Nga Muç Xhepa/
Në vilën e grabitur nga “çlirimtarët”, ushtarët e shërbimit janë ndërruar. Menjëherë vajzës së bukur i ra në sy gardisti qafëshkurtër, shpatullgjerë, syzgavërt, ujku, që i bën shenja të turpshme. Si guxon, mendoi e tronditur gjimnazistja. Pas vrasjes së numrit dy të kupolës së krimit, në pjesën fundore të bllokut, ku banon familja e saj dhe disa ushtarakë të lartë, kanë nisur internimet. Babai ka ditë që s’është kthyer, e morën me BÇ-në e drejtorisë dytë, sigurimit, tha me vete dhe trupin ia përshkoi e dridhur frike. Ujku merr detyrën. E diel. E ëma s’është kthyer nga motra e vet, që punon në Komitetin Qendror. Ka shkuar të mësojë për fatin që e pret. Ujku vë dorën mbi organ. Bën nga dera.
– Takohemi te “MC LAREN”, bar-lulishtja pranë shtëpisë tënde.
– Në cilën orë?
– Muzg, gjashtë. Le që po të marr me taksi.
– Mos u mundo. Vij në këmbë.
– Merrja mercedesin tim, por s’ka vendparkimi.
Lokali te rruga “Karadaku” është mbushur me rini. Altoparlantët e vendosur në qoshet e lulishtes sjellin muzikë italiane të viteve ’70. Më të mirat e Lucio Battisti-t. Elbasani në shtator është i një dimensioni tjetër, krahasuar me Pogradecin e lagësht e të ftohtë, ku kaluam fundjavën: është i ngrohtë, i bukur dhe njerëzia bisedojnë me njëri-tjetrin duke shijuar pije jashtë në natyrë – sa ekzotike! Ne që vijmë nga larg, na lë pa frymë. Na jep atë që asnjë qytet tjetër në botë nuk e ka: dritën mistike të vendlindjes. Ndërsa dëgjojmë zërin e Lucio-s me këngën “Il Nostro caro angelo” – njëra nga më të preferuarat e kohës.
“… La fossa del leone
È ancora realtà
Uscirne è impossibile per noi
È uno slogan, falsità
Il nostro caro angelo…”
Te tryeza afrohet një mik i vjetër. Ka vite që banon në kryeqytet.
– Edmond më surprizove. S’e kisha menduar që do t’më takoje me Muçin sot. Pas kaq vitesh.
Mbetem i befasuar. Miku i përbashkët s’ka ndryshuar fare. Jeta në fshatrat malorë, mësues, ia ka ngadalsuar moshën.
– Il nostro caro angelo…
Duke imituar Battisti-n takohemi me mall. Edmondi porosit pijen që na pëlqen të treve “Bitter analcolica” me akull. Gotat ndjekin njëra-tjetrën, biseda ndizet.
– Për mua Lucio është muzikanti më i madh italian që ka jetuar ndonjëherë.
Miku ynë mësues thotë plot pasion.
– Lucio i dritës. “La luce”.
Edmondi shton duke qeshur.
– Në retrospektivë, po ta shohësh artin e tij, është kalim nga këngët e dashurisë te ideja e dashurisë.
– Iluminim.
– Në vitet e fundit të jetës u mbyll në vetvete.
– Ashtu ndodh me të mëdhenjtë.
– Kam lexuar tregimin tënd: dashuria e Ilirit me gjimnazisten dhe jam prekur.
Mësuesi më vëshron me sy të trishtuar.
– Do të doja shumë ta shkruaj edhe… por, miratimi yt.
– Me një kusht. Pa emra.
– Përse me të vërtetë guxove.
Edmondi e ngacmon me dashamirësi.
– Marrëzia e kohës.
– Kam pak raki. E kam zier vetë. E hedhim në “Bitter”. Lëng shpirti.
Qesh me zë. Rakia e bën efektin menjëherë.
– Erdhi herët. Pa filluar ora e parë e mësimit. E shoqëronte nje mësuese që kisha besim. I pata treguar edhe lidhjen me maturanten. Në fillim u trondit. Vajza kishte ardhur e internuar. E ndjekin, më këshillonte kolengia. Ju luta dhe ma solli te kabineti i kimisë. Në aneks. Sapo mbetëm vetëm e mora në krahë. U lëshua e tëra. Shtrova në çimento një përparëse të bardhë që e mbante mësuesi i kimisë, kur bënte eksperimente.
Edmondi na i mbush përsëri gotat. Edhe pse alkooli është depresiv, na i shton emocionet, reagimet.
– Po të zinin.
E pyes me pafajni.
– Do të martoheshim. I kisha marrë parasysh të tëra. E dashuroja. Kur u largua më tha duke qeshur.
– Le ta quajmë…
– Më kishte pyetur dikur për kuptimin e “A one-night stand”. Ashtu i shokur ia kisha shpjeguar, ndërsa ajo fshinte lotët.
– Seksin e imponuar në takimin e parë e kam quajtur vdekje. Ujku mori gjithçka që kërkoi nga unë dhe për dy vite radhazi kam bërë ç’mos ta harroj. Por, sot, e bëra me dëshirë dhe le ta quajmë “A one-night stand” mësues. U largua. S’u takuam më. I kishin internuar në një fshat të izolur, mes malesh.