

Dr. Paulin Marku/
Veprimtaria e Abas Kupit është e ndarë, sa në Shqipëri dhe sa në emigracion. Nepërmjet aktivitetit polik ai dallohet si një veprimtar i shquar që luftoi regjimin komunist dhe nuk u pajtua asnjëherë, deri në ditën e tij të vdekjes. Abas Kupi ishte kundërshtarë i hapur i regjimin komunist, të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe dëshmoi oponencë në emigracion nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit. Ai kundërshtoi regjimin nëpërmjet lëvizjes së Legalitetit, bashkoi shumë bashkatdhetar të pakënaqur ndaj regjimin dhe bashkpunoi edhe me shumë organizata e grupime antikomuniste në diasporë. Abas Kupi ishte ushqyer me vlera atdhetare e nacionaliste dhe kishte dëshmuar guxim që në vitin 1914 kur kishte kundërshtuar lëvizjen Haxhi Qamilit, edhe pse atëherë ishte në moshë të re, vetëm 22 vjeç. Pas kundërshtisë së lëvizjes Qamiliste, evidentohet se kishte kundërshti e përplasje edhe me pushtetarët e asaj kohe në Shqipëri. Me mbretin Ahmet Zogu ndërtuan marrëdhënie bashkëpunimi dhe fituan besim të ndërsjellët dhe arritën të kenë raporte tepër të mira, deri në ditën e vdekjes të Ahmet Zogut. Po ashtu, Abas Kupi mbajti marrëdhënie të ngushta edhe me pasardhësit e familjes zogiste. Gjatë periudhës së Zogut, Abas Kupit iu besuan poste të rëndësishme në radhët e rendit dhe sigurisë publike dhe shërbeu në Krujë, Durrës, Vlorë dhe së fundmi komandat Abas Kupi gjendet në postet drejtuese në Durrës dhe bëri rezistencë me disa patriotë të tjerë, për të mbrojtur vendin nga pushtimi i Italisë, të 7 prillit 1939. Durrësi ishte qyteti i fundit bregdetar që u dorëzua, pasi më parë kishin rënë qytete si, Shkodra, Shëngjini, Vlora, Saranda etj… por falë rezistencës së Abas Kupit me shumë atdhetarë të tjerë pati rezistencë luftarake në bregdetin e Durrësit. Marrja e drejtimit të Shqipërisë nga komunistët me në krye, Enver Hoxhën do të shkaktonin një valë arrestimesh, persekutimesh, internimesh, me shumë vuajtje ku nuk kursyen as fëmijë, gra e pleq e plaka të cilët përfunduan nëpër kampe internimi. Gjithashtu, regjimi komunist shkaktoj traumë sociale, krizë ekonomike dhe shumë kundërshtarë të sistemit diktatorial të Enver Hoxhës përfunduan nëpër burgje dhe me eliminime fizike, disa prej tyre s’ju gjeten as eshtrat e tyre. Për këto arsye të lartpërmendura, e shumë forma dhune e persekutimi të tjera, pati një valë largimesh nga Shqipëria. Ata që nuk pajtoheshin me regjimin dhe ishin kundër sistemit, u detyruan të largoheshin nga Shqipëria, ku një ndër shumë të larguarit, ishte edhe Abas Kupi.
Për Abas Kupin do të rifillonte sfida e jetës në emigrim, sa në Evropë, Azi, Afrikë dhe në Amerikë. Por ai as nuk u dorëzua dhe as nuk u inkurajua por u aktivizua në jetën publike politike dhe ishte aktiv në komunitetin shqiptar në emigracion nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit për të luftuar regjimin komunist në Shqipëri. Në diasporë u organizuan shoqata, komitete e lëvizje antikomuniste të shumta, të cilat funksiononin vepronin të ndara por në vitin 1949 filluan të bashkëpunonin për të qenë të bashkuar kundër regjimit dhe disa figura patriotike të kohës, si Mit’hat Frashëri, Abas Kupi, Zef Pali, Said Kryeziu etj…, mendonin se duhet patur një organizim të përbashkët, Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Formimi i komitetit do t’ju jepte mundësinë të bashkonin opozitarët shqiptar dhe do të shkonin nëpër vende të Evropës, Gjermani, Francë, Angli, Itali, etj. Po ashtu, udhëtuan dhe në SHBA, së bashku me Mit’hat Frashërin, Said Kryeziun, Zef Palin, e Abas Kupi për të takuar shqiptarët antikomunist dhe për të lobuar me përfaqësues të vendeve të ndryshme. Ata punuan për ndërgjegjësimin e opinionit publik nëpërmjet shtypit të kohës, radiove me emisionet radiofonike, takimeve me bashkatdhetar në emigracion për të demaskuar komunizmin, kundërshtimeve ndaj politikës së ashpër shtypëse të Enver Hoxhës dhe grupit të tij që ishin të vendosur për eliminimin e kundërshtarëve politik të qeverisë së Tiranës me çdo formë (internime, persekutime deri në eliminimin fizik). Ata kundërshtonin regjimin nëpërmjet shtypit në emigracion “Shqiptari i Lirë” “Atdheu”, në gazetën “Dielli” e broshurave të ndryshme shtypur në emigracion. Lidhur me kundërshtarët politik të regjimit, Tirana Zyrtare kishte marrë informacion se Abas Kupi kishte vizituar Amerikën dhe Kanadanë në 1958 duke takuar të arratisur politik dhe se po vazhdonte përpjekjet për të bashkuar shqiptarë në Lëvizjen e Legalitetit.
