• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Për kë do të votojë minoriteti shqiptar në Shqipëri?

July 2, 2017 by dgreca

1 ahmet.siti_

Nga Ahmet Kolgjini/*

Që ka një minoritet grek në Shqipëri, kjo dihet; që ka gjithashtu, edhe një minoritet maqedonas a sllav, edhe kjo dihet. Por, që ka edhe një minoritet shqiptar, këtu, brenda në Shqipëri, kjo nuk dihet a dihet. Në këtë rast të dhimbshëm dhe unikal, vetë termi minoritet shqiptar këtu, brenda në Shqipëri duket paradoksal. Duket, por është real. Dhe me të vërtetë realiteti qenka më fantastik se fantastikja.
Atëherë mbetet vetëm për të sqaruar se cilët e përbëjnë këtë minoritet. Këtë minoritet e përbëjnë të gjithë ata, të cilët, për vite me radhë, kanë qenë objekt i luftës së klasave, të gjithë ata që u bënë viktima të kësaj lufte; të gjithë ata që u shtrënguan ta ndjenin veten të huaj në vendin e vet; të gjithë ata, mbi të cilët u zbatua parimi i mëkatit origjinal. Simbas një llogjike perverse nipat dhe stërnipat duhej të lanin mëkatet e gjyshëve dhe të stërgjyshëve. Janë të gjithë ata, të cilëve, me reformën arsimore të vitit 1968, u mohohej jo vetëm shkollimi i plotë, por edhe arsimi i mesëm profesional; të gjithë ata, të cilët, edhe detyrën e shenjtë ndaj atdheut, e kryenin jo si ushtarë, por si robër lufte, me shatë dhe me lopatë. Janë të gjithë ata që bënë me krahë – të rrethuar nga tytat e pushkëve, – bonifikimin e kënetave, që hapën kanalet e mëdhenj ujitës, që ndërtuan aeroporte, fabrika dhe uzina, spitale dhe banesa. Janë të gjithë ata që nxorën, me shpirt ndër dhëmbë, nga thellësitë e tokës kromin, bakrin, piritin. Janë të gjithë ata, të cilët për vite me radhë i janë shtruar arbitraritetit dhe imponimit për shkollë, për punë, për banesë; për të mos përmendur raste të tjera të paimagjinueshme dhe të pabesueshme. Edhe vdekja vetë nuk bën dallim ndërmjet njerëzve, kurse pushteti i popullit ka bërë dallim edhe ndaj të vdekurve. Të gjithë këta shqiptarë përbëjnë një masë të konsiderueshme, një kontigjent konsistent për nga numri, vlerat dhe qëndresa.
Me komunizmin, që dikur joshte njerëzit, ngjau si me ylberin që, i parë nga larg, të mahnit me gjithë spektrin e ngjyrave e të duket i mistershëm. Një mirazh që zë fill nga shkretira shpirtërore dhe mbaron me shkretirën shpirtërore dhe me shkretirën lëndore. Sot komunizmi shkakton alergji dhe është bërë gërdia a neveria më e madhja në këtë botë.
Dikur, komunistët predikuan dhe premtuan bashkimin dhe vëllazërimin, por mbollën përçarjen; premtuan begatinë, por sollën mjerimin; premtuan të vërtetën, por përhapën gënjeshtrën; premtuan drejtësinë, por zbatuan padrejtësinë; premtuan lirinë, por vendosën diktaturën; premtuan demokracinë, por vendosën autokracinë.
Në këtë agim të ndritshëm të lirisë së individit, njerëzit përditë po ndërgjegjësohen, prandaj një gjë është krejt e sigurt: ata që përbëjnë minoritetin shqiptar, këtu, brenda në Shqipëri, nuk do t’ia japin votën partisë që është tashpërtash në pushtet, sepse ajo i ka trajtuar për vite e vite rresht si kafshë barre për të mbajtur mbi shpatulla gurët e ngrehinës së pushtetit më autentik dhe pa precedencë në histori për mohimin, dhunimin dhe depersonalizimin e qytetarëve të vet.
Motra dhe vëllezër, që jeni marrë nëpër këmbë, le të besojmë në demokracinë dhe votat tona t’i japim vetëm për demokracinë, se ajo na mbron dinjitetin njerëzor. Te demokracia çdo shqiptar i vërtetë gjen vetveten. Vetëm demokracia përfaqëson dhe shpreh aspiratat mbarëkombëtare dhe jep mundësinmë e realizimit të tyre.

