Prof. Dr. Valter Memisha
Pjesa e tretë…
II. Studiues për ndihmesën leksikografike të akademikut A. Kostallari:
Akad. I. Ajeti, akad. J. Thomaj, prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Hëna Pasho, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Miço Samara, akad. Ethem Likaj, prof. dr. Thanas Feka: “Ndër tiparet kryesore të veprës së prof. A. Kostallarit veçohen: problematika qendrore, gjerësia e fushës së studimit dhe simetria e trajtimit teorik e të vlerave funksionale e praktike të dukurive gjuhësore. Me guxim e kompetencë, ai ndërmori studimin e problemeve të mëdha të kohës, siç ishin formimi i gjuhës letrare shqipe, formimi i fjalëve, fjalori shpjegues i shqipes së sotme etj. Edhe pse u përqendrua në studimin e gjuhës së sotme shqipe, ai vendosi ura lidhëse edhe me faza më të hershme, përtej Rilindjes Kombëtare. Studimi i leksikut të shqipes nga shumë anë – burimore, fjalëformuese, semantike, funksionale etj. – mbështetet në të dhënat e historisë së gjuhës e të dialektologjisë, të gramatikës e të stilistikës. Pesha e tezave teorike që ka shtruar e mbrojtur për formimin e gjuhës letrare shqipe dhe bazën e saj dialektore (teza e bashkëveprimit ndërdialektor), sintezat në referatet përgjithësuese në kongrese e konferenca shkencore u ndien jo vetëm në kufijtë e studimeve të veta, por edhe në disa drejtime të zhvillimit të gjuhësisë shqiptare në përgjithësi. Kurse studimet për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), “Parimet për hartimin e fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe” e punime të tjera ndërtuan, paraprakisht, një teori të leksikografisë shqipe, sipas së cilës janë hartuar edhe fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe (1980, 1984, 2002, 2006).
Njohja e thellë e gjuhës amtare, interesimi për krijimtarinë leksikore popullore bënë që studimet për fjalëformimin të zënë një vend të veçantë në veprimtarinë e tij shkencore. Ndër to veçohen punimet për kompozitat në gjuhën shqipe që do të mbeten bazalë për gjuhësinë shqiptare, në përgjithësi, e për fjalëformimin, në veçanti, sepse nëpërmjet një lënde të gjerë faktike dhe me argumente të qëndrueshme vërtetohet natyra popullore e formimit të tyre, në kundërshtim me përfundime të arritura, kryesisht nga autorë të huaj. Pastërtia e leksikut të gjuhës së shkruar nëpërmjet krijimeve të reja e, sidomos, nëpërmjet aktivizimit të fjalëve shqipe nga leksiku popullor, si një nga qëllimet kryesore të punës së tij shkencore, ishte në bazë edhe të punës për përpunimin e terminologjisë teknike-shkencore, me bindjen se gjuha shqipe, ashtu si edhe gjuhët e tjera, i kishte të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e praktikës për emërtime terminologjike, bindje që ngërthen në vetvete përvojën më të mirë të lëvruesve dhe të studiuesve të gjuhës shqipe, paraardhës dhe bashkëkohës. Me këtë bindje ai ngriti një ekip gjuhëtarësh që do të specializoheshin për përpunimin e terminologjisë e hartimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme të dijes (shqip-gjuhë të huaja) dhe dha ndihmë të drejtpërdrejtë si bashkëhartues në fjalorët e parë.”
Akademik Mahir Domi “Veprimtaria studimore e akademikut Androkli Kostallari u zhvillua, kryesisht, në leksikologji e leksikografi dhe në fushën e gjuhës letrare shqipe. Ai mori pjesë si bashkautor dhe udhëhoqi punën me cilësinë e kryeredaktorit të veprave themelore, si: Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (Tiranë, 1980), me 41 mijë fjalë dhe Fjalori i shqipes së sotme (Tiranë, 1984), me 34 mijë fjalë. Veçanërisht e rëndësishme ishte puna e tij studimore për të përcaktuar kriteret dhe parimet e hartimit të këtyre dy fjalorëve, si edhe të Fjalorit shpjegues të gjuhës shqipe, në disa vëllime (shih, ndër të tjera Parimet themelore për hartimin e fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, në Studime filologjike, 1968, nr. 2). Ka qenë anëtar i redaksisë së përgjithshme të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985).”
