Luan Laze
– ese nga Visar Zhiti –
Një libër – një paradoks i zmadhur nga shkrimtari Luan Laze, që priti sa priti dhe na u vërsul për të na treguar se ku kemi arritur, marramendshëm sa lart edhe ku, në një vend të vogël, të shtrydhur midis dy kulturave të mëdha botërore, të artit, filozofisë dhe demokracisë së drejpërdrejtë të antikitetit Grek dhe artit prapë, institucioneve të demokracisë prapë dhe drejtësisë të perandorisë Romake. Për paradoks, të dy këto kultura në epokat e lavdive së tyre, që vunë në qendër Njeriut dhe Rilindjen e tij, ishin shoqëri me skllevër.
Prej tyre njerëzimi ka trashëguar vepra të pavdekshme arti si dhe arenat e amfiteatrove dhe të koloseumeve, ku përlesheshin skllevërit me shpata në duele të përgjakura, vriteshin me njëri tjetrin nën brohërimat e spektatorëve shkallëve të mermerta, pra të popullit tjetër. Një tillë e kemi zbuluar dhe ne mu në qendër të qytetit të Durrësit. Kulmi arrihej, kur në arenë futeshin nga bodrumet nën tokë kafshët e egra, të uritura, luanët, që shqyenin me dhëmbë dhe kthetra mishin njerëzor.
Dhe vazhduan deri në ditët tona ato duele, betejat asisoj, luftërat, u bënë të përgjithshme, Lufta e Trojës… Beteja e Termopileve… e Torviollit… Rrethimi i Krujës, I pari, I dyti, I treti… Rrethimi i Stalingradit… dhe pastaj prapë nga e para, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore… e treta tani… dhe… dhe Inteligjenca Artificiale… gjithnjë e më të modernizuara, duke u përkryer habitshëm… por unë dua të ndal te Luan, te paradoksi i emrit, i njerizuar, i mbretit të pyllit dhe jo vetëm, edhe i shteteve, emri Luan është vënë ndër njerëz qysh herët ndër popuj, Leo, Leone, Lev, Leopold, dhe Leopoldina, etj, etj, deri dhe te emri i heroit të antikitetit grek Leonidha, të gjithë janë në adhurim të forcës dhe madhështisë së tij, por dhe si një pakt pajtimi… por mes kujt, njeriut dhe egërsirës dhe pastaj mes njerëzve?
Gjithsesi unë dua të merrem me Luanin tim…
Luan Laze. Sipas asaj që ai e thotë dhe vetë në një aforizëm për emrin e tij: më vendosën këtë emër se e dinin që do të jetoja në një shoqëri kafshësh, duket vërtet si një luan në arena e reja, në qytete, rrugëve të tij, në shtëpi e zyra, në punë e klube, në biseda me të tjerët, me veten, në ëndrra e delire, ecën i shkujdesur, duke parë të tjerët shkallëve, në stadiume, teatër, partira, parlament, shkallëve të avionit, shkallëve të pallateve pa leje… ashensore karrierash… ballkone ballë për ballë, etj, etj.
Luani sheh që kthetrat nuk janë më, por janë bërë ironi e tij, dhëmbët janë zemërimi, qortimet, tund bishtin hokatar, realiteti i ngjan një cirku, gazmor në dukje, ja dhe teli i ekuilibrit të rrezikshëm, të hungërish paqësisht duke i ngazëllyer spektatorët… Sot si dikur. Dikur si sot…
Në fakt ky është libri, ky libër…
PO E SHFLETOJMË…
Keqkuptimi është një dhuratë për të kuptuar më mirë.
Hija e njerëzve është më interesante se vetë ata.
Shpëtoni prej atyre që keni brenda vetes, të shijoni veten.
Po! Po ç’ishte ky zell për të treguar me pakëz fjali ose dhe me një të vetme, por ama me 5000 të tilla, realitetin përreth, njerëzit që njohim dhe nuk njohim, adhurim apo kritikë apo frikë shpotitëse nga jeta, nga alienimi i shoqërisë njerëzore, mbase kështu do të thoshte studiuesi gjakftohtë, futje në vorbullat e ngjarjeve të aktualitetit, do të vazhdonte ai, ndoshta dhe mundësi për të qeshur me veten, do të shtoja, në kohën kur qeshet aq shumë me të tjerët, një vetvete tjetër? Apo të gjitha bashkë nga pak a asnjëra aq shumë?…
Shkencat sot kanë arritur zhvillime të paimagjinueshme, por jo nga ata që zbulojnë dhe shpikin, kur Inteligjenca Artificiale, AI siç quhet, pra “ai” në shqip, ai tjetri, që po na kërcënon me mençuri të hatashme, se nuk duket e largët dita që do të mund të sundohemi jo më nga vetvetja, por nga vetvetja e shpërngulur te makinat, në robotë, me mendjen të zbrazur në një elektroteknologji të skajshme, në kompjutera gjithfarëlloj, në univers pranë, por dhe larg, të futur nën lëkurën e njeriut, sepse mençuaria jonë ishte kaq shumë injorante, sa… s’e di, etj, etj.
