udhëheqësve të koalicionit qeverisës në Kosovë për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, dhe për përplasjet Thaçi-Haradinaj për tezën e ndryshimit të kufijve me Serbinë.  Përplasje, përplasje gjithë andej, por të qeshur rreth sofrës!/

…Dhe jo vetëm patriotizmin që e kanë kapur për bishti, por edhe diplomacinë — e demokracinë, po se po.  E kam fjalën për klasën e sotëme politike udhëheqëse shqiptare.  Ka disa vite që shpesh i kam kushtuar dyzina shkrimesh modeste, zhvillimit të demokracisë ose më mirë të themi, mungesës së zhvillimit të mirëfilltë të demokracisë në trojet shqiptare.  Aq sa që një pjesë e tyre janë përmbledhur në tre vëllime me titull, “Demokracia Nuk Pret”, duke thënë terthorazi, por edhe drejtë për së drejti, se “Demokracia” me germë të madhe, nuk po ze fillë në trojet tona ashtu siç duhet dhe siç ishte kërkuar nga masat e gjëra të popullit pas shembjes së komunizmit, si dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë.  Përfundimi është se në kohë lirie dhe paqeje, shqiptarët anë e mbanë trojeve po “votojnë me këmbë”, duke u larguar masivisht nga vendlindja.  Mungesa e demokracisë së vërtetë – ashtu si edhe në të kaluarën —  Freedom House, vendos Shqipërinë dhe Kosovën, në rreshtin e vendeve, “pjesërisht të lira”, sipas raportit të organizatës së njohur ndërkombëtare me qëndër në Washington.  Madje ky raport i botuar të martën, që i karakterizon dy shtetet shqiptare si, “pjesërisht të lira”, nuk përbën më as një lajm të rëndomt, sepse Shqipëria dhe Kosova, në atë kategori pjesërisht të lira, kanë filluar dhe aty mbeten edhe pas pothuaj 30-vjetësh post-komunizëm, është pra një lajm i vjetër që nuk nxitë më ndonjë kureshtje as interesim.Në vend numro!

I kanë kapur punët për bishti!  Gjithçka bëhet gjysëmakëshe.  Si demokracia, ashtu edhe diplomacia. Por më e rënda është kur edhe patriotizmi “kapet për bishti”, kur mundohen që darkat ku pihet vëra e kuqe dhe ku hahet mishi i dashit, të na i paraqesin si akte kombëtare dhe shfaqje patriotizmi.  Bazuar në përvojën e 30-viteve të kaluara, është e qartë për të gjithë tanimë, se klasa politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë, të bëjnë të dyshosh nëse ata me të vërtetë dëshirojnë që Kombi shqiptar të krijojë, më në fund, një shoqëri demokratike të bazuar në një patriotizëm të vërtetë, në një demokraci të mirëfilltë dhe cilësore të standardeve të botës së qytetëruar dhe të ndërtuar mbi baza të një shoqërie të drejtë dhe ligjore — me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për secilin shqiptar, pa dallim.  Nëse me të vërtetë kanë për qëllim realizimin e një jete në harmoni dhe mirëqenje për të gjithë shqiptarët pa dallim, për aq sa mund të jetë e mundur në këtë jetë, lot vuajtje e mundime.

Si është e mundur që në fillim të shekullit 21 – që duhej të ishte shekulli i shqiptarëve – sot pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe mbi 10-vjet pavarësi e Kosovës — megjithëse në liri, por “pjesërisht të lira”, sipas Freedom House — Kombi shqiptar vazhdon të përballet edhe gjithnjë ndoshta me periudhën më të rrezikshme të historisë së vet, të pakën të 100-viteve të kaluar?

Fatkeqsisht, ndihet dhe shihet një “disconnect” siç thuhet në anglisht, midis shqiptarëve ose më mirë të themi midis kësaj klase politike partiake dhe shqiptarëve – një mungesë pra lidhjesh shpirtërore dhe atdhedashurie me njëri tjetrin.  Kjo klasë politike e ka provuar tanimë se është absolutisht e pa përgatitur për t’u marrë me këtë gjëndje politike, diplomatike dhe ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot – e të cilën e kanë krijuar vetë ata.  Shqiptarët sikur kanë ra ngusht me këtë situatë – jo të imponuar nga të huajt — por të vet-shkaktuar nga udhëheqsit e tyre politikë, megjithse janë vet të zotët e rrjedhave historike të tre dekadave të kaluara.   Me fjalë tjera, i kanë kapur punët për bishti — për të mos thënë krejt për së mbrapshti — ç’prej fillimit.

