Nga Arjan Th. Kallço/
Nëse do t’i referohemi një kënge të këngëtarit italian Çelentano mbi situatën sot që nuk është e mirë, do ta kuptojmë që tashmë të gjitha fushat kanë adoptuar sistemin e krizave, me dashje ose padashje. Pra pak filozofi politike e bën edhe një këngëtar që me këngët e tij ka tjetër mision. Politika është shndërruar në një gangrenë që po ia merr frymën gjithë shoqërisë. A mund të çlirohen fushat e tjera nga politika? Është një pyetje që nuk është e vështirë t’i japësh një përgjigje të plotë, duke e analizuar se politika tashmë është në një krizë filozofike mbijetese. Kjo kuptohet sepse me të u detyruan të lidhen shumë aspekte të jetës që jo detyrimisht duhet të jenë të varura prej saj. Ky është edhe gabimi ose gracka në të cilën mendjet djallëzore e futën të gjithë rrjedhën e shoqërisë, duke krijuar bindjen se pa politikën nuk mund të bëhet asgjë. Pra jemi përsëri në të njëjtat nivele si dikur me Princin, ku gjithçka varej prej tij, ai ishte gjykatësi dhe zbatuesi i ligjit. Nëse i referohemi përcaktimit të filozofisë politike do të thoshim se është studimi i veprimtarive të lidhura me gjithçka që ka të bëjë me punët e shtetit që e thënë më shkoqur me të gjitha aspektet e shtetit në një shoqëri. Këtu del qartë këndvështrimi i një politike dominuese mbi gjithçka, por që Aristoteli e sheh politikën si një tërësi mjetesh që lejojnë të arrihen efektet e dëshiruara. Gjendemi në një kontradiktë midis mendimit të filozofit të lashtësisë dhe aktualitetit politik sot ku politika është larg misionit të saj të përcaktuar nga Aristoteli. Duhet pranuar se vetë filozofia politike ka hyrë në një rreth vicioz që e ka të vështirë yë dalë dhe kjo i jep dorë mendimit të hedhur tashmë në tregun e dijeve se filozofia nuk jeton më, nuk ka se çfarë të bëjë më. E thënë kështu nuk mbetet gjë tjetër që ta ekzekutojmë përfundimisht shkencën dhe disiplinës që teorikisht duhet t’i japë paraprakisht zgjidhje mendimit të politikës. Studiuesja italiane Mikol Bruni në një artikull të saj qëndron tek koncepti i filozofisë politike dhe së pari me shumë të drejtë niset nga koncepti i krizës, si shkakëtari kryesor i kësaj situate.
Në një vend ku dominon koncepti i krizës së politikës – shkruan studiuesja Bruni – sistemi i politikës kthehet saktësisht në një dobësi. Por duhet ta pranojmë se kriza e politikës i detyrohet boshllëkut të një poltike që nuk arsyeton më. Shkaqet janë të shumta: ekonomike, antropologjike dhe breznore. Në çdo kontekst ka patur periudha që e kanë shtruar këtë problem. Nuk besoj se kriza e poltikës i detyrohet vetë politikës, sesa magësisë filozofike të një politike të menduar jo vetëm përmes arsyetimeve, por si shthurrje të rendit të identitetit.
A hyn politika në identitetin kombëtar? Po politika shqiptare sot si do të përcaktohej në këtë zallamahi postkomuniste? Unë mendoj se nuk duhet të tregohemi kaq të gjerë saqë politikën ta futim në identitet, të paktën shqiptare, sepse karakteri konfliktual i saj në gjithë këto vite, do ta shihte si karakteristikë kryesore e të vetë shqiptarëve, pra do të na duhej ta pranonim se është në natyrën e shqiptarëve, për më tepër e pandryshueshme përderisa do ta quanim pjesë e identitetit të tij. Më duket absurde një ide e tillë, por një politikë e mirë kombëtare me synim përparimin e të gjithëve, me plot gojë do ta quanim identitet. Por edhe vetë bota nuk mund të krehohet me një politikë që sado të ndryshojnë kohët, mbetet në të njëjtat pozita. Largimi i politikës nga filozofia ka sjellë këto pasoja që politika nuk e meriton të quhet identiteti ynë kombëtar. Megjithatë Bruni mendon se politika është shprehje e një identiteti të një kombi, por edhe shprehje e një klase drejtuese. Është politika e krijon një komb me karakteristikat e veta të sakta të identitetit. Klasa drejtuese politike i ka të gjitha meritat dhe dështimet mbi shpatullat e veta dhe këtu jemi plotësisht dakord. Nëse klasa e sotme politike shqiptare krijoi njeriun apo steriotipin e njeriut që kemi sot, atëherë duhet të pranojmë se në epoka të ndryshme kemi identitete të ndryshme dhe kjo nuk do të ishte e drejtë. Identiteti politik do të ishte një etiketë që do të ndryshonte sapo shoqëria të riniste një rrugë të re dhe në këtë pikë identiteti politik e humbte karakterin e tij të pandryshueshëm kombëtar, duke mohuar vetë metafizikën e historisë. Tashmë Europa po flet nëj gjuhë, atë që me shumë bujë po e quan demokracia e modelit perëndimor në të gjitha vendet. Me të drejtë studjuesja Bruni thekson se me rënien e ideologjive apo me kapërcimin e kufijve të ideologjive në një vizion kryesisht ekonomik, munguan disa premisat filozofike. Binomi filozofi-politikë është i pandashëm. Kjo konstatohet si në shtetet demokratike dhe ato autoritare. Perëndimi i ideologjive nuk solli një revolucion konservator, as një konfromizëm të llojit socialist modern, aq më pak një liberalizëm ku tregjet mund të kontrolloheshin. U vërtetua një kolaps i vërtetë mes politikës dhe ekonomisë. Duhej ta prisnim. Epokat udhëtojnë në valët e lëkundjeve të financave. Rilindja ishte paralajmëruar nga Makiaveli që na shpjegon se me Princin hyjmë në një epokë që jo vetëm dikton zërat e modernitetit, por vendos një raport të ri mes pohimit të proceseve ekonomike që duhen drejtuar nga politika. Nga Makiaveli e këtej politika nuk është më e njëjta. Kapërcehet qendërzimi i konceptit të personit dhe vendoset një lidhje mes subjektit politik dhe politikës si mjet qeverisës. Një politikë që e ka humbur mendimin filozofik, sepse ka marrë përparësi ekonomia e politikës dhe Makiaveli gjen një stehë në një qoshe të historisë.
Në një artikull më rastin e 500 vjetorit të Princit theksova se ideja e Makiavelit u keqinterpretua qëllimisht, duke e larguar nga vizioni i vërtetë – në këtë pikë jemi të dy besnikë me Brunin ndaj ideve të Makiavelit – që mund të përmblidhet kështu: objektiva, mjetet, arritja e tyre. Nëse rimarrim konceptin e mësipërm për identitete të ndryshme në epoka të ndryshme, atëherë do të ishim shumë dakord me Alexis de Tocqueville që thoshte se çdo brez që formohet në gjirin e vet, është si një popull i ri. A e kemi vërtet ne shqiptarët këtë popull të ri? Nëse po, a është në lartësinë e detyrave të veta? Është gati të marrë përsipër barrën e rëndë të historisë që sipas interpretimeve të të dy kampeve të dikurshëm nuk e kryen në njërën anë? Realiteti shqiptar për fat të keq na e mohon këtë detyrë madhore të popullit të ri, me identitet të ri politik kombëtar, të mbrujtur me parimin e lirisë së vërtetë, me virtytet më të larta të demokracisë, të respektit dhe bashkëjetesës në të njëjtën hapësirë që është po ajo, shqiptare, por në kohë të ndryshme. Politika e ka formësuar tashmë karakterin e vet dhe me këtë natyrë po përpiqet të imponohet edhe tek populli. Nuk ka alternativa të qarta të zhvillimit dhe progresit për të gjithë, pra të një filozofie të drejtë politike, ekonomike dhe shoqërore. Klasës politike i duhen njerëz me vizione të qarta filozofike që të bëjnë zgjedhjen e duhur në kohën e duhur. Shpërbërja e ndërgjegjes është faktori kryesor i prishjes së ekuilibrave të mësipërm filozofikë së pari e më pas politikë, qytetarë e kombëtarë nëse duam t’i shkojmë deri në fund. Po e mbyll me mendimin e Brunit kur thotë se në demokracitë perëndimore politika duhet të jetë garante e raportit mes strukturës së institucioneve dhe ekonomive të reja të zhvillimit.
SAMI says
I NDERUARI ARIJAN TH KALLOCI KENI SHUM TËDREJT QË KENI PYTUR UN MENDOJ SE KEMI NEVOJ SHUM MEI NDRIçUR PSIKOLLOGJIN E KREUT POLITIK SE JAN ZHYTUR DHE JAN KRIMINALIZU .ATHER GJITHA KTO STRUKTURA POLITIKE DUHET MEI LARGUE .POR ËSHT PAK VËSHTIR POR NUKA VULLNET NËKET DREJTIM POR KOHA KETREGUE NËTË KALUMEN SE SKAMETUN ASGJA PAU REALIZU ATHER SOD JAM MOSI BINDUR SE VJEN KOHA DHE KANMENDRIçUE GJITHA GJËRAT EDHE KTYRE KRIMINELVE JUVJEN FUNDI.