
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident në Republikën e Kroacisë. Për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë. Më herët Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njoftoi opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda. MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike. Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme. MPJD-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve. Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme znj.Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela. Institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate, të cilat kanë konfirmuar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik. Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Shtabin Emergjent për koordinim të komunikimit të institucioneve të Kosovës dhe të Kroacisë me familjarët e bashkatdhetarëve të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Frankfurt- Prishtinë. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në deklaratën ngushëlluese u shpreh: “Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë. Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë. Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik” përfundoi deklaratën ngushëlluese Vjosa Osmani.
Behlul Jashari