Atdhetari që s’pushoi së menduari për fatin e K O S O V Ë S.
Përshtypje udhëtimi. Kosovë, 1941.
Për DIELLIN nga nipi i Tij, Qemal Agaj.
Duke organizuar librat dhe gjithçka që xhaxai im, Ago Agaj, la mbrapa, gjeta një shkrim me përshtypje udhëtimi të tij në 1941 në krahinën e Kosovës. Në ato pak faqe – një koncentrim letrar – ndihet krenaria, malli, dashuria dhe shqetësimi i autorit për të ardhmen e Kosovës.
Ato faqe të zverdhura nga koha dhe korektuar me dorë, m’u shfaqën si një thesar prehistorik. Me këto mbresa udhëtimi, 80 vjet më parë, me titull, ‘’UDHËTIM NË KOSOVË DHE NË HISTORI’’ Ago Agaj, fillon librin e tij, ‘’ MILOSHI HEROI I KOSOVËS,’’ një studim i rrallë, ku tenton të vërtetojë se luftëtari në Betejën e Kosovës, 1389, që vrau Sulltan Muratin, ishte me origjinë Shqiptare.
Po i sjell për lexuesit e Diellit këto përshtypje udhëtimi në 30 vjetorin e vdekjes.
‘’ Në vitin 1941-1942, më ra rasti ta shihja Kosovën ashtu siç dëshëroja, përsëlargu me dylbi e plot mall, që nga maja e lartë e malit Bishtrik, duke u pështetur për murin e tyrbesë të një të shenjti (Sari Salltëk). Kur një pjesë e madhe e Dardanisë ishte bashkuar me Shqipërinë, nuk më mbante gjë.
Natyrisht synimi i parë ishte shtëpija e Lidhjes së Prizrenit dhe kalaja në brinjë të malit ku Abdul Frashëri qe burgosur disa kohë. Pashë në Gjakovë vendin e tragjedisë së rrjedhur nga dilema: zakoni, besa, burrërija kundër vullnetit të masave të ndezura edhe ato prej një ideje. Abdullah Pashë Dreni zgjodhi tradicionin dhe vdekjen. U shua me ç’pati e ku pati bashkë me mysafirin dhe këtë nuk e preu në besë.
Tragjedi kjo që pret hala një dramaturg të aftë që t’a përshkruaj. Rrallë popuj kanë akte vetmohimi të tillë.
U ngjita në Plavë e Gusinjë të Ali Pashë Gusinjës dhe të Ferrit. Pashë vendet e luftimit kundra ushtrisë turke në Çernavelë e Kaçanik ku shkëlqeu gjenia ushtarake e Isa Boletinit dhe e Idris Seferit, si dhe trimërija e një katholikut të paemër (fatkeqësisht) i cili kur pa se shokët u tronditën prej gjëmëmit shurdhonjës të topave të armikut, mbasi këtë armë s’e kishin parë as dëgjuar më parë, tha: ‘’ Përse, o shokë, do të jetë vdekja prej ‘pushkës së madhe’ më e hidhur se prej plumbit të mauzerit’’ dhe u lëshua drejt për drejt, arriti te topi i parë dhe i ndihmuar prej shokëve që e muar pas, e hodhi topin në greminë, ( Ekrem Bej Vlora, Lebenserinnerungen, Band II, 1912-1925,) Munchen, 1973.
Pashë monumentat e mbetura të pa prekura që nga koha e Car Dushanit: Manastirin e thjeshtë të Graçanicës dhe atë madhështorin e Deçanit ku ruhet trupi i ballsamosur i këtij sunduesit më të madh të mbretërisë serbe. Dora e tij e hollë dhe delikatesi ajo e një zonje, është në kundërshtim me ‘ dorën e fortë’ që imagjinohet për të.
Natyrisht dola dhe në malet e Rugovës në vendin e viganëve kokëmbështjellë, në kufinë e vjetër të kohës turke në Qafë të Çakorrit prej ku kanë ardhur përhera dyndjet nga Mali i Zi dhe lehtësisht përfytyrohet se ç’kanë pësuar dyndësit në grykën që del në Pejë prej atyre kokëmbështjellëve.
Dhe së fundi në Prishtinë ku m’u desh të qëndroja pakë më gjatë se kishte ç’të shihja. Të paktën me sytë e imagjinatës. Në Veri të këtij qyteti është vëndi ku u përpoqën ushtritë serbe, bosnjake – hercekovine e ato shqiptare, me atë të Turqisë. Këta ishin përpjekur edhe më parë me Bizantinët, Bullgarët e Serbët dhe i kishin thyer. Por një rezultat përfundimtar nuk kishin pasur. Për këtë rezultat fati kishte zgjedhur një copë tokë shqiptare, që kaluar në histori me emrat: Kosovopolje, Amselfeld, Fushëkosovë. Të gjithë këta emra kanë të njëjtin kuptim: Fushë e Mëllënjave.
