
Dr. Nikollë Loka/
Drejtues i kryengritjeve antiosname, veprimtar i shquar i Pavarësisë
Abdi Toptani lindi më 28 gusht 1864, në Tiranë, në familjen e njohur Toptani, një derë me ndikim të gjerë në zonën e Tiranës, Krujës dhe viseve përreth, e cila luajti një rol të rëndësishëm në proceset politiko-shoqërore që çuan drejt pavarësisë së Shqipërisë. Arsimin fillestar e mori në mejtep, ndërsa të mesmen e përfundoi në Stamboll, ku u njoh me figurat e Rilindjes si Sami Frashëri e Shahin Kolonja, të cilët ushtruan ndikim të dukshëm në formimin e tij politik. Pas kthimit në atdhe më 1895, ai u lidh ngushtë me veprimtarinë patriotike. Në fillim të shekullit XX, Abdi Toptani u angazhua fuqishëm në strukturat e rezistencës shqiptare kundër sundimit osman. Në dhjetor 1901, ai u zgjodh kryetar i Komitetit të Rezistencës në Tiranë, duke bashkëpunuar ngushtë me Murat e Refik Toptanin, Imzot Nikollë Kaçorrin dhe Mustafë Ali Beshirin. Ibrahim Dalliu, për veprimtarinë atdhetare dhe luftarake të Abdi beut në ato vite, në librin “Patriotizma në Tiranë”, ka shkruar: “Një çetë e madhe nën kryesinë e Abdi Toptanit e çqetësoi vendin dhe i tronditi turqit për së tepërmi”.
Përveç veprimtarisë së tij politike, ai punoi për përhapjen e arsimit shqip dhe të alfabetit latin të Kongresit të Manastirit, duke ngritur shkolla dhe duke mbështetur mësimin e gjuhës shqipe në zonën e Tiranës. Abdi Toptani mbante letërkëmbim të rregullt me Hasan Prishtinën, me qëllim që programi i këtij të fundit për shtrirjen e kryengritjes shqiptare në të gjithë vendin të vihej në zbatim. Në një nga letrat drejtuar Hasan Prishtinës, ai shkruante: “Hasan bej, në mos gabohem, që prej kryengritjes sonë, asht e katërta kjo qi po të dërgoj. Me lajmin e parë qi më dërguet, unë bashkë me dy vëllaznit dhe me kushërinjtë e mij Fuad e Refik beun dualëm në mal dhe qëllimi ashtë me luftue kundra fatkeqësive e robënisë qi po heqë kombi jonë.” U zgjodh kryetar i Komitetit të Përgjithshëm të Kryengritjes për Shqipërinë e Mesme, me qendër në Krujë.
Më 2 korrik 1912, ky Komitet i bëri thirrje popullit të ngrihej në kryengritje të përgjithshme. Nën drejtimin e tij u zhvilluan të gjitha veprimet luftarake në Trevën midis Kavajës, Tiranës e Krujës. Abdi Toptani ishte gjithashtu anëtar i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar, së bashku me figura të rëndësishme si Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Nikollë Kaçorri dhe Murat Toptani. Pikërisht në shtëpinë e tij u artikulua ideja që, për shpëtimin e Shqipërisë, t’i kërkohej mbrojtje Austro-Hungarisë. Në gusht të vitit 1912, ai mori pjesë si delegat në Kuvendin e Shkupit, ku kërkoi që Shqipëria të shpallte pavarësinë.
Në nëntor 1912, së bashku me vëllain Muratin dhe atdhetarë të tjerë priti në Durrës Ismail Qemalin dhe e shoqëroi atë deri në Vlorë, ku morën pjesë në ngritjen e flamurit si delegatë të Tiranës dhe janë dy nga nënshkruesit e aktit të Pavarësisë. Më 13 të vjeshtës së tretë 1328/1912, ai, së bashku me Mustafa Krujën, iu kanë dërguar telegraf kryesisë së bashkisë së Tiranës dhe Krujës: “Shqiptarët shpallën indipendencën. Memorandumin qi po shkruajmë këtu poshtë, ia dërgoni sa ma parë komandantëve të ushtrive të hueja qi janë nisë drejt për aty, me anë të nji komisioni të posaçëm edhe të nënshkruem prej kryetarit të Sundimit Kombëtar të Përkohshëm e të Këshillës Administratore.
Personalitet i rëndësishëm i politikës shqiptare(1913-1924)
U zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare të formuar në Vlorë më 4 dhjetor 1912, nën drejtimin e Ismail bej Qemalit. Në këtë detyrë, Abdi Toptani mori përsipër një nga përgjegjësitë më të ndërlikuara të shtetit të sapoformuar: organizimin e financave publike dhe krijimin e strukturave të para ekonomike të Shqipërisë së pavarur.
Abdi, Murat dhe Refik Toptani u pozicionuan hapur kundër qëndrimeve politike të Esad Pashë Toptanit, i cili kishte mbledhur në Tiranë parinë e vendit dhe të Shqipërisë së Mesme për t’i bindur të përkrahnin projektin e tij mbi mënyrën e qeverisjes së Shqipërisë dhe idenë e vendosjes së një princi mysliman në krye të shtetit.
