Zymer Ujkan Neziri/
Presidentja e Republikӫs sӫ Kosovӫs, Vjosa Osmani, dekoroi akad. prof. dr. Mark Tirtӫn me dekoratӫn Medalje Presidenciale e Meritave. Ajo iu dorӫzua nӫ Ambasadӫn e Kosovӫs nӫ Tiranӫ, nga Skӫnder Durmishi, ambasador, mӫ 25 janar 2024. Tӫ pranishӫm qenӫ: akad. Skӫnder Gjinushi, kryetar i Akademisӫ sӫ Shkencave, akad. Vasil Tole, prof. dr. Afӫrdita Onuzi, gjenerali mirditor Dedӫ Prenga, studiuesi nga Nikajt, dr. sc. Mark Palnikaj, inxh. Shkodran Dashamir Uruҫi me kreun e Kuvendit Kombӫtar, prof. Mehmet Bardhi me grupin nga Ulqini, piktori nga Mirdita, Pjetӫr Marku, historiani mirditor dr. sc. Nikollӫ Loka dhe tӫ tjerӫ.
Hulumtuesi i njohur Mark Tirta është ndër të rrallët e albanologjisë që mbi gjashtë dekada mori pjesë në ekspedita kërkimore-shkencore, ekipore dhe individuale në të gjitha viset shqiptare në Ballkan: nga fushat etnografi: rite, doke, e drejtë dokësore, mite, kulte, demonologji; veshje popullore të krahinave të ndryshme; folklor e gjuhësi, sidomos në mbledhjen e fjalëve të rralla, të toponimeve e të antroponimeve, si dhe në fushën e historisë e të arkeologjisë, duke gjurmuar vendbanime të vjetra, varre e mbishkrime. Etnologu Mark Tirta është studiuesi ynë i madh që hartoi etnologjinë e përgjithshme, shkroi etnologjinë e shqiptarëve me te gjitha veçoritë kombëtare dhe projektoi periodizimin e saj, që nga lashtësia ilire, Mesjeta, periudha osmane, periudha e shtetpashallëqeve shqiptare, periudha e Rilindjes Kombëtare, periudha e Pavarësisë, si dhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore. Mitologu Mark Tirta ka kurorëzuar punën e tij të gjatë mbi gjysmë shekulli në lëmin mitologjisë ndër shqiptarë, si trashëgimi nga të parët, vijimësi e traditës ilire për mitet, vlerë e madhe me tipare etnike, pasuri etnokulturore e popullit shqiptar. Ai ka hartuar monografinë e parë të këtij lloji ndër ne, ku ka shqyrtuar me përkushtim të madh sidomos mitet, ritet, kultet, po edhe qeniet mitike, demonët, po edhe heronjtë legjendarë të kulturës popullore: Çeto Bashe Muji, Sokol Halil Aga, Gjergj Elez Alia, si edhe toponimet mitike, që janë me interes jashtëzakonisht të madh për folkloristikën shqiptare, sidomos për epikologjinë. Studiuesi Mark Tirta solli për herë të parë në studimet albanologjike një sintezë mbarëshqiptare për migrimet në aspektin etnologjik, duke përfunduar se lëvizjet migruese krijuan komunikim shoqëror ndërkrahinor, ndihmuan përgjithësimin kombëtar të shumë elementëve kulturorë tradicionalë e krahinorë, u bënë mbështetje e fuqishme e zhvillimit të procesit historik kombëtar, por migrimet e jashtme sollën ngushtim etnik të trojeve shqiptare, çrregullime demografike, dëmtime të forcave njerëzore, të traditave kulturore, kombëtare e krahinore, shkëputje përgjithmonë nga trualli amëtar, të shpërndarë në Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi, Egjipt, Amerikë, Argjentinë, Australi, Meksikë, Brazil, Ukrainë, Rusi, e sidomos në Turqi. Dijetari Mark Tirta sintetizoi ligjin dokësor shqiptar, duke e cilësuar si dëshmi e aftësive krijuese kombëtare në fushën juridike, me veçori të rralla, siç janë : barazia, liria, atdhetarizmi, nderi, burrëria, besa, mikpritja, ndihma, vlera etnokulturore për luftë kundër pushtuesve dhe keqbërësve, për mbrojtjen e kulturës etnike, si pjesë e historisë së qytetrimit shqiptar dhe monument kulture për studiuesit. Profesori universitar Mark Tirta ligjëroi me shumë sukses lëndët mësimore: Etnologjia, Etnologjia e Ballkanit dhe Etnologjia e Mesdheut, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Prishtinës, duke dëshmuar profesionalizëm të shkallës së lartë të një pedagogu me veti të jashtëzakonshme përafruese me studentët e tij, ashtu edhe me kolegët e punës. Kumtuesi akad. prof. dr. Mark Trita nderoi me dinjitet të madh shkencor e kombëtar albanologjinë dhe studimet albanologjike, sidomos jashtë vendit, me kumtesa në simpoziume, konferenca e kongrese ndërkombëtare, duke e shpalosur dijen e tij të çmuar albanologjike dhe duke e mbrojtur me guxim e krenari të vërtetën dhe vlerat e mëdha të etnokulturës shqiptare. Me veprat e botuara, akad. prof. dr. Mark Tirta ka ngritur një monument të lartë për etnokulturën shqiptare: Mitologji e besime ndër shqiptarë (1973), Mirdita, njohuri për vendlindjen (bashkautor), (1999), Migrime të Shqiptarëve te brendshme dhe jashte atdheut (1999), Veshjet popullore shqiptare,1, (bashkautor), (1998), Veshjet popullore shqiptare, 2, bashkautor, (2001), Veshjet popullore shqiptare, 4, bashkautor, (2009), Etnologjia e Përgjithshme (2001, 2008), Etnologjia e Shqiptarëve (2003, 2006), Mitologjia ndër Shqiptarë (2004), Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji (2006), Panteoni e simbolika, doke e kode (2007), Lëvizje migruese të brendshme të popullsisë shqiptare (2009), Etnokultura shqiptare. Ligji dokësor (2016). Ka botuar mbi 400 njësi bibliografike, brenda e jashtë vendit, nga fushat: etnologji e përgjithshme, etnologji e Mesdheut, etnologji e Ballkanit, etnologji e shqiptarëve, mitologji, demonologji, rite, doke, e drejtë dokësore, migrime, demografi, veshje popullore, folkloristikë, epikologji, histori, akreologji, kulturë ilire, gjuhësi, onomastikë, teknikë dhe metodologji e kërkimit shkencor.
Propozimin tim, me arsyetim tӫ hollӫsishӫm, e kanӫ pӫrkrahur me nӫnshkrimet e veta studiues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, Tiranë, të Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe disa sudiues nga institucione të tjera nga Tirana, Durrësi, Shkupi e Ulqini: akad. prof. dr. Shaban Sinani, prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Nebi Bardhoshi, prof. asoc. dr. Mikaela Minga, dr. sc. Mark Palnikaj, prof. dr. Nevila Nika, prof. dr. Zeqirja Neziri, prof. dr. Izaim Murtezani, prof. Mehmet Bardhi, prof. dr. Lush Culaj, prof. asoc. dr. Bashkim Lajçi, prof. asoc. dr. Lumnije Kadriu, prof. asoc. dr. Albin Sadiku, dr. sc. Manjola Xhaferi, dr. sc. Nikollë Loka.