Mars 1991((Shkrim i pabotuem; – iu refuzue nga redaktori i asaj kohe i RD-së, mbas kambënguljes së Ahmetit që të botohej pa shkurtime!)

  • Nje shkrim qe e ruan aktualitetin edhe sot

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ahmet Kolgjini, minoriteti shqiptar, ne Shqiperi, Për kë do të votojë

AHMET KOLGJINI- NANE ZADRIMORE

January 13, 2016 by dgreca

Gazeta “Dielli” ju sjellë “Nanë Zadrimore”, pjesën e tretë dhe të fundit të ciklit poetik të Ahmet Kolgjinit (1939-1999), nxjerrë nga vellimi me “Poezi” botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”. Aktorët e krimeve te periudhes komuniste jo vetëmse nuk kanë dhanë përgjegjësi, por nji pjesë e tyne po marrin dekorata dhe po shpërblehen nga shteti shqiptar.
Mbi këte cikël poetik, autori, Ahmet Kolgjini, shkruen: “Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime. “I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.”

NANE ZADRIMORE
I
Plot dy javë te porta e hekurt priti
Nanë-zeza, e kërrusun, e bame lak
Shkallët, me mbesë përdore, ngjiti
Shoqnue prej nji zullapi torollak

Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti
Tek ai u mbështet, e kish të vetmen shpresë.

“-Djalin ta dënoi ligji, ka bërë faj
Po Partia tonë është zëmër-madhe
Djali t’i heqë lakrat, trutë t’i shpëlaj

Ashtu si të tjerët të futet në aradhe
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…”

II
-Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Unë jam nanë…
-Ate që kam timen, s’lutem me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr.

“Andërronte tepër, u dënue me ligj.”
Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojnë këta mjeranë?

Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.

Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!

III
Kalon nji muej. E kërkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai që djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhé, limon bahet n’fytyrë

I dridhen buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e li me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dore…

I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecën kuturu, nuk sheh ma nga sytë

Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vërtik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket… duket… deri sa u zhduk!…

Gusht 1984

Shenim i autorit:
“Nana Zadrimore” – e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi i vritet i shoqi prej komunistëve në vitin 1945, lidh shaminë e zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjeçar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatarë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si krytar i grupit dënohet për tradhti të lartë ndaj atdheut me vdekje.
Nanë-shkreta ban çmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’i dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet në Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.

Filed Under: Featured Tagged With: Ahmet Kolgjini, NANE ZADRIMORE

AHMET KOLGJINI- Prap Dhimbje

December 18, 2015 by dgreca

Gazeta “Dielli” vazhdon t’ju sjellë pjesën tjetër të ciklit poetik të Ahmet Kolgjinit (1939-1999), nxjerrë nga vellimi me poezi botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”. Aktorët e krimeve jo vetëmse nuk kanë dhanë llogari, por nji pjesë e tyne po marrin dekorata.
Cikli i fundit i këtij vëllimi “Prapë dhimbje” përbahet nga tri njësi: “Marku”, “Nana Zadrimore”, dhe “Lili”. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme.
Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.
“I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.

MARKU
I
Çelësa e shula cingëritën për ibret.
Dera e dhomës hapet me rropamë
Tërmegshëm dyzet burra çohen n’kambë.
Hyn kapteri. Ngërdheshet. Shtyn nji skelet

Që shkapetet mu n’çimento, si i vdekun.
Nga turpi, ulin kryet, dyzet burra.
Supi lakuriq i dahet nga lëkura
Mishi-i verenikun, si mëlçi e pjekun

Koka: Golle e gunga e feje, gati
Për t’u këputë. Trishtim. Dhimbë. Mëshirë
Ngjall. Akuzë. Revoltë mishnon, i ngrati!