Sëpari u poqa me tyrbenë e Ghazi Mestan Pashait, më tej një ndërtesë ku ruhen flamurët e asaj beteje. Në kodër një vënd i rrethuar me tela me gjëmba të ndryshkur që shëmtonin vëndin: aty kishte qënë diçka që duhesh të kujtonte Miloshin, vrasësin e Sulltan Muradit.
Në fund të kodrës turbeja e pastër e Sulltanit vetë e rreth saj varret e pashallarëve të ndryshëm të vrarë në atë ndeshje dhe më vonë. Një familje shqiptare banonte aty afër në një ndërtesë të mirë e të madhe: familja kujdestare brez pas brezi e tyrbesë dhe e varreve.
Në krye të varrit të Sulltanit një letër e shkruar me pak rreshta dhe Sadi Pejani i shkolluar në Stamboll na e përkëtheu: ‘’ Mos ia kini për mëri askujt vdekjen time se përpara betejës iu luta Zotit të më merrte shpirtin e të më jepte fitoren.’’ Dhe ashtu u bë. Kjo ishte shkurtimisht përmbajtja e letrës dhe porosia e fundit e të vrarit.
Me pakë imagjinatë, duke dalë në maj të kodrës mund të përfytyroje sulmin e kalorisë së rëndë e të ngrirë në hekur të ballkanit dhe atë të kalorisë turke të lehtë e të shkathët dhe gjithë zhvillimin e ndeshjes, por për këtë duhet një penë tjetër më e aftë.
Kjo ndeshje e një dite qe përfundimtare dhe vulosi fatin e popujve ballkanik gjer përtej portave të Vjenës gjatë qindra vjetëve. Ne Shqiptarëve na solli një luftë dhe gjakëderdhje gjatë afro pesë shekujve. Na shkëputi nga ndikimi evropian, që kishte filluar ‘’Rilindjen’’ e saj, na dha liri të plotë në çdo pikpamje, por na mohoi lirinë politike dhe kështu mbetëm prapa përsa i përketë qytetërimit modern edhe më shumë se sa Turqia vet.. Dëm i madh, të cilin populli ynë që prej ditës së pavarësisë po përpiqet me vrull të madh që ta zhduk.
Por të mos harrojmë që kjo ndeshje tmerronjëse, e cila i dha fitoren turqve, na shpëtoi nga sllavizmi i plotë dhe vazhdojmë sot të jetojmë si komb me gjuhë e të gjitha karakteristikat kombëtare.
Më tej varrit të sulltanit më hoqi vrejtjen një fshat i cili nuk pajtohej kurrësesi me përqarkjen: Në të dy anët e rrugës një rradhë shtëpish me arkitekturë, stil e dimensione të njëjta rradhitur në largësi të njëjtë si ushtarë, si shtëpitë ashtu dhe pemët. Ky fshat quhej Milosh-evë.
Më përtej një faqe mali, një fshat tjetër ku nxirrej qymyr, Obeliç. U kuptua , Milosheva ishte krijuar prej autoritetit përkatës si model për të gjitha ngujimet e mëtejshme serbe në tokat e grabitura prej Shqiptarëve dhe emri i plotësuar Milosh Obeliç, si simbol nxitës për guxim e vetëmohim.
Nuk kisha kohë të qëndroja më shumë, se gjenerali Drazha Mihajlloviç kishte sulmuar provincën autonome shqiptare që kishte mbetur brënda kufijve serbe pa u bashkuar me Shqipërinë. Kjo provincë përbëhej prej Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Qëndra në Mitrovicë kishte mbetur me Serbinë jo për arësye etnike se Podujeva kishte 95% Shqiptarë, por për shkak të minierës së Trepçës, e pasur shumë në plumb e më në flori e argjënd, të cilën Gjermania nuk mund ta linte në dorën e Italisë e cila në atë kohë kishte zaptuar vëndin tonë, sidomos në kohën që luftonte kundër botës mbarë.
Për të fituar këtë autonomi u përpoq një komitet i përbër prej, Ferhat Dragës, Rexhep Mitrovicës, Bedri Pejanit, me përfaqësonjës në Beograd Ali Dragën (biri i Ferhatit) dhe Vehbi Frashëri( biri i Mehdi Bej Frashërit). Jashtë komitetit e më vehte punonte Xhafer Deva. Rëndësi kishte Ferhat Beu si shtylla kryesore e papërkulëshme e rezistencës kombëtare që kishte vuajtur edhe burgim të gjatë prej serbëve dhe Xhafer Deva, i ri dinamik, shumë i kulturuar dhe me talent politik të shquar. Kërkoheshin e u fituan të drejta siç u ishin dhënë minoriteteve të tjera p.sh. Baçka e populluar prej Gjermanëve që në kohëra të lashta para disa shekujve.
Pasi u proklamua prefekti prej Shqiptarëve dhe autoritetit ushtarak gjerman (shkruesi i këtyre radhëve), u procedua me shpejtësi në krijimin e administratës shqiptare, administrata vetë, drejtësia, arsimi, shëndetësia, financa dhe para të gjithave gjindarmërija me uniformë të veçantë me stemën e Skënderbeut në kapelle.
Kjo autonomi me liri veprimi të plotë nxiti rininë në Shqipëri, ngjalli moskënaqësinë e autoriteteve politike Italiane në vendin tonë dhe më vonë edhe një ndërhyrje të Mussolinit vetë pranë autoriteteve më të larta të qeverisë gjermane. Njëkohësisht shtyti në veprim ushtarak gjeneralin mbretnor, Drazha Mihajlloviç, që vazhdonte luftimet e tij maleve kundra gjermanëve dhe i panënshtruar qeverisë serbe të asaj kohe, për t’a shuar këtë kandil lirije shqiptare.
Për arësye rivaliteti politik edhe Vojvoda i famshëm i Çetnikëve, Kosta Pestanasi, në bashkëpunim të fshehtë me Beogradin, nuk deshi të mbetej prapa dhe na sulmuan befas në postat e gjerndarmërisë në kufi dhe masakruan gjindarmët tanë, se asnjë nuk u dorëzua i gjallë në Banjskë. Gjëndja ishte shumë kritike mbasi fuqi ushtarake Gjermane, përveç atyre të ngarkuarve me administrimin ushtarak, nuk kishte. Këtë gjëndje të keqe e shpëtoi vetëm ndihma e shpejtë e fshatarëve. Mjaftuan disa telefonime dhe disa kalorës të dërguar natën në krahina dhe në mëngjes arritën vullnetarët e parë dhe u hodhën pa vonesë në luftim, por nuk ishin kurrësesi në gjendje t’i bënin ball divizionit të regjur në luftë të Drazhës dhe atij të Çetnikëve të Vojvodës.
Atëhere u desh një udhëtim i rrufeshëm i Xhafer Devës, Bajazid Boletinit dhe shkruesit të këtyre radhëve natën fshehurazi, nëpër Pejë, Gjakovë e të tjera vende të Kosovës dhe me thirrjen tradicionale të Dardanëve: ‘’O burra në luftë ,’’ u lëshuan për në front, kush me armë e kush pa armë, aq burra sa duheshin.
Kush nuk e ka parë me sytë e tij gatishmërinë e këtij populli për t’u hedhur në zjarr kur vendi është në rrezik, nuk ka si e imagjinon as si e beson. Mal më bëhej zëmra kur shikoja këta difa të lëshoheshin drejtë vdekjes sikur shkonin në dasmë. Luftonin më këmbë, pa u ruajtur dhe duke e paralajmëruar armikun më parë me anë sokëllimash e thirrjesh. Natyrisht që edhe vriteshin dhe unë vajtoja me lot mungesën e një batalioni Labër e Mirditas që i sosen armikut në strofkë natën pa u ndier.
I kam parë në Kopaunik, Banjskë, Grykën e Rrogoznes, në Pazar të Ri e të tjera vende dhe sot pas 34 vjetëve, këtu në vëndin më të lirë e më të pasur të botës, duke shkruar këto radhë, më kujtohen ata që s’janë më prej tridhjetë e ca vjetëve. Përjashta bie bora flok – flok posi atëhere dhe prijësat e këtyre trimave më dalin si hije përpara: Asllan Boletini, Shaban Poluzha, Mehmed Gradica, Bislim Bajgora e sa e sa të tjerë të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk i përmënd dot se mosha e madhe dhe koha e gjatë që ka kaluar m’i ka fshirë nga kujtesa emrat e tyre. Luftuan si luanë dhe mbrojtën vëndin me gjoks më tepër se sa me armë.
Kater vjet më pas kësaj ngjarje, po këta burra i dolën përpara valës mbytëse sllavo – komuniste, luftuan si heroj të vërtetë dhe lanë jetën e tyre glorioze në Drenicë, në betejën e fundit për atdhe e liri, vetëm, pa asnjë ndihmë ose shpresë nga jashtë. Pas këtyre u shua dhe plaku i rezistencës 25 vjeçare, Ferhat Bej Draga. Më parë i dha rrugën e mërgimit djalit të vetëm që i kishte mbetur, Aliut dhe vetë vendosi t’i shtronte krahët baltës së atdheut, të bëhej njësh me atë për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën e gjatë të Tij.
Gjithë ata që këndojnë këto rreshta, duhet të mos i quajnë elegji e beletristik, por të mundohen e t’a njohin mirë karakterine këtij fisi shqiptar, eksplozivitetin, gatishmërinë e tij për t’u hedhur në flakë si asnjë fis tjetër i kombit tonë. Dhe sidomos ata që merren me çështjen e Kosovës duhet të jenë të ndërgjegjshëm e shumë të kujdesur.
Pasi u qetësua vëndi, duke u kthyer për në Tiranë, kalova prap nëpër fushën e ndeshjes fatrëndë dhe shikova rrethe përqark se mos shihja ndonjë përkujtimore sado të vogël të asaj ndeshje në të cilën, pak dekada më vonë, Huniadi i famshëm la po në këtë fushë ushtrinë e dërrmuar prej Turqve dhe vetë shpëtoi natën e pa hënë me pak përcjellësa duke ikur për në Veri (Hungari). Skënderbeu që do t’a kishte shpëtuar, arriti tepër vonë dhe s’i mbeti gjë tjetër veçse t’i merrte hakën duke i rën Sërbisë anë e mbanë.
M’u kujtua edhe më shumë Miloshi, pasi ndërkohë kisha dëgjuar që Kosovarët e quanin hero të tyre dhe doja të dija diçka më tepër mbi këtë figurë legjendare, por nuk pata mundësi.
Këtu në këtë vënd të bekuar u takova pas njëzetë vjetëve e pasi brodha tre kontinente, me mikun e vjetër e të dashur, eruditin e historisë tonë, Hasan Dostin dhe Kongresi i Parë i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më dha rasti të bisedonim mbi historinë e Djepit të Shqiptarizmës dhe mbi Miloshin. Hasan Dosti më premtoi dhe më dërgoi literaturën përkatëse që kishte gjetur Ai në përpjekjet e tij shumëvjeçare e të palodhura për të mbledhur dokumenta historike që i përkasin popullit tonë.
Pjesët përkatëse të kësaj literature dhe gojdhanën që vazhdon në Shqipëri, (krahinën e Elbasanit) të vërtetuar prej shumë vetave e që meritojën respekt e besim, po e parashtroj këtu, mbasi është pranuar prej gjithë botës, se çdo gojëdhanë (legjendë ) ka një bërthamë të vërtete.
Sipas kësaj gojëdhane, Miloshi ka lindur e është rritur në Shqipëri, ku edhe sot jetojnë pasardhësit e tij, pra paska qënë Shqiptar.
Përpara se të fillojmë me përshkrimin e legjendës të Miloshit, na u duk e arësyeshme të përshkruajmë edhe ndeshjen fatrëndë në Fushë – Kosovë, pa të cilën nuk do të ishte përmëndur fare në histori emri i heroit të kësaj beteje. Prandaj po japim më poshtë gjithë sa kemi mundur të mbledhim prej historianëve të ndryshëm mbi ndeshjen në fjalë…’’ ( A.Agaj, vazhdon me historinë e Heroit të Kosovës, Miloshin)
Shkruar në Teqenë Bektshiane në Taylor (Detroit), Michigan, në Janar, 1975.
AGO AGAJ , (1897 – 1994.)
Atdhetar dhe veprimtar i shquar, lindi në Smokthinë të Vlorës në Mars, 1897. Në vendlindje mori mësimet e para, kurse shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu në Vjenë në degën e Agrikulturës. I pranishëm në ngritjen e Flamurit në 1912. Pas studimeve,1919, kthehet në Atdhe. Si anëtar i delegacionit të Vlorës, merr pjesë në Kongresin e Lushnjes në Janar, 1920. Gjashtë muaj më vonë, luftëtar në Luftën e Vlorës dhe ‘’Kronikan Autentik dhe i mrekullushëm’’, i kësaj lufte heroike.
Bashkëpuntor me Profesorin Gjerman, Ernst Nowak në 1924 në hartimin e topografike dhe gjeologjike të Shqipërisë. Në vitet 1925-26, bashkëpunon me shkencëtarin Zviceran,, Dr. Miller, në kërkimet vajgurore të nëntokës shqiptare. Punoi si agronom në krahina të ndryshme të vendit. Drejtori i parë i shkollës Bujqësore të Lushnjës. Gjatë luftës së Dytë Botërore shërbeu si Ministër i Bujqësisë dhe Ekonomisë. Në 1943 emërohet Prefekt në Mitrovicë. Merr pjesë në 16-20 Shtator, 1943, në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, organizuar me nismën e Xhafer Devës me në krye Bedri Pejanin, ku u formua një Organizatë Politike Kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve kombëtare, ku si kryetar u zgjodh, Rexhep Mitrovica. Për dashurinë ndaj Kosovës, ai do të quhej, ‘’Kosovari nga Vlora.’’ Për të përkujtuar atdhetarin e shquar, sot në Mitrovicë një rrugë mban emrin, AGO AGAJ.
Me ardhjen e diktaturës, si anti –komunist, largohet nga Shqipëria. Emigron fillimisht në Austri dhe Itali. Më vonë në Egjypt, ku punon si agronom në kohën e Mbretit Faruk. Me rrëzimin e Mbretërisë nga një grusht shteti ushtarak udhëhequr nga Naser, në 1952, ashtu si dhe Familja Mbretërore e Zogut, largohet nga Egjypti dhe vendoset përfundimisht në SH.B.A.
Ka botuar në organet e shtypit të Diasporës, studime historike, gjurmime në fushën e folklorit, monografi etj. Në fjalën ne tij me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent,(1946 -1971), midis të tjerash thotë: ‘’Komunizmi është i vjetër sa njerëzia dhe ka dështuar sa herë është vënë në zbatim. Edhe këtë herë, sado i perfeksionuar që të jetë, do të dështojë, se është në kundërshtim të plotë më ligjet e natyrës së njeriut dhe natyra nuk i fal kurrë kundërvepronjësit…Shumë kohë para Marksit, i cili shikon vetëm anën materiale, një njeri shumë më i madh nga ai, ‘KRISHTI’, ka thënë se: ‘Njeriu nuk jeton dot vetëm me ushqimin e trupit, por i duhet edhe ushqimi i shpirtit.’ Ushqimi i shpirtit është liria e mendimit, e cila shfaqet me fjalë, shkrim e veprim dhe ndrit e udhëheq njerëzimin gjithnjë më lartë.’’
Libri i tij, ’’Miloshi Heroi i Kosovës,’’ është një studim enciklopedik, që në kundërshtim me studjuesit sllav, Heroin që vrau Sulltan Muratin në Betejën e Fushë – Kosovë, 1389, e paraqesin me origjinë serbe, Ago Agaj dokumenton se Ai ishte Shqiptar dhe pasardhësit e tij janë familja Blloshmi, nga Librazhdi.
Është po ashtu autor i librit, ‘’Lufta e Vlorës.’’ Si pjesëmarrës i asaj ngjarje historike, që përcaktoi fatin e Shqipërisë si shtet jo i copëtuar, përshkrimet e tij marrin përmasa epike, kur mendon se fshatarët e një krahine në Jug – Perëndim të Shqipërisë, të pa stërvitur dhe ‘’me dyfeqet lidhur me gjalmë,’’ siç thotë një vjershë popullore, i shtyrë nga Atdhe-dashuria, hedh në det forcat e një shteti të fuqishëm si Italia. Ngjarje si kjo, janë të rralla në historinë e luftrave.
Kur në vitin 1991, Poeti Visar Zhiti, me rastin e një vizite në SH.B.A. i telefonon nga New York-, u, pyetja e parë e Xhaxhait ishte: ‘’Bir! Më thuaj si e kam Kosovën.’’ Ja pse ai quhet ‘’Kosovari nga Vlora.’’
Pata fatin t’a takoj Xhaxhanë ( kështu e thërasim në familje), në vizitën time të parë në SH.B.A., në 1990. Shtëpia e Pleqve, ku Ai banonte, ishte jo më shumë se 100 hapa larg nga shtëpia e babait tim dhe vëllait të Tij, Daverit dhe e vizitoja pothuajse çdo ditë. Trup-gjatë me flokët e zbardhura të shpupuritura edhe pse 93 vjeç dhe me shikim të mjegulluar, qëndronte drejtë, si një figurë Mitologjike. Ky burrë me kulturë të gjerë, fliste rrjedhshëm Gjermanisht, Italisht, Frëngjisht, Arabisht dhe Anglisht. Katër vjet më vonë, Qershor 1994, kur u vendosa përfundimisht me familje në Amerikë, e takova Atë përsëri, por fatkeqësisht për një kohë të shkurtër. Ndërroi jetë në moshën 97 vjeç, 24 Dhjetor, 1994, në Clearwater, Florida, ku dhe unë banoja.