Është krijuar një mjedis ku mungesa e patriotizmit të vërtetë, e një atdhedashurie pa interesa personale dhe partiake — në kurriz të interesave kombëtare — është ajo që i shumëfishon problemet aktuale.  Në botën politike shqiptare, ekziston një mungesë cilësishë morale dhe një boshllëk i dukshëm i një kulture të mirëfilltë politike, që kohët e fundit, ka arritur kulmin në mosmarrveshjet midis partive dhe në diskursin politik në përgjithësi të klasës politike shqiptare, në të dy anët e kufirit.  Në vend të një atdhedashurie dhe patriotizmi të vërtetë, na serviret një nacionalizëm përçmues, që po na shitet me anë të fotografive darkash dhe të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, që në të vërtetë nuk zgjidhin asgjë hiç.

Por, a është kjo atdhedashuri dhe patriotizëm i vërtetë, në një atmosferë politike si kjo e sotmja, nepër të cilën po kalon sot bota shqiptare, a po diçka tjetër?  Dikur patriotët, burgoseshin dhe vriteshin për kauzat e Kombit.  Fatkeqësisht, politikanët e sotëm shqiptarë e tregojnë patriotizmin e tyre me kapadaillek dhe jo me vepra heroike prej patriotësh.  Sot, fatkeqësisht edhe veprat kriminale të gangsterave konsiderohen dhe mbrohen nga politika, si vepra heroike.

Mbaj mend fjalët e një burri të vjetër i cili më pat thënë me një rast se atdhedashuria dhe patriotizmi nuk shfaqen duke thënë se “E dua Shqipërinë”, që nënkupton ndoshta Shqipërinë si një term gjeografik, por të jesh patriot i vërtetë sipas tij, nënkupton dashurinë jo vetëm për hapësirën gjeografike, por edhe për bashkatdhetarët e tu, vendasit e një gjuhe dhe të një gjaku, me të cilët ndanë përditë të mirat dhe të këqiat e përbashkëta. Nuk është patriotizëm as atdhedashuri kur përdor shpifje dhe gënjeshtra, me qëllim për të ulur nderin dhe vlerat e shqiptarit, edhe kundërshtar politikë qoftë. Kjo është diçka e papranueshme, madje edhe në botën e anarkisë aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Frank shkreli, patriotizmi, per bishti

Nuland-Bashës: Suksesi për reformën në drejtësi, nga lidershipi dhe patriotizmi

July 22, 2016 by dgreca

DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë/

TIRANE, 22 Korrik/ATSH/- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland e cila shprehu përgëzimet e saj për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij iu drejtua Nuland, Bashës.

Ndihmessekretarja amerikane me tej theksoi se ky sukses nuk do të kishte qene i mundur pa lidershipin e treguar nga z.Basha, thuhet në njoftimin për shtyp nga selia blu.

Kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën vendimtare të zonjës Nuland per arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen dhe mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi e deri në finalizimin e tij.

Basha shprehu vlerësimin e jashtëzakonshem dhe mirënjohjen për Ambasadorin Donald Lu i cili ka luajtur një rol kyç ne këtë proces te gjate, të mundimshëm dhe të vështireë

Basha theksoi se ky proces historik u mbyll me sukses, dhe duke garantuar standardet me te larta pikërisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që edhe një herë iu gjenden në krah Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në ngjarjet e tjera madhore që nga shtetformimi, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës.

Sfida e ardhshme e zgjedhjeve te lira dhe te ndershme do te kërkojë po kështu nje angazhim dhe mbështetje te madhe te SHBA theksoi kryetari i opozitës.

Zonja Nuland e garantoi zotin Basha per mbeshtetjen e SHBA per zgjedhje te lira dhe te ndershme.

DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare

DASH përshëndet miratimin e reformës: Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas miratimit të reformës në drejtësi nga Kuvendi.  DASH e konsideron kalimin e reformës një hap historik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

“Kalimi i reformës është një hap historik për Shqipërinë dhe ky sukses u përket shqiptarëve.  SHBA-të janë të angazhuara të ndihmojnë në zbatimin e reformës në drejtësi. Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, – ka deklaruar Shefja e Zyrës për Mediat në Departamentin e Shtetit, Elizabeth Trudeau në komunikimin me mediat.

Ajo tha se ky është gjithashtu një sukses i popullit dhe shoqërisë civile, që nuk u tërhoqën kurrë nga kërkesat e tyre për ndryshim.