Abas Kupi qëndroi në Romë Itali deri në 1957 dhe pastaj sa në nëpër Evropë sa në Amerikë e Kanada, deri në vitin 1968 që shënon largimin përfundimtar të tij nga Evropa dhe zhvendoset në New York, USA . Ai u mirëprit nga të afërmit (djemtë, nipa, të afërm, miq e shokë të shumtë), si dhe pati një pritje të ngrohtë edhe nga antikomunistët që jetonin në Amerikë. Veprimtaria e mërgatës shqiptare ishte aktive kundër regjimit komunist dhe i jepte mundësinë të kishte veprimtari politike dhe këtë mundësi e shfrytëzoi Abaz Kupi duke organizuar takime dhe manifestime të ndryshme me diasporën e Amerikës.
Në vitin 1952 “Vatra” nëpërmjet gazetës “Dielli” shprehej se një numër i madh antikomunistësh kanë ardhur në Amerikë dhe po bëjnë propagandë të fortë kundër regjimit komunist dhe se besojnë në principet demokratike. Qeveria shqiptare i frikohej bashkimit të emigracionit shqiptar të Amerikës. Gazeta Dielli kritikonte sistemin komunist të Enver Hoxhës. Vizita e Leka Zogut në Amerikë dhe mbajtja e një takim në Michigan me kryetarin e “Vatrës” dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar që ishin antikomunistë nxiti komunitetin shqiptar për të bashkëpunuar kundër regjimit të Enver Hoxhës. Editori i “Diellit” Xhevat Kallajxhiu kritikonte qeverinë e Tiranës dhe i kërkonte të ndryshonte qasje dhe të mos të mbetej e izoluar nga bota. Xhevat Kallajxhiu po sjelltë në shtypin e gazetës “Dielli” antikomunistët, Mit’hat Frasheri, Abaz Kupi, Vasil Andoni, etj …
Sipas dokumenteve të arkivave të kohës, Ministria e Jashtme e Shqipërisë informohej rregullisht lidhur me emigracionin politik shqiptar në SHBA dhe për veprimtarinë e tyre dhe për aktivitetin e tyre kundër regjimit komunist. Dokumenti pohonte se citoj: “grupe të ndryshme të emigracionit reaksionar që ekzistojnë këtu, qendrat dhe shtypi i tyre. Raportonte se: “Gjatë gjysmës së parë të 1960-ës, gjendja në emigracionin politik në SHBA nuk ka pasur ndryshime me rëndësi. Numri i të arratisurve që ndodhen këtu ka ardhur duke u shtuar, se kanë vazhduar të vinë persona nga Evropa Perëndimore. 1. “Komiteti Shqipëri e Lirë”, 2. Grupi i Ballit Kombëtar, 3. Grupi i Bllokut Indipendent, 4. Grupet zogiste. 5.Grupet e “Legalitetit”. Këtu qëndrojnë disa nga krerët kryesorë të të dy grupeve zogiste si dhe disa nga ata zogistë që qëndrojnë të çkëputur. Konkretisht qëndrojnë këtu: Gaqo Gogua e Selim Damani të “Partisë Monarkiste”; Abaz Kupi i grupit të “Legalitetit” (ky ka bërë një seri lëvizjesh në qytetet të ndryshme si në Detroit, Çikago e Toronto, por nuk dijmë se ku qëndron tani); Nuçi Kota e të tjerë zogistë të çkëputur. Në relacionin e mëposhtëm drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me emigracionin ekonomik dhe politik shqiptar në SHBA dhe aktivitetin e tij gjatë muajve janar-korrik 1963, New York, më 10 gusht 1963 pasqyrohet veprimtaria dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve në USA për periudhën janar-korrik 1963: Grupi i “Bashkimit shqiptar”, Lidhja e Prizrenit, Federata Pan Epirote e Amerikës, Organizata e “Vatrës”, Mbi Komitetin “Shqipëria e Lirë, Blloku Indipendent, Mbi Ballin e Bashkuar të Hasan Dostit dhe Ali Këlcyrës, Legaliteti dhe grupi monarkist. Ashtu siç paraqitet edhe në dokumentacionin e kohës veprimtaria e emigracionit shqiptar në Amerikë ndiqej me interes nga regjimi komunist.