Akad. Jani Thomai: “Prej tij, sikundër edhe nga profesorët e tjerë të shquar, në bankat e universitetit, në Institut a jashtë tij, kemi marrë jo vetëm dije në fushën e gjuhësisë në përgjithësi e të shqipes në veçanti, sidomos në fushën e leksikologjisë e të leksikografisë, por edhe edukim shkencor, metodologji shkencore e disiplinë shkencore. Formimi i tij i gjerë, intuita e mprehtë, qartësia e mendimit, energjitë e pashtershme e guximi shkencor e vunë atë në krye për të ndërmarrë e për të drejtuar disa veprimtari e vepra shkencore madhore, si konferenca ndërkombëtare albanologjike, Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe veprat kodifikuese, si “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (bashkë me prof. E. Çabej, M. Domi e E. Lafe) e më tej revista “Studime albanologjike”, “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”, “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” etj., po ashtu në përfaqësimin me dinjitet në kongrese e konferenca shkencore ndërkombëtare jashtë vendit etj. Studimet shkencore të cilësisë së lartë për gjuhën letrare, për shtresa leksikore e klasa fjalësh dhe drejtimi e bashkëhartimi i veprave kodifikuese i dhanë atij edhe rolin e përfaqësuesit kryesor të lëvrimit shkencor e të kodifikimit të gjuhës letrare (standarde) shqipe. Edhe monografitë për fjalëformimin, kryesisht për fjalët e përbëra e të përngjitura në gjuhën shqipe, jo vetëm përshkruajnë strukturën fjalëformuese të shqipes, por edhe ndriçojnë veçantitë në zhvillimin e saj drejt njësimit, drejt standardizimit, madje duke vënë edhe semantikën sintaksore në mbështetje të semantikës leksikore të kompozitave (pronësore, dëshirore e urdhërore etj.).
Në gjithë proceset e punës, prof. A. Kostallari udhëhiqte e ndihmonte sidomos punonjësit e rinj shkencorë, i pasuronte me ide të reja, i orientonte drejt burimeve shkencore, u jepte besim e i ushqente me guxim, por me kërkesa të rrepta në krijimtari. Ndërmarrja e një vepre madhore kombëtare, si ”Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), e mbështetur në parimet e përgjithshme e kriteret e veçanta të hartuara prej tij, u kthye edhe në një “shkollë leksikografie” për gjithë ne të rinjtë që nuk ishim sprovuar më parë në praktikën leksikografike në asnjë fjalor. Mësuam, punuam e ia dolëm edhe në saje të besimit e të ndjenjës së sigurisë që na krijonte kryeredaktori prof. A. Kostallari.
Akad. Jani Thomai “Personalitetin shkencor të prof. Androkli Kostallarit e kanë krijuar, në radhë të parë, aftësitë e tij të spikatura: vullneti dhe këmbëngulja në punë, energjitë e pashtershme, guximi shkencor, që i jepte besim e siguri edhe në vepra e veprimtari të mëtejshme shkencore; kujtesa e lakmueshme dhe qartësia e mendimit shkencor, aftësia shprehëse gjuhësore, që u shfaq që në vitet e para në gazetari; intuita krijuese që i jepte mundësinë e zbulimit të fakteve dhe të forcimit të argumentimit. Këto aftësi përshpejtuan formimin e tij si gjuhëtar i radhës së parë dhe i dhanë mundësi të ndjekë në mënyrë të pandërprerë dhe sa më thellë zhvillimet e reja në gjuhësi. Në Lindje e në Perëndim prof. Androkli Kostallari hyn në ata shkencëtarë, që kanë një prodhimtari shkencore të gjerë si sasi, të lartë si cilësi dhe bashkëkohor si destinim. Ndër tiparet kryesore të veprës shkencore të prof. A. Kostallarit mendoj se duhen veçuar: problematika qendrore, gjerësia e fushës së studimit dhe simetria e trajtimit teorik të vlerave funksionale e praktike të dukurive gjuhësore. Me guxim dhe kompetencë ai ndërmori studimin e problemeve të mëdha të kohës siç ishin formimi i gjuhës letrare shqipe, formimi i fjalëve, fjalori shpjegues i shqipes së sotme etj….”