Filed Under: Komente Tagged With: Basha, Nuland, patriotizmi, Reforma ne Drejtesi

Patriotizmi i popullit të Lushnjës, në mbështetje të Kongresit Kombëtar

January 18, 2016 by dgreca

Me rastin e 96 Vjetorit te Kongresit Kombetar te Lushnjes/
Ne Foto:Shtëpia muze Kongresi i Lushnjës/
Nga Autor Niko FERRO/
Po e nisim artikull tonë me disa pyetje. Si ishte atmosfera në qytet në kohën kur u zhvillua Kongresi Kombëtar në vitin 1920 ? A ka dëshmi për këtë ? Çfarë thuhet për këtë ngjarje? Çfarë kontributi dhanë lushnjarët në këtë Kongres? Cilat ishin vendimet që u morën në Kongres?
Të shkruash për këtë ngjarje të rëndësishme historike, të zhvilluar në qytetin e Lushnjës, plot 96 vjet më parë, është një nder i madhë, një kontribut modest, i cili nxjerr në pah vlerat e atdhetarizmit dhe të patriotizmit të lushnjarëve, ku së bashku me shumë patriotë të tjerë anembanë vendit garantuan një zhvillim normal të Kongresit.
Mësojmë se më 31 Dhjetor 1919, në teqen e Karbunarës kishin filluar përgatitjet për thirrjen e një Kongresi në Lushnjë, me këtë rast u ngrit dhe një Komision i posaçëm, i përbërë më së shumti nga 28 veta. Komisioni në fjalë përbëhej nga : Besim Nuri Kryetari i Bashkisë, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Ferit Vokopola, Emin dhe Mustafa Vokopola, Llazar dhe Jakov Bozo, Nebi Sefa, Qemal dhe Zija Mullai, Eshref Frasheri, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skender Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat (Hysni) Shazivari, Abdyl Aziz, Hasan Islami (Like), Hamit Xheka.
Ky Komision ishte ngarkuar për të plotësuar kërkesat për një zhvillimin normal të Kongresit, përpara se të vinin delegatët në Lushnjë, sakaq ata duhet të siguronin edhe disa çështje, si psh strehimin e delgatëve, duke parë që numri i madhe të njerëzve të cilët i shoqëroni e bënin të pamundur strehimin e tyre në vetëm pesë hanet kryesore të qytetit. Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë qyteti i Lushnjës numëronte një popullsi prej 2800 banorë. Pavarësisht numrit të vogël të haneve në qytet, shtëpitë e lushnjarëve të gjitha pa përjashtim, u treguan të gatshme për të strehuar dhe pritur delegatët apo njerëzit i shoqëronin ato. Theksojmë se bujaria dhe mikpritja lushnjare shprehej kudo. Me zgjidhjen e problemit të strehimit të Delegatëve, Komisioni Nismëtar u morë gjithashtu me caktimin e njerëzve, të cilët do shpërndanin postën, por edhe për këtë dolën probleme, nevojiteshin kuaj të mirë dhe të shpejt, për t’i vënë në dispozicion të korrierëve. Por edhe ky problem u tejkalua. U vendos gjithashtu që me shpërndarjen e Postë-Telegrafit puna do ndahej kështu: Zoi Ndreka dhe Sil Keqi për zonën Fier-Vlorë. Taullah Sinani dhe Muç Bani për zonën Peqin-Tiranë-Mat-Shkodër. Idriz Çela për zonën e Beratit. Mahmut Bidri dhe Demir Arapi për zonën Elbasan-Gramsh. Selman Arapi dhe Bajram Haxhiu për zonën Kavajë-Durrësin.
U zgjidh gjithashtu edhe problemi i furnizimeve me ushqim, ku përveç Lushnjës të gjitha fshatrat përreth saj do kontribuonin me ushqime sipas mundësive. Për furnizimin përgjigjeshin Dervish Zylyfi, Sil Prifti, Hamit Xheka, Tahir Xhumari, Jonuz Sefa.
Ngelej për t’u përcaktuar vendi se ku do të mbidheshmin Delegatët. Fillimisht u mendua që delegatët të vendoseshin në një magazinë, në dalje të qytetit, rrugës që shkon për në fshatin Hajdaraj. Por kjo nuk ishte e përshtatshme, pasi se ishte tepër e vjetruar. U propozua, që shtëpia më e përshtatshme për të zhvilluar një mbledhje, ishte ajo e “Fugëve”, ku fal mbështetjes të zotit të shtëpisë u ra dakord që delegatët të mblidheshin aty. Por për ta përshtatur këtë shtëpi në një sallë mbledhjeje duhej dhe një rregullim apostafat.
Komisioni Nismëtar, vendosi që në sallën ku do të mblidheshin delegatët, të përgatitej nga Drejtori i Shkollës Plotore Nikollaq Progri. Mësojmë se ai e mirëpriti kërkesën dhe u vu menjëherë në lëvizje. Ai solli aty një tavolinë dhe katër karrige ku do qëndronin Kryetari, bashkë me dy Sekretarët të Kongresit, solli gjithashtu edhe dy foto. Njëra ishte e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe tjetra e Patriotit Ismail Qemali, këto ai i vendosi në sallën kryesore ku do mblidheshin delegatët, bashkë me këto ai vendosi edhe flamurin kombëtar, të sjell apostafat nga Nënprefekti i Lushnjës, Veli Vasjari.