Kundërshtimi i tyre ishte i vendosur dhe buronte nga një vizion tjetër për të ardhmen politike të vendit. Gazeta “Koha”, duke vlerësuar qëndrimin atdhetar të Abdi Toptanit në këtë përballje, shkruante: “Në kohën e sundimit të Esadit, Abdi Toptani, duke mbajtur gjithnji nalt idealin e atdheut, ishte më i rreptë armik i kushëririt të vet”.
Më 20 maj 1914 ai u emërua Ministër i Bujqësisë në qeverinë e Turhan Pashës dhe komandant i batalionit të Tiranës gjatë thirrjes së rezervistëve. Gjatë vitit 1915 ndodhej në Zvicër, ku u bë nismëtar i botimit të gazetës “Albania”. Pa kaluar shumë kohë, u rikthye në Shqipëri për të marrë pjesë në ristrukturimin e jetës politike.
Abdi Toptani njihej gjerësisht si një nga prijësit më me ndikim patriotik në Shqipërinë e Mesme, duke u renditur përkrah figurave të fuqishme të kohës si Aqif Pashë Biçaku në Elbasan, Bajram Curri në Malësinë e Gjakovës dhe Ahmet Zogunë Mat. Ai ishte jo vetëm një autoritet lokal me bazë të gjerë mbështetjeje, por edhe një personalitet me peshë morale dhe politike, i aftë të mobilizonte popullin në rrethana të vështira.
Pas ndryshimeve të bëra në qeverinë e Turhan Pashës, më 20 maj 1914, Abdi Toptani u emërua Ministër i Bujqësisë, duke marrë një detyrë të rëndësishme në qeverinë e përkohshme shqiptare në një periudhë të trazuar për vendin. Me shpërthimin e kryengritjes së majit 1914, ku historianët nënvizojnë edhe rolin përçarës të Esad Pashë Toptanit, qeveria urdhëroi mobilizimin e rezervistëve për të garantuar rendin dhe sigurinë. Abdi bej Toptani u caktua komandant i batalionit të Tiranës, si një figure kyçe në përpjekjen për të ruajtur stabilitetin në vend.
Më 19 dhjetor 1918, në mbledhjen e thirrur në Tiranë, Abdi beu u zgjodh kryetar i Kongresit të Tiranës, ku u miratuan vendime të rëndësishme për organizimin e pushtetit vendor, pajtimin e gjaqeve dhe përgatitjen e delegacionit shqiptar për Konferencën e Paqes në Paris. Ai ishte gjithashtu delegat i Tiranës në Kongresin e Durrësit (25 dhjetor 1918).
Abdi bej Toptani ka qenë delegat i Tiranës në Kongresin e Durrësit, më 25 dhjetor 1918, megjithëse mungoi në mbledhjen e parë. Ai mori pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës si delegat i Tiranës dhe u vlerësua si një nga “aktivistët kryesorë” të punimeve të kongresit.
Gjatë Kongresit të Lushnjës, Abdi Toptani përfaqësoi Tiranën dhe, në mbledhjen e katërt të mbajtur më 30 janar 1920, kongresi e zgjodhi atë anëtar të Këshillit të Lartë, së bashku me Imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin dhe Dr. Turtullin. Në dhjetor 1921, pasi Aqif Pashë Elbasani dhe Imzot Bumçi u shkarkuan nga Parlamenti si anëtarë të Këshillit të Lartë, të akuzuar për pjesëmarrje në komplotin që rrëzoi qeverinë e Pandeli Vangjelit, Abdi Toptani dhe Dr. Turtulli paraqitën dorëheqjen. Ata e konsideruan shkarkimin e dy kolegëve të tyre si shkelje të Statutit të Lushnjës. Në vend të tyre u zgjodhën Refik Toptani dhe Sotir Peci.
Gjatë viteve 1922-1924, Abdi Toptani u pozicionua hapur kundër tendencave gjithnjë e më autoritare të Ahmet Zogut dhe kundër përqendrimit të pushtetit në duart e tij. Ai përkrahu kryengritjen e marsit 1922, të udhëhequr nga Bajram Curri dhe Elez Isuf Ndreu, një lëvizje që synonte kufizimin e ndikimit politik të Zogut dhe rivendosjen e një ekuilibri më demokratik në qeverisje. Sipas Eqrem bej Vlorës, Abdi dhe Hamit Toptani synonin t’i jepnin fund modelit të sundimit personal të Zogut, i cili po konsolidohej me shpejtësi në atë periudhë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, Abdi Toptani u rreshtua hapur me opozitën, duke u pozicionuar kundër grupimit politik të Zogut dhe duke mbështetur forcat që kërkonin reforma më të gjera politike. Ndwrsa pas ngjarjeve të qershorit 1924, që sollën përmbysjen e përkohshme të Zogut dhe më pas rikthimin e tij në pushtet me ndihmë të jashtme, Abdi Toptani u vendos në listën e kundërshtarëve kryesorë të regjimit. Ai u dënua me vdekje, por vendimi nuk u ekzekutua për shkak të reagimit të gjerë publik dhe presionit moral ndaj autoriteteve të kohës. Këto zhvillime shënuan fundin e angazhimit të tij aktiv në politikë; pas vitit 1924, Abdi Toptani u tërhoq përfundimisht nga jeta publike.