• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1 E 2 MAJ 1992: NË SHQIPËRI PA PASAPORTË

May 1, 2021 by dgreca

-Para 29 vitesh në Shqipëri për herë të parë dhe një thirrje nga Tirana…

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë  Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Maj 2021/ NË SHQIPËRI PA PASAPORTË ishte titulli i shkrimit  tim – fotoreportazhit ekskluziv me fotografitë e fotoreporterit Ilaz Bylykbashi botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës Bujku para 29 viteve. Në 1 e 2 Maj 1992 isha për herë të parë në Shqipëri bashkë edhe me gazetarin  Bedri Sadiku  dhe shoferin Bilall Demiri. Ishim ekip special i gazetës Bujku…

Fotoreportazhi i paralajmëruar në faqen e parë e botuar i plotë në faqen e pestë të gazetës së datës 5 Maj 1992 ishte ky:

EKSKLUZIVE

NË SHQIPËRI PA PASAPORTË

Datë që do të mbetet në kujtesë, gjatë kohë, edhe në histori: dita e parë e majit 1992.

Këtë ditë më se pesëdhjetëmijë shqiptarë nga trojet e veta etnike jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë – të gjysëmtokës së trojeve shqiptare, nga Dibra e Madhe e nga qytetet e tjera në Maqedoni, nga Presheva, Bujanoci, Medvegja, edhe nga gjithë Kosova, erdhën në Shqipëri pa pasaportë. Sipas marrëveshjes ndërshtetërore në dy ditët e para të këtij muaji u “rrënua”  muri ndërdibran edhe ndërshqiptar, po edhe ndërshtetëror, midis Shqipërisë e Maqedonisë, në vendkalimin në Bllatë.

Ky ishte një hap i madh në hapjen e kufirit, apo më mirë të themi pakufirit mes shqiptarëve, edhe mes shteteve ku fitoi e frymon demokracia e që hapërojnë në integrim në Evropën pa kufij.   

Fatkeqësisht, deri tek ai kufi i hapur, shqiptarët nga Kosova, edhe nga Presheva, Bujanoci e Medvegja, u desht të kalojnë edhe nëpër kufij të mbyllur,  të dhunshëm, që Serbia i ka vënë edhe në pikat kufitare të një shteti tjetër – të Kosovës.

E, atje ku ishte i hapur, njerëzit e kaluan, jo vetëm pa pasaportë, po edhe pa e treguar letërnjohtimin.

Kolona e gjatë e njerëzve që ecnin këmbë, e veturave, autobusëve e automjeteve të tjera,  u nis nga Dibra e Madhe në Maqedoni kah Dibra e Vogël (Peshkopia) në Shqipëri ende pa çelë dita. Ajo kolonë ishte shumë e gjatë deri në kufi dhe zgjatej e zgjatej  Grykës së Radikës…

Në anën tjetër të kufirit kishin dalë mijëra njerëz nga mbarë Shqipëria për t’i pritur vëllezërit e vet, farefisin, bashkëkombasit, që nuk i kishin parë me vite, edhe me dhjetëvjetësha. I pritnin me shumë gëzim edhe me shumë mallë. Me të njëjtën ndjenjë, si të një zemre, edhe shkohej atje.

Ato dy ditë Dibra e Vëgël ishte më e madhe se Dibra e Madhe, edhe më e madhe se të dy Dibrat bashkë këndej e andej kufirit, se aty erdhën shqiptarë nga të gjitha trojet e veta etnike. Rrugët, sheshet, janë plot njerëz, plot përqafime, edhe plot pranverë e diell. Plot fjalë mirëseardhje:

Edhe çdo shtëpi, çdo konak, çdo kafene, është plot mysafirë. Ka edhe shumë lot. Po, ata janë lot gëzimi e përmallimi…

Kështu është edhe në katunde, në Maqellarë, Pocest, Kërçishtë, Bulqizë…Shqiptarët nga Kosova e nga viset e tjera të tyre zbresin shkojnë edhe kah viset e tjera të Shqipërisë, zbresin luginës së Drinit, kah Miloti, Burreli, Mamurasi, Kruja, Tirana…Automjetet me regjistrime kosovare rrugëve të Shqipërisë u japin pamje e përshtypje si të ishim në Kosovë. 

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

-E para fotografi për histori, në ditën e parë të këtij muaji, ndonjë minutë pas orës gjashtë të mëngjesit: Kolona e gjatë e njerëzve, e shqiptarëve matanë kufirit,  hyn në Shqipëri pa i pyetur kush as për pasaportë, as për letërnjoftim.

-Në kufi, në Shqipëri, pret përshëndetja e shkruar në pano të mëdha: Mirëseerdhët vëllezër dhe motra!

-Dibër e Madhe, ora pesë e mëngjesit. Ka kaluar nata e pagjumë nga ndjenja e gëzimit e pritjes së të mirës. Dibranët kanë dalë në rrugë, me padurim presin të nisen, të hipin në autobusë, vetura. Nuk është larg kufiri, prandaj shumë nisen edhe këmbë…

-Në anën tjetër të kufirit, në rrugë kah Dibra e Vogël, në pritje të vëllezërve, që nga mëngjesi, gjithë ditën e lume…

-Në pritje me bukë, kripë e zemër, me përqafime plot gëzim e mall, i madh e i vogël shkojnë, ecin rrugëve të Dibrës së Vogël.

