-Nën hundën e pseudo-opozitës në Tiranë Edi Rama po kap dhe klientelizon diasporën-
Nga Elida Buçpapaj –
Për diktatorin Edi Rama tashmë ka filluar fushata zgjedhore.
Duket që sulltani ka ndërtuar një strategji për ta shfrytëzuar diasporën si një burim trafikimi votash – sidomos komunitetin në Greqi dhe Itali, atje ku mendohet se jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë.
Edi Rama po financon me paratë e taksapaguesave ofiqe, poste, portale dhe projekte, një pjesë të të cilave mbulohen nga Perëndimi si mbështetje për fuqizimin e institucioneve demokratike apo shtypin e lirë, që Edi Rama i keqpërdor për nevojat e veta. Ky abuzim është mirëfilli korrupsion.
Shqipëria – tipike një Republikë Banane. Edi Rama synon mandatin e tretë dhe për këtë ai përdor që të gjitha mjetet sidomos propagandën, duke varrosur fjalën e lirë dhe gazetarinë profesioniste.
Ai abuzon fare hapur nën dajret e klientëve qyqanë dhe prej apatizmit mjeran të shoqërisë shqiptare, sikur kombi shqiptar të jetojë në mesjetë.
Zyrtarët publikë, të emëruar politikisht, Edi Rama i sposton si gurë shahu nga emërtesa të Ministrisë të Diasporës në drejtues dhe propagandues të portalit qeveritar Majko diasporashqiptare.al!
A është e mundur që shtypi i lirë të ekzistojë duke qenë nën komandën politike të Edi Ramës dhe lakeut të tij Pandeli Majko?
Jo, kurrë! Shtypi i lirë mund të quhet i tillë vetëm kur ekziston si pushtet i pavarur!
Por Edi Rama po investon fort dhe pis, që të kapë edhe institucionin e diasporës.
Në fillim organizoi Këshillin Koordinues të Diasporës për t’i dhënë fuqi përfaqësimi nëpër shtetet ku jetojnë shqiptarët.
Pastaj vuri në lëvizje emisarin e tij, parazitin Pandeli Majko, i cili ka 30 vjet që jeton me paratë e taksapaguesve. Majkon e çoi turizëm nëpër botë që të binte në kontakt me militantë, për t’i përdorur sa herë u duhen, dhe kësisoj ka vazhduar shtrirja e tentakulave të oktapodit edhe në diasporë.
Ky është krim kombëtar, sipas sloganit përça e sundo.
Në Zvicër jeton një komunitet nga Shqipëria londineze prej 1500 shqiptarësh, të cilët për 30 vjet prani të Ambasadës dhe Misionit të Republikës të Shqipërisë në Zvicër asnjëherë dhe kurrë nuk janë bërë bashkë, ndërsa Edi Rama ka organizuar me të ardhurat e taksapaguesve dy Samite të Diasporës për t’i bërë shqiptarët lesh e li.
Ky është mision antikombëtar dhe shumë i rrezikshëm, sepse është krijuar një klimë si në kohën e diktaturës, ku njerëzit kanë frikë të japin pëlqimin apo të bëjnë komente deri edhe në rrjetin social, ngaqë Edi Rama ka kudo ushtrinë e mercenarëve klientë!
Edhe Edi Rama dhe klientët e tij janë tigra prej letre, por duhet të delegjitimohen si shpërdorues të pushtetit.
Për të krijuar autoritet artificial të klientëve të tij në Diasporë, që të justifikohen paratë, Edi Rama u ndan trofe suksesi, i promovon përmes televizioneve që i ka nën kontroll në Tiranë dhe tani u ka vënë në dispozicion edhe portalin qeveritar Majko.
Sikur të mos mjaftonte ky kataklizëm obskurantist, tentakulat e qeverisjes hibride Rama tani kanë shkuar deri aty sa me vendime qeveritare kanë sanksionuar të ashtuquajtur oficerë koordinues, të përfshirë në organikat e ambasadave dhe konsullatave shqiptare në Greqi dhe Itali.
Oficerët koordinues tani janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe firmosur nga dora vetë sulltanit me shallvare dhe atlete.
Sipas faqes zyrtare, mësohet se ata do të merren me çështjet e Diasporës shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë dhe do të jenë të paguar nga shteti shqiptar me paratë e taksapaguesve.
Në portalin qeveriar Majko mësohet se: “Komunitetet shqiptare në Greqi dhe Itali për herë të parë në historinë e Diasporë së re do të kenë oficerë koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik. Oficerët koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare emërohen nga ministri përgjegjës për Punët e Jashtme pas bashkëpropozimit të ministrit përgjegjës të fushës ( kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë) që do të mbulojë oficeri dhe ministrit përgjegjës për Diasporën. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave oficerët koordinues të Diasporës mund të përzgjidhen edhe nga jashtë Shërbimit të Jashtëm, por ata duhet të zotërojnë njohuri dhe ekspertizë të spikatur në fushën e arsimit, të drejtësisë dhe të nxitjes së investimeve.
Kryeministri dhe Ministri i për Evropën dhe Punët e jashtme, Edi Rama ka firmosur emërimin e katër emrave, përkatësisht Aurela Konduri, Selanik, Joneda Dodaj, Athinë, Luljeta Cobanaj, Milano dhe Edmond Kumarakun, Romë të cilët do të ushtrojnë detyrën e oficerit koordinues për Diasporën. Oficerët koordinues do të ushtrojnë funksionin e tyre sipas fushave të përcaktuara si: zhvillimi i marrëdhënieve me komunitetet shqiptare në shtetin pritës, kjo në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, identifikimin e nevojave për arsimimin dhe komunikimi me mësuesit e programeve plotësuese të gjuhës e të kulturës shqiptare në bashkëpunim me Qendrën e Botimit të Diasporës, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare në vendin pritës në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës si dhe identifikimin dhe asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin me heqje të lirisë në shtetin pritës në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për drejtësinë. “Oficerët e posaemëruar do të kenë gradën diplomatike të Sekretarit të Parë.
Pra, me pak fjalë, Edi Rama ka sanksionuar kësisoj me ligj kapjen e diasporës shqiptare në botë.
Pa dyshim që kriteri përzgjedhës është korruptiv, antiPerëndimor dhe antikombëtar.
Një gjë është e qartë se Edi Rama ka në dorë mjete të mëdha financiare të cilat do t’i përdorë fuqishëm për fushatën zgjedhore.
Diaspora duhet të organizohet një orë e më parë.
O sot o kurrë.
Sa për opozitën në Shqipëri, ajo është inekzistente, pret të riciklohet dhe kjo rrit alarmin për reagim.