• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reforma në drejtësi

January 12, 2016 by dgreca

Kush dominon drejtësinë, dominon pushtetin/
NGA ILIR HASHORVA-New York/
Në mitologjinë fetare, në mënyrë metaforike, është treguar dëshira dhe shpresa e njeriut për një të ardhme më të mirë. Duke filluar nga India e Lashtë, nga Persia dhe, duke vazhduar me judaizmin e duke përfunduar me krishterimin, ajo dëshirë dhe ajo shpresë është shprehur me pritjen e ardhjes së të dikujt apo Zotit në tokë, i cili do të mundë të keqen, do të vendosë drejtësinë dhe paqen dhe do të bëjë që të flenë të përqafuar ujku me qengjin. Nga ana tjetër, historia na tregon se ajo ditë nuk ka ardhur dhe nuk ka shpresë të vijë.
Ndoshta njeriu nuk i kupton disa zhvillime në shoqërinë që ka krijuar vetë dhe mendon se, nga diçka imagjinare, një ditë problemet e tij do të zgjidhen shpejt dhe të gjitha, dhe e pret me padurim atë ditë. Kështu, gjatë komunizmit, shqiptarët pritnim çdo ditë arritjen e socializmit e, mjerisht, sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë largohej socializmi; me ikjen e komunizmit, shqiptarët shpresonin se të gjitha të këqijat ikën së bashku me të, kur ia mbërrin të këqija të tjera që nuk i kishin menduar kurrë më parë; pas mbylljes së firmave huamarrëse, njerëzit pritnin të merrnin paratë e tyre, por duhej të kishin pak durim, sa të bëhej transparenca, dhe përfunduan duke mos marrë praktikisht asgjë. Sot reforma e drejtësisë në Shqipëri po shihet plot shpresë si shihej ardhja e Zotit në tokë në mitologjinë fetare, për të zgjidhur të gjitha problemet dhe për të vënë drejtësi.
Kjo reformë, që pritet të kryhet së shpejti, i ka ndarë njerëzit në dy, apo në tre grupe. Në njërin grup futen ata që përkrahin me të gjithë forcën çdo gjë që bën PS-ja, pra edhe reformën në drejtësi. Ata presin që pas asaj reforme çdo gjë të rregullohet, duke përfshirë edhe burgosjen e të këqijve, të zullumqarëve, të hileqarëve, të korruptuarve, e plot gjëra të tjera që mund të bëheshin edhe pa reformën, sepse nuk ka pasur ndonjë ligj që të pengonte shtetin dhe drejtësinë të vepronin kundër tyre. Në grupin e dytë futen ata që kundërshtojnë tradicionalisht çdo gjë që bën PS-ja, edhe kur ajo qëllon të bëjë diçka të mirë. Në grupin e tretë janë vetë punonjësit e drejtësisë që e kundërshtojnë reformën, sepse mendojnë se me miratimin dhe zbatimin e saj, ata jo vetëm do të privohen nga shumë privilegje dhe përfitime që kanë sot, por mund të përfundojnë edhe nëpër burgje.
Gati të gjithë ata që mbanin qëndrim ndaj reformës, që ose e mbështesnin ose e kundërshtonin, nuk ma merr mendja se e pranonin apo e kundërshtonin sepse dinin vërtetë se ç’përmbante ajo dhe se ç’do të bënte ajo. Diçka morën vesh kur “Komisioni i Venecias” bëri disa vërejtje për të. Madje, as të huajt, duke përfshirë edhe Ambasadorin Amerikan, Lu, dhe atë të BE-së, Vlahutin, që e mbështesnin me zjarr atë reformë, me sa duket, nuk dinin ndonjë gjë të madhe për të, përndryshe do të kishin bërë ndonjë vërejtje a sugjerim, para se projekti i reformës të shkonte te “Komisioni i Venecias”. Të huajt mendojnë se kur diçka reklamohet si e mirë nga qeveria jonë, aq më tepër kur ka të bëjë me drejtësinë, që është nga elementët kyç të mbarëvajtjes të shtetit dhe shoqërisë, është vërtet e mirë dhe duhet mbështetur. Qëndrimi i tyre i pa kondicionuar pro reformës lidhet edhe me mosnjohjen sa duhet të karakterit tonë dhe të zhvillimeve që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë një kohe të gjatë.