-Pamje nga mikpritja, nga takimet e gëzueshme e të përmallshme, në shtëpitë e Peshkopisë.

-Nuk është jeta veç dy ditë. Kur do të shihemi prapë, kur do të hapet përgjithmonë kufiri: Pamje nga largimi, përcjellja nga Shqipëria.

Reporter: Behlul JASHARI    Fotoreporter: Ilaz BYLYKBASHI

 (Gazeta Bujku, Prishtinë – e martë, 5 Maj 1992 – Faqe 5)

MAJ 1992-NË SHQIPËRI PËR HERË TË PARË DHE NJË THIRRJE NGA TIRANA…

-Raportimet nga Kosova në Shqipëri nisën me thirrje nga Tirana në ditë zgjedhjesh, para 29 vitesh/

Në Prishtinë, mëngjesin e 24 majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin atë ditë historike në Kosovë.

Një telefonatë e herëshme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në lagjen Ulpiana  të kryeqytetit të Kosovës -Prishtinës.

Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga miq të mi gazetarë në Tiranë, ku isha në 1 e 2 maj 1992 dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.

Një maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996.

Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë maji do jetë i hapur kufiri me Shqipërinë për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…

Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.

U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po  kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.

“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”

Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…

Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i  gazetës Rilindja, në Tiranë – në telexin e Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmëve të Shqipërisë – Agjenisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Raportimet për zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare kosovare shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Zyra e telexit u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe në Kosovën e asaj kohe, që nisi të dalë nga 18 janari 1991, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, duke sfiduar ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja. Edhe duke vendosur bashkëpunimet e para me ATSH-në edhe me marrjen e botimin e lajmeve nga kjo agjenci kombëtare-zyrtare shqiptare themeluam bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri, që nisën e zhvilloheshin përkundër se ishin të ndaluara nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH  edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan mëse çerek shekulli, gjysma e këtyre viteve, të paraluftës, luftës, etj, pa pagë -vullnetarisht.

Ndërkohë, në Ditën e Lirisë së Kosovës, në 12 Qershor 2021 bëhen gjashtë vjet raportimesh që bëj  korrespondent në Kosovë i organit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazetës DIELLI, e cila edhe me vite më parë botonte shkrimet e mia marrë nga ATSH.

Me datë 12 Qershor 2015 shkrimi im i parë enkas për Gazetën DIELLI kishte titullin KUR TRUPAT E NATOS HYNË NË KOSOVË, e nëntitullin: Kosovës po i ndodhte liria dhe paqja para 16 viteve, NATO nisi të hynte në 12 qershor 1999 ora 05 e 17 minuta.  Në atë vit e orë historike me kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare – NATO-s kam hyrë në Kosovë dhe raportuar për ATSH-në e Radio Televizionin Shqiptar.

Në vitin 2015, në nëntor, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë më ndau Çmimin Karriera në një veprimtari të organizuar në qytetin e Prizrenit, për të cilën Gazeta DIELLI ka raportuar mes tjerash:

Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës Dielli – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej gati çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, është fitues i Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa, duke prezantuar motivacionin për çmimin tha se, “Behlul Jashari është dëshmia e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë shtypjes dhe terrorit okupues. Jo vetëm shembull i gazetarit korrekt në një kohë kur sundonte censura e shumëfishtë dhe sidomos ajo shtetërore. Behlul Jashari është emri i gazetarit jetëgjatë në profesion që përjetoi e përballoi sakrifica të mëdha. Ai si rrallë kush mori në dorë gazetën ‘Bujku’ kur pushteti serb mbylli të vetmin titull të përditshëm ‘Rilindjen’. Behlul Jashari ishte kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi ‘Bujku’ që nisi të dalë nga 18 janari 1991 dhe si korrespondent i parë nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë nga 24 maji 1992. Raportimet e tij janë pjesë e rëndësishme e historisë së raportimit gazetaresk për krejt hapësirën shqiptare”.

FOTOGRAFITË:

1. Gazeta Bujku – faqe 5  – data 5 Maj 1992, ditë e Martë

2. Gazeta Bujku – faqe 1  – data 5 Maj 1992, ditë e Martë

3. Tiranë, 2 Maj 1992: Gazetari Behlul Jashari në mes, në anën e djathtë të tij gazetari Bedri Sadiku dhe majtas shoferi Bilall Demiri – Fotografi e fotoreporterit Ilaz Bylykbashi

4. Shqipëri, 1 e 2 Maj 1992: Gazetari Behlul Jashari në mes, në anën e djathtë të tij gazetari Bedri Sadiku dhe majtas shoferi Bilall Demiri – Fotografi e fotoreporterit Ilaz Bylykbashi

5. Nga ekipi i Gazetës Rilindja Behlul Jashari duke duartrokitur dhe Ilaz Bylykbashi pranë në anën e majtë në 2 Korrik 1990 në Kuvendin e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës…

Filed Under: Reportazh Tagged With: 1 e 2 Maj 1992, Behlul Jashari, ne Shqiperi

10 QERSHOR-DATË HISTORIKE, PRESIDENTI BUSH NË SHQIPËRI

June 10, 2020 by dgreca

Nga Sami MULAJ/

Para 13 vitesh, me 10 Qershor kulmoi historia e marrëdhënieve Shqipëri – Amerikë. Për herë të parë shkeli në tokën shqiptare një president në detyrë i Amerikës: Xhorxh W.Bush.

