
Emir KURTISHI (Jurist)/
U shënua 78 vjetori i Kartës së OKB-së që ndryshe njihet edhe si Dita e OKB-së. Çfarë parasheh kjo Kartë dhe cili ka qenë qëllimi i krijimit të OKB-së duke pasur parasysh se deri atëherë ekzistonte Lidhja e Kombeve që kishte për detyrë ruajtjen e sigurisë dhe paqes botërore!? Meqenëse fillimi i Luftës së Dytë Botërore, u bë shkas për dështimin e kësaj lidhjeje, natyrshëm erdhi nevoja për krijimin e një organizate tjetër të ardhshme, që do t’i plotësonte mangësitë e shfaqura me lidhjen paraprake dhe që njëherë e përgjithmonë do të parandalonte konflikte dhe luftëra të mëdha.
Por, çfarë mund të themi sot prej vitit 1945, a ka arritur OKB-ja ta arsyetojë qenësinë e saj dhe a ka nevojë që një organizatë e tillë të përjetojë reforma qenësore në strukturat e saja!?
Një organizatë, padyshim që duhet ta arysetojë qenësinë e saj dhe ajo arrihet poqese arrinë që t’i përmbush qëllimet e paracaktuara me aktin e themelimit.
Çfarë parasheh Karta e OKB-së, le të shohim si fillim për t’i rikthyer më pas pyetjes më lartë.
Preambula e kësaj Karte, tingëllon kështu:
“NE, POPUJT E KOMBEVE TË BASHKUARA,
të vendosur të mbrojmë brezat e ardhshëm nga kamxhiku i luftës, i cili në ditët tona ka sjellë dy herë vuajtje të pathëna mbi njerëzimin,
të forcojmë sërish besimin tonë në të drejtat themelore të njeriut, në dinjitetin dhe vlerat e personalitetit njerëzor, në barazinë mes burrit dhe gruas si dhe mes gjithë kombeve, qofshin këto të mëdha a të vogla,
DHE PËR KËTË QËLLIM
të ushtrojmë durimin dhe të jetojmë në paqe si fqinjë të mirë,
Të bashkojmë forcat tona, në mënyrë që të ruajmë paqen në botë dhe sigurinë ndërkombëtare,
të pranojmë parimet dhe të fusim procedurat, që garantojnë përdorimin e armëve vetëm për interesin e përgjithshëm, dhe
të marrim në konsideratë institucione ndërkombëtare me qëllim, që të mbështesim përparimin ekonomik dhe social të të gjithë popujve .
VENDOSËM TË PËRPIQEMI BASHKARISHT PËR ARRITJEN E KËTYRE QËLLIMEVE.
Në këtë mënyrë qeveritë tona, përmes përfaqësuesve të tyre, mbledhur në San Francisko, të cilët kanë paraqitur plotfuqitë e tyre në formën përkatëse, kanë pranuar Kartën e Kombeve të Bashkuara duke krijuar kështu një organizatë ndërkombëtare nën emërtimin “Kombet e Bashkuara”.”
Le të vazhdojmë më tutje.
Kapitulli I përmbanë qëllimet dhe parimet e kësaj organizate, ku në mënyrë eksplicite theksohet ruajtja e paqes botërore dhe sigurisë ndërkombëtare dhe për këtë qëllim marrin masa kolektive të efektshme për të parandaluar dhe mënjanuar kërcënimet e paqes, për të mposhtur veprimet mësymëse dhe shkeljet e tjera të paqes, si dhe për të zgjidhur me mjete paqësore sipas parimeve të drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare konflikte ndërkombëtare apo situata, që do të mund të çonin në shkelje të paqes; të zhvillojnë marrëdhënie miqësore mes kombeve, të cilat bazohen në parimet e barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve si dhe të marrin masa të tjera të përshtatshme për konsolidimin e paqes; të ngrenë në këmbë një bashkëpunim ndërkombëtar për të zgjidhur probleme ndërkombëtare të natyrës ekonomike, sociale, kulturore dhe humanitare si dhe për të mbështetur dhe forcuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë, pa dallim race, seksi, gjuhe apo besimi fetar; dhe të jenë qendra, në të cilën koordinohen me njëra-tjetrën përpjekjet e kombeve për të realizuar këto qëllime të përbashkëta.