Me sa kam kuptuar, reforma nuk ka të bëjë shumë me bërjen e drejtësisë të pavarur apo të drejtë në ndihmë të qytetarit të thjeshtë e të ndershëm, ajo ka të bëjë më shumë me personin apo institucionin që do të ketë nën hyqëm drejtësinë, pasi ai që dominon drejtësinë, dominon pushtetin dhe te ne pushteti është gjithçka dhe, ky pushtet, për të qëndruar në këmbë, duhet të ketë të vetën drejtësinë.
Unë nuk kam ndonjë shpresë se reforma në drejtësi do të zgjidhë ndonjë gjë të madhe, por jo për arsyet e atyre që e kundërshtojnë reformën si kundërshtarë të PS-së. Arsyeja e parë e imja për të qenë skeptik është se nga përvoja e këtyre 25 vjetëve pas komunizmit, kam parë se, edhe kur është hartuar në të rrallë ndonjë ligj i mirë, me kohë ai ligj është bastarduar, apo është anashkaluar, duke i gjetur qindra mënyra për të mos e zbatuar, madje edhe duke e tjetërsuar. Nga ana tjetër, le ta zëmë se këtë reformë po hartojnë mirë njerëz të ndershëm e të zotë që u qan zemra për drejtësi, por cilët do ta zbatojnë? A nuk do ta zbatojnë atë punonjësit e drejtësisë, pikërisht ata që sot përfliten më shumë se të gjithë të tjerët për thyerje të çdo norme të drejtësisë?
Arsyeja e dytë e imja se përse reforma nuk do të kryejë ndonjë gjë të madhe është se ajo nuk mund t’u ndalojë politikanëve të lartë të mos ndërhynë në çështje të drejtësisë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, pasi parimi për ta është: “Atë që nuk ma ndalon ligji, kam të drejtë ta bëj”. Ata nuk kanë një ligj të tyre të brendshëm, një ligj të ndërgjegjes, i cili t’i ndalojë të bëjnë edhe atë të keqe që nuk ua ndalon ligji. Kështu, për shembull, Edi Ramën, kryeministrin e vendit, nuk e pengon asgjë që të ndërhyjë tërthorazi e të thotë për një kriminel (birin e një deputeteje të partisë së tij) që ka vrarë katër persona njëherësh, se ka për të bërë burg të gjatë para se të kthehet në shtëpi, duke i sugjeruar drejtësisë edhe masën e dënimit për të. Dhe drejtësia e dëgjon dhe, gjen një marifet, për të mos i dhënë këtij vrasësi masiv dënimin që meriton. Presidenti Nishani bën ballo presidenciale në vitin 2014, dhe, ndër të tjerët, fton në të edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, ndërkohë që ai është nën hetim nga drejtësia për vjedhje në Bankën e Shqipërisë. Dhjetë muaj më pas, pasi gjykata e ka marrë mesazhin e Presidentit, e deklaron të pafajshëm Ardian Fullanin!
Dhe një arsye tjetër se përse nuk kam besim se reforma do të kryejë ato që shpresojnë njerëzit është se, në përgjithësi, kur përgatitet të kryhet diçka e një rëndësie të madhe dhe kur ajo nuk kryhet si diçka nga zori, por si diçka që ndjehet së brendshmi, që përpara se të hartohet një ligj për të, që përpara se të vijë koha e zbatimit të tij, e gjithë atmosfera mbushet me një frymë mbështetje për të, qoftë edhe me veprime të thjeshta, por simbolike, nga ana e atyre që e nisin atë.