Për herë të parë, deklarohet në kryeqytetin e shqiptarëv: Kosova do të bëhet e pavarur dhe Shqipëria do të pranohet në NATO. 

Dy gëzime në një ditë për shqiptarët, dy gëzime në një ditë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të madh në konsolidimin e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Amerikës.

Dy gëzime në një ditë për politikën e mencur e largpamëse të Dr. Sali Berishës, ish president dhe kryeministër i Shqipërisë, që e solli si triumfator dhuratën e gëzimit historik për kombin Shqiptar.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe presidentin e saj, mikun më të madh të shiptarëve Xhorxh W.Bush.

Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët e miqtë e tyre në botë, dhe doktor Sali Berishën që dhanë përkushtim të madh në krijimin e forcimin e marrëdhënjeve shqiptaro amerikane.

Kombi dhe populli shqiptar që përjetësinë e ka të lidhur me miqësinë e mbështetjen e Amerikës, do t’i vleresojë e nderojë gjithmonë.

Greeting with Albanian Troops. Palace of Brigades. Tirana, Albania.

Filed Under: Featured Tagged With: George W Bush, ne Shqiperi

SHPËTIMI I HEBREJVE NË SHQIPËRI-HOLOKAUSTI I PËRKUJTUAR

February 1, 2019 by dgreca

1 anna KohenNGA RAFAELA PRIFTI/

1 a Foto OKB

Veprimtaria “Shpëtimi i Hebrejve në Shqipëri gjatë Holokaustit” organizuar nga Shoqëria Civile e Zyrës së Komunikimit Global të OKB-së në bashkëpunim me Misionin e Shqipërisë pranë Organizatës Botërore u mbajt në kuadër të javës kushtuar viktimave të persekutimit sistematik gjatë viteve 1933-1945. Besiana

Në hyrjen e selisë së OKB-së nga ana e vizitorëve ishin paraqitur afishe të botimeve të paraqitura gjatë javës përkujtimore si dhe stenda të veprimtarive dhe fotografi të shembujve të moralit human. Shtetësitë e personave që e kundërshtuan me vepra fushatën e spastrimit etnik të hebrejve nga nazistët përfshnin një numër të vendeve si Suedia, Çekosllovakia, Peruja, Spanja, India etj. që korrespondonin me vendbanimet dhe vendstrehimet e viktimave. Ekzpozita ndërkombëtare me temën “Holokaust i Përkujtuar” shpalos idene se të drejtat njerëzore nuk njohin kufi shtetëror dhe përkatësi kombëtare.1 asllani 3

Në podiumin e sallës së konferencës ku mbajt veprimtaria e së enjtës ishin ulur organizatorët dhe folësit kryesorë. Zëvendës-Sekretarja e Përgjithshme për Komunikim Global, znj. Alison Smale mbajti fjalën e hapjes dhe prezantoi me radhë të ftuarit. Strehimi i hebrejve nga shqiptarët u vlerësua si mishërim i principeve të Deklaratës së të Drejtave të Njeriut, e cila është miratuar në sesionin e tretë te Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në dhjetor 1948 në Paris.c

Zeri i AmerikesAjo shprehu mendimin se sjellja njerëzore që manifestuan shqiptarët gjatë viteve të Holokaustit shërben si mbështetje për shoqërinë civile në kohën e sotme në mbrojtje të të drejtave të patjetërsueshme njerëzore. Përfaqësuesja e Përhershme e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare falenderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët duke theksuar se një aktivitet i tillë përkujtimor është pjesë e trashëgimisë të së kaluarës dhe, se rëndësia e tij lidhet me mësimet për të ardhmen. Presidenti i Kongresit Botëror të Hebrejve, Ronald Lauder, në fjalën e vet u përqëndrua të shtimi I rasteve të akteve anti-semite në Shtetet e Bashkuara dhe kritikoi qëndrimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me miratimin e 21 Rezolutave kundër shtetit të Izraelit. Si shembull të një prijësi të moralshëm, ai përmendi Winston Churchill për guximin e manifestuar nga kryeministri britanik përballë presionit nazist. Në fjalën e Dr. Ana Kohen solli shembuj personal nga jeta e familjes së saj të ardhur nga Greqia për tu strehuar në Vlorë. Ndonëse familjarëve iu desh të ndryshonin emrat si mekanizëm sigurie, të gjithë e dinin se në atë vend jetonin hebrejtë dhe se kodi zakonor i besës shqiptare ishte parim i shenjtë i tyre. Znj. Kohen shtoi se ajo ndërmori përpjekjet për ta ri-emëruar rrugën për nder të kujtimit të prindërve të saj dhe atyre që jetuan aty. Me zë të emocionuar, ajo përmendi sesi pas 11 shtatorit ajo përjetoi një frikë të ngjashme të dënimit të një popullsie për shkak të përkatësisë etnike a fetare. Në vazhdim, Drejtuesja e “Eye Contact Foundation” Majlinda Myrto, e zgjeroi tablonë e portretet e të mbijetuarve me anë të dëshmisë gojore të miqësisë midis familjes së bashkëshortit të saj dhe personave që strehoheshin aty gjatë viteve të luftës. Prej asaj kohe, Shyqyriu i besimit mysliman dhe Josefi i fesë jaudite e ruajtën miqësinë deri në fund të jetes së tyre. Znj. Myrto tha se themeluesi i Foundacionit Norman Gershman ishte autori i fotografive të paraqitura në diapozitiva, pjesë e ekspozitës shetitëse për edukimin e brezave. Folësi tjetër ishte David Estrin, i cili për kujtim të gjyshit të tij që mbijetoi Holokaustin filloi një nismë për të mbajtur vigjilje bashkë me studentët e tjerë në Duke Universitety, nga zuri fillesat lëvizja ‘Kujtojmë së Bashku”. “Duke i dhënë hapësirë gjenocideve të ushtruara mbi popujt si në Kongo, Ruanda, Zambia, do arrijmë të kthejmë kujtesën në vepra” tha themeluesi i organizatës rinore “dhe të formojmë drejtuesit e së nesërmes”. Në mbyllje të programit foli