Në nenin 2 parashihet që: organizata dhe anëtarët e saj veprojnë në zbatimin e qëllimeve të përcaktuara në nenin 1 sipas parimeve të mëposhtme:
Organizata bazohet në parimin e barazisë sovrane të të gjithë anëtarëve të saj; Të gjithë anëtarët përmbushin në mirëbesim të gjitha detyrimet, që ata marrin përsipër me anë të Kartës, me qëllim që të sigurojnë të drejtat dhe privilegjet, që u takojnë nga anëtarësia; Të gjithë anëtarët i zgjidhin konfliktet e tyre me mjete paqësore, në mënyrë të tillë që paqja botërore, siguria ndërkombëtare dhe drejtësia të mos rrezikohen; Të gjithë anëtarët ndalojnë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare çdo kërcënim apo përdorim dhune, që drejtohet kundër paprekshmërisë territoriale apo pavarësisë politike të një shteti ose që bie ndesh me qëllimet e Kombeve të Bashkuara e shumë fjali të tjera, që tingëllojnë bukur për veshin e njeriut!
Botën në 78 vjetorin e OKB-së, po e gjen në luftë! Për atë çka është e thirrur ajo, për paqe, sot e njëjta përballet me plot problematika dhe sfida të natyrave të ndryshme brenda saj, dhe e njëjta si organizatë nuk po arrinë që ta siguron paqen dhe sigurinë botërore.
Njëherë e përgjithmonë, kjo organizatë duhet t’i nënshtrohet një rishikimi serioz të funksionimit të saj dhe të detektohen mangësitë për të përjetuar reforma të qenësishme, edhe atë duke filluar në Këshillin e Sigurimit, sepse jo më larg se më 16 tetor, Këshilli i Sigurimit e hodhi poshtë një projekt-rezolutë të paraqitur nga Rusia për një armëpushim mes Izraelit dhe Gazës, pasi SHBA, Britania, Franca dhe Japonia votuan kundër propozimit, sepse siç duhet këto vende janë mbështetëse të njohura të Izraelit, andaj pas votimit, Rusia deklaroi se OKB-ja mbahet “peng” nga Perëndimi.
Nga ana tjetër, mos të harrojmë, edhe atëherë kur Këshilli i Sigurimit duhej të ndërhynte në luftën e zhvilluar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, Rusia fuqimisht e përdori të drejtën e vetos dhe mundohej me çdo kusht, të parandalonte një ndërhyrje për vendosjen e paqes në këtë shtete. Mangësitë dhe problemet juridike shpeshherë kanë ditur që ta paralizojnë në arritjen e qëllimeve për çka është krijuar OKB-ja.
Debatet brenda saj dhe akuzat në adresë të saj, thuajse janë të përditshme edhe nga ana e anëtarëve të saj. Presidenti i Turqisë, Erdogan, jo njëherë akuzon se Këshilli i Sigurimit nuk punon më për të garantuar sigurinë globale, përkundrazi ajo është bërë një arenë për pesë vendet anëtare të përhershme për t’u përfshirë në konfrontime strategjike. Ai gjithmonë, brenda në OKB e përsërit sloganin e tij për nevojën e reformave në OKB-së, duke thënë se: “Bota është më e madhe se pesë”, duke i referuar natyrës jopërfaqësuese të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me veto.
Sot mund të thuhet se gjetja e paqes kudo në botë, përfshirë Izraelin me Palestinën dhe Ukrainën me Rusinë është tejet e vështirë. OKB, dukshëm shihet se ka humbur kredibilitetin e saj edhe si ndërmjetësuese në zonat e luftës. Aq më tepër, që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë 1990 dhe në luftërat e sotme, OKB-ja ka pasur pak autoritet dhe nuk është gjithaq efikase në gjetjen e zgjidhjeve që do të garantonte paqen dhe sigurinë botërore, andaj e ka humbur relevancën e saj edhe midis anëtarëve të saj. Kjo futje në qorrsokak, e bënë të vështirë gjetjen e rrugëdaljes, nëse nuk ka strategji për reformimin e saj si dhe gjetjen e një marrëveshjeje të re ndërkombëtare që do t’i rregullonte marrëdhëniet mes shteteve dhe kombeve.