-Kosova, partneritet me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në/
-Pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot/
-Akadamia e Shkencave e Shqipërisë uron në 40 vjetor Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës/
Nga BEHLUL JASHARI/ PRISHTINË, 18 DHJETOR 2015/ Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka festuar sot 40 vjetorin me një veprimtari solemne në Prishtinë, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, kryetarë e përfaqësues të tjerë akademishë nga vendet e rajonit e më gjerë, përsonalitete të shquara.
JAHJAGA: AKADEMIA NË NDËRTIMIN E SHTETËSISË SË KOSOVËS DHE FORCIMIN E DEMOKRACISË TONË TË RE
“Ky jubile prej 40 vjetësh – i punës dhe angazhimit të palodhshëm të secilit prej jush, është më shumë se një simbolikë numrash – është përpjekje e pareshtur për të qenë në shërbim të vendit si forcë shtytëse, posaçërisht në kohë kthesash të mëdha”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Prandaj, vijoi ajo, kujtoj me shumë pietet dhe përkulem përpara figurave të një brezi të tërë të akademikëve të Kosovës, që i dhanë vulën një numri procesesh në vend dhe mendimit kritik – një trashëgimi e veçantë edhe e shtetbërjes dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë tonë.
“Në këtë kohë të sfidave të mëdha e të përcaktimit të vlerave të shkencës në shoqërinë tonë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës duhet të qëndrojë fuqishëm në rolin e saj të zhvillimit të kombit, paralelisht me atë të shkencës dhe të arteve”, theksoi Jahjaga.
Shtetbërja e Kosovës, vijoi ajo, bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë sonë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit tonë.
t“Rëndësia e inkuadrimit të Akademisë në këto procese është jetike për vendin, sepse ndërton konsensusin në shoqëri dhe sepse strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultatet shkencore dhe në rrethanat shoqërore”, tha Presidentja kosovare.
Akademia, vlerësoi Jahjaga, ka rol për të luajtur në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë tonë të re.
“Ne duhet të ndërtojmë kulturën politike të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike për të ardhmen tonë të përbashkët, që tejkalon ndasitë ndërmjet forcave politike. Argumenti i forcës dhe fuqia e numrave nuk mund ta zëvendësojë bashkëbisedimin!”, u shpreh ajo.
Ne, theksoi Presidentja Jahjaga, nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t’ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh – qoftë liderë institucionalë ose partiakë – po zbehet çdo ditë e më shumë.
“Ne duhet të jemi pranë qytetarëve të vendit, sepse vota e tyre na ka zgjedhur për të qenë në shërbim të tyre dhe për t’u garantuar një të ardhme më të mirë. E kemi obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, që ta kompletojmë dhe ta përmbyllim konsolidimin tonë si shtet”, tha ajo.
Andaj, vijoi Jahjaga, them që Akademia dhe intelektualët anëtarë të saj kanë rol për të luajtur – në kohën kur na duhet më shumë besim në vetvete se dallimet mund t’i tejkalojmë duke mësuar se dialogu është zgjidhja e vështirësive të sotme; në kohën kur duhet kuptuar se ndërtimi i shtetit të së drejtës shmang rrugën si zgjidhje dhe ofron zgjidhjet brenda institucionit; pa kushte, pa hasmëri dhe pa frikë ndaj njëri-tjetrit; në kohën kur na duhet më shumë pajtim mes nesh për rolin tonë në dialogun me Serbinë, më shumë besim se rruga jonë e bërjes së shtetit nënkupton përafrim me BE-në, një realitet që bashkon të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
“Por, ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së: jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës”, tha Jahjaga.
Megjithëkëtë, vijoi ajo, ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë.
“Kemi hasur në vështirësi, sepse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona është rrugë dykahëshe, e dy bashkëbiseduesve, që ndihmon pajtimin ndërmjet dy popujve tanë dhe që hap shtegun drejt BE-së, që duhet ta mbajë të hapur perspektivën e rajonit në përgjithësi”, tha Presidentja e Kosovës.
Andaj, vijoi ajo, Akademia ka kontribut për të dhënë në procesin historik të pajtimit të popujve, në ndihmë të korrigjimit të padrejtësive të së kaluarës, që hap rrugën e zhvillimit të përgjithshëm në mënyrë të barabartë të të gjithëve në rajonin e Ballkanit, duke siguruar paqen dhe stabilitetin.
“Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Ky përvjetor dëshmon misionin tuaj për të ndërtuar ura bashkëpunimi në fusha të ndryshme e në veçanti në shkencë, me të gjithë jo vetëm në fqinjësi por edhe më gjerë.
Dhe mbi supet tuaja qëndron barra për ta bërë shkencën, artin dhe edukimin pjesë të jetës në shoqërinë tonë, duke e shndërruar në vizion të rëndësishëm për të ardhmen e gjeneratave të reja. Paqi fat!”, përfundoi Presidentja e Kosovës, Jahjaga.
KRYEMINISTRI MUSTAFA: ASHAK-U ROL ESENCIAL PËR PROGRESIN E KOSOVËS NË TË GJITHA RRAFSHET
Kryeministri Isa Mustafa, në manifestim ka përcjellë përshëndetjet dhe urimet e qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë përvjetor të dyzet të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa tha se duke shërbyer si prijëse e shkencës dhe dijes së dobishme, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm në progresin shkencor, kulturor dhe të arteve në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë, roli dhe aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia jonë, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pa mendimin veprues të saj, Kosova e populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku janë sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, duke ecur sigurt në rrugën e integrimeve të mëdha evropiane dhe euroatlantike, populli i Kosovës i lirë dhe i përcaktuar për demokraci, shoqëri progresive dhe zhvillim”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë qenë akademikët ata të cilët, duke ruajtur dhe kultivuar mendimin kulturor dhe politik, me dinjitetin dhe etikën më të lartë njerëzore dhe akademike, kanë përcaktuar dhe kanë bërë të mundur që kombi të mund të qëndronte fuqishëm përballë valëve të vështira të historisë.