Robert Singer, shefi ekzekutiv dhe zëvendës-president i Kongresit Boteror të Hebrejve, i cili e quajti Shqipërinë ‘shtëpia e jetës’ që lartëson emrin e saj në rang botëror. Moderatorja Smale lejoi pyejte nga të pranishmit duke ia dhënë fjalën përfaqësuesit të Kongresit dhe kryetar të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme, Eliot Engel. Një nga mbështetësit e hershëm të pavarësisë së Kosovës dhe përkrahës i shqiptarëve, z. Engel, kujtoi sesi gjatë një vizite në Prishtinë në takim me ish-presidentin Rugova, ai kishte dëgjuar për herë të parë për një varrezë të vogël të hebrejve në afërsi të Prishtinës.

Ai e përshëndeti veprimtarinë duke thënë se urretja ndaj çdo grupi na kujton se duhet të ndjekim shembullin e shqiptarëve. Të njëjtën mesazh e përcolli edhe i ngarkuari me postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në OKB, Jonathan Cohen, i cili vërejti se heshtja mbjell dhunën. Duke ilustruar pasojat e qëndrimit anti-semit dhe zhgënjimin e tij, Ambasadori i Austrisë Jan Kickert vërejti konstratin midis shqiptarëve dhe austriakëve ndaj strehimit të hebrejve në periudhën e luftës. Imami Dr. Tahir Kukaj i Qëndres Islamike të Staten Island komentoi se fotografitë e paraqitura në veprimtari janë pjesë e edukimit të brezit të ri shkollor. Ambasadori i Izraelit në organizatën botërore, z. Danny Danon tha se jo vetëm individët por i gjithë vendi meriton të nderohet si e tillë nga Yad Vashem, qendra zyrtare për viktimat e Holokaustit, që vlerëson aktet e shpëtimit të hebrejve nga shtetasit anë e mbanë botës. Duke folur për konceptin e ndarjes të imponuar nga kufitë, Anëtari i Këshillit Bashkiak të qytetit Mark Gjonaj shprehu mendimin se miqësia midis popujve shqiptare dhe izraelit duhet të jap nxitje shtetit të Izraelit të njoh Kosovën. Kësaj ideje i bëri jehonë të fortë Cafo Boga, këshilltar financiar, me origjinë nga Mali i Zi, i cili evidentoi se shqiptarët kanë strehuar familjet e hebrejve në trevat e tjera përfshirë Kosovë, Çamëri, Maqedoni etj. Në bazë të kësaj të vërtetë, shtoi ai, Përfaqësuesja Zyrtare e Kosovës do të duhej të ishte pjesëtare në podiumin e veprimtarisë së mbajtur në sallën e OKB-së. Drejtuesja e programit, znj. Smale, ia dha fjalën Xhosef DioGuardi, ish-parlamentarit të Kongresit për Nju Jorkun nga 1985-1989 dhe lobist për çështjet shqiptare. Ndërsa për disa pjesëmarrës, historia e shpëtimit të hebrejve ne Shqipëri ishte pak ose aspak e njohur, DioGuardi tregoi sesi projekti ka filluar në vitet 1990 gjatë vizitës së tij dhe kongresistit demokrat për Kaliforninë Tom Lantosh në Shqipëri.

Midis pjesëmarrësve të informimit të mediave dhe përfaqësuesve të organizatave të komunitetit si edhe pushtetit lokal në aktivitetin përkujtimor ishin të pranishëm, klerikë të tri feve, dhe anëtarë të familjes Biçaku të pagëzuar me titullin “Fisnik të mbarë kombeve” si the Vatranë dhe anëtarë të Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra.

Filed Under: Featured Tagged With: ne Shqiperi, Rafaela Prifti, SHPËTIMI I HEBREJVE

NE SHQIPERI MUNGON SHOQENIA CIVILE AKTIVE

September 30, 2018 by dgreca

2 Sami-Repishti

  Shkruan: Sami Repishti*/

Ridgefield.CT.- Me shumë përpjekje, informohem mbi gjendjen dhe zhvillimin e atdheut shqiptar nga lajmet e marruna prej vizitorëvet të shpeshtë shqiptarë, por kryesisht nga shtypi. Kjo nuk mjafton! Për këte mangësi me karakter objektiv, unë kerkoj falje, sepse në mënyrë të paevitueshme krijohet mundësia e gabimit.