“Ndërkaq anëtarët e Komisionit vuri re se në “Sallën e Mbledhjes” mungonin karriget, ku delegatët do zinin vend”. Problem ngelej gjetja e tyre”. Kështu ata vendosën ti drejtoheshin përsëri Drejtorit të Shkollës Plotore, nëpërmjet një shkresë me datë 16.01.1920. Aty thuhet: “Meqenëse shkolla duhet për Delegatët e Kongresit që po urdhërojnë këtu, jeni të lutur që sot tëna lironi shkollën, mësimet do vazhdojnë në Xhami, bangat duhen për Mbledhjen Kombëtare. Prandaj jemi të lutur përsëri tëna i dorëzoni. Firmosur Komisioni”. Drejtori së bashku me mësuesit ranë dakord që mësimet të zhvillonin në Xhamin e Vogël të qytetit, ndërsa bangat e vogla të shkollës, i çuan në sallën ku do zhvillohej Mbledhja.
Edhe sot për kureshtarët, në Shtëpinë Muze Kongresi i Lushnjës, bangat e ekspozuara aty kanë përmasa të vogla, pikërisht për t’i kujtuar këtë fakt historik.
Në lidhje me atmosferën e krijuar në qytet, delegati i Pogradecit Gjoka Ndini Gusho shkruante: “Rrugës kur po kalonim nëpër Dumre [e Darsi, pamë të] dilte populli[përpara], burra të armatosur na shoqëronin. [Kur] arritëm në Lushnjë…..populli na priti me këngë e valle. Lushnja dukej si në ditë feste. Në zyrat, në shtëpitë, në dyqanet ishte varur flamuri kombëtar. Na u gëzua zemra kur pamë flamurët të valojnë të lirë, sepse në Pogradec nuk i lejonin”.
Tek porta e madhe e shtëpisë ku do zhvillonte punimet Kongresi ishte radhitur një tog e Xhandarmërisë me në krye Kapitenin Meleq Frashërin, i cili priste delegatët me nderime ushtarake. Në të hyrë të shtëpisë qëndronte Nën/Togeri Prenk Jaku i cili kishte pranë disa prej vullnetarëve të veshur bukur me petka kombëtare.
Në qytet ishte vendosur rregulli për bukuri, sipas porosive të Kryetarit të Bashkisë Besim Nuri, edhe alkooli ishte ndaluar në pijetoret. Xhandarmëria bënte patrullimet të shpeshta në rrugët kryesore të qytetit, aty këtu dukeshin edhe ushtarë italian të armatosur. Pavarësisht se Mbledhja e Kongresit më 13 janar ishte shpallur e paligjshme nga Qeveria e Durrësit, kjo nuk i frikësoi pjesëmarrësit. Madje katër ditë më pas, populli i Lushnjës ju drejtua me një letër Kapitenit të Ushtrisë Italiane të pushtimit, Kolonel Rudolfit, dhe Inspektorit të Xhandarmërisë në Berat me anën të së cilës protestohej vendimi i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, e cila kishte urdhëruar ndalimin e Mbledhjes. Në letër thuhej: “..këtu në Lushnjë, me dëshirën e tërë Shqipërisë, po mblidhet një Kongres Kombëtar, i cili si tregohet sheshazi nga programi përbëhet me qëllim qytetorë dhe besohet si brenda ashtu dhe jashtë… Qeveria qendrore, ..dëshiron të ndalojë këtë mbledhje të përgjithshme. Qeveria Provizore e Durrësit nuk duhet të dalë jashtë kompetencës së saj dhe në qoftë se e quan veten e saj absolute, nuk ka asnjë shqiptar që t’i dëgjojë urdhërat. Në emër të popullit të Lushnjës”.
Më 18 janar, filluan të vijnë në Lushnjë, fuqit e para vullnetare të armatosura . Kështu nga zona e Libofshës, nën komandën e Zoi Ndrekos Nasi Lepurit dhe Sil Keqit, erdhën 250 veta. Nga zona e Bubullimës nën komandën e Jashar Blezenckës erdhën 170 veta. Nga zona e Dumres nën komandën e Demir Arapit dhe Dalip Haskos erdhën 300 vetë. Nga zona e Çermës dhe e Dushkut nën komandën e Selman Arapit erdhën 150 vetë. Nga zona e Kosovës (së Lushnjës) dhe e Dragotit nën komandën e Pal Kadillarit dhe Ngjel Çukos erdhën 220 vetë.
Po kështu me porosi të Aqif Pashës erdhën 100 veta të armatosur vullnetarë të udhëhequr nga Mahmut Xhelili. Vetë Ahmet Zogu erdhi me 100 forca vullnetare. Mbi 300 vullnetarë erdhën nga zona e Skraparit, nën komandën e Riza Cërovës. Të tjera forca erdhën edhe nga Korça, Mirdita, Shkodra, Dibra, Gjirokastra, pra nga e gjithë Shqipëria. Të gjithë në mbështetje të Kongresit. Mësojmë se Kryetari i Komisionit për mbrojtjen e Kongresit në qytet u zgjodh Llazar Bozo. Ndërsa Ahmet Lepenica ju ngarua detyra të organizonte njësitet e armatosura të vendosur anës kodrave të qytetit. Mësojmë se forcat që ruanin Kongresin ishin shpërndarë në disa pika: në kodrën e “Kalifasë”, sipër lagjes “Stan”, në kodrën e “Harburit”, dhe në “grykën e Dumres” (sot rezervuari). Pjesa tjetër ishte vendosur në qytet dhe në Karbunarë. Ndërsa forcat pushtuese italiane, ishin të stacionuara qytet ishin vendosur në Lagjen “Topallti” (Sot Loni Dhamo). Distanca midis vullnetarëve dhe forcave italiane ishte 750 m, dhe tensioni ishte tepër i madhë.