Akademik Luan Omari, “Sigurisht, ishte gjuhësia dhe, veçanërisht, leksikologjia fusha ku ai ka shkëlqyer dhe ka lënë një trashëgimi mbresëlënëse. Por ai ishte njohës i thellë edhe i disiplinave të tjera, veçanërisht i letërsisë dhe i historisë. Pra, mund të thuhet se prof. Kostallari zotëronte një kulturë enciklopedike… Trashëgimia shkencore që na ka lënë prof. Androkli Kostallari është shumë e pasur dhe shumëpërmasëshe. Por merita të veçanta ka në fushën e leksikografisë. Ai ka pasur një rol të spikatur në vendosjen dhe afirmimin e standardit të sotëm mbarëkombëtar të gjuhës letrare shqipe, të përbashkët e të njësuar. Përveç së tjerash, ka pasur rol parësor në organizimin dhe pasurimin e fondit leksikor të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, si edhe në hartimin e botimin e fjalorëve të rëndësishëm të gjuhës shqipe.”
Prof. dr. Emil Lafe “Studimet dhe shkrimet në fushën e leksikografisë përbëjnë platformën e Institutit të Gjuhësisë për hartimin e fjalorit shpjegues të shqipes, të projektuar në fillim me disa vëllim dhe të realizuar më 1980 në një vëllim (“Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, me 41.000 fjalë). Këto studime mbeten edhe sot një baze të shëndoshë teorike e leksikografisë shqiptare e kolauduar në praktikën e hartimit të “Fjalorit” të vitit 1980 dhe të tjerëve më pas që janë mbështetur kryesisht në lëndën dhe parimet e tij. Njohja e këtyre studimeve leksikografike është nevojë e ditës sot kur detyrat në fushën e leksikografisë, hartimi i një fjalori të ri shpjegues me të paktën dyfishin e fjalëve të fjalorëve ekzistues, janë detyrë parësore e gjuhësisë shqiptare.”
Dr. Armin Hetzer (München, Gjermani) “Nën drejtimin e Kostallarit më 1976 u hartua “Duden”-i shqiptar (Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe, 32.000 fjalë). Më 1980 ai u pasua me fjalorin e madh njëgjuhësh (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, 41.000 fjalë) dhe më 1984 u botua një variant më i vogël i po atij (Fjalor i shqipes së sotme, 34.000 fjalë). Pas terminologjive speciale për disiplinat akademike erdhën fjalorë për fondin e përgjithshëm të fjalorit. Më vonë, me siguri që shumë shprehje do të duken të vjetruara dhe do të duhet të zëvendësohen me të reja. Por përgjithësisht duhet thënë se, me këtë arritje në fushën e fjalorëve, shqiptarët kanë mbërritur në një situatë që i bën ata të barabartë me vendet fqinje në fushën e leksikografisë. Në të njëjtën kohë, në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë të drejtuar nga Kostallari departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë punoi për një Thesaurus, në të cilin u grumbulluan të gjitha fjalët e gjetura në të folmet e ndryshme. Por drejtori nuk pati kënaqësinë të shikojë daljen e këtij materiali. Duke parë prapa, ne duhet të pranojmë se ajo vendosje përparësish u bë mbi bazën e parimeve racionale, megjithëse filologë të huaj, ndërkohë, do të donin të kishin të tjerë glosarë në duar. Këtu brezave të ardhshëm nuk u janë vendosur kufij krijimtarie dhe duhet shpresuar që puna e Kostallarit të gjejë pasues të denjë. Ai ishte njeriu i duhur në vendin e duhur, i cili me energji dhe këmbëngulje ndoqi një rrugë, me të cilën i shërbeu vendit të tij.”
Prof. Remzi Pernaska: “Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike të Androkli Kostallarit janë leksikologjia e leksikologjia, formimi i fjalëve, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe gjuha letrare shqipe (historia dhe gjendja e saj). Ai është njëri nga specialistët më të shquar jo vetëm të fjalëformimit e të analizave leksikologjike, por edhe leksikograf i dorës së parë, me prodhimtari lakmuese, si e provojnë, ndër të tjera, edhe këta fjalorë: Fjalor shqip-rusisht, Fjalor rusisht-shqip (1954.), Drejtshkrimi i gjuhës shqipe (1973), Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976). Studimet për fjalëformimin zënë një vend të veçantë në veprimtarinë e tij shkencore. Ndër to, vend nderi kanë punimet për kompozitat në gjuhën shqipe.
Pastërtia e leksikut të gjuhës së shkruar nëpërmjet krijimeve të reja e, sidomos, nëpërmjet aktivizimit të fjalëve shqipe nga leksiku popullor, ka qenë njëri nga qëllimet kryesore të punës së tij shkencore. Ishte i bindur se gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë për të përballuar, me mjetet e veta, nevojat e praktikës për emërtime terminologjike. Me këtë bindje, ai ngriti një ekip gjuhëtarësh që do të specializoheshin për përpunimin e terminologjisë e hartimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme të dijes (shqip-gjuhë të huaja, mbi 30) dhe dha ndihmë të drejtpërdrejtë si bashkëhartues në fjalorët e parë.”