Luan Laze, edhe pse e kishte nisur ndryshe, si me një shaka të padëmshme, sikur donte të kalonte kohën, tani është në përballje, në vorbull, përkundruall kohës, qendrestar, pa e marrë përsipër si mison, kështu duket paradoksalisht…
Ka 48 vjet që shkruan aforizma & paradokse, kështu thotë, i ka nisur që kur ishte ushtar i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më i gjatë emri se vetë atdheu, pra, në vitet 1976 – 78, kur Shqipëria kishte dalë nga kampi socialist, nga perandoria komuniste, dhe nuk kishte shkuar asgjëkundi, ishte vetëmbyllur, regjimi ruhej me armë, me gjyqe, tela me gjëmba, pranga, dënime shkrimtarësh dhe librash, shpëlarje trush, etj, më shumë se nga armiqtë, pra, ruhej nga mençuria… e Luani ynë vit pas viti shtonte aforizmat dhe paradokset, gjithnjë e më të rrezikshme.
Po pse s’u mjaftua me 20 sentenca, aq sa kishte moshën, kur ishte ushtar? Apo me 48, aq sa vite ka që i shkruan, fundja dhe ‘76 a ‘78 sa numri i viteve, kur i nisi? Do i jenë dukur shumë aq, po le t’i pakësonte atëhere, t’i bënte 100. Prapë shumë. Duhen më pak. Mirë pra, fiks 183 aq sa nene ka Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë. Më pak, më pak. Sa Kanuni i Lek Dukagjinit, ai ka 199 nene? Sikur t’i bëjmë 200? Apo 300, 500? 525, aq sa nene ka “Kodi i Procedurës Penale…”, se ai është më modern dhe merret drejpërsëdrejti me sentenca e hetime e paradokse e tortura. Dhe e ndërsjellta, pothuajse me to merret dhe autori Luan Laze.
Eh, prapë duheshin pakësuar, do mjaftonin 1000, apo sa 1001 netët, ne jemi popull i lidhur me Orientin, gati orient. Jo, janë shumë, duhen më pak. Sa, 2000? 3000 atëhere…
Jo! Nuk ka më pak se 5000 aforizma dhe paradokse, ndryshe s’del libri. Dhe meqënëse jemi shqiptarë dhe bëjmë më mirë hesapet e tjetrit, them se sikur Luani të kishte shkruar nga një në ditë, do t’i duheshin afërsisht 14 vjet pa afërsisht 100 ditë për 5.000 aforizmat dhe paradokset e tij. Në fakt janë tonat. Ai këmbëngul se ka 48 vjet që i shkruan, pra i dalin mangut dhe 34 vjet, të konveruar në sentenca, i mungojnë dhe 11.410 të tilla. Defiçiti është i dënueshëm… dikur shitëset e djathit dënoheshin me defiçite kësisoj dhe unë gjej ngjashmëri midis djathit dhe sentencave, gjersa një katedër albanalogjie në Angli merrej me gatimet e supës në Ballkan. Por le të vazhdojmë me shkencë, se:
Injoranca ka ecur perpara, ne kemi mbetur në vend.
ETIMOLOGJI DHE PAK ZANAFILLË…
(me mirëkuptim..)
Studiues të ndryshëm, hulumtues, kritikë, gjuhëtarë, shkrimtarë, mësimdhënës, astrologë, udhëtarë, gastronomë, maniakë librash, etj, por dhe lexues të zakonshëm, ndodh që i vizojnë librat, filozofikë, shkencorë, etj, po edhe ato letrarë dhe mbase më shumë këto të fundit. Edhe unë kështu lexoj zakonisht, kur libri është imi, duke i vizuar pjesët që pëlqej, mendoj se kështu do ndihmohem për t’i mbajtur mend, duke mos qenë nevoja ta rilexoj të gjithë librin që s’do të doja ta rilexoja.
Mund të jenë disa vizime në një faqe ose mund të kalojnë faqe te tëra pa vizime.
Ato shpesh e kanë kuptimin, por edhe bukurinë në kontekstin e tyre si një detal, mbase etik, një vështim a pakëz fare ndodhi, portreti, mençuri, marrëzi më shumë, etj, janë të çmuara dhe të vyera dhe më vete si sentenca, aforizma, metafora, krahësime, neologjizma, paradokse, etj, si fjalë të urta, thënë thjesht, por jo dhe aq të urta, kam shkruar dikur.