“Si qendër dhe shoqëri e edukimit dhe shkencës, puna e Akademisë ka ndikuar dhe ka krijuar dijetarët dhe ekspertët tanë në të gjitha fushat akademike, politike, shtetformuese, qeverisëse, ekonomike dhe zhvillimore. Këta akademikë veprimtarë dhe mentorë të vyeshëm, sot këtu dhe ata që nuk janë sot me ne, janë autorët e letrave të pavarësisë, të cilët ruajtën dhe kultivuan frymën liridashëse dhe idenë e progresit”, tha kryeministri.
Mustafa, po ashtu, theksoi se në kohën e sotme të zhvillimeve globale, shkenca dhe arti, si çdo dimension tjetër jetësor, po bëhen më të afruara dhe më të lidhura globalisht.
“Si rrjedhojë, Akademia jonë po inicion gjithnjë e më shumë projekte ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të cilat po e bëjnë shkencën dhe dijen e Kosovës, pjesë të kulturës dhe dijes botërore, ndërsa po i bëjnë vlerat tona pjesë të humanizmit, bazuar në parimet etike. Prandaj, sot jam i lumtur që si anëtar i kësaj akademie, përcjell përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës që të përkrahë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për t’u bërë pjesë e rëndësishme e shkencës dhe botës shumëkulturore”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa ka falënderuar dhe përkujtuar me respektin më të thellë të gjithë ata studiues që për shumë dekada me punën e tyre kanë kontribuuar që shkenca, arti, dija dhe kultura e Kosovës të ndriçohet, të avancohet, dhe që këto vlera të shfaqen dhe komunikohen kudo nëpër botë.
VESELI: TË QENIT NË SHËRBIM TË LIRISË ËSHTË NDERI MË I MADH PËR NJË INSTITUCION TË SHKENCËS DHE ARTIT
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.
Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.
“Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.
Duke iu drejtuar akademikëve, kreu i Kuvendit tha se ata duhet të ndihen krenarë me punën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Sot, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, shtoi Veseli. Ai tha se liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton dhe se duhet punuar për lirinë e kuptuar si zhvillim.
Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend”, tha kryeparlamentari Veseli.
Në manifestimin festiv, të hapur me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin e Shtetit të Kosovës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Hivzi Islami tha se, “40 vjet histori të këtij institucioni mund të mos duken shumë në jetën e akademive me traditë të gjatë, por për ne janë si katër shekuj të përshkuar me shumë specifika, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve të gjera politike dhe shoqërore në Kosovës dhe në vetë shtetin”.
Ai vijoi se, “kthesat e mëdha shoqërore, trysnitë, urrejtjet dhe represioni, deri te përpjekja për zhbërje biologjike, turbulencat që shembën shoqërinë kosovare dhe që më në fund sollën pavarësinë e shtetit më të ri në botë, janë ngjeshur dhe pasqyruar në ecjen tonë, në rrugën e mundimshme për të arritur këtu ku jemi”.
Kryetari Islami theksoi se, “Akademia në asnjë rast nuk mund të involvohet në diskutime të politikës së ditës, duke mbledhur rreth vetës shkencëtarët, ekspertët dhe elitën e krijimtarisë artistike, dijen dhe vizionin e tyre ajo mund t’i vërë në dispozicion të zhvillimit të mendimit kritik shkencor dhe artistik dhe të ofrojë zgjidhje për shumë çështje madhore të shoqërisë, por vetëm mbi bazë të argumenteve shkencore dhe jashtë ritmeve të ndodhive ditore”.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës nuk do ta ndjekë kurrë modelin e Akademisë Serbe, e cila me veprimet e saj u shkaktoi tragjedi të mëdha miliona njerëzve”, tha Islami.
Gjatë vitit 2015, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur akademikët Mark Krasniqin, Esat Stavilecin, Pajazit Nushin.
AKADAMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË URON NË 40 VJETOR AKADEMINË E SHKENCAVE E TË ARTEVE TË KOSOVËS
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti, në një veprimtari festive sot në Prishtinë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shtetit kosovar, uroi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me rastin e 40 vjetorit të themelimit, duke theksuar rëndësinë dhe bashkëpunimet e dy institucioneve të larta kombëtare.
“Rrugëtimi, zhvillimi, rritja, konsolidimi i Akademisë së Shkenaceve dhe të Arteve të Kosovës, institucionit më të lartë shkencor e të artit të Kosovës është një eveniment i veçantë në historinë e kombit tonë, shumë të vjetër historikisht por të rinj si shtete”, u shpreh ai.
Akademik Korkuti theksoi se, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, së bashku me motrën, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e themeluar 43 vite më parë, janë dy shtylla, dy institucione të mirëfillta shkencore të pavarura, që kanë në themel studimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën kombëtare.
“Themelimi i Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës erdhi si rezultat i zhvillimit shkallë-shkallë të disa institucioneve pedagogjike e shkencore të kerkimeve albanologjike”, përkujtoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademik Korkuti për jubileun e 40 vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetarin e saj akademik Hivzi Islamin kishte sjellë dhuratë një komplet veprash të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është themeluar me Ligj të veçantë të Kuvendit kosovar në 20 dhjetor të vitit 1975, në kohën kur me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova avancoi dhe arriti mëvetësi organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete, mes të cilave Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete anëtare të OKB-së.