Pse shkruej? Shkruej, sepse e due Shqipërinë, dhe vuej!

Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj! Vuej sepse nuk ndigjoj zanin e matun dhe të arsyeshëm të shoqënisë civile që karaktarizon çdo vend të qytetnuem. Shkruej sepse shoh në këte heshtje dekurajimin e përgjithëshëm, dhe mospjesëmarrjen në proceset demokratike, konditë esenciale për demokracinë. Por ndigjoj kudo zanin e zemrimit, pakënaqsisë, dhe  të deshprimit!

E ndigjoj kudo këte za të mbrapshtë: në Kuvend, në shtyp, në transmetimet televizive, në rrugë, në shkollë dhe në fqinjtë që shumë herë nuk flasin njeni me tjetrin, sepse nuk mbajnë kontakt. E ndigjoj nga zyrtarët, nga udhëheqsit politikë të të gjitha partive politike dhe organizatave qeveritare. Toni ashtë i ashpër dhe ultësia e shprehjes, nji rrugaçëri e shkallës së fundit (ndigjoni diskutimet ,qe veç diskutime nuk jane, në Kuvend!) E ndigjoj nga familjet që vuejnë për bukën e gojës, dhe nga katundet që po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë nji rrugëdalje në emigracion. Ndigjoj këte za që thrret në shkretinën shqiptare, pa zemër, pa mend , e vuej!

Nji vizitor amerikan që posa u kthye nga Shqipëria dhe Kosova, shkruente:”Pakënaqsitë janë të përgjithëshme, dhe të theksuara. Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive, e deri tek pronarët në gjendje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë me të shgënjyrët dhe shohin emigrimin si të vetmen alternativë….Pakënaqsia në rradhët e shqiptarve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare nuk përcaktohet nga mbështetja që ata mund të kenë për një parti ose për një tjetër…”.

Pakënaqsia ashtë e përgjithëshme në nji kohë kur  Shqipëria ashtë zhytë në nji konflikt politik, objektivi i të cilit ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i atdheut nga vorfënia dërmuese dhe nga frika e bandave….!

Këto ditët e fundit, duket se edhe “shteti” ashtë i frikësuem nga bandat kriminele dhe drogistët me shumicë. Simbas shtypit vendas, ka kaos në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Prokurori i çeshtjes merr “leje të gjatë” për “arsye shëndetsore”. Dhjetë prokurorë të tjerë kan evitue marrjen e përgjegjsisë nga frika e bandave, dhe po u nënshtrohen “një hetimi disiplinor”, njofton “Zëri i Amerikës”. Ashtë nji opinion i perhapun se gjykatësit janë disa nga personat ma të korruptuem, prandej mbas vitit 1990, ata u vuen në sherbim të mshehtë ndaj ish Sigurimit të Shtetit në veprimtarinë e tij për të pengue vendin dhe çdo veprim demokratik të udhëheqjes së re të ardhun në fuqi me 1992.

Në opinionin publik ashtë formue bindja se baza e nji kaosi të këtill ashtë frika nga bandat, dhe korrupsioni që pothuejse ashtë zyrtarizue. Trafiku masiv i drogës, krimi i organizuem, shkatërrimi i administratës publike, ngecja në reformën për drejtësi, dhe ate të zgjedhjeve vendore dhe kombëtare, kerkojnë ndërhymjen energjike të autoritevet të rendit publik dhe reagimin e fortë të shoqënisë civile shqiptare KJo ashtë dëshpruese; heshtja që mbahet për arsye të ndryshme rrezikon vdekjen e shoqënisë civile shqiptare, shpresën e funidt të ringjalljes sonë. Kjo formë heshtje masive na kujton thanjen e diktatorit fashist: “Sot, detyra e nji Italjani të mirë  ashte mospasja e nji opinioni”. (Mussolini)

Procesi i vettingut në drejtësi ka verifikue vetëm 57 gjykatës nga nji numër prej 800 syresh, tue meritue kritiken e ardhun nga Gjermania, Franca, e Holanda, vende kyçe të Bashkimit Europian. Para nji gjendje të këtill, në qoftë se zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen simbas ligjit të vjetër zgjedhor, në përgjithësi nuk shihet asnji shans real për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE në vitet e ardhme.

Sepse sistemi zgjedhor në Shqipëri që nga viti 2005, ashtë formue simbas dëshirave të dy partive kryesore të vendit, Akoma ma keq: ai përfaqson pushtetin e plotë të udhëheqësve partiakë, dhe mohon zgjedhjen e lirë të kandidatëve direkt nga populli, ashtu si premton Kushtetuta. Sistemi i sotëm ashtë illegal në substancë dhe imoral në formen e tij. Ai duhet ndryshue menjiherë!