Po një libër që shkruhet për të qenë i tillë, vetëm me aforizma dhe paradokse, ku duhet të mbartin nënkuptueshëm karakterin, ndodhinë, konfliktin, madje dhe humorin e beftë? Dhe e gjitha me një batutë. Duhet biblioteka, do të thoshte studiuesi, libra pa fund, vizime, vizime… si shina të gjata trenash… përvojë jete, do të thosha unë, fabula me luanë e kafshë të tjera përveç njeriut, (kafshës politike, sipas Aristotelit), vëzhgime dhe aftësi, duhet qenë dhe ca ngacës, si pa të keq, me humor… dhe i gatshëm të përballosh sherret, arenën, pra do dhe ca stërvitje në palestër, edhe në ringun e boksit, në parlement, por dhe me miqtë e ngushtë, sidomos kur janë (sh)krimtarë, (kështu e kam shkruar këtë fjalë në burgologjitë e mia.) Jo se e harrova Bibliotekën Kombëtare. Asaj tonës së fundmi edhe i ra zjarri, edhe u përmbyt nga shirat e shumtë, por jo njëkohësisht në një ditë, që uji të shuante të paktën zjarrin, por n:e vite te ndryshme, ndërkaq na siguruan që letërsia e mëparshme, sidomos ajo e Realizmit Socialist nuk pësuan gjë, veç librat e rinj të këtyre viteve, në postdiktaturë, në tranzicion. Për fat 5.000 aforizmat & paradokset e Luan Lazes nuk ishin ende libër.
Dhe vërtet, nëse ka mbetur fjalor pa u djeguar ose të paktën pa u lagur, si I shpjegon këto dy fjalë?
aforiz/ëm,-mi emër i gjinisë mashkullore, numëri shumës: –ma(t), (po kur janë 5000?) i ligjërimit libror, thënie e shkurtër shprehëse, që përmban një mendim të përgjithësur a një mendim të nxjerrë nga jeta: libër aforizmash.
Kaq? Si pak paradoksale, më duket?!
paradoks,-i emër i gjinisë mashkullore; i ligjërimit libror; mendim që bie në kundërshtim me një të vërtetë të njohur a të pranuar; (paradokset e Luanit nuk bien në kundërshtim me asnjë të vërtetë dhe me të panjohurat dhe të papranuarat), ide që duket sikur nuk pranohet me arsyen e shëndoshë, por që mund të jetë e vërtetë; diçka e çuditëshme, e papritur dhe e pabesueshme: paradokset e natyrës.
Të dy emra të gjinisë mashkullore? Ç’është ky maskilizëm i hapur, harbut? Mos kisha ndërruar libër pa dashje dhe po lexoja këtë të Luan Lazes? Thashë të shikoja ndonjë tjetër në gjuhë të huaj, por pa humbur kohë, në italisht në fillim, se këtë gjuhë dime ne, gjith:e shqiptarët, kështu na duket.
aforismo s. m. [dal lat. tardo aphorismus, gr. ἀϕορισμός «distinzione, definizione», der. di ἀϕορίζω «delimitare»] (pl. -i). – Proposizione che riassume in brevi e sentenziose parole il risultato di precedenti osservazioni o che, più genericam., afferma una verità, una regola o una massima di vita pratica……….
………………………………………………………………………………………………
Mjaft! Aty aty qenka shpjegimi.
paradòsso agg. e s. m. [dal gr. παράδοξος, comp. di παρα- nel sign. di «contro» e δόξα «opinione»; come sost., dal gr. παράδοξον (neutro sostantivato), lat. paradoxum]. – 1. agg. Che va contro l’opinione o contro il modo di pensare comune, e quindi sorprende perché strano, inaspettato………………………………..
………………………………………………………………………………………………
Mjaft, prapë! Luani duhet të jetë i kënaqur me mua, se solla këtu dhe etimologjitë nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por, do të thosha se qoftë fjala aforizëm, qoftë fjala paradox, më mirë se në fjalorë dhe në enciklopedi, kuptohen se ç’janë në këtë libër të Luanit, ku autori nuk i ka shpjeguar fare, sepse ai i ka zbuluar ato si dukuri dhe na i paraqit si përsiatje dhe ndodhí, të tij/të atyreve/tonat/të askujt/të të gjithëve, etj, po do të shtoja se mendimi është ndodhí dhe paradoksi është vetvetja.
Po humori? Luani bën dhe humor. Si është tradita e humorit në letrat shqipe?
Rilindja Kombëtare pati dhe komeditë e saj, them për ato të shkruarat, që nga Mihal Grameno e Haki Stërmilli, Anton Xanoni e Fan Noli, nga Foqon Postoli dhe me kulmin, Anton Zako Çajupin dhe Kristo Floqin, etj, me satirat e At’ Gjergj Fishtës, më të mirat në Ballkan, sipas një studiuesi, etj, ato së bashku emancipuan, estetikisht edhe politikisht ndërgjegjen morale kolektive, aty nisi, ndoshta para tyre mund të veçojmë bejtexhiun Hasan Zyko Kamberin me bejtet e famshme “Paraja” dhe “Trahanaja”. Gjithsesi rilindasit krijuan “shekullin e ndryshimeve”.
Më pas erdhën ndryshimet e ndryshimeve, komeditë e fitimtarëve, sentencat e tyre, sllogane jo vetëm mureve, por edhe gjyqeve, komeditë po përfundonin tragjikisht si ato të aktorit Hekuran Zhiti, që s’u botuan sa ishte gjallë, se kishte qenë kundërshta i fitimtarëve, madje dhe e kishin burgosur.