Në Afrikën e Jugut, për shembull, që para se të fillonin gjyqet e dëgjimit të “Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit”, një variant i përkryer i ngjashëm me atë të hapjes së dosjeve në Evropën Lindore, gjatë të cilave kriminelët e regjimit të mëparshëm do të shkonin dhe do të tregonin vetë krimet e tyre para atyre gjyqeve dhe në bazë të atyre tregimeve do të mund të merrnin apo jo amnistinë, atmosfera e përgjithshme u mbush me një propagandë shumë efikase për nevojën e pranimit të asaj metode.
Te ne, nuk ka shembuj të tillë, përkundrazi, ka shembuj që, edhe pse krijohet njëfarë mikroatmosfere në mbështetje të diçkaje të mirë, kur vjen koha për t’u bërë, ajo ose nuk bëhet, ose bëhet e kundërta. Për shembull, filloi njëfarë propagande për e hapjen e dosjeve të sigurimit dhe u përgatit populli për të njohur kriminelët dhe të vërtetat, të cilat do t’i zbulonin në njëfarë mase edhe dosjet e hapura, gjë që ishte edhe një element i drejtësisë, por, në vend që të bënte këtë, qeveria e Edi Ramës shkon dhe dekoron ata të cilët ishin përgjegjës për krimet dhe për krijimin e asaj strukture të urryer të dosjeve! Vazhdojmë: Gjatë fushatës zgjedhore u prek edhe problemi i kthimit të pronave dhe Edi Rama premtoi se, ndryshe nga paraardhësit e tij, do të kthente pronat, madje tha se do të kërkonte se mos kishte dokumente për prona të shqiptarëve edhe në arkivat italiane. Dhe, pronarët u mbushën me shpresë: “më në fund – menduan ata – erdhi ‘shpëtimtari'”. Por, ai, në vend që të bënte këtë, domethënë të çonte, për shembull, Artan Lamen në Itali të gjente dosjet e pronave të shqiptarëve, gjë që nuk ishte edhe e nevojshme se janë me mijëra dosje në vendin e tij që i ka zënë pluhuri dhe nuk hapen, e bën Artanin kryetar të një organizmi, të krijuar nga administrata e mëparshme, që ka për detyrë të pajisë me tapi ata që kanë grabitur pikërisht pronat e pronarëve që premtoi se do t’ua kthente dhe harton një ligj i cili e zhbën edhe ligjin e mëparshëm, përsëri shumë të keq, duke i hequr edhe shpresën e fundit pronarëve që në të ardhmen të marrin diçka nga pronat e tyre dhe këtë ligj ai e paraqet si ligjin e zgjidhjes përfundimtare të problemit të përjetshëm të pronave! Ai, në vend që ta shohë çështjen e kthimit të pronave edhe si një element shumë të rëndësishëm të drejtësisë, shkon dhe u ndan personalisht vërtetime pronësie grabitësve të pronave!
Për arsye si këto, mua nuk më shtyn gjë të besoj se reforma në drejtësi do të zgjidhë vërtet ndonjë problem. Ajo po bëhet me sforcim, më shumë nga ndërhyrja e huaj, sesa nga ndonjë shtysë e brendshme dhe, kur bëhet ashtu, do të gjenden qindra mënyra për të anashkaluar edhe ndonjë të mirë që mund të ketë. Ajo reformë mund t’u shërbejë atyre që sot janë në pushtet që të mbajnë më lehtë pushtetin dhe të lajnë disa hesape me kundërshtarë të tyre, ashtu siç mund t’u shërbejë edhe kundërshtarëve të tyre nesër të bëjnë të njëjtën gjë, dhe jo që të veje paqe, harmoni dhe drejtësi në shoqërinë tonë.

