Nga Agustin Mirakaj*
*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qendrimin dhe opinionin zyrtar të Federatës Vatra dhe linjën editoriale të gazetës Dielli.
Qëndrestarët për liri, votë të lirë dhe demokraci do të mbeten të pathyeshëm përgjithmonë ndaj pazarxhinjve të lirisë dhe vlerave tona të përbashkëta. Çdo demokrat distancohet sot nga autoritarizmi dhe njëanshmëria e kundraligjshme e kryeademokratit Basha në përfaqësimin e vlerave dhe në opozitarizmin e tij. Në tetë vite opozitë Basha na ka sjellur nga njëra humbje në tjetrën, ndaj sot, më shumë se kurrë nevojitet mbledhja e Kuvendit Kombëtar që të marrë vendim për vazhdimin në serinë e humbjeve apo rifillimin e ri të një opozite reale dhe pastrimin e Partisë Demokratike nga humbësit e njëpasnjëshëm, pazarxhinjtë dhe minuesit e vendimmarrjes demokratike në PD. Duke parë nga afër se çfarë po ndodh mund të them me besim të plotë se Partia Demokratike është drejt shkatërrimit nëse nuk u kthehet forumeve të partisë për të marrë vendime që përcaktojnë të ardhmen e partisë demokratike. Gjendja politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri është alarmante. Demokracia në pushtet dhe në opozitë, është marrë peng. Sot Partia Demokratike është përpara një kolapsi ku forca të errëta duan ta shkatërrojnë atë. Dhe kjo nuk është e rastësishme sepse partia punes, pra neokomunistët rilindas, në bashkëpumin me të infiltruarit e vet po bëjnë të pamundurën për asgjësimin e opozitës shqiptare. A do e lejoni ju këtë që të ndodhë? Unë besoj se jo, sepse forca jonë është më e madhe sepse populli është me ne. PD sot është kthyer në një çetë servilësh dhe të paaftësh që i servilosen kryetarit pë të mbajtur pozitat në seli dhe popullin fatkeqësisht në opozitë pa një perspektivë konkrete. Urgjenca e mbledhjes se Kuvendit Kombëtar është shpëtimi i Partisë Demokratike nga pazaret me neokomunistët në pushtet, me autoritarizmin në opozitë. Çdo vendimmarrje duhet të burojë nga Kuvendi Kombëtar ku çdo demokrat duhet ta thotë fjalën e tij. Ky Kuvend është bashkësi e qindra e mijërave mendime, kontribute dhe vlera, për të çuar përpara Partinë Demokratike. Kuvendi Kombëtar do të ndajë një herë e përgjithmonë se demokratët do të shkojnë me Berishën dhe të drejtën e tij që përfaqëson elektoratin dhe demokratët e vërtetë, apo me Bashën për të qëndruar në opozitë përjetë.