Kapteri del. Përtueshëm çohet Frati
I hullet: Nga vjen, si të quejnë, mor bir?
“Prej Tirane… Më thonë Mark Sakati.

II
As shtrojë, as mbulojë, as lugë, as tas…
Nji grumbull kockash ishte shtue n’kaush.
Lugë e tas, dha murgu Athanas,
Gjovalini – nji velenxë pa push.

Njeri pa njeri – Izeti prej Çamërie
Nji jastëk sajoi me rrecka t’shtatit.
Dhoma shpaloi gjeste bamirësie:
Diçka, për sevap, i dha “malukatit”

Paloka, i plagosun në Gomsiqe
Nxori prej jatakut, e tërhoqi branë
Me zor, tue u kollitë, nji postiqe.

Gjithçka u dha, çka ishte për t’u dhanë
Mandej, të lodhun, u shtriqën mënjanë…
Dikush, morriste, zellshëm, tartabiqe…

III
Sheh trembshëm Marku. Sytë s’i bajnë dritë.
Veshët i punojnë disi ma mirë.
Ankth janë ditët. Si nji ditë, përditë.
Buzqesh me mllef… Duket si satir…

Dergj natë e ditë. Nuk do me dalë
N’oborr. T’tjerët dalin. Ai rri fillikat.
Prej disa ditësh, pëshpëriten fjalë:
Dikush vjedh ushqimet… I ha në shtrat.

Mëngjez. Bilbili bie. Bahet zgjimi.
“Kapa hajnin” -thotë me gjeste t’preme
Shi si ngadhnjimtar, Gavrosh Kulimi…

Marku u drodh. Vështroi me tmerr. U skuq
Pastaj, mori nji çehre të zbërdheme…
Vari kryet!… E u mbështoll palmuç!…

IV
“Këlysh i Titos! Armik! Qen bir qeni!
Mut! Maskara! Të shkërdhefsha kurvën!
Horr! Hekurat shpejt! Ta sqaroni! Merreni!”
Rrapëllimat, jehojnë në korridor!…

Kështu, komisari e fajsoi viktimën.
– Dhoma ngriu në kambë, si e ngurosun –
Shkërçi dhambët, përmendi “ofiçinën”.
Ma mirë në vorr sesa i burgosun!

Nga asht Marku, vëllezën? -Pyeti Frati.
Heshtje… Izeti u flet të gjithëve, ashtu siç ishin:
“Asht kosovar… Këtu, s’ka njeri, i ngrati!”

Ptu! Jazëk na qoftë! Turp ma t’madh nuk ka!
Duerët i dridhen, nuk mbush dot kamishin
Hafiz Alushi e u la në lot, tue qa!..

V
Për krahësh – të bamë ulok, të plirun,
Kalaveshas, as gjallë as vdekë – e prunë…
Vetëm nji frazë shqiptoi, me za të ngjirun:
“Më falni! S’di si e paskam ba at’ punë…”

“Zia të marrka mendt, t’marrka fytyrën…”
U struk në batanije… E ma nuk bëzan.
Përditë, përshpirtshëm, lutet. Pret mynxyrën!…
Nuk tha gja tjetër… Nuk kish çka me thanë…

Nji ditë, n’agshol, pa ra në sy, Marku ikën!…
Shtati iu qetësue… Sytë iu fikën…
Të mbramen herë, Izeti iu gjet pranë.

Me ngashërim e cenë, sytë ia mbyll…
Dhoma, në heshtje e nderon… Dikush ofshan…
Shpirti qiejsh fluturon kah nji yll!