Pak ditë ma parë, Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj politikë përcaktuen kërkesat e tyne:”… për nji dekriminalizim të plotë të strukturave qeveritare nepërmjet të nji procesi të vettingut të të gjithë politikanëve të shoqënuem me krimin, për “çlirimin” e sistemit gjyqsor nga kthetrat e (KM) Rama, për zgjedhje të lira e të nderëshme, dhe për nji ekonomi të çlirueme nga presionet e monopoleve, oligarkëve, dhe korrupsionit qeveritar”, simbas shtypit shqiptar. Për habinë e të gjithëve, KM Rama pranoi me zgjanue rrjetin e vettingut tue përfshi të gjithë politikanët dhe zyrtarët e naltë të Qeverisë, dhe shtoi se ai ishte gati me bashkëpunue me opozitën me qellim që të përmirësohet jeta e qytetarëve në vend. Dhe, gjithçka përfundoi në dosje! Akuzat dhe kunderakuzat vazhdojnë.

Çdo përpjekje që shqiptarët do të bajnë me ndertue nji të ardhme premtuese duhet të filloj me bisedime të ndershme mbi të kaluemen e me pastrimin e atmosferës helmuese që shkatërron gjithçka. Sot Shqipëria përballet me nji fenomen të paparashikuem, por shumë damtues. Ashte aftësia e ish komunistëve me u kthye në pushtet mbas disfatës së vitit 1991, pa u gjykue për krimet e së kaluemes. Të pasunuem me grabitjen e pamëshirë të pasunive shtetnore gjatë ditëvet të fundit të kolapsit komunist, dhe me eksperiencë të fitueme në lamin politik të demokracisë, këta kameleonë pa ndërgjegje janë transformue sot me ndjenjën e nji narcisizmi, të bindun se Shqipëria u takon atyne, dhe vetem atyne, dhe me nji mendjemadhësi (“hubris”) të cilën ata janë kryenaltë me e shpalosë në jetën e tyne të përditëshme dhe me suksesin e femijëve të tyne në pozitat kyçe te Adminsitrates. Shqipëria në vitin 1944,, shkruente nji vrejtues i vemendshëm, zevendsoi nji okupacion të huej me nji tirani vendëse që ngriti urrejtjen në mes të qytetarëve në sistem, dhe pruni degjenerimin e mbrendshëm të vetë politikës dhe pushtetit. Këtu ka burimin degjenerimi i sotëm.

Jo kështu në botën e qytetnueme! Në vitin 1977, me qellim të simbolizimit të kalimit në demokraci, Spanja deklaroi nji amnesti për krimet e kryeme gjatë luftës civile (1935-38). Por jo të gjithë e pranuen këte akt!. Gjykatësi i njohun spanjol. Senor Garzon, e kundërshtoi, me këte argument:“Simbas ligjit ndërkombëtar, nuk mund të shpallet nji amnesti për krimet kundër njerëzimit, sepse zhdukjet e viktimave – me mijëra tani akoma në gropat e pazbulueme – përfaqësojnë vazhdimësinë e krimit të kryem”.

Komunizmi në Shqiperi ka qenë, dhe mbetet, nji krim kunder njerëzimit, nji fakt kokëfortë që duhet të pranojmë!

Shqipëria vazhdon me vuejtë sepse ka akoma diferencat e saj politike, tribalistike, fetare, dhe krahinore, ndoshta edhe ma shumë se vendet tjera për rreth . Akoma edhe ma me randësi, Shqipëria nuk e mësoj kurr sa duhet randësinë e mjanimit të këtyne diferencave dhe me u përqendrue në ndertimin e bazave solide për nji komb zot i vetes, paqësor dhe punëtor, me tregëti, e superstrukturë të mirë, kapital njerëzor të shëndosh, dhe veçanërisht respekt për shtetin ligjor e marrëdhanje miqësore me të gjithë, tue krijue kështu konditat me qene nji vend i lirë nga frika dhe i lirë nga uria.

Shqipëria duhet të mësojë e të siguroje për popullsinë e saj instrumentet që plotësojnë potencialin e kësaj popullsie.

*******

Sot, nuk mund të kthejmë mbrapa vitet e humbuna me praktika e programe zhvillimi të gabueme. Sot, na mundemi me reflektue dhe me përfitue nga gabimet e së kaluemes tue mos i përsëritë. Sot, na mundemi me rindertue vendin tonë me mënyra të reja, praktika dhe programe të reja. Sot kemi mundesi me i tregue, vetes dhe botës mbar, se vlerësojmë si duhet peshën e randë të gabimeve tona dhe meritojmë  mirëbesimin publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Integriteti moral dhe aftësia e jonë profesionale – me ndërtue nji shtet ku popullsia të jetë në gjendje me jetue e lirë dhe pa frikën e papunësisë dhe vorfënisë që ajo sjellë- janë në balancë.

Seria e gjatë e dështimeve politike të njimbasnjishme duhet ndërpre. Kemi nevojë për nji sukses real, jo fiktiv, jo slogane propagandistike e formula të mbështjelluna në ideologji të falimentueme, ose të pavertetueme. Me thjeshtësin e nji filloristi kemi nevojë për paqë e bukë në nji Shqipëri të lirë! As ma shumë, as ma pak!