Shakaxhinjtë e përparimit, do të thoshte Imzot Fan Noli. Dhe erdhi komedia e Realizmit Socialist, “Prefekti” dhe “Karnavalet e Korçës”, shkëlqyen humoristë si Çomora e Bubani, prozatori Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Dritëro Agolli, Ruzhdi Pulaha, Pëllumb Kulla, etj, revista “Hosteni” dhe komedia “Pallati 176”, që duket si anonime, “Zonja nga qyteti”, etj, etj, filma dhe skeçe me mijëra, e grafomanë një ushtri e tërë bardhzinjsh, me leje krijuese, që nuk dinin ta ndanin letërsinë nga dashuria për Partinë, ata vetë janë komedia, ashtu si batutat e qeshura e tyre vazhdon dhe sot, e qashtër, e angazhuar, banale, fyese, pa te keq, e keqe, e pashkulshme si barishtet.
A ka ç’mund të vizosh në to? Aforizma & Paradokse?
Dhe pse nuk ka gra shkrimtare të humorit? Apo është punë burrash dhe gratë s’bëjnë shaka me jetën? Aktori të estradave janë…
I këtij mjedisi ishte dhe Luan Laze i ri. Shfaqet si befas, se ishin emrat e tjerë më të shquar, më të pritshëm. Ai duket se nuk vinte nga tradita e tyre, por nga moskultura e tij si ata, mendoj. Kulturë nga jo kultura. Dhe ky paradoks ndodhte vetëm në Shqipërinë tonë.
Në këtë tokë ajo që vlen, nuk është vlerËsuar dhe ajo që vleresohet, kurrë nuk do të vlejë.
Dijetari i shquar, semiologu i madh, shkrimtari Umberto Eco, shpjegon:
“Humbësit kanë gjithnjë njohuri më të gjera se fituesit, nëse kërkon që të fitosh duhet të dish vetëm një gjë dhe s’duhet të humbasësh kohë për t’i ditur të gjitha, kënaqësia e erudicionit është rezervuar për humbësit. Sa më shumë gjëra di ndokush, aq më shumë gjërat s’i kanë vajtur mbroth”.
BISEDË ME AUTORIN
(retrospektivë e…)
Po të kalojmë tek libri, më konkretish te autori. Ashtu si Shvejku i romanit të famshëm për brezin tim dhe të Luanit, “Ushtari i mirë Shvejk”, edhe ne nuk i ndahemi ushtrisë, kujtimeve të saj, por pa vajtur në front.
– Një ditë afër repartit, aty në fshat, – tregon Luani i 5.000 aforizmave dhe paradokseve, – pashë tre burra, thernin një buall. I thashë një shoku nga Tirana se ky, i gjori buall, nuk e di fuqine e vet, se nuk do të kishte burrë që ta therte. Bualli është populli, mendova, por nuk fola…
– Pse?
– Si pse?… Më tërhiqnin humori, ironia, sarkazma.
– Si puna e therjes. Kishte mënyra plot dhe jo vetëm buaj…
– Pas dy vjershave, botuar në gazetën lokale “Adriatiku” me ndihmën e Komandantit tim Shpend Topallaj, tani shkrimtar se atëhere nuk i lejohej, se ishte përjashtuar nga partia, kur u lirova…
– Nga burgu?
– Nga ushtria, botova te “Hosteni” e “Drita” poezi, satira, paradokse.
– Ushtarake?
– Jo, civile. Ndërkaq përkthyesi Lili Bare kërkoi të më takonte. Nuk e njihja. Me pyeti kush jam, nga jam dhe pse jam dhe i befasuar nga ato që kisha botuar me tha: Nëse t’i pëlqen ndonjë i burgosur politik, i ke vërtet të bukura.
– Po ku do ta gjeje të burgosurin politik? Burgu s’ishte leje krijuese, që të shkoje…
– E mora si provokim. Më vonë mësova se ishte shok me Dritëroin dhe kishte vajzën në Rusi.
– Dhe?
– Siri Sulejmani, shkrimtar e mik i madh imi, me siguroi se nga Lili nuk të vjen e keqja.
– Natyrisht. E keqja s’dihet nga vjen, se po ta dish, i ruhesh…
– Një nga ato paradokset, që i kishte mbetur në mendje, ishte: përderisa është vdekja, çfarë na duhen lindja?
– Lindja? E kishe fjalën për Vendet Lindore, Bashkim Sovjetik, Kinë, Mongoli, Poloni, Hungari, Gjermani Lindore, Çekosllovaki, Bullgari, Jugosllavi, Shqi…
– Jo.
– Për regjimet e tyre, desha të them.
– Jo.
– Pse, nuk të pëlqen të kesh qenë disident? Është me leverdi sot. Mund të blesh dhe një dëshmi persekutimi…
– E di. Do më japësh tënden?
– Nuk kam. Mbaruan fletët, i kishin marrë persekutorët…
– Atje shtypja dhe unë.
– Çfarë shtypje?