Qershor 1993
Shenim i autorit:
Marku, i mbrujtun me traditat ma fisniket dhe i pajisun me virtytet ma të lartat të gjinsit shqiptar, tue mos mundë me durue ma prepotencën serbe, i kthen shpinën vendlindjes dhe familjes së vet për të ardhë në vendin “amë”. Këtu, mbasi dështojnë orvatjet e Sigurimit për ta manipulue, e akuzojnë si agjent të UDB-së. Mbasi e mbajnë 14 muej në “ofiçinë” e dënojnë 25 vjet dhe e shpien në burgun qendror. Ditët e para ai nuk asht në gjendje me dallue të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja, të drejtën nga jo e drejta. Ai ishte lodhë për vdekje sa ve dorë mbi ushqimet e bashkëvuejtësve. Kur vjen në vete mbështet ballin në pllambën e djathtë e s’ia pa kush ma sytë. Mbas nja tre muejsh vdes.
Këtu duhet me vu në dukje nji mentalitet ma fort shqiptar sesa njerëzor. Me të marrë vesh se quhej Mark, shkriftohet gjithë dhoma (kaushi). Toskët mendojnë se u takon gegëve me nda kafshatën me Markun, sepse ai asht gegë. Muslimanët e ortodoksët mendojnë se u takon katolikëve. Katolikët nga ana e vet mendojnë se Marku asht prej Tirane a Durrësi. Këta të fundit mendojnë se asht prej Mirdite. Mirditorët mendojnë se asht prej Zadrime a nga Malësia e Madhe. Atë ditë që ai vdes, merret vesh se ai kishte qenë prej Prizreni. Të gjithë u mjeruen e u helmuen por pa dobi. Marku tashma ishte nda kso bote. Ai nuk vdiq, ai plasi. Këte të vërtetë dhoma e mësoi prej Izet Çamit i cili ma tepër se kushdo ljetër u tregue solidar me Markun tue i krye ndonji shërbim e tue i ndihmue me përkushtim deri në çastet e mbrame.
Vetë Izeti i rritun jetim në nji familje prej Shijaku, sepse nana e la të vogël kurse babën ia vranë grekët, mbasi mbaron shkollën fillore ruen dhentë. Nji ditë atypari kalojnë tre udhëtarë dhe i kërkojnë bukë. Çami i ri ua jep gjithë bukën që kishte në strajcë. Për këtë gjest bujarie e akuzojnë për strehim diversantësh dhe e dënojnë 16 vjet burg.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.
***
Ne te njejtin vellim me poezi botue nga Shtepia Botuese “Koha” ne vitin 1999 (ate vit qe nderroi jete Ahmeti), gjindet edhe kjo poezi.Shpirti poetik i poetit ne kete poezi eshte i dlire dhe poezia shquhet per nota romantike. Kolgjini i kendon Myzeqese, si bukuri natyrore, pa permendur plaget,duke i lene menjane ne kete rast- gulaget e saj-kampet e internimit.

MYZEQE…

Furishëm nis të fryjë prej Divjake
Grunjat bajnë dallgë nëpër fushë
Çunat llokoçiten me ujë bërrake
Vashat lidhin rizat për nën gushë

Tej në fushë kostarët mprehin kosat
Dhent kullosin me oreks të madh
Në kor, tashma, guakin dhe bretkosat
Me hov lodrojnë qingjat në livadh

Hana del e plotë dhe përndrit dhenë
Bulkthi çërçërin, qeni leh te stani
Xixillonjat prarojnë Myzeqenë

Bujku hedh nji sy andej nga bostani
Gjithçka bie fashë… Çurlikon prroni
Fusha ndizet nur me ngjyra limoni…

Maj 1998

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, Marku, Prap Dhimbje

“Prapë dhimbje”…

December 15, 2015 by dgreca

Poezi nga Ahmet Kolgjini (1939-1999)/

Nxjerre nga cikli i fundit i vellimit me poezi nga Ahmet Kolgjini botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”/

Mbi kete cikel, autori shkruen:  Cikli i fundit i këtij vëllimi “Prapë dhimbje” përbahet nga tri njësi: “Marku”, “Nana Zadrimore”, dhe “Lili”. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme.

Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.

“I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.

LILI

I

“Armiku e meriton pushkatimin.”

Këte përgjigje, ngado shkoi, i dhanë.

Çfarë nuk bani me shpëtue të vëllanë.

Pranoi, pa u mendue, propozimin…

Ia shtupoi nji duhmë e qelbët hundën

Sa zorrët iu trazuen mbrenda barkut…

Mërrudhun, u përplas, sipër jatakut

Turpshëm e përjetoi Lili dhunën.

Përskaj iu ul dhe e mbërtheu shtinjaku

“Mos më zhvish, të lutem, dhe mos më prish!”

Ia hoqi rrobat dhe, në dysheme, ia flaku.

Si panterë mandej iu turr në mish…

Lili e kuptoi tashma: kish ra në lak

Kur zhveshun e pau veten, ba cullak!…

II

Si qen ia kafshoi trupin me dhambë

Derisa u eth e u përndez përbindshi

At’ kurm të lakuriqtë e dërmishi…

Si farkë jehonte nji gulshim i randë

Rënkimi i përgjigjej si kuisje e gjatë…

Nja tri a katër herë djersët bujisën.

Kështu andërrat u shuen, u terratisën:

Me zhvirgjënimin jeta vdiq at’ natë!

N’mëngjes si hajdute ecën n’trotuar

Si u zhbi, u tret për nji natë ai hir

A asht ajo Lili siç ishte ma parë?

Vajti në dyqan, bleu nji torbë qymyr.

N’gushë e në gjoks i duket ndonji blanë

Qeskë e syve vjollcë, trupi-jargavanë…

III

Lot i pastër natën moti, qielli xham

I kaltër, mbushun prush me xixa ari

Dielli bujarisht dhuron rreze acari…

Makina e kobit uturon n’kalldram!

Potershëm kërset dera, i bien me shkelm

Gjyshja hukat duert të ngrime akull

Pa kujë e bujë hap derën, shpirtin helm

Policët sheh, luhatet, bie shakull

Pse keni ardhë, he, ju ardhtë gjama?!

Zoti paftë e gjoftë mor t’paftyrë

Ka për t’ju zanë, he, ju zantë nama!

Lili vdiq. E mbyti veten me qymyr…

Shtoja zullumin, Zot, këtij Jeziti

Djalin m’pushkatoi, Vajzën ma koriti!…

Shenim i autorit:   Gjyshja e “Lilit”, nuse e re me nji djalë të vogël për dore vjen në Tiranë me nji grup të madh muhaxhirësh të Dibrës së Madhe. I shoqi ka mbetë i vramë atje, në Dibër prej serbëve (1913). Lidh shaminë e zezë dhe shtrëngohet me rritë të birin. E fejon dhe e marton. Këtij çifti, Zoti i fal dy fëmijë, nji djalë e nji vajzë. Por shumë herët këta dy fëmijë mbetën jetimë, vetëm me gjyshen. E ama u çmendet e përfundon në çmendinë. Mbas nja tre-katër vjetësh u vdes edhe i ati nga tuberkulozi. Gjyshja përveç punës që ban ditën si pastruese zyrash edhe natën ban punëdore për të fitue bukën e gojës me djersën e ballit…

I nipi mbas nji aksidenti në vendin e punës akuzohet për “sabotim ekonomik” dhe dënohet me vdekje. Lili, e motra që asht në fjalë për t’u fejue, ban çmos derisa bie viktimë e përkushtimit dhe e naivitetit. I vëllai pushkatohet dhe Lili mbyt veten me oksid karbon i. Gjyshja mbetet si nji pemë që i ka ra rrufeja. Kështu u fik edhe nji familje tjetër shqiptare.

Shqipnia vuen për nji Shekspir!

Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, cikel poetik, Prape dhimbje

NANA ZADRIMORE

May 11, 2014 by dgreca

Ahmet Kolgjini (1939-1999)/
I/
Plot dy javë te porta e hekurt priti/
Nana-zeza, e kërrusun, e bame lak/
Shkallët, me mbesë perdorë, ngjiti/
Shoqnue prej nji zullapi torollak/

Sheh kanibalin me fytyrë Jeziti/
Që i vrau të shoqin më dyzet e pesë/
Ndejti me nji djalë, mezi e rriti/
Tek ai u mbështet, e kish të vetmën shpresë./

“-Djalin ta denoi ligji. Ka bërë faj /
Po Partia tonë është zëmër-madhe/
Djali t’i heqë Iakrat, trutë t’i shpëlaj/

Ashtu si te tjerët të futet në aradhë
Me mësimet e Partisë të eci paskëtaj!
Do ta studjojë Partia… Mirë bëre që ardhe…

II
Bir i nanës! Takova shokun Enver
Më tha të bash nji lutje. Una jam nanë…
-Atë që kam timën, s’Iutëm me ma dhanë
Zoti ma dha jetën dhe Zoti ma merr,

“Andërronte tepër, u dënue me ligj.
“Me siguri kështu të kanë thanë
Ti a s’e kupton se lutja e përligj
Dhunën që ushtrojne këta mjeranë?

Enveri me shokë janë nji skotë
Nji lukuni e pangishme kriminelash
Nji shuplakë e Zotit në këte botë.

Ma mirë pushkatue se rrethue telash
Prej këtyne mos prit farë uzdaje
Zoti të shpëtoftë prej kësaj murtaje!

III
Kalon nji muej. E kerkojnë në zyrë.
Nji strupull teshash merr për me i hapë
I qetë, ai qe djalin ia ka kapë…
Ajo bahet dhe, limon bahet n’fytyrë

I dridhën buzët nanës zadrimore
Kur sheh bluzë e krahën, laps e bllok
Të mbështjella lesh e Ii me nji spathok
Nji kuti cigaresh e nji orë dorë…

I merr e del, po s’di ku me u mbytë
Këqyr përqark, kurrkund nuk sheh njeri
Ecen kuturu, nuk sheh ma nga sytë

Kryq ban tri herë, me teshat mblidhet shuk
Prej ure me vertik hidhet në Dri!
Në shkulmat zhduket … duket… deri sa u zhduk!…
Gusht 1984
Nxjerre nga Kolgjini, Ahmet (1999). Poezi. Tirane: Shtepia Botuese “Koha”, faqe 60-63.

Ne rubriken shënime, në faqen 67, autori shkruen: “Cikli i fundit ‘Prapë dhimbje’ përbahet nga tri njësi: Marku, Nana Zadrimore, dhe Lili. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme. Asgja nuk asht sendërgjim I fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fictive me tërheqe lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.
‘I vdekuni nuk ka miq,” thotë nji fjalë e urtë. E vëerteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk I njohim dhe nuk I dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue I njoftë e tue I pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjitashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.
Ne faqen 68, po nen rubriken shenime, autori shkruen:
Nana Zadrimore e veja e nji oficeri të Ushtrisë Kombëtare, mbasi I vritet I shoqi prej komunistëve ne vitin 1945, lidh shaminë a zezë dhe vendos me rritë të birin 7 vjecar. I biri meqenëse iu ba e padurueshme lufta e klasave, lidhet me dy moshatrë të vet dhe vendosin me u arratisë, por kapen dhe ai si kryetar I grupit dënohet per tradhëti të lartë ndaj atdheut me vdekje Nanë shkreta ban cmos për të shpëtue të birin. Nji ditë e thërrasin në zyrë për t’I dorëzue sendet personale të të birit. I biri ishte pushkatue. Nana s’e kontrollon ma veten dhe mbytet ne Dri. Kështu u shue e u fik edhe nji familje.
Shënim: Ahmet Kolgjini bani 20 vjet burg në disa burgje të Shqipnisë komuniste dhe për shum vjet ishte i internuem në Kampet e internimit të Lushnjes.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, Nana zadrimore, poezi

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT