Nga Orest Çipa
New York/
Në fund të korrikut që lamë pas, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë miratoi disa ndryshime adekuate në kodin zgjedhor duke përfshirë edhe votën e emigrantëve. Ky hap i marrë nga ligjvënësit tanë është një vendim historik dhe shumë i rëndësishëm dhe i shumëkërkuar nga mërgata, brenda harkut kohor prej tre dekadash. Mirëpo, nga ana tjetër, përgjegjësia e organizimit të këtij procesit i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili duket se ka qenë i pa përgatitur dhe i zënë ngusht nga ky zhvillim sado pozitiv. Kjo praktikë e re vendimmarrje për një vend me histori problematike si Shqipëria do të provohet për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës së ardhshme. Si rrjedhojë, ky proces duhet parë me shumë skepticizëm pasi afati kohor i vënë në dispozicion dhe eksperienca e institucionit përkatës në një rast të tillë si ky i yni, janë të pamjaftueshme.
Gjithashtu, kjo kohë fizike që shteti i jep për tu ngritur gjithë kësaj infrastrukture duket qartë se ka për synim krijim e ngërçit të qëllimshëm me pretendimin se gabimet do të përmirësohet në herët e ardhshme, ndërkohë që ka pasur 11 vite për hesap të vetin.
Në vijimësi të këtij artikulimi për të qenë sa më objektiv, duhet shtruar llogjika apo argumenti i sa mësipërm me një pasqyrim të përgjithshme të të gjithë kësaj historie tragjike ndër vite për të mos ti hyrë në hak askujt. Megjithatë, po i shtoj pak më shumë dozat e “paragjykimit” pasi në horizont duket se format e blerjes së votës, presioni për vendin e punës apo për pronën private etj etj.., do të jenë sërisht prezent por me një manaual të ri në përformim (shantazhim dhe presion ndaj opozitës me metodat e sapo nisura).
Për të mos u zgjatur dhe thelluar në gropën e errët të së shkuarës duhet kuptuar se vota është ajo që ne kemi dhe ajo që ata kërkojnë, tanimë jashtë shtetit. Vota është forca e ndryshimit në një demokraci kur ajo funksionon normalisht. Mirëpo, vota është marrë “peng” për shkak të mos egzistencës së një opozite të konsoliduar për mos të thënë se opozita është thjeshte një fjalë pa peshë, parë kjo nga situate e krijuar qysh me z.Berisha e më pas me z.Meta.
Le ti rikthehemi gjenezës së këtij konstatimi …U bënë rreth 3-muaj që KQZ-ja po punon intensivisht për përgatitjen e të gjitha akteve dhe procedurave që lidhen me votimin nga jashtë vendit të emigrantëve shqiptar. Dhe sipas të dhënave të vënë në dispozicion deri më tani nga ky institucion, votimi do të bëhet përmes postës nga vendet ku ndodhen dhe veprojnë ata. Është një procedurë e ngjashme me atë në SHBA por shumë herë më e vështirë për ta realizuar qëllimin pa pasur probleme “teknike”, kur dihet se po veprohet për herë të parë…
Pse duhet parë me skepticizëm?
Sipas KQZ-së, ky proces do të realizohet përmes një platforme online, ku secili nga ata që jetojnë jashtë, dhe dëshiron të votojë, duhet të hapë një llogari, më shumë për të treguar adresën se ku do të duhet t’i shkojë më pas fleta e votimit. Fleta e votimit për emigrantët do të niset që në momentin kur KQZ-ja, do të ketë përmbyllur procesin e regjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit. Nga ky moment mbeten rreth 28-32 ditë për KQZ-në, për të prodhuar fletët e votimit e për ta dërguar. Që në momentin kur dërgohen fletët e votimit, procesi i votimit, konsiderohet i hapur. Pra, mund të kenë një hapësirë disa ditëshe për të votuar. Zarfi në të cilin ndodhet fleta e votimit është një zarf i bardhë. Ky futet në një zarf tjetër që përmban të dhënat e votuesit. Kur mbërrin, zarfi që përmban adresën, griset dhe mbahet zarfi i bardhë. Të gjithë grumbullohen në një shportë dhe aty bëhet procesi i numërimit.
Për të analizuar pak këto të dhëna të marra nga deklaratat për shtyp të KQZ-së, duhet që natyrshëm të bëjmë disa pyetje për të qartësuar atë hijen e dyshimit që ngritëm më lartë: 1- A po rikthehen patronazhistët? 2- Sa konfidenciale do jetë vota kur zarfi nga jashtë do të ketë emrin e qytetarit dhe adresën e vendit ku jeton ndërsa brenda zarfit do jetë vota individuale? 3- Si do të numërohen votat dhe ku do të numërohen votat e ardhura me postë? 4- A ka një marrveshje paraprake midis KQZ-së, Postës Shqiptare dhe vendeve përkatëse? 5- Kush e jep garanci për ruajtjen e të dhënave tona në database-in e KQZ-së? etj etj.
Përpos këtyre pikëpyetjeve të ngritura më sipër, kur bëhet fjalë për votën e lirë të qytetarit shqiptar gjatë këtyre viteve të pluralizmit politik është krijuar një hendek i madh në mosbesimin dhe ndërgjegjen e shoqërisë tonë. Sa, hera-herës edhe pse nuk duhet përmendur fakti i një të vërtete të hidhur edhe kësaj radhe ka “mirazhe” se shprehja e shumëlodhur mbi kurizin tonë :“nuk varet kush voton, varet kush numëron”, do ti rezistojë “erozionit” të kohës së krijuar nga pushtetarët tanë.