Janar, 2016 Ilir Hashorva

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Hashorva, Reforma ne Drejtesi

Reforma në drejtësi, PD kthehet në tryezë pasi mazhoranca tërhoqi draftin

January 8, 2016 by dgreca

Në kryesinë e Kuvendit ka përfunduar takimi i ambasadoreve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, me ekspertë të opozitës dhe mazhorancës për reformën në drejtësi.
Zhvillimi i fundit nga ky takim është se Opozita kthehet në tryezën e ekspertëve për reformën në drejtësi. Burime pranë PD bëjnë me dije se kthimi në tryezë vjen pas tërheqjes së mazhorancës nga drafti per reformën në Drejtësi.
Alibeaj: U ra dakord së pari për tërheqejn e draftit të pakonsultuar që qarkulloi ditët e fundit.
Së dyti u ra dakord që dokumenti i vetëm që do të diskutohet për të arritur draftimin e reformës kuishtetuese në drejtësi do të jetë ai i Opinioneve të Komisionit të Vencias.
Së treti, u ra dakord që në kushte barazia ekspertët e opozitës dhe të qeverisë të vijojnë punën e tyre të përbashkëta për të draftuar rekomandimet e komisonit të venecias, rekomandime të cilat mund të jenë të tilla që mund të ofrojnë disa variante që mund të jenë të përbashkëta me ekspertët e qeverisë dhe opozitës, opinione këto që duhet të respektojnë 100% opinionet e Komisionit të Venecias.
Ndërsa burime brenda së majtës thuhet se diskutimi do të fillojë te neni 23, ku do të dëgjohen edhe pretendimet e ekspertëve të PD. Sipas të majtëve rishikimi i amendamenteve do të monitorohet nga ndërkombëtarët.
Në takimin në Kryesi bashkë me kryetarin e Komsionit Parlamentar Fatmir Xhafaj dhe deputetin demokrat Oerd Bylykbashi, ishin të pranishëm ekspertët e nivelit te lartë Sokol Sadushi, Gent Ibrahimi dhe ata të Partisë demokratike ,Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj.
Ndërkohë pritet që grupi i ekspertëve të mblidhen në orët e pasdites dhe puna do nisë te zgjedhja e krerëve të institucioneve Kushtetuese.
Puna e tryezës së ekspertëve u ndërpre disa ditë më parë pasi opozita kërkonte që krerët e insitucioneve kushtetuese të zgjidhen me 2 /3 e votave në Parlament.
Meta: Tryeza politike nëse dështojnë diskutimet e tjera
Mazhoranca qartëson përfundimisth qëndrimin e saj për thirrjen e një tryeze politike për reformën në drejtësi.
Ky qëndrim iu la për ta sqaruar përballë medias kruet të Kuvendit Ilir Meta, nga partia e të cilit ka pasur zëra të fortë për një tryezë të tille.
Meta ishte ishte shumë i qartë kur tha se tryeza politike mund të vijë pas ezuarimit të etapave të tjera, grupit të ekspertëve ose Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në drejtësi.
Ilir Meta: Folëm për reformën në drejtësi, ecurinë e gjithë punës për të reflektuar sa më shpejt dhe për të përmbyllur draftin përfundimtar në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Përgëzoj punën e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë dhe në këtë drejtim vlerësoj dhe përfshirjen e ekspertëve të opozitës dhe do u bëja thirrje të mos bojktojnë për një çështje të caktuar apo disa çështje të caktuara këtë punë kaq të rëndësishme sepse koha nuk pret dhe të përfshihen deri në fund. Çdo mendim alternativ ta diskutojnë në komisionin e përbashkët parlamentar për reformën në drejtësi.
Kryeparlamentari Ilir Meta, përsëriti disa herë ftesën që ekspertët e PD të zënë vendin e tyre krah kolegëve që po rishikojnë draftin që do i dërgohet Venecias, dhe nuk dha një përgjigje direkte kur u pyet nga Ora Neës, nëse Komisionit do t’i dërgohet një dokument pa zërin e opozitës.