Prof. dr. Avni Xhelili “Prof. A. Kostallari ishte një ndjekës i vëmendshëm i të gjitha ndryshimeve në jetën e shoqërisë shqiptare, të cilat ushtronin ndikim mbi gjuhën shqipe. Reagim logjik i këtyre ndryshimeve ishte fillimi i punës për të hartuar një fjalor të ri, i cili jo vetëm do të përmbushte kërkesat në rritje të shoqërisë dhe të kulturës shqiptare; por do të ndihmonte të normalizohej në veprimtarinë e vet gjuha letrare. Prof. A. Kostallari kryesoi të gjithë punën për të realizuar këtë vepër madhore, e cila është një nga arritjet më të mëdha të mendimit shkencor shqiptar. Mund të pohohet pa frikë se Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) përbën epokë në historinë e leksikografisë shqiptare. Ai do të mbetet përmendore e një periudhe të tërë në zhvillimin historik të gjuhës shqipe gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Për hartimin e këtij fjalori shpjegues njëvëllimësh, si një fjalor normativ, kërkoheshin zgjidhje për mjaft çështje; ndër të cilat mund të përmendnim pasqyrimin e shumëkuptimësisë së fjalëve, të strukturës së shpjegimeve, shënimeve stilistike, materialit ilustrues për fjalët dhe njësitë frazeologjike, pasurimit të fjalorit me fjalë e kuptime të reja etj. Për mjaft çështje zgjidhja duhej kërkuar nëpër shumë disiplina të tjera të gjuhës shqipe. Thënë shkurt, hartimi i Fjalorit kërkonte dije enciklopedike, të cilat prof. A. Kostallarit nuk i mungonin. Sot ne kemi në dorë një fjalor të hartuar në mënyrë të tillë, ku çdo fjalë e përfshirë në të, është e kuptueshme për përdorues nga cilado shtresë shoqërore. Megjithatë duhet pranuar se fjalorë të tillë kanë edhe ata moshën e tyre. Si rregull, fjalorët normativë njëvëllimësh u shërbejnë dy-tre brezave përdoruesish. Kohët e reja kërkojnë fjalorë të rinj, të cilët duhet të pasqyrojnë frymën gjuhësore të kohës, rrethanat e reja të bartësve të gjuhës.”
Prof. dr. Miço Samara “Prof. Androkli Kostallari ka zhvilluar një veprimtari të gjerë e të shumanshme leksikografike: si hartues, redaktor dhe kryesisht si kryeredaktor dhe drejtues shkencor i disa fjalorëve të tipave të ndryshëm – njëgjuhësh e dygjuhësh. Siç dihet, ai u bë i njohur si leksikograf qysh kur studionte në Moskë, me redaktimin e Fjalorit rusisht-shqip, botuar në vitin 1954; profesori ishte kryeredaktor i komisionit hartues të Fjalorit drejtshkrimor të botuar në vitin 1976, anëtar i redaksisë së përgjithshme të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) dhe përgjegjës i redaksisë së gjuhësisë në të; drejtues shkencor në hartimin e dy fjalorëve shpjegues dhe të një fjalori frazeologjik krahinor etj. Vepra madhore në fushën e leksikografisë, e lidhur në mënyrë të pashkëputur me emrin e tij, është Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) dhe Fjalori i Shqipes së Sotme (1984), të cilët u hartuan vetëm nga një ekip (kolektiv) leksikografësh relativisht të rinj, por të zellshëm dhe nën drejtimin shkencor e me pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë, si bashkëhartues e kryeredaktor. Këta dy fjalorë, pas Fjalorit të Gjuhës Shqipe (1954), shënuan një etapë të re në fushën e leksikografisë shqiptare.”
Veprimtaria e prof. Kostallarit në këtë fushë nuk karakterizohet vetëm për vlera praktike leksikografike, por edhe teorike. Duke vlerësuar në mënyrë objektive gjithë punën e mëparshme që ishte bërë në fushën e fjalorëve të shqipes, ai iu vu punës për të rregulluar e plotësuar disa mangësi e zbrazëti të saj për të çuar më përpara teorinë leksikografike. Monografia e njohur, Në rrugën e hartimit të fjalorit normativ të shqipes së sotme, e botuar në Buletin për shkencat shoqërore (1955), ngjalli polemika; por e nxiti mendimin dhe krijimtarinë leksikografike. Ajo tregoi se ai kishte zotësi e aftësi për ta përpunuar më tej këtë teori dhe për ta vënë praktikën leksikografike në shqipe mbi baza më të shëndosha teorike-shkencore.”
Një tjetër monografi e rëndësishme me vlera teorike në fushën e leksikografisë është ajo për Parimet e FGJSSH, të cilën ai botoi në vitin 1968, ku përcakton e argumenton jo vetëm detyrat dhe kriteret teknike për të hartuar një fjalor normativ më të plotë e më të mirë, por parashtron ose trajton edhe bazat teorike ku duhej mbështetur hartimi i këtij fjalori, i cili do të pasqyronte si leksikun me vlerë objektive reale, ashtu edhe atë me vlera të mundshme. Në këtë monografi bie në sy dhe përkrahet parimi i drejtë shkencor, i zbatuar edhe nga Kristoforidhi; por i zgjeruar e i përpunuar më tej, se leksiku i shqipes është pronë e përbashkët kombëtare e gjithë popullit, nga çdo burim dialektor e krahinor qoftë; i cili duhet t’i rikthehet atij i kodifikuar dhe i sistemuar në fjalorin shpjegues.”
Prof. dr. Ferdinand Leka “Me t’u kthyer në Atdhe, njohuritë e thella të fituara në Universitetin e Moskës, të plotësuara më tej edhe me njohuri të gjuhëtarëve perëndimorë, i vuri në shërbim të gjuhësisë shqiptare, duke hedhur bazat teorike, sidomos, për leksikografinë etj., me studime e monografi që ruajnë edhe sot plotësisht vlera tërësore të padiskutueshme. Ndihmesa e tij ka qenë vendimtare në vepra themelore të gjuhësisë shqiptare si ideues dhe kryeredaktor i Fjalorit të gjuhës shqipe (1980), i cili ende nuk është kapërcyer për nga vëllimi i fjalëve dhe pasuria e zhvillimit të kuptimeve. Ai Fjalor ka shërbyer si bazë për Fjalorët e viteve 1980, 1984, 2002, 2006; por me përmasa më të vogla. Lista e veprave që ka drejtuar është e gjatë, që nga tezat themelore për gjuhën standarde shqipe, për Fjalorin drejtshkrimor etj.; kumtesa e referate me nivel të lartë shkencor për gjuhën shqipe, në Shqipëri dhe jashtë vendit.”
Një përmendore e vërtetë kulture është formimi i Kartotekës së Leksikut të Gjuhës Shqipe, i ideuar dhe i drejtuar për vite me radhë prej Tij, duke mobilizuar një ekip të gjerë bashkëpunëtorësh të brendshëm: gjuhëtarë nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, si edhe arsimtarë e lavrues të gjuhës nga e gjithë Shqipëria. Ajo kartotekë është një bankë e vërtetë të dhënash për gjuhën shqipe, e përbërë prej mbi 4 milionë skedash dhe, pa u këshilluar me të, nuk mund të ndërmerret sot e në të ardhmen asnjë studim serioz për gjuhën shqipe. Mjerisht, në atë kartotekë mungon, të paktën, një pllakë përkujtimore në bronz për ideuesin e krijuesin kryesor”
Prof. dr. Agim Vinca “Pasioni i tij për gjuhën shqipe dhe pasurinë e saj leksikore ishte i paparë. Në biseda me njerëz të zonave të ndryshme, veçanërisht nga viset këtej kufirit, shfrytëzonte rastin të pyeste për emrat e vendbanimeve, për emërtimet e bimëve, të kafshëve, të veglave të punës etj. Posa dëgjonte ndonjë fjalë të re, të panjohur, të rrallë, nga brumi popullor, nxirrte skedën dhe e shënonte. Kështu pat vepruar edhe me mua kur i thashë se në vendlindjen time, në Veleshtë, për shtëpinë përdhese përdoret fjala “përtrollzë”, të cilën unë e kisha futur edhe në poezi; me fjalën “bërrole” për kallirin e misrit të zhvoshkur nga kokrrat e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani.”
Prof. dr. Xhelal Ylli “Ndihmesat e prof. A. Kostallarit në një varg fushash të gjuhësisë shqiptare, si leksikologjia dhe leksikografia, fjalëformimi, teoria dhe praktika e gjuhës letrare kombëtare të njësuar, si dhe për aspekte të tjera të shkencave filologjike e të kulturës sonë kombëtare dëshmojnë një formim profesional të admirueshëm, mprehtësi vrojtimi, fuqi përgjithësimi e argumentimi dhe zgjidhje të drejta shkencore; në anën tjetër, edhe njohje të thellë të shqipes e të traditës së saj letrare, të historisë e të kulturës sonë kombëtare. Por figura e prof. A. Kostallarit do të ishte e paplotë, nëse tej artikujve e studimeve shkencore nuk do të viheshin në dukje edhe ndihmesat e tij të spikatura në rrafshin drejtues organizativ për të vënë në jetë arritjet e gjuhësisë shqiptare, për të rritur dhe fuqizuar institucionet tona shkencore etj.
Vepra Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (1980) mbetet, përtej kufizimeve të kohës, ideologjike a profesionale qofshin ato, një arritje e madhe e gjuhësisë shqiptare dhe e prof. A. Kostallarit personalisht. Ndërkohë që mosrealizimi i një fjalori pasues shumëvëllimësh të shqipes, i cili në ndonjë rast e ka vënë në vështirësi Profesorin, flet më shumë për akribinë a vetëdijen e tij lidhur me pjekurinë e nevojshme lëndore e profesionale të botimeve shkencore.”
Prof. dr. Hajri Shehu “Ka qenë profesor Androkli Kostallari ai që e ka themeluar Sektorin e leksikologjisë e të leksikografisë të Institutit, ose, siç thirrej rëndom nga të tjerët, “Sektori i fjalorit”, dhe ai e ka drejtuar atë. Me prodhimin e matshëm shkencor (numri i artikujve studimorë, i fjalëve të hartuara, i fjalëve që vileshin e skedoheshin, i ekspeditave leksikologjike etj.), me vargëzimin (konvejerin) e përkryer kartotekë – hartim – redaktim – kryeredaktim, me studimet e veçanta për leksikun e shqipes, me mbledhjet e planifikuara shkencore, me diskutimet e informacionet e rregullta shkencore, me oponencat e recensat për mbrojtje dhe botime, me gjithë ata bashkëpunëtorë të jashtëm për hulumtimin e gjerë të visarit popullor, sektori i leksikologjisë dhe i leksikografisë ishte edhe një institucion brenda institucionit. Profesor Kostallari ka qenë drejtuesi teorik dhe kryeredaktori i “Fjalorit shpjegues të gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe i “Fjalorit të shqipes së sotme” (1984) – vepra të këtij sektori. Ai ka shkruar parimet dhe kriteret për hartimin e tyre dhe, përveçse si kryeredaktor, ka udhëhequr drejtpërdrejt edhe gjithë punën hartuese, redaktuese dhe botuese. Ai ka qenë drejtuesi teorik dhe kryeredaktori i një vepre tjetër të madhe shkencore, më e madhja në fushën e gjuhësisë shqiptare – “Fjalori shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”. Dy vëllime janë hartuar. Besojmë që brezi i tanishëm i leksikografëve do ta vijojë punën për përgatitjen për shtyp të dy vëllimeve të hartuara dhe për hartimin e vëllimeve të tjera. Profesori na ka lënë “Parimet themelore” për hartimin e kësaj vepre.”
Prof. dr. Kujtim Kapllani: “Shqetësim i veçantë dhe i përhershëm i studiuesit të talentuar ka qenë hartimi i fjalorit shpjegues të gjuhës shqipe, vepër kolektive e filologjisë shqiptare që u botua më 1980. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe është një ndër veprat madhore të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, që mishëron punën e mbështetur në parime të rrepta shkencore për vlerësimin nga këndvështrimi normativ të leksikut e gjuhës. Ai është i pari fjalor i shqipes që pasqyron në një masë të kënaqshme leksikun e shqipes, duke përfshirë leksikun popullor, me prejardhje nga të dy arealet e mëdha dialektore, por edhe leksikun diturak të krijuar gjatë shekujve nga lëvruesit e gjuhë sonë. Për nga pasurinë e fjalësit, po më shumë për mënyrën e zbërthimit të strukturës semantike të fjalëve, ky fjalor mbetet pikë e vetme referimi për të shtjelluar më tej punën leksikografike dhe leksikologjike në tërësi. Nuk ka asnjë vepër leksikografike, leksikologjike etj. që të mos i referohet kësaj vepre madhore.”