Nga Mimoza Dajçi/
5 vite më parë, në moshën 89 vjeçare ndërroi jetë ish i burgosuri politik që i mbijetoi torturave të burgut famëkeq të Spaçit, Agim Musta. Njëherësh babai i gazetares dhe mikes sime të mirë Suela Musta.
Qysh pas rënies së perdes së hekurt në Shqipëri së bashku me Fondacionin “Musine Kokalari” themeluar nga historiani dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Agim Musta kemi mbajtur në Tiranë një sërë kumtesash, simpoziume, tubime për të përkujtuar dhe vlerësuar disidentët shqiptarë që u përballën me diktaturën më të egër në Europë.
Me ish të burgosurin politik dhe mikun tonë Agim Musta, personalisht mua dhe anëtaret e “Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike” të Shqipërisë na lidhin kujtime e veprimtari të shumta. Flas për kohën kur unë jetoja ne Shqipëri.
Çdo vit me Fondacionin “Musine Kokalari” dhe “Shoqatën e Grave ish të Persekutuara Politike të Shqipërisë” mbanim ceremoni përkujtimore dhe homazhe për gratë që dhanë jetën, u dënuan e internuan nga gijotina komuniste, si dhe vlerësonim personalitete të ndritura të kombit që sfiduan diktaturën siç ishte edhe vetë figura brilante e shumë dimensionale e Agim Mustës.
Agim Musta me intelektin, kurajon e guximin e tij të frymëzonte për të ndërmarrë nisma të fuqishme, për të nxjerrë në dritë vuajtjet e popullit tonë në komunizëm. Autor i shumë veprave, ku në çdo faqe të krijmitarisë së tij shpaloset me gërma të mëdha gjenocidi dhe persekucioni komunist i përbindëshit Hoxha dhe kriminelëve të tij që masakruan padrejtësisht një popull të tërë, izoluan Shqipërinë nga bota e qytetëruar, vranë, burgosën dhe internuan njerëz të pafajshëm deri tek fëmijët e vegjël që vdiqën burgjeve, kampeve të përqëndrimit nga torturat, mos ushqyerja e malarja…
Si veprimtarë të palodhur të kauzës së të drejtave të ish të persekutuavre politikë të Shqipërisë, ku me modesti do të përfshij edhe emrin tim, sëbashku me shkrimtarin disident Agim Musta, si bashkëpunëtorë të jashtëm, ftuar nga “Qendra e të Mbijtuarve të Torturës” në Tiranë, kemi dhënë idetë tona për të venë në zbatim disa projekte të rëndësishme të Qeverisë Daneze, të cilat pasqyronin qartë pasojat që linte tortura jo vetëm tek i burgosuri, por edhe tek familja, gruaja, fëmijët dhe roli suportues që duhet të luajë shoqëria ndaj viktimave të torturës.
Edhe në New York, pata rast të takohem me Agim Mustën, Simon Mirakën, ku për herë të parë në Kishën Zoja e Shkodrës shpalosën “Ekspozitën fotografike” me pamje nga burgjet, kampet e përqëndrimit shqiptar, si dhe foto nga viktimat e komunizmit, heronjve të kombit, ku më ftuan edhe mua për të dhënë kontributiin tim në hapjen e asaj ekspozite.
Gjithashtu ftuar nga Federata Pan Shqiptare “Vatra” në New York dhe ish Kryetari i saj i ndjeri Ing. Agim Karagjozi mora pjesë në një darkë shtruar për nder të mysafirëve ardhur nga Shqipëria Agim Musta dhe Simon Mirakaj.
Agim Musta lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1930. Pasi kreu studimet e larta në Fakultetin Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës ai punoi si arsimtar në shkolla të ndryshme tetëvjeçare dhe të mesme të vendit. Në vitin 1962 është dënuar me 13 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës për veprimtari antikomuniste. Agim Musta në shumë nga veprat e tij ka shkruar kundër komunizmit, sistemin e burgjeve dhe persekutimet politike në kohën e diktaturës.
Kanë kaluar disa vite, lajmin për ndarjen nga jeta të Agim Mustës e mësova nga dy vajzat e tij të shkëlqyera Elisabetës dhe Suelës, të cilat edhe ato janë atdhetare të flakta e antikomuniste, të cilat i çmoj dhe i vlerësoj shumë.
Agim Musta është një nga heronjtë që me vitalitetin e tij arriti t’i mbijetoi torturave të xhelatëve të kuq duke lenë pas shumë kujtime e vepra, si dëshmi e gjallë e së kaluarës së hidhur që kaloi vendi ynë për afro gjysëm shekulli.
Disa nga veprat e tij janë;
“Mandelat e Shqipërisë”, 1992
“Dosjet e gjalla”
“Kush ishte Enver Hoxha” (bashkautor), 1996
“Burgjet e shtetit burg”, 1998
“Mjerim pafund”, 1999
“Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, 2001
“Dëshmoj për të vërtetën”, 2004
“Antologjia e plagëve nën terrorin komunist” (bashkautor), 2 vëllime 2006
“Album i burgjeve të diktaturës komuniste”, 2006
“Libri i zi i komunizmit”, 2007, etj.
Duke u njohur me veprimtarinë e gjerë e të pasur të ish të burgosurit politik Agim Musta mbetemi me shpresë që edhe banesa e Tij në Tiranë do të kthehet në “Shtëpi Muze” ku sigurisht edhe mbështetja qytetare është e domosdoshme.