– Shkrimet e mia. Në fillim ia jepja vajzës 70 vjeçare të Hilë Mosit, Rina Mosi Gjergji, gruaja e Paulin Gjergjit, këngëtar në Estradën e Tiranës. Ajo ishte një nga gratë më të zgjuara, që kam njohur. Kishte makinë shkrimi, dhuratë nga Jonuz Dini. Kur u plak shumë, ma dhuroi mua me lotë në sy. Sa herë shkoja në shtëpinë e saj, me drejtohej me të folurën shkodrane: Po ku je, mor ta marsha? Hajde, Debatiku i vogël! Sepse më shikonte që rrija me fqinjin, shokun e feminisë, Shpëtim Zani (Coli, te filmi “Debatik”). Sa herë merrja materialet e shpypura, Rina më uronte: Të rujt Zoti, mor bir, me kto gjona që shkruen! Satira është gjini që e di dhe e do Partia, i thosha. Që e di, edhe unë e di. Por që e do, këtë nuk e di, thoshte e paharruara Rinë. Ajo ishte lexuesja e parë e këtyre… Më pas botova tregime e skica, pa hequr dorë nga paradokset. Me 86′ u botuan disa te “Drita”. Midis tyre edhe ajo e buallit, unë e bëra demi.
– Mirë e bëre. Demi ishte më i lidhur me Partinë, kemi dhe heronj.
– Por më thirrën në Komitetin e Partisë, ishte viti 1989.
– Kaq vonë? Për t’u bërë anëtar Partie?
– Jo. Më thanë: Armik, bën agjitacion e propagande, shkon në burgje e takon shokë atje, tregon barcoleta dhe bën satira kundër.
– Të paskan lavdëruar.
– Sigurisht që i mohova. Por me që nuk ke bazë klasore për armik i pushtetit, siç më thanë aty, Partia po ta fal, por kujdes se nuk na i hedh dot… Dionis Bubani më tha se kur t’i botojmë herë tjetër, do të vendosim një okelio në krye: nga bota borgjezo-revizioniste.
– Pra, nga Shqipëria e ardhme.
– Ashtu u botuan shumë të tilla, midis tyre: Trimi për shokun lë kokën, frikacaku për kokën lë shokun! Me Dionisin ose Xhaxhin, si e thërrisnim, kur ndaheshim, më thoshte me humor: Unë nuk të vij dëshmitar! Kur Sami Çabej i tha Teodor Laços: thuaj atij djalit të sjellë librin për botim, ashtu bëra, se i kisha gati tregimet. Sipas rregullit të Shtëpisë Botuese më pyeti se kë doja për recenzent. I thashë njërin me mbiemër të një ene kuzhine, sepse ai në Konferencën e Talenteve të Reja në Durrës ma kërkoi vetë këtë gjë. Recenzenti tjetër ishte Profesoreshë Floresha Dado. Pas një muaji Samiu më tha se ena e kuzhinës kishte shkruar se me këtë autor, dmth me mua, duhet të merrej Ministria e Punëve të Brenshme dhe jo Lidhja e Shkrimtarëve apo botimet. Poeti Xhevahir Spahiu e kapi enën e kuzhinës e i tha: nuk të vjen turp të fusesh në burg një djalë 25 vjeçar?
– Siç dukej duhej të prisje dhe një vit e gjysmë, se mua 26 vjeç e gjysmë më arrestuan.
– Floresha për të njëjtin tregim, “Realiteti i një ëndrre” shkruante ndryshe, është i paarrirë artistikisht. Kaq. Libri është i botueshëm, thoshte. Një herë tjetër më shpëtoi Vito Koçi, e kisha mik shtëpie. Harroje këto fabul, më porositi, jo më ta çosh për botim.
– U binde ti?
– …në artistiken “Migjeni” më kanë ardhur dy letra nga një person që kurrë nuk e njoha. Më shkruante me superlativa për ato që lexonte në “Drita” e “Hosteni”. Në fund të dy letrave shtonte: zgjuarsia që nuk kujdeset për veten, është e dëmshme! Ndoshta ishte provokim, ndoshta jo. Nuk e vrava mendjen.
Por unë kisha miqësi me Inxhinier Ismail Farka, e di që e ke patur mik në burg, edhe persoanzh në librat e tu, ishte burrë i ditur, m’u lut një herë të mos e lavdëroja, se prej tyre e kishte pësuar…
Ndërsa në një darkë me Dritëro Agollin, më mori Siri Sulejmani, që ai e donte shumë, pasi pinë sa deshën, Dritëroi e lëshoi gojën, pastaj u kujtua që isha dhe unë dhe u kthye nga Siriu: O mustaqe, more ky djalka, që bën ato paradokset, është i yni apo…? Në çast u përgjigja unë: Të isha juaji, do ngrihesha e do vija atje te vendi… Po me ty pse vepruan ashtu, drejt e në burg?
– Mos nuk e kisha me aq shaka. Dhe ata s’bënin shaka…
– Kjo është! Pastaj, po në atë zyrë, ku më kishin thirrur ata të Partisë, më vonë unë do të punoja si gazetar në “Sindikalisti” së bashku me bashkëvuajtësin tjetër tëndin, me ish të burgosurin e Spaçit, edhe ky persoanzh, mik i përbashkët dhe ky, Zyd Morava… Kur një vend e udhëheqin paradoksalet, marrëzia është disafish. Me këtë zhanër unë mund të them çdo mendim, urrejtje, përbuzje, dashuri. Me pëlqen filozofia…
– Po jo ndonjë libër filozofie.
– Saktë. Më pëlqen humori…
– Por s’ka humoristë. Megjithëse është vetë jeta…
– …ironia, argëtimi. Që kur isha adoleshent, kur thoshin: ejani në mbledhjen e pionerëve, apo në aksione, pastrim territori, mbledhje misrash në fermë, më kapte një e qeshur, s’e di pse, më vazhdoi dhe më pas në rini, burrë, në diktaturë, në posdiktaturë, qeshja me çdo gjë serioze, përveç fatkeqësive, pse qesh ti, më hakërreheshin dhe unë qeshja akoma më shumë.
– Nuk përballohej ndryshe realiteti, antikomedia dhe antidram e absurdit, etj, etj.
– Dëgjo, drama dhe komedi, madje dhe tregimi me duken të gjata për t’i dhënë këto…
– Romani I shkurt:er është më i shkurtër. Dhe të mos i shkruash fare… kjo është vepra më e mirë, e pashkruara…
– Në 12 librat e mi me tregime, novela e roman ka thënie paradoksale. Shoh se i pëlqejnë.
– Dhe vendose të shkruash 5000 të tilla, që të mos e lodhësh lexuesin me romanin a tregimet…
– Pak a shumë kështu… Tani përtoj të shkruaj gjatë dhe e marr punën me “akord”.
– 5000 aforizma dhe paradokse vërtet është shumë shkurt…
– Në SHBA, në superfuqinë e botës, në median shqip më botoi Dalip Greca disa prej tyre.
– Dhe ky është një paradoks. Të kujtohet një anije kozmike që nuk u nis dot atë vit?
– E ç’lidhje ka kjo me paradokset e mia?… Ne u pranuam në Shoqatën Satirike të Ballkanit, sukses ky! Në Lidhje, kur kishte ende lidhje…
– që të lidhte…
– …erdhi Jordan Popov, Kryetari i Shoqatës, kërkoi të njihej me mua. Isha me Buxhelin, Çakulin etj. Më dha një gazetë “Satiricki Ballkan” Te faqja e parë me gërma të mëdha kishte një thënie që unë nuk e kuptoja. Është paradoks yti, me tha. “Në një vend, ku pëlqejnë aq shumë gënjeshtrën, është budallallek të bësh profesion tjetër, veç atij të politikanit” Kjo, tha, është fiks për vendet tona lindore. Më pas më tregoi se në të gjitha faqet e gazetës kishte nga tre ose katër paradokse të miat. Kujtoja se do të takoja një burrë të vjetër, më tha. Me keni parë pas 50 vitesh ashtu, ia ktheva me humor.
– Paska qenë largpamës, – thashë dhe unë.
– Më largpamës je ti me mua, kur më botove një sasi me aforizma në gazetën “RD”.
– Desha të të bëja një dhuratë, më duket se ishe bërë gjysh atëhere dhe ishe… sa vjeç?
– 43.
– Gjyshi më i ri në Ballkan. Atëhere bëja faqen letrare në gazetë, një herë në javë. Dhe po pëlqehej. E donin, e prisnin të dielën e saj… Pikërisht atëhere ma mbyllën, se nuk kishte para gazeta, më thanë. E bëj pa pagesë, thashë, për dëshirë, se më erdhi zor të thosha “për ideal” me ata… Por, jo, porosi nga lart, duhet mbyllur. Nuk e kuptova qëllimin.
– Paradoksal. As ke për ta gjetur pse. Por ama gjeta ç’shkruaje për mua në shënimin që paraprinte ato që kishe zgjedhur për botim:
“Në epoka mashtrimesh dhe parodish tragjike, kur ngjyrat e ditës bëhen simbole të egra të politikës, ndër gjërat serioze mbeten ndoshta frika dhe humori. Si pjesë e qendresës intelektuale. Shkrimtari Luan Laze është ndër emrat e paktë, që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare. Ndërkohë humori, shpesh here i zi, mbush faqet e bardha të shkrimeve të Luan lazes. Sarkazma është lufta paqësore që shkrimtari i bën së keqes”.
MES ARTIFICIALËVE INTELIGJENTË…
AI – Inteligjenca Artificiale në fund të fundit është inteligjenca e perceptimit, e sintetizimit dhe e nxjerrjes së informacionit, e demonstruar nga makinat, (kompjuter, robot…), në ndryshim me inteligjencën e shfaqur nga njerëzit ose kafshët e tjera.
Po algoritmet e shkrimtarit?
Inteligjenca Artificiale ka sukses të jashtzakonshëm në industri e banka… në numërimin e votave, kalimin e tyre nga duhet, jo nga zgjedh… po fshesat inteligjente? Kryevepra…
Po a do të bëjnë makinat dhe aforizma, paradokse? Edhe humor, edhe ironi? A do të zëmërohen me ne?
Dhe kjo na duhet! Është e frikshme…
Më e frikshme se artificialët e inteligjencës? Se unë për këta e kisha fjalën…
Lajmi se një idiot ka korrur sukses, është inkurajues.
Provoni një herë lirinë e mendjes, pastaj kërkoni atë të fjalës.
Kur mbushet kupa e mëkateve, je i falur. Vazhdo me të dytën.
Nëse politika është për faqe të zezë, imagjinoni si janë votuesit e saj.
* * *
…një vit pas themelimit të Inteligjencës Artificiale si disiplinë Akademike lindi Luan Laze, pra, në vitin 1957. Larg, shumë larg metropoleve të shkencës, jo vetëm në hapësirë, por më larg në kohë, në Tiranën e tiranëve, plot me mesjetë dhe dikaturë dhe distopi orwelliane, ku vazhdimisht përsëritej viti “1984”.
Dhe s’kish si ta dinte, as ta imagjinonte dot, jo se çfarë e priste njerëzimin, por as veten, jetimin e vogël pas 4 motrave. Ndoshta duhej të argëtohej me budallallëkun… duke gdhënur veten. Gjithë ai realitet gdhë, absurd dhe i egër dhe sa i vogël…
Që donte të ndërtonte komunizmin me ushtën e Don Kishotit dhe me legenin e tij si mburojë, që bëri burgjet para universiteteve, se robëria ishte më e dobishme se liria, urrejtja më ushqyese shpirtërisht se dashuria, po shpirt nuk ka, thoshin, ka vetëm materie, telat me gjëmba duhen më shumë se telat e kitarave, bunkerët më shumë se apartamentet, idioti është më besnik i Partisë se intelektuali, Realizmi Socialist është metoda më e mirë artistike në botë, etj, dhe kur u shemb Muri i Berlinit dhe gjithë perandoria komuniste ra e vendi ynë u detyrua të ndryshojë dhe ata që ishin në krye apo pjesë e diktaturës, frymëzim i saj, dolën prapë në krye që të ndërtonin ashtu si diktaturën dhe demokracinë, armiqtë e pronës private, të kapitalit u bënë kapitalistë, përvetësuan alamet pronash dhe, pasi u dhanë ish të burgosurve politikë shpërblimin-e-dëmshëm, një dorë oficerash të ushtrisë së diktaturës i bënë presidentë të demokracisë, komandantët e burgjeve nisën të akuzojnë të burgosurit e tyre dhe këtë e bënin të lidhur drejtpërsëdrejti me studiot televizive nga azili politik nëpër Europë e Amerikë si të përndjekur tashmë, ndërsa dështakët e Realizmit Socialist, bardhzinjtë, mungesën e talentit ia vinin si faj regjimit të baballarëve të tyre, që i shërbyen me teprí dhe janë punësuar si analistë a kritikë të Realizmit demokratik, që arritjet më të mëdha artistike kanë sharjet, nga lehës në Lindje në lehës në Perëndim, nga militantë të baltës u kthyen në baltosës, nga dhunues – në përdhunues, etj, etj, dhe kjo mendësi e pamend, kjo mënyrë jetese pa jetë, me një autovlerësim kreshpërues, lavdëro veten ose ca të tjerë si vetja, që të ta kthejnë lëvdatën ose paratë, gjithcka brenda klanit, edhe nderi shitet si diplomat, si anëtarësimi, masteri, medaljet, gruaja, fëmijët, emërimet, tenderat, botimet, po t’i bashkosh faturat e ujit me të dritave del një përmbledhje luksoze poetike, etj, ky mediokritet idioto-general, 5000 veset, 5000 aforizmat dhe paradokset rrjedhojë e këtij areali janë, me çdenatyralizimin e individit dhe të shoqërisë, të akademizimit fals të jetës, të dijeve të rreme, artificializmit të sinqeritetit njerëzor, të dashurisë artificiale, ku e kota ka zëvendësuar të duhurën, thënë shkurt: kopertina ka më vlerë se libri…
Të gjithë vrasësit bëjnë gjumë të qetë. Edhe vrasësit e shpresës,
thotë Luani në njërën nga 5.000 aforizmat. Dhe vrasësit e shpresës janë po aq kriminalë… dhe paradoksi vazhdon në një tjetër aforizëm:
Ky vend viktimat i ka prej dashurisë dhe lavditë prej urrejtjes.
Aleluja! Lavdi viktimave! Përtej sistemeve shoqërore dhe politikave, shkrimtari Ernest Hemingway bën një përcaktim për njeriun si i pakënaquri i përhershëm, e ka sjellë z. Artan Kafexhiu në murin e fb të tij, por mbase do t’i shkonte kështu dhe këtij libri:
“Jepi robit çka i nevojitet e veç kur të kërkojë komforte. Ofroji komforte – do të synojë për komoditete. Ngope me luks – ai do të nisë të fiksohet në detaje qejfi. Lejoje të përqëndrohet në hobe – do t’i rritet nepsi për çmëndurira. Jepi atij çfarëdo që t’i teket – ai do të ankohet se e paskëshin mashtruar e s’ju dha çfarë ai dëshironte.”
Megjithatë një paradoks që duket ende i largët për ne.
5000 thëniet e Luan Lazes vijnë që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe të dyfishuara, trefishuara sulen si luzmë bletësh me zukama dhe në gjysmës se parë të shekullit XXI. Me mjaltin dhe thumbin.
Përvoja e letrave shqipe në këtë lëmí është e pakët, do të thosha, jo se nuk kanë dalë libra me fjalë të urta dhe sentenca, më shumë nga bota.
E kam një tillë, mbetur nga librat e tim eti, i botuar në Korçë në 1928, kur Shqipëria u shpall mbretëri, “Sollomoni, biri i Davidit, mbret i Izraelit”, kështu titullohet, plot me fjalë të urta, të përkthyera nga hebraishtja nga një shoqëri biblike në Angli, e çmoj shumë dhe këtë di unë si më të vjetër.
Por dhe në Prishtinë, ku Kosova ishte brenda shtetit Jugosllav, me marrëdhënie të acaruara me Shqipërinë, në Veprën e plotë të dijetarit Sami Frashëri, njëri nga librat ishte vetëm me fjalë të urta. E kam gjetur vonë…
Ndërsa në Shqipërinë Socialiste, kujtoj kur isha fëmijë, doli një libër i kuq me format xhepi, me kapak plastikë, me citate të Mao Ce Dunit, që dyndeshin për ta blerë, sidomos kooperativisët e fshatrave, se kapakët i hiqeshin dhe përdoreshin si kuletë a portofol.
Në posdiktaturë, kur po mbaronte shekulli e donim të fillonte demokracia që kishte filluar, studiuesi Rando Devole zgjodhi dhe përktheu dhe botoi librin “Dituria më përndjek, por unë jam më i shpejtë” me 1401 fjalë (jo dhe aq) të urta, si një test i lirisë së mendimit të atij që i lexon, e mbyllja parathënien unë.
Në 2012, dijetari dhe përkthyesi Petro Zheji nxori “Libri i aforizmave”, një studim shkencor, sa gjuhësor, po aq dhe filozofik e teologjik, pra, krejt tjetër gjë.
Në revistën elektronike “Peizazhe të fjalës” që del në New York, drejtori i saj, studiuesi dhe shkrimtari Ardian Vehbiu nxjerr herë pas here aforizma, të përkthyera nga frengjishtja, të shkrimtarit polak Stanislav Lec, “Mendime të pakrehura” i quan dhe në shënimin që vë për të, shkruan: “një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX”.
Është për t’u vlerësuar vlerësimi.
Po kështu dhe revista elektronike “Voal” në Zvicër, e bashkëshortëve poetë Elida dhe Skënder Buçpapaj, boton aforizma nga shkrimtarë dhe personalitete të shquar të botës, etj, e mund të vazhdonim me emra të tjerë, me Shpëtim Kelmendin, p.sh., ndërsa vitin që shkoi doli një libër me sentenca dhe urtësira, “Fjalë të arta” titullohej. Vërtet ky është ari apo paradoksi i tij?
Ka dhe të tjerë… ndërkaq kanalet televizive natë e ditë transmetojnë humor, jo vetëm të emisioneve kësisoj si “Fiks fare” apo “Portokalli” e “Al Pazar”, të specializuara tashmë, por dhe humor institucional, parlamentar dhe partish, dhe të policive, të shitoreve, të shkollave, të çmendinave, të mitingjeve, agjensive, me një “Big Brother” presidencial mbi të gjitha, etj, etj, që:
Sa më shumë prekim të ardhmen, aq më nostalgji për të kaluarën…
sipas një paradoksi këtu, duke bërë që të ndjehemi në një të ardhme që iku pa ardhur dhe të përplasimi me të shkuarën që na prêt, por qëllimi im ishte tjetër, të paraqisja, madje thjesht të thosha që miku im, Luan Laze, mblodhi aforizmat dhe paradokset që ka shkruar gjatë jetës, kaotikisht siç janë realitetet tona, duke i grupuar dhe ndarë në 5 krerë, pa ndonjë kronologji, mbase sipas afërisë tematike a ndonjë rendi tjetër të papërcaktuar, le të themi p.sh., kreu I: arrivizmi, II: plogështia shpirtërore, III: konvertimet demokratike, IV: kotësia si pikësynim, V: dashuria si atavizëm a ndoshta ndryshe ose fare, ku personazhi më simpatik është idioti, jo, shejtan budallai, që ka frikë të ngjajë i zgjuar, se mosdija tashmë është dije, humori – mençuri, jo, dinakëri e përditësuar, dhe na dha këtë libër për të na argëtuar, nga që absurdi është i përzierë me jetën e copëzuar a me copëzat e një jete, jo më pak se 5000, për të mos thënë të një kohe të dërrmuar… me duart tona.
Chicago, Roselle, verë 2023