Ilir Meta: Do bëjmë çdo përpjekje për konsensus dhe konsensusi arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke larguar nga tavolina
Me këtë deklaratë kryeparlamentari përcolli qëndrimin e unfikuar në takimin koordinues PS-LSI, sëbashku me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani, kreun e komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj dhe krerët e grupeve parlamentare Ruçi e Vesili.
Kryeministri Edi Rama, u largua më herët nga takimi, për t’iu drejtuar insitucionit të Presidencës, në një takim që nisi në orën 11.50 dhe zgjati afro 2 orë. Burimet konfirmuan se ishte kryeministrit Edi Rama që kishte kërkuar takimin, por nga biseda nuk dihen detaje.
Deklarata e Metës me gazetarest pas takimit me Ramen
Besoj se është bërë punë e jashtëzakonshme gjatë më shumë se një viti. Mbetet ende punë për tu bërë. Jemi fatlum sepse kemi një platformë të përbashkët që janë fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për të cilën të gjithë aktorët janë shprehur pozitivisht. Na mbetet të vazhdojmë të përfshirë deri në fund në këtë proces që ta përmbyllim me sukses.
Pyetja: Sa vlerë ka ky draft pa ekspertët e PD?
Ilir Meta: “Ekspertët e PD kanë bërë një punë për tu përshëndetur. Kanë qenë të përfshirë në gjithë rishikimin e draftit. Na vjen keq dhe gjej rast tu kërkoj dhe një herë të rikthehen në tryezë e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë dhe të mos vetëpërjashtohen për një çështje apo disa çështje të caktuara. Të ruajmë këtë frymë bashkëpunimi dhe në fund patjetër do të shkohet drejt komisionit të posaçëm parlamentar për këtë reformë ku të gjithë do të kenë mundësi të shprehin opinionet e tyre.
Edhe një herë vlerësoj punën që është bërë dhe ftoj ekspertët e opozitës të vijojnë të mbeten të përfshirë në këtë proces dhe çdo mendim alternativ do e diskutojmë në fazën e dytë.
Pyetje: A do të dërgohet drafti pa mendimin e PD-së. Venecia ka kërkuar një draft konsensual?
Meta: Nuk dëshiroj të hyj në teknikalitete që nuk më takojnë mua. Ta përfundojmë draftin e rishikuar dhe natyrisht më pas do ecim dhe drejt procesit politik e parlamentar i domosdoshëm për të finalizuar këto ndryshime. Nuk bëhet fjalë për tiu larguar tryezave të tjera politike por ekspertët e opozitës t’i kthehen tryezës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar. Do bëjmë çdo përpjekje për konsensus dhe konsensusi arrihet duke u ulur bashkë dhe jo duke larguar nga tavolina.
Vasili: Konsensusi e bën procesin të besueshëm te qytetarët/
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasisli, deklaroi pasditën e së premtes gjatë një intervistë televizive se konsensualiteti politik dhe gjithëpërfshirja në proces, do ta bënte më të besueshëm tek qytetarët produktin e reformës në drejtësi.
Në vijimësi të qëndrimit konstant të LSI-së, që opozita të jetë pjesë aktive e procesit të kësaj reforme. Vasili përsëriti se rifillimi i komunikimit mes palëve, është rruga e duhur për ta çuar përpara atë.
“Të mos jemi pro dhe kundër ndaj një procesi që na bashkon të gjithëve. Përderisa reforma në drejtësi është një shqetësim madhor që përfshin gjithë qytetarët pavarësisht për kë votojnë, atëherë domosdoshmërisht edhe politika duhet të bashkëveprojë në këtë proces”, tha ai.
Për Vasilin, është pozitiv fakti që ekziston fryma kosntruktive brenda procesit, kontributi i partnerëve ndërkombëtarë si dhe moskontestimi ekspertëve të të dyja palëve.
Gjithashtu me shumë rëndësi tha ai, është vënia në dispozicionin tonë e Komisonit të Venecias, ndaj tani politika duhet të luajë rolin e saj për ta futur debatin në rrugën e produktivitetit.

Filed Under: Politike Tagged With: kthimi i PT, NE TRYEZE, Reforma ne Drejtesi

Reforma në drejtësi, Ambasadori Lu gjyqtarëve: Keni besim, ndryshimi po vjen

December 14, 2015 by dgreca

Ambasadori amerikan Donald Lu, i pranishëm në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, iu drejtua gjyqtarëve të ndershëm të Shqipërisë duke thënë se duhet të kenë besim, pasi ndryshimi po vjen.

“Të ndershmëve u them që të kenë besim pasi ndryshimi po vjen. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës. Të ndershmit e dinë se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë, duhen reforma të mëdha e të menduara”, tha Lu. Në vijim Ai shtoi se “nuk është se nuk ka politikanë të korruptuar në SHBA, por rreziqet e ekspozimit janë të mëdha”.  “Në Shqipëri ka gjyqtarë të korruptuar dhe gjyqtarë të ndershëm. I them të korruptuarve se nëse keni marrë para’ në shkëmbim të një vendimi gjykate, qoftë edhe një herë, jeni të korruptuar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, jeni të korruptuar. Nëse është ky rasti, iu rekomandoj që ta lini këtë profesion menjëherë”, theksoi Lu. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se “parimi i pavarësisë së gjyqësorit është i padiskutueshëm”: “Gjykata mbi pushtetet e tjera është standardi që dua unë të arrij. Gjyqësor i besueshëm është që t’i shërbesh komunitetit sipas nevojës”.  Më tej, Manjani deklaroi: “Nuk besoj që korrupsioni më i madh është në radhët e gjykatësve. Ky fenomen është i përhapur edhe në sektorë të tjerë, por ne kërkojmë nga gjykata të ndëshkojë korrupsionin, të vetin po e po, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye duam një pushtet gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Shpresa e vetme për një shtet të pakorruptuar është gjykata”. Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori tha për reformën në drejtësi se nuk duhet të eksperimentohen modele të reja, në kushtet e presionit të momentit.
“Duhet të ishte më gjithëpërfshirës dhe besimi i tij në të gjitha nivelet e gjyqësorit duhet të ishte më i madh. Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”,është shprehur Zaganjori. Ai tha se gjyqtarët do të mbështesin forcimin e shtetit ligjor duke kërkuar më shumë përfshirje të gjyqësorit në reformën në drejtësi.

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadori Lu, ndryshimi, Reforma ne Drejtesi

Ambasadori Lu: Vetëm reforma e kthen besimin tek drejtësia

July 14, 2015 by dgreca

Ambasadori amerikan, Donald Lu rideklaroi sot, e martë 14 korrik, se reforma gjithëpërfshirëse është një nga mënyrat që e kthen besimin e publikut tek drejtësia.
“Qytetarët shqiptarë të kuptojnë se cilët gjyqtarë e prokurorë janë të korruptuar dhe cilët janë të ndershëm që bëjnë punën e tyre.
Si mund ta fitojnë qytetarët besimin tek gjyqësori, që ai të marrë një vendim të drejtë pa marrë në këmbim një thes me para?
Përmes reformës gjithëpërfshirëse.
Ekspertë nga SHBA, BE dhe KiE kanë investuar në mbështetje të kësaj reforme.
Deputeti Eduard Halimi bëri të ditur se opozita do të marrë pjesë në komisionin e reformës.
Qytetarët duhet të ndihen të sigurtë që ky proces të ecë përpara”, deklaroi Lu.
Ambasadori tha se, mënyra tjetër është përsosja e teknologjisë me anë të të cilës drejtësia do të mund të shënojë edhe zyrtarë të lartë përballë drejtësisë, raporton TCH.
“Neve jo vetëm që na intereson që qytetarët e zakonshëm të marrin drejtësinë prej gjykatësve të tyre, por shpresojmë që përmes reformës në drejtësi dhe teknologjive të reja më shumë kriminelë të dhunshëm, personazhe të krimit të organizuar dhe zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë të dënohen dhe të shkojnë në burg. Shqipëria do të ishte më mirë me më pak kriminelë që lëvizin në rrugët e saj”, theksoi Lu.
Ndërkohë, edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço përshëndeti përfshirjen e opozitës në reformën e drejtësisë. Deklaratat u bënë gjatë inagurimit të Arkivit Qëndror, ku do të ruhen regjistrimet dixhitale audio të seancave gjyqësore.

Filed Under: Interviste Tagged With: Donald Lu, Reforma ne Drejtesi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT