Gazeta “Dielli” ju sjellë “Nanë Zadrimore”, pjesën e tretë dhe të fundit të ciklit poetik të Ahmet Kolgjinit (1939-1999), nxjerrë nga vellimi me “Poezi” botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”. Aktorët e krimeve te periudhes komuniste jo vetëmse nuk kanë dhanë përgjegjësi, por nji pjesë e tyne po marrin dekorata dhe po shpërblehen nga shteti shqiptar.
Mbi këte cikël poetik, autori, Ahmet Kolgjini, shkruen: “Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime. “I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.”
NANE ZADRIMORE
I
Plot dy javë te porta e hekurt priti
Nanë-zeza, e kërrusun, e bame lak
Shkallët, me mbesë përdore, ngjiti
Shoqnue prej nji zullapi torollak
Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti
Tek ai u mbështet, e kish të vetmen shpresë.
“-Djalin ta dënoi ligji, ka bërë faj
Po Partia tonë është zëmër-madhe
Djali t’i heqë lakrat, trutë t’i shpëlaj
Ashtu si të tjerët të futet në aradhe
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…”
II
-Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Unë jam nanë…
-Ate që kam timen, s’lutem me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr.
“Andërronte tepër, u dënue me ligj.”
Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojnë këta mjeranë?
Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.
Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!
III
Kalon nji muej. E kërkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai që djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhé, limon bahet n’fytyrë
I dridhen buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e li me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dore…
I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecën kuturu, nuk sheh ma nga sytë
Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vërtik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket… duket… deri sa u zhduk!…
Gusht 1984
Shenim i autorit:
“Nana Zadrimore” – e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi i vritet i shoqi prej komunistëve në vitin 1945, lidh shaminë e zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjeçar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatarë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si krytar i grupit dënohet për tradhti të lartë ndaj atdheut me vdekje.
Nanë-shkreta ban çmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’i dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet në Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.