Frika e vorfënia kane lodhë të gjithë.  Duhet të lirohemi nga ato, njiherë e përgjithëmonë. Ky duhet të jetë angazhimi i jonë, i të gjithëve, i dy “gjysmave politike” që përbajnë nji të tanë: shoqëninë tonë shqiptare. E ardhmja e jonë ashtë në balancë: të mbijetojmë të gjithë pa asnji dallim, ose të përfundojmë të gjithë me turp në oqeanin e harresës!

Sot, na duhet riformimi i nji koshience kombëtare kolektive me sensitivitet të ngritun për llogari-dhanje – konditë esenciale për demokratizim!- që nga rradhët ma të ulëta të strukturës shtetnore deri në kulmin e Administratës. Na duhet manifestimi i nji kuptimi ma të mirë të mungesës së kësaj llogari-dhanje si nji smundje shoqënore e jona e cila pret përgjigjen tonë sot, e jo nesër!

Na duhen ekspertët që i kanë kushtue djersë e studime njohjes së situatës së krijueme, dhe që kanë vullnetin me e përmiresue me çdo kusht. Mjeku nuk reparon maqinat; as mekaniku nuk sherben në spitale. Na duhen mendje të ndrituna që nuk “ndezen” nga flaka e propagandës partiake, as nuk “ftohen” nga dështimi i përpjekjeve t sinqerta, mendje të qendrueshme nen presion, dhe të afta me veprue pa u dekurajue nga mospërfillja e mosmirënjohja. Na duhen kuadro të pjekuna dhe me pervojë të njimendtë, pavarësisht nga bindjet dhe orientimet e tyne personale idelogjike; teknologjia dhe eksperienca afariste nuk kanë parti. Ata kanë njohunitë e domosdoshme. Nuk ashtë e nevojshme të jeshë socialist ose demokrat kur bahet fjalë për sherbim ndaj Shqipërisë. Mjafton të jeshë njeri i ndershëm dhe shqiptar i kushtuem.

Na duhet planifikimi dhe fillimi i nji procesi të drejtë, neutral, e të sajuem me shumë kujdes; hollësitë e ktij procesi që përjashton “aktin  spontan”, duhet të përgatiten me qellim sherbimi planit të përgjithëshëm të zhvillimit të balancuem të vendit, e jo kapriçeve të “udhëheqësve” që frymëzohen me veprue nga hopet e “stinëve elektorale”, e që përfundojnë në rrenimin e mijëra jetëve te pafajshme qytetarësh të denuem me vuejtje, në vorfeni e papunësi afatgjata.

Në situata të këtilla, interesi i përgjithëshëm kërkon integritet moral nga të gjithë me qellim që, së bashku, të luftojmë korrupsionin e krimin e organizuem që bren shëndetin e shoqënisë sonë. Kryesisht, na duhet të sigurojmë konditat për nji sistem gjyqsor që vepron me legjitimitet, e jo për interesa personale ose partiake që damtojnë shoqëninë tonë shqiptare. Dhe kjo arrihet me kuadro profesionale dhe të ndërgjegjëshme kombëtare.

Miqtë tonë ndërkombëtarë na këshillojnë; na duhet të ndigjojmë. Por puna kryehet, dhe duhet te kryehet nga ne, me mendjen dhe krahët tonë, punë dinjitoze që na mbushë me krenari. Mos të harrojmë se vetëm puna e kryeme me djersë ashtë ndershmëni!

Pa qellim dramatizimi, unë e shikoj Shqipërinë si nji vend në udhëtim të gjatë, sot në nji udhëkryq. Nga larg, unë ndigjoj vetëm britma e jo zane të qetësuem, grindje dhe jo bashkëpunim, nepotizëm ekstrem dhe jo profesionalizëm, akte spontane dhe jo vendime të marruna nga ekspertët, partizani politike e jo sherbim për atdheun, grupime elementësh me interesa personale që afrohen të tërhequn nga përfitimet vetiake, jo grupime teknikësh të grumulluem me sherbye interesat e popullsisë, sidomos të atyne zonave ku mbrapambetja ashtë literalisht  mbytëse….!

Jemi para nji momenti historik vendimtar!

Strategjia e deritashme e zhvillimit ekonomik dhe rindertimit të nji shoqënie shqiptare të çlirueme nga ankthi i diktaturës së kuqe nuk dha frytet e duhuna. Tendenca me fajësue të kaluemen komuniste ka humbë peshën e madhe politike të dekadës së parë, si rrjedhim i konfuzionitpolitik, korrupsionit moral dhe ekonomik, dhe krimit të organizuem. Status quo që jetojmë sot dermon vendin me vorfëni e mungesë shprese. Ajo ashte ba e padurueshme për të gjithë –perveç spekulatorëve dhe drogistëve që gjinden kudo.

Autoriteti moral e ligjor i Administratës duhet të rifitojë respektin dhe bindjen qytetare që në kondita të përshtatshme, e meriton. Sabotimi i vazhdueshem i Kuvendit nga nji parti ose nji tjeter nuk ndihmon dhe ashtë nji papërgjegjsi ndaj votuesve që presin zgjidhje të problemeve jetësore. Nuk fitohet gja nga kaosi i gjithanëshëm, thirrjet për rrëzimin e qeverisë pa votime,(ose me votime te vjedhuna si ma pare!), demonstratat e panevojshme, mos respektimi i ligjit, mospjesëmarrja në votime, mos pagimi i taksave të arsyeshme, dhe nga përvetësimi i pasunisë së paligjëshme.