Më datën 18 janar filluan të vijnë delegatët e parë. Nga Peqini erdhi Aqif Pashë Elbasani, Adem Gjinishi, Nga Gramshi Asllan Shahini. Nga Tirana Mytesim Këlliçi, Abdi Toptani. Dhe kështu gjatë ditëve në vijim erdhën të tjerë delegatë. Për strehimin e tyre merreshin Nikollaq Progri, Kamber Ruli, Xhevdet Nepravishta, Andrea Papaj, dhe Izet Libohova.
Mësojmë se Delegatët posa mbërrinin në Lushnjë akomodoheshin menjëherë në vendet e caktuara. Sipas dëshmisë të Hysen Nexhës, i cili ishte ruajtës në Kongresit, “shumë vullnetarë ditën dilnin pazarit, por rrinin vetëm me kobure. Në atë kohë Nënprefekti Veli Vasjari, na çoi lajme të vinin sa më të armatosur. “Më kujtohet teksa hynte dhe dilte shpesh Aqif Pashë Elbasani, me një qylaf të zi dhe me një pallto të madhe, i veshur mirë”.
“Ditën kur filloj punimet Kongresi i Lushnjës më 21 janar, <> ishte ditë e mërkurë dhe bënte pak ftohtë, pash që kishin ardhur njerëz nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Sakaq më kujtohet që në kongres kishte shumë lushnjarë, por kishin ardhur edhe shumë nga fshatrat. Gjatë kohës që po zhvillonte punimet Kongresi, Lushnja ndihej se ishte në festë kudo shikojë flamurin kombëtarë, madje flamurë të vegjël kuq e zi u vareshin në gjoks njerëzve edhe nga fëmijët e shkollës plotore. Në darkë rreth kodrave të qytetit dukeshin mjaft pishtarë të ndezur të mbushura me roje disa prej tyre vinin edhe në qytet. Italianët i shikonin por nuk i ndalonin”. Sipas dëshmitarit tjetër, Ahmet Shehut, “në Karbunarë mbërriti një vizitor krejt i veçantë. Veshur allafrënga, i krehur bukur, me një gjuhë të pakuptueshme për vendasit, ai gjithsesi nuk donte të tërhiqte vëmendjen. I ardhur nga Evropa, ishte konsulli anglez Morton Frederik Iden dhe shoqërohej nga shqiptari Mahmud Bidri, njeri i Aqif Pashë Elbasanit. Në Teqe ai u takua me Sheh Ibrahim Karbunarën dhe Nënprefektin e Lushnjës Veli Vasjarin. Gjatë kohës që po zhvilloheshin punimet në Kongres, Ideni qëndroi në Lushnjë. Ai takohej çdo ditë me oficerët italianë, kurse netëve qëndronte në Teqenë e Karbunarës, bisedonte me delegatët, të cilët i njohu të gjithë personalisht. Për mbrojtjen e tij përgjigjeshin tre vetë të caktuar nga shtabi: Muç Bani, Ram Dervishi, dhe Sil Keqi”.
“Sakaq në Kongres të gjithë ishin prezent përveç Veli Harshovës që u zëvendësua nga Abedin Nepravishta, deri sa erdhi nga Gjirokastra. Pastaj u bë shqyrtimi i letër kredencialeve nga një komision i posaçëm. Më pas u bënë zgjedhje dhe Kryetar i Kongresi u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, Nënkryetar u zgjodh Sotir Peci sekretarë u zgjodhën Koço Kota dhe Ferit Vokopola. Mbledhja u mbyll u çel të nesërmen në ora 9 të mëngjesit. Në qytet mbizotëronte rregulli dhe rendi. Ditën tjetër (22 janar) mbajti një referat Ali Këlcyra, mbi rëndësinë e këtij Kongresi. Më parë foli mbi patriotizmin e popullit të Lushnjës, duke e lavdëruar atë për barrën e rëndë që ka morë përsipër. Më pas falënderoj Komisionin Nismëtar, për punën e pa lodhur dhe patriotike sidomos në këto kohëra të vështira politike. Pastaj i propozoj Kongresit që çdo veprim i qeverisë së Durrësit të shpallet ilegal.
Sipas dëshmive të Ahmet Shehit “Një natë Zija Mullaj thirri për darkë Delegatët e Vlorës, Sheh Ibrahim Karbunarën dhe konsullin Iden. Në orën tetë, të ftuarit kishin shkuar, ndërsa Konsulli u paraqit me një orë më vonë, i shoqëruar nga rojat vetjake. Shehu i tërhoqi vëmendjen për vonesën, duke i kujtuar edhe merakun sipas traditës shqiptare të ruajtjes së mikut. Ideni i lutet Myqerem Hamzarajt (pasi ishte i vetmi që dinte anglisht) tu thotë të tjerëve: “Po të jetë se këtë natë do ta kalojmë pa ndonjë incident, unë nesër jam i detyruar t’iu uroj se me të vërtetë populli shqiptar di përse lufton dhe di përse sakrifikon jetën e tij”. Të tjerët kërkuan sqarime edhe ai informoi se Myfit Libohova, ministër i qeverisë së Durrësit ishte nisur me 500 milicë dhe është duke ardhur në Lushnjë për tu shpartalluar. Lushnjarët u mobilizuan shpejt. Vetë Ideni në orën 4 pas mesnate pa në kodrën e Kalifasë qindra luftëtarë të armatosur. Këtu ai u nis tek Koloneli italian dhe i tha: “I sheh ato kodra të qytetit? Të gjitha ato janë të mbushura me popull të armatosur, prandaj lajmëro Gjeneral Piaçentinin të tërheqë forcat nga Kolonja se në fund do të turpërohet”. Ndërkaq Vullnetarëve ju ishte thënë të ndiznin sa më shumë zjarre në kodrat e qytetit për të frikësuar ushtarët italianë.
N/Togeri Prenk Jaku së bashku me qindra vullnetarë arrin ti ndaloj forcat që kishin ardhur për të shpërndarë Kongresin.
Në ditën që vijua, Kongresi pas shumë diskutimesh vendosi, që të bëheshin protestat më të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pastaj, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si për situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Në përfundim, u pranua që qeveria kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 Dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu, kishte penguar mbledhjen e Senatit, gjë e cila ishte vendosur në Durrës, si dhe duke konstatuar keqadministrimin, i cili e kishte futur vendin në një anarki të madhe. Gjithashtu kjo qeveri, ishte përpjekur me çdo kusht për të penguar mbajtjen e kongresit. Kongresi vendosi unanimisht, të shpalli të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes. Ai caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumci, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi i përfundoi punimet me miratimin e disa vendimeve të rëndësishme politike, të cilat, do të ndihmonin vendin për të dalë nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhej. Së pari, mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë”. Së dyti, miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti kongresi. Në mbledhjen e katërt, që u mbajt më 30 Janar, kongresi formoi një Këshill të Lartë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit prej një asambleje kushtetuese. Si antarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasanin, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani, të cilët nga pikëpamja fetare përfaqësonin të gjitha besimet fetare ekzistuese në vend. Ky këshill do të ushtronte pushtetin ekzekutiv së bashku me qeverinë. Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. Ai përbëhej nga 37 antarë. Këshilli Kombëtar kryente detyrat e organit legjislativ dhe kishte të drejtë të plotësonte vendet vakant të Këshillit të Lartë. Këshilli i Lartë nuk mund ta shpërndante Këshillin Kombëtar, këtë të drejtë e kishte vetëm asambleja. Pas kësaj u zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër, Ahmet Zogu Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba Ministër i Financave, Sotir Peci Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, dhe Idhomene Kosturi me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Eshref Frashëri do të mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Botore. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 Janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve. Vendimet e kongresit u miratuan pak më vonë edhe nga delegatët e tjerë, midis tyre edhe nga ata të krahinave veriore të vendit, që nuk arritën të merrnin pjesë në punime. Kongresi i Lushnjës, i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme,çka dotë thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi, duke iu dalë kundër planeve djallëzore për copëtimin e Shqipërisë. Organet që zgjodhi kongresi, nisën të veprojnë si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Në vetëm pak kohë, qeveria e Tiranës, e dalë nga kongresi i Lushnjës, u njoh prej të gjithë shqipëtarëve dhe u formua kështu një qendër, rreth së cilës mund të mblidheshin të gjitha energjitë e kombit. Kongresi i Lushnjës kishte ngjallur shpresat dhe iu kish dhënë shqiptarëve një farë besimi në vetvete. E gjithë Shqipëria u mobilizua Rrethet e Vlorës e të Labërisë dhe pastaj, e tërë Shqipëria e Jugut u ngrit me armë në dorë kundër ushtrisë italiane. Tërheqja e Italisë nga Vlora sillte si rrjedhim logjik, pavarësinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, me vendimet e tij detyruan Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga qëllimet grabitqare, tashmë vendi kishte zot. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.

Filed Under: Histori Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Niko Ferro, patriotizmi

PATRIOTIZMI QË VUAN NGA “PROSTATA”

June 21, 2013 by dgreca

Shkruan: Fadil LUSHI/

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin e patriotizmit e jep këtë shpjegim: Dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri, ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet: atdhetari. Patriotizëm i flaktë. Patriotizmi popullor. Patriotizmi i masave. Patriotizmi i rilindësve tanë. Ndjenja (shprehja) e patriotizmit etj.

Njohësit e shkëlqyeshëm të rrethanave politike do të thonë me plot të drejtë dhe me gojën plot se në Ballkan sot patriotizmi është bërë nocioni më i përfolur, më i shtrembëruar dhe më i konsumuar… dhe, në instancë të fundit, është shndërruar “… në patriotizëm artistik, në patriotizëm lokal, në patriotizëm patetik, në folk-patriotizëm, në pseudopatriotizëm, në shovinizëm, në nacionalizëm të rrezikshëm dhe të vrazhdë, në stoli a salltanat, në marrëzi, në sulltanat, në hipokrizi, megalomani, në plagjiaturë politike dhe toptan në patriomani”!

Për të mos i ngatërruar e për të mos i keqinterpretuar parashtesat ose edhe prapashtesat që i ngjiten nocionit në fjalë, do të na duhet (nëse na lejohet) t’u referohemi ca vakive që hetohen në përditshmërinë tonë politike. Sot, me patriotizmin (me pseudo-standarde) shërbehet gjithsecili, pa dallim në është intelektual, mësues, bujk, fshatar, qytetar, katundar, kurbetçi, marangoz e të tjerë njerëz profesionesh të ndryshme (hiq mënjanë patriotët e mirëfilltë). Këtë nocion më së shumti do ta konsumojnë a edhe do ta “kondicionojnë” politikanët dhe njerëzit që nuk arrijnë dot kollaj të ndërtojnë vizione dhe vlera të mirëfillta, qofshin ato morale dhe materiale. Dhe, kështu siç konceptohet a shpjegohet ky nocion, duket thjesht si një anije tregtare që është ankoruar në një port të lanë pasdore…, perceptohet si një grumbull hekurishtesh të ndryshkura, si një ashensor i prishur, a tekefundit si një patriotizëm pa personazh.

Tani në vigjilje a në pritje të 23 qershorit të motit 2013, gjegjësisht në kuadër të fushatës zgjedhore gjithsecila parti politike që vepron në Republikën e Shqipërisë, kanë filluar të bëjnë “gjurullti të tmerrshme dhe të padurueshme”, sidomos partitë politike që e humbasin ekuilibrin (politik). Në këtë fushatë gjithsecili e përdor atë patriotizmin patetik a lokal, atë patriotizëm që përdoret vetëm për konsum ditor, për një racion ushqimi e të tjera përdorime. Do ta përdorin atë në kërkim të votës deliberative të popullit, në kërkim të një vote që do të shkojë në “konton” e kandidatit për deputet, në “konton” e partisë politike, në “konton” e pushtetit dhe pushtetmbajtësit makiavelist, në oborrin e korrupsionit dhe më pak në “konton” e mirëqenies së shtetit.

Patriotët e paktë, por të njëmendtë, do të thonë ndër dhëmbë: “…, mos votoni arkaizmin dhe anarkinë e letargjinjve dhe dallkaukëve provincialë, mos votoni metodën e blerjes së votës, mos votoni njerëzit që ushqejnë gjakmarrjen ata që shtrembërojnë  dhe klandestinojnë Kanunin…, mos votoni puritanizmin dhe neveritjen, mos votoni Rrugën e Kombit (të papërfunduar) që kalon përreth fshatrave të braktisura e që janë lënë në mëshirë të natyrës dhe Perëndisë.., mos votoni sloganet metaforike a parullat e zbrazëta e mashtruese, mos votoni ofendimin, arrogancën, skenarët e paranojave, mos votoni “idenë një pasaportë për gjithë shqiptarët…”!? Patriotët e mirëfilltë do të vazhdojnë të thonë: “ votoni realitetin, votoni të nesërmen, votoni vlerat, votoni dijen, votoni arsyen, përgjegjësinë, ndërgjegjen kolektive, largpamësinë, dinjitetin, votoni miletin e mërzitur dhe të bezdisur, votoni sfidat objektive dhe të tjera sfida”!

Politikanët dhe patriotët e “vegjël”, sa herë që do të “hetojnë” se të “tjerët” do t’u bëjnë hile, aq herë do të “aktivizojnë” patriotizmin e tyre patetik, lokal, folklorik, sezonal dhe “vullnetar”! Edhe këta “patriotë” në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare do të ulërijnë a edhe do të bërtasin duke thënë: “O ju shqiptarë nihilistë, që jeni pasardhës të të madhit Skenderbej, të Abdylit, të Naimit e Samiut, më votoni mua, ma votoni partinë time, votoni ardhmërinë, votoni Zhvillim-Përparimin, votoni alternativën e zhvillimit të ekonomisë, bujqësisë, arsimit, fshatit e të tjera alternativa…, votoni shkopin magjik, votoni idenë e bashkimit të trojeve shqiptare, gjegjësisht Shqipërinë natyrale, votoni dyzimin, votoni gënjeshtrën, votoni premtuesin dhe premtimet, sepse ju ato i meritoni, votoni lekun për lekë, votoni vendin e punës, votoni varfërinë, votoni diplomat universitare të fabrikuara, votoni gënjeshtrën, votoni utopinë, votoni retorikën tonë boshe a së fundi edhe të rreme…, e të tjera votime (jo) deliberative”!??

Të nderuar lexues të mi pa tarafe, pa më thoni kush mund të jetë ai fukara, student,  pensionist, ish i përndjekur dhe i dënuar politik a edhe i papunësuar që do e shes votën për ato lekë, kush do të jetë ai që për një grusht lekësh do ta shes dinjitetin e tij. Besoj se gjithsecili do të thotë: “…nuk i duam lekët, pavarësisht se të kujt janë, nga vijnë dhe çfarë ere kanë”! Të shpresojmë se 23 qershori i motit 2013 për qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të jetë një ditë feste, një ditë e shprehjes së lirë, një ditë ku gjithsecili do të shprehë vullnetin e tij. Dhëntë Zoti që shqiptarët këtë ditë të shenjtë të mos e shndërrojnë në një ditë nervozizmi, në një ditë shqetësimi, në një ditë ku fjalia më e përfolur do të jetë ajo me sa vijon: “O milet pa brekë (M. Kuteli), voto katrahurën, voto papërgjegjësinë kolektive, voto çallëmin dhe çallëmxhiun, voto çanaklëpirësin, diletantin, hajdutin dhe hajdutërinë”!??

Winston Churchill dikur kishte thënë: “Në kohë paqeje, patriotizmi është streha (e fundit, nënvizim ynë) e maskarenjve”.

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, nga prostata, patriotizmi, qe vuan

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT