Kriledjan Çipa/
Zyrtarisht aktivitetin arkeologjik të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e njohim kryesisht nëpërmjet botimeve të shumta të artikujve dhe raporteve arkeologjike në revistën “Iliria” të Institutit të Arkeologjisë, apo nëpërmjet buletineve dhe botimeve të akteve të konferencave shkencore të kohës. Si rezultat, ne njohim si arkeologë apo bashkëpunëtor të jashtëm të Institutit të Arkeologjisë vetëm arkeologët që kanë botuar në këta periodik. Në fakt, duke “gërmuar” në shtypin lokal të kohës mësojmë se një numër i madh punësh apo raportesh arkeologjike janë botuar nëpër gazeta. Gjatë periudhës së sistemit Komunist, ka patur disa specialistë me një formim të mirë në arkeologji, të cilët punonin kryesisht në muzetë e rretheve dhe kanë dhënë kontributin e tyre në këtë fushë. Nuk duhet të harrojmë se muzetë e asaj periudhe (ndryshe nga sot) kishin autonomi për të kryer punë kërkimore në terren. Arkeologët që punuan pranë tyre, patën mundësi të kryenin gërmime arkeologjike, si dhe të ishin të parët që raportonin gjetje të rastit në territoret që ata mbulonin. Për arsye të ndryshme punët e tyre nuk arritën gjithmonë ta gjejnë dritën e botimit në revistën “Iliria”, as në formën e raporteve, për pasojë edhe kontributi i tyre ngeli i panjohur jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për komunitetin e arkeologëve dhe profesionistëve të tjerë të fushës së trashëgimisë kulturore. Një rast i tillë është edhe ai i Perlat Kullës, i cili punoi për një kohë të konsiderueshme në Muzeun e Vlorës dhe realizoi gërmime arkeologjike e botoi raportime të ndryshme në shtypin lokal.
Aktiviteti i tij në arkeologji është zhvilluar kryesisht në vitet 1970-80. Në literaturën arkeologjike, emrin e Perlatit e gjejmë për herë të parë të përmendur në vitin 1968. Arkeologu i shquar Bep Jubani, i cili drejtonte gërmimet arkeologjike të tumave të Ҫinamakut në Kukës, në një nga botimet e tij për rezultatet e gërmimeve përmend edhe kontributin e Perlat Kullës, që në atë kohë kishte marrë pjesë në gërmime në cilësinë e studentit të Histori-Gjeografisë. Pra, që në vitet studentore ai kishte nisur rrugën e formimit si arkeolog, duke marrë pjesë në ekspedita, të cilat do ta ndihmonin për të krijuar eksperiencën e duhur profesionale për kërkimin në terren. Megjithatë, kontributi i Kullës në gërmimet e tumave të Çinamakut do të vijojë deri në vitin 1973, tashmë si arsimtar i emëruar në këtë zonë. Gjithashtu, si bashkëpuntor i jashtëm i Sektorit të Arkeologjisë (pjesë e Instituti të Historisë në atë kohë), ai do të marri pjesë në gërmimet arkeologjike që nisën në Kalanë e Kaninës në vitin 1971, dhe vijuan në disa fushata në vitet 1973 e deri të paktën në vitet 1974-1975. Gërmimet në këtë qendër të rëndësishme antiko-mesjetare zhvilloheshin nën drejtimin e arkeologut Damjan Komata. Kulla, për rezultatet e këtyre gërmimeve do të botojë edhe konsideratat e tij në shtypin e kohës, por këtë përvojë të pasur në terren ai do ta shfrytëzojë për të vijuar në vitet e mëvonshme aktivitetin e tij me gërmime e kërkime arkeologjike në zonën e Vlorës, tashmë si specialist i Muzeut të Vlorës.
Kontributi i parë i tij do të jetë gërmimi arkeologjik që do të kryej pranë fshatit Zvërnec në vitin 1974, rezultatet e të cilit do ti botojë në periodikun “Buletini Arkeologjik” (periodik i Sektorit të Arkeologjisë, në Institutin e Historisë), si dhe me disa plotësime të dhënash në një raport të botuar në gazetën “Zëri i Vlorës” në vitin 1975. Gërmimi ishte i natyrës së shpëtimit dhe kishte si synim dokumentimin e një rruge të periudhës Romake, e cila kishte dalë rastësisht gjatë punës për ndërtimin e një rezervuari. Krahas zbulimit dhe dokumentimit të traktit rreth 12 m të gjatë dhe 4 m të gjerë të rrugës së shtruar me rasa guri, ai raporton gjetjen e materialeve parahistorike prej stralli, si dhe qeramikë që i përkiste dy shekujve të parë pas Krishtit. Së bashku me arkeologun Vasil Bereti për herë të parë do të nisin gërmimet arkeologjike në kodrën e Plakës në Treport, në vitin 1975. Në këto sondazhe të para të kryer në kodrën e Plakës, që ata e identifikonin me Aulonën antike, krahas materialit të pasur arkeologjik të datuar nga shek. IV p.Kr e deri në periudhën Romake, ata zbuluan murin fortifikues, disa tjegulla antike me mbishkrime, një ndërtesë me tulla dhe materiale metalike, duke përfshirë edhe monedha. Përveç raportit të botuar në shtypin lokal nga dy bashkautorët e gërmimit, materiali i kësaj fushate nuk u botua asnjëherë i plotë. Siç dihet, gërmimet në qendrën arkeologjike të Treportit në vitet e mëvonshme do të vijojnë nga arkeologu Vasil Bereti, ndërsa Perlat Kulla pati një aktivitet shumë të pasur kryesisht në vitin 1978, ku ka vijuar të kryej sondazhe e gërmime në qendra arkeologjike të ndryshme, si dhe raportime të shumta nga gjetje rastësore. Në gazetën “Zëri i Vlorës” gjejmë një numër të konsiderueshëm raportesh arkeologjike në lidhje me gjetje të rastit në fshatrat e zonës së Orikumit. Gjetjet vijnë kryesisht nga varreza antike nga fshatrat Tragjas dhe Dukat. Disa nga këto gjetje ruhen ende dhe janë të ekspozuara në Muzeun Historik të Vlorës. Ky aktivitet i tij zhvillohet në kuadër të kontributit që ai jep për pasurimin e hartës arkeologjike të rrethit, si dhe sigurisht pasurimin e koleksionit të objekteve arkeologjike të muzeut ku ai punonte. Në këtë kuadër ai raporton një nekropol të zbuluar në vendin e quajtur Vallto (Orikum), gjatë punimeve të bonifikimit të kënetës, jo shumë larg qytetit antik të Orikumit. Punimet për ndërtimin e stacionit të pompave për qytezën kishin nxjerrë rastësisht një nekropol, me një numër të konsiderueshëm varresh. Njëri ndër varret e ruajtur më mirë me muraturë tulle, u bë edhe objekt i një gërmimi arkeologjike shpëtimi nga ana e tij. Varri rezultoi të kishte inventar të pasur me terakota, enë balte dhe objekte metalike që i përkisnin shek. III-II p.Kr. Perlat Kullës i takon edhe njoftimi i parë për zbulimin e bazilikës paleokristjane të Mesapliku në vitin 1978, si dhe ai është autori i sondazhit të parë për dokumentimin e monumentit. Në artikullin e botuar në gazetë u ndal në përshkrimin paraprak të mureve, një kapiteli dhe fragmenteve të ndryshme të qeramikës, por ai u përqendrua kryesisht në përshkrimin e hollësive të mozaikut të sapo zbuluar të dyshemesë. Gërmimi dhe dokumentimi i plotë i bazilikës u realizua së bashku me arkeologun Damjan Komata, i cili realizoi edhe botimin e rezultateve të gërmimeve në revistën “Iliria”. Arkeologia Zhaneta Andrea, për raportimin që u bën kërkimeve arkeologjike në Shqipëri gjatë viteve 1973-83 në revistën ndërkombëtare të raporteve arkologjike “Archaeological Reports”, Perlat Kullën e përmend si bashkautor të gërmimit arkeologjik. Për më tepër Kulla do të botonte në vitin 1981 një përshkrim të detajuar të mozaikut. Ai vijoi kërkimet dhe gërmimet arkeologjike në Luginën e Lumit të Vlorës, ku kryen gërmime arkeologjike në shpellat parahistorike të Velçës. Objekt i gërmimit të tij do të bëhet kati i dytë i shpellës që quhet “Kala” ose “Mbikala”, ku nga gërmimi arkeologjik u gjetën një numër i konsiderueshëm enësh të fragmentuara të periudhës Mesjetare. Nëpërmjet këtyre gërmimeve ai saktësoi se shpellat e Velçës janë përdorur si vendbanime apo vendstrehime në një diapazon të gjerë kohor, nga Parahistoria e deri në Mesjetë.
Krahas raportimeve arkeologjike në shtypin e kohës ai ka botuar edhe disa artikuj mbi muzeologjinë. Si punonjës i muzeut, në rolin e kuratorit dhe menaxherit do të ngrinte shqetësime dhe do të botonte disa artikuj ndërgjegjësues për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e rrjetit të muzeve në rrethin e Vlorës. Shqetësimi i tij lidhej me aktivitetin e muzeve, pasurimin e tyre me objekte autentike, me qëllim që të luajnë rolin e tyre si institucione që transmetojnë mesazhe të historisë dhe të së shkuarës, duke qenë edukuese për shoqërinë. Në këtë drejtim Kulla do të bëhej edhe inisjator i aksioneve konkrete. Së bashku me kolegë të tjerë, do të organizojë ekspedita në terren për mbledhjen e objekteve etnografike dhe dokumentacionit autentik, me qëllim ngritjen dhe pasurimin e koleksioneve të muzeve të fshatrave.
Në vitin 1985, pasi u gjet rastësisht një thesar me rreth 5,8 kg ar gjatë punimeve mirëmbajtëse në pragun e hyrjes së godinës së Klubit Labëria, ai do të drejtojë vijimin e gërmimeve për verifikimin e kontekstit dhe vendgjetjes. Për shkak të integritetit të tij profesional, ai u caktua edhe si një ndër anëtarët e komisionit të vlerësimit të thesarit.
Sipas informacioneve që kemi, në vitin 1983 ai ishte transferuar tashmë në Sektorin e Kulturës dhe Sportit. Ky transferim, si dhe problemet e tij shëndetësore do e bënin të pashmangshëm ndërprerjen e aktivitetit kërkimor në arkeologji. Pas viteve 1990, ai vijoi të punonte në institucione me karakter kulturor deri në daljen e tij në pension. Fatkeqësisht ndërroi jetë në 21 Janar të vitit 2021, por për sa kohë punoi si arkeolog dhe specialist i Muzeut të Vlorës, ai dha kontributin e tij në evidentimin, gërmimin, dokumentimin dhe për fat të mirë botimin e informacionit mbi vendgjetje dhe vendbanime të shumta antike e mesjetare në zonën e Vlorës. Një numër i konsiderueshëm objektesh të mbledhura prej tij, sot janë ende pjesë e fondeve të Muzeut Historik të qytetit të Vlorës. Raportet arkeologjike të botuara nga Kulla në shtypin e kohës janë mjaft të vlefshme nga pikëpamja shkencore, si punë të referueshme për çdo studim arkeologjik që do të zhvillohet në të ardhmen në territorin e Vlorës.