Në fund të vitit të kaluar u bë riorganizimi i Legalitetit. Iniciatorët kryesorë të kësaj ishin Nuçi Kota dhe Selim Damani. Mbas shumë përpjekjesh, në fund të nëntorit 1962 në New York u mbajt kongresi i parë i organizatës kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”. Delegatë të degëve të Legalitetit në shtete të tjera, por që nuk patën mundësi të merrnin pjesë në kongres, emëruan përfaqësues të tyre nga legalistët këtu. Vetëm nëpërmjet një procedure të këtillë u bë e mundur mbajtja e kongresit. Folësi kryesor në kongres ishin Nuçi Kota dhe Selim Damani, të cilët parashtruan platformën e organizatës të përpunuar në projekt programin dhe projektstatutin e Legalitetit. Për drejtimin e punimeve të kongresit u zgjodh Reshat Agaj.
Në kongres u zgjodh Këshilli Kombëtar i organizatës me kryetar Abaz Kupin, nënkryetar, Ferid Dervishin dhe anëtarë: Nusret Bejkosala, Reis Agaj, Hamza Drini, Hodo Kulla, Agim Sula, Kadri Sina, Ali Temali, Tahir Markia, Enver Shaska etj. U zgjodh gjithashtu edhe Këshilli Qendror i Legalitetit me Nuçi Kotën dhe Selim Damanin – sekretar dhe zv. sekretar të Përgjithshëm respektivisht dhe me anëtarë: Faik Bukmiri, Xhemali Bajrami, Arif Bylykbashi, Muhedin Haxhiu, Adem Hodo, Ragim Lohja, Lek Martini, Fuad Myftiu, Mazar Pustina, Ferdin Toptani etj. Në kongres morën pjesë të ftuar amerikanë, përfaqësues të organizatave të tjera të emigracionit reaksionar shqiptar, si dhe të emigracionit të vendeve të tjera.
Intelektualët dhe veprimtarët politikë jo vetëm nuk gjetën hapsirë për të kontribuar ne vendin e tyre por ata u përzunë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës siç ishte Abas Kupi. Është një paralelizëm tragjik ku e njëjta gjë ndodh edhe sot me qeverinë e socialistëve ku rinia, intelektualet dhe elita e kombit është përzene nga atdheu prej qeverisë Rama. Patriotet nuk e harrojne kurre atdheun dhe ne çdo kohe do ta luftojne te keqen qe shkaterron shtetin, atdheun dhe kombin. Fatin e Abas Kupit edhe pas 50 vitesh e jetojnë tragjikisht mijëra patriotë shqiptarë të larguar larg atdheut nga regjimi monkratik i socialisteve në pushtet.
Abas Kupi nuk hoqi dorë nga aktiviteti politik dhe jeta aktive në komunitet në emigracion ku nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit punoi dhe veproi duke marre pjese në Kongrese e në festime të ndryshme në diasporë. Ai bëhet anëtarë i Federatës “Vatra” dhe merrte pjesë në aktivitete komunitare shqiptare në Amerikë. Vdiq më 9 janar 1976 në New York. Ai u përcoll në banesën e fundit nga të afërm, miq, legalist dhe bashkëkombës të shumtë për ti bërë respektin dhe nderime të merituara shqiptarit, luftëtarit, komandantin Abas Kupi. Po ashtu, familjes i mbërritën edhe shumë telegrame ngushëllimi nga Amerika, Kanadaja, Australia, Evropa, si dhe shkruajtën edhe disa gazeta për Abas Kupin. Varrimi u bë më 14 janar 1976.