Akoma sot, tri dekada mbas shkërmosjes së murtajës komuniste në Shqipëri, mijëra qytetarë e katundarë shqiptarë, nuk janë në gjendje me riposedue pasunitë e tyne të grabituna gjate 45 vjetëve të diktaturës, e vërdallen nga nji zyrë në tjetrën nga nëpunës të korruptuem që zbatojnë akoma “porositë e shokut Ramiz” për krijimin e nji atmosfere të përgjithëshme pakënaqsishë në vend- me gjithë ndërhymjet e institucioneve europiane…..në nji vend që shpreson hymjen në Europë!

Autorja anglo-italiane, Iris Origo, në nji libër mbi jetën nen fashizëm gjatë L2B, shkruen: ”A ka mundësi me hjedhë nji popull në luftë kundër traditave të tia historike, kundër instinkteve të tia natyrale, dhe kundër karakterit të shumicës së banorëve të vendit dhe me shumë mundësi edhe kundër interesave të vetë atij populli? Siç duket (nga ekspeprienca) ka mundësi!”

Kjo ashte pyetja e ime sot rreth tragjedisë gjysëm shekullore komuniste në Shqipëri: si ka qenë e mundun? Ashte akoma e mundun?

Dhe përgjigja duhet të jetë: “Na nuk mund të lejojmë nji pakicë zhurmëmadhe me mashtrue përsëri shumicën e katër milionë shqiptarëve !” Kjo ashtë detyrë qytetare për nji shoqëni civile të aktivizueme.

——————————————————————————————–

  • Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mungon, ne Shqiperi, Sami repishti, Shoqeria civile aktive

“NBC NEWS” PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI

July 25, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Njëri prej rrjetëve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të Shqipërisë, Sigurimi.   Për lexuesin shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së komunizmit.  Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit komunist në atë vend.  Kjo është me rëndësi sepse publiku amerikan nuk ka asnjë ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas rënjes së atij regjimi në atë vend.  NBC News njofton publikun amerikan se, “Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë periudhës së sundimit komunist”, megjithse, shkruan NBC News, “Ky vend ballkanik prej rreth 3-milion banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale në botë”.

Në artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijt e saj ishin të mbyllur dhe shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.”   Enver Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin ç’prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që, “njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë vendit, për tu mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”

Korrespondentja e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana.  Maks Velo, një ish i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.   Ai ka thënë për NBC News se pasi refuzoi të bashkpunonte me Sigurimin, “diçka që unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjetë punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”.   Ishte viti 1978, kulmi i diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nenvijuar se Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur.

Enti mediatik amerikan NBC News raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe identifikimin e atyre që mund të kenë  bashkpunuar me regjimin komunist për të spinuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.  Por korrespondetja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se megjithë vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet ekzaktërisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit komunist”, thekson NBC News.

Por, siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo e ka kërkuar dosjen e tij megjithse  fillimisht kishte hezituar t’a shfletonte, por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20 veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij.

Për hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentjana Sula, Drejtoreshë e Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë.  Nëqoftse ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë për të bërë një gjë të tillë. Shpeshëherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkpuntor dhe një viktimë e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.

 

Ndërkohë që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar u tërhoqen në anonimitet duke u zhdukë nga qarkullimi, por megjithkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të Sigurimit i cili është treguar i gatëshëm të fliste me gazetaren amerikane.  Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete përgjimi anë e mbanë vendit, nepër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish agjenti i Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish agjenti Nesti Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen se pse klasa politike dhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.

Dosja e Z. Maks Velo ka gjithsejt 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News.  Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq që e ka lexuar dosjen, megjithse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se me hapajen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për te as për shoqërinë shqiptare në përgjithësi.  Ai citohet të ketë thenë se, “Amerikanët thonë 100 herë në ditë ‘më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”, duke aluduar se dikush duhet të kërkoj falje për krimet e regjimit komunist, ashtuqë më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Megjithëse vonë, duket se ditët e fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël dhe tepër vonë.  Zëri i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur, si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të nejriut — nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi komunist shqiptar i periudhës 1944-1991.  “Marrëveshja tregon dëshirën për të mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday.  “Marrëveshja tregon vullnetin politik të shtetit shqiptar për të trajtuar cështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.  Të gjithë këto përpjekje bëhen jo thjesht për të respektuar të vdekurit por për të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai.  Më mirë vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday?

Gjatë gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për tu përballur me të kaluarën komuniste.  Edhe nëqoftse është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri.  Prandaj, e gjithë kjo përpjekje – përfshirë marrveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëatre ICMP dhe autoriteteve shqiptare — është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe e enteve   ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje.  Por në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare.  Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për tu përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit –krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç ven në dukje edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.

https://www.nbcnews.com/news/world/communist-era-secret-police-files-reopen-old-wounds-albania-n884946

https://www.youtube.com/watch?v=OHfg2mog2sk

Filed Under: Opinion Tagged With: “NBC NEWS”, Frank shkreli, ne Shqiperi, PËR DOSJET E REGJIMIT KOMUNIST

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT