Fletore koniciane nr. 17 – Ese/
Nga Fotaq Andrea/
I- Pa lulka retorike për këtë duo të bukur në titull, e duke hyrë drejt e në thelb të çështjes, fjalën e kemi për pikëtakimet e hershme të revistës “Albania” me SHBA-të, falë penës mjeshtërore së Faik Konicës. Janë pikëtakime që shfaqen fillimisht si gurë themeli, dhe që, në rrjedhë të viteve, do vijnë duke u strukturuar për të shfaqur godinën e fuqishme të diasporës shqiptare në kontinentin e ri. Është ajo farë e parë e miqësisë dhe e dashurisë midis dy kombeve tona, hedhur me dorë të sigurt nga Konica në ugaret e “Albania-s” që pas vitit 1896. Dhe fara do lulëzonte, do jepte frytin e vet të shëndetshëm të ditëve tona.
Për herë të parë, emërtimin shqip “Shtetet e Bashkuara t’Amerikës” e hasim tek “Albania” e 30 shtatorit 1897; tre numra më pas, këtë tog-emër e shohim të shfaqet në një formë edhe më të konsoliduar tipografikisht, me germën “e” midis dy vizash: “Shtetet-e-Bashkuara t’Amerikës“.1 Duket sikur Konica kërkon këtu, nën shembullin e frëngjishtes (Etats-Unis) të përforcojë e të nxjerrë në pah idenë e bashkimit të këtyre shteteve, që përbën fuqinë e tyre.
Numrat e parë të “Albania-s” i shfaqin SHBA-të në rubrikat “Kopshta e Shkencës” dhe “Të Ra” [Lajme të reja], ku nuk mungojnë kërshëria dhe entuziazmi konician për Amerikën “e çudirave”, të përparimit, të shkencës, punës e fitimit, për Amerikën e zbulimeve të mëdha për njerëzimin, nga “tejgrafia e tejzëri”, siç quan ai telegrafinë e Morsit dhe telefoninë, gjer te sinkrongrafi i Squier dhe 800 zbulimet e Edisonit, “Mbretit të Gjetësve”, përkrah Vanderbild “mbretit të arit”, Rockefeller “mbretit të vaj-gurit” dhe Carnegie “mbretit të çelikut”.2 Është për Konicën Amerika e madhërishme, e përmasave gjigande, kur “Albania” u mëson shqiptarëve se “E para udhë e hekurt në SHBA u bë më 1827”; se në Çikago u ndërtua “një shtëpi i gjithë me aluminium… dhe kjo shtëpi ka 64 metra lartësi edhe 17 kate”; se në SHBA “mund ta forcojnë [ngrijnë] rakinë e ta shesin copa-copa si sapun”;3 se Kisha Shën-Sofia e New Yorkut mban brenda 70 000 mijë besimtarë4. Është Amerika e urave më të gjata në botë, e rekordeve në transport mallrash, në komunikime telefonike dhe shfrytëzim të thëngjlltoreve (qymyrit)5. Por është edhe Amerika e barazisë gjinore, e lirive dhe të drejtave, Amerika e forcës së ligjit dhe e lulëzimit të talenteve në krejt fushat e zhvillimit njerëzor. Në mënyrë të veçantë, duke komentuar Shopenhauerin dhe John Stuart Mill, Konicës i bën përshtypje liria e gruas amerikane, shkalla e lartë e emancipimit të saj, tek i mëson lexuesit shqiptar se: “Në Shtetet-e-Bashkuara t’Amerikës gratë mundin kudo të jenë advokatka… e gjykimtarka [gjyqtare] me shkallë në Universitete”; se “po ngacmove një grua, ajo i drejtohet policisë”, se ka në SHBA 60 000 gra të diplomuara, ndër të cilat “10 000 janë mjekesha; se, gratë bëjnë punë të mëdha e fort të vyera, siç është rasti i Znj. Robling Emily, inxhiniere, e cila përfundoi punimet e urës së Brooklin (Manhatan), të filluara nga burri i saj, apo edhe rasti i Znj. Kannam që ushtron funksionin e “minisotreshës në Utah “.6
Pa u ndalur hollësishëm në kuriozitete të tjera të tipit konician për Amerikën “çudibërëse” – ku ka “sëmurëtore” (spital) edhe për “zogjtë e sëmurë” (Çikago), ku ka rekord në vetëvrasje e vrasje dhe të dënuarit me vdekje ekzekutohen me “fuqi elektrike”, ku japin koncerte artistë “çilimij” apo e “çunat e çuditshëm”, siç shprehet Konica për fëmijët mrekullibërës (jep këtu shembullin e pianistit 5 vjeçar Pepito Rodriguez që dha koncert “për pesë-dhiet net e sipër”7) –, na tërheq vëmendje interesimi i Konicës për të ndjekur hap pas hapi konfliktet politike në arenën ndërkombëtare, ku SHBA, që në fund të shekullit XIX, fillojnë të luajnë rol pozitiv madhor, për t’u shndërruar gradualisht në faktor të rëndësishëm ndërkombëtar për paqen e sigurinë në botë, për lirinë dhe pavarësinë e kombeve dhe vendeve, sidomos të vegjël. Kështu, gjatë konfliktit Spanjë-Kubë, Konica sheh, që në janar 1898 se SHBA vihen përkrah Kubës fqinje kur nënvizon: “Dobësia e tyre [e kubanëve] gjejti një krahë për t’u pështetur; Shtetet-e-Bashkuara t’Amerikës, të cilat e kanë afro fqinjë Kubën, i dhanë të kuptonjë Espanjës që s’durojnë më të shohin një popull të shtypet gjer në vdekie; duan Kuba të ronj’e lirë”.8 Në muajt mars-korrik 1898, “Albania” e Konicës, në tre numra të saj, ndjek nga afër konfliktin ushtarak Spanjë-SHBA, derisa “Amerikanët, pas disa mundimeve dhe luftërave u bënë të zotërit e Santiagos… Lufta atëherë, konkludon Konica, është për të u-mbaruar”9.
Pasqyrimi tek “Albania” i rolit madhor të SHBA-së në arenën ndërkombëtare që në fund të shekullit XIX, shfaqet kështu, nën penën e Konicës, si një ogur i bardhë e i mbarë për vetë shqiptarët në një nga çastet më kritike të historisë së tyre pas Luftës së parë botërore kur Shqipëria rrezikonte të humbiste pavarësinë e saj dhe të copëtohej. Sepse do të jetë po Konica që vite më vonë, përkrah Nolit dhe nga gjiri i “Vatrës” patriotike, do të falënderonte presidentin amerikan Wilson dhe SHBA-të për ndërhyrjen e tyre vendimtare në shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë, në mbrojtje të të drejtave të saj10 Dhe, për të dytë herë në historinë e kombit shqiptar, do të ishin po SHBA-të dhe NATO që do të ndërhynin ushtarakisht, në fund të shekullit XX, për shpëtimin e Kosovës martire nga dora gjakatare serbe.
Jo rastësisht shohim tek “Albania” një shkrim të bukur – zgjedhur plot mençuri nga Konica -, nën pendën e presidentit Roosevelt se ç’do të thotë karakter kombëtar amerikan. “Karakteri është që ka rëndësi, si te kombi, si te njeriu. Është një gjë e mirë të ketë mendie të holla e të larta në një komp…, por është një gjë një mij herë më e mirë të ndodhen ato mirësira të shëndosha q’i mbledhim bashkë nën emrin karakter : të kënaqurit me pakë, të mos-lëvizurit nga një qëllim, kuptimi i detyrës që ka secilido të mos ngasë qetësinë edhe besimet e fqinjëve, një zemër të mirë e, bashkë me të gjitha këto, edhe një dashuri të flagtë për gjithë punët e dreqta [drejta]. Këto janë mirësitë q’i e bëjnë me të vërtet një komp të madh (Roosevelt – Kryetari i Shteteve-të-Bashkuara).”11 Duke cituar kështu presidentin Roosevelt, Konica jep, as më shumë as më pak, vetë thelbin e shpirtit amerikan, konkretisht Madhështinë Kombëtare, sintetizuar kjo në motive të shenjta, në qëllime të larta, që përbëjnë tërë atë mision historik të SHBA-së për mbarë njerëzimin, në rrugën e përparimit. “Dhe kur Roosevelt flet për “mendiet e holla e të larta në një komp”, për “dashurinë e flaktë për punët e drejta”, doemos, nuk ka si të mos shohim në këto fjalë vlerën e tyre aktuale, kur klasa politike shqiptare, për fat të keq, shfaqet sot e dështuar në misionin e saj gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, tranzicion aq shumë i tejzgjatur sa asgjë nuk e përligj.
Po te “Albania”, në nëntor 1903, Lulo Malësori (pseudominimi i patriotit Milo Duçi), në shkrimin “Atdhedashuria”, do fliste për gjestin fisnik të ministrit amerikan Alexander Stewart që hoqi dorë nga fitimet e tij në tregti (përllogaritur në 5-6 milionë dollarë) thjesht për t’iu kushtuar detyrës kombëtare me përkushtimin e një patrioti të madh12. (Në parantezë: e kundërta ndodh sot e kësaj dite tek ne, kur politikanë e deputetë shqiptarë, gjyqësori dhe vetë administrata shtetërore, e mbajnë me dhembë kolltukun e postit veç për të vjelur miliona e për të mjelur mirë lopën shtet).
Si dhamë si një prelud madhështinë e SHBA në faqet e “Albania-s”, që gjenia koniciane e pikasi që herët, krahas misionit dhe rolit të tyre historik për mbarë njerëzimin, le të përqendrohemi te diaspora shqiptare në Amerikë, sintetizuar te Federata Panshqiptare “Vatra”, ura lidhëse e fuqishme midis kombit tonë të vogël dhe kombit të madh amerikan, aleatit strategjik të popullit shqiptar.
Në qershor 1898, një shënim i shkurtër i “Albania-s” tërheq vëmendjen e lexuesit se “Amerika [si kontinent], heq vit për vit mijëra të mjerësh qi lëshojnë Evropën për të vajtur atje të bëhen vendas e të gjejnë një copë bukë”.13 Jepet kështu me dy fjalë vetë thelbi i emigracionit ekonomik, kur shqiptarët e parë vajtur në SHBA në fund të shekullit XIX numëroheshin ende në gishtat e dorës, sidomos të vajtur nga fshatrat e Korçës, dhe kur zunë të tërhiqnin familjarë e bashkëfshatarë tek propagandonin se “në Amerikë ka punë dhe fitohet”. Nuk po ndalemi në fillimet e emigracionit shqiptar në Amerikë, që kanë përbërë tashmë objekt studimesh serioze, por do deshëm të theksonim, bazuar te Konica, dy elementë të veçantë të emigracionit të hershëm ekonomik shqiptar.
E para, kurbeti ynë, historikisht, në brazdën e mbijetesës shqiptare, ka përbërë “një tragjedi familjare a fisnore”, mbushur me lot (kujtojmë “Moj e bukura More”),14 një sakrificë, një vajtje drejt së panjohurës, shpesh fatale.15 Dhe Konica, me lot në sy, citon te “Albania” në shkrimin e tij “Të gjeturit punë n’Europë” vargjet tragjike të Çajupit, kur thotë: “Qysh të vejë puna mbarë / Për të zeztë shqiptarë? / Shkretojnë Atdhenë, / Te perëndon dielli venë.” “Nëndë herë në dhietë – vijon ai -, jemi të fortësuar [detyruar], për të mirë të tyre, t’u këshillojmë [shqiptarëve] të mos tunden nga vendi”, ndonëse nënvizon që në fillim të shkrimit se “Shqiptari punon kur gjen punë”, dhe se “Në gjithë viset e botës, shohim bashkatdhetarë t’anë të vajtur për të punuar”.16 Kundërshtimin e tij që shqiptari të mos braktisë vatanin (guri i rëndë në vend të vet!) në kushtet konkrete të fillim-shekullit XX, Konica e argumenton gjatë dhe tepër realisht duke parashtruar rreziqet, vështirësitë, mjerimet që e presin “punëtorin shqiptar” (siç thotë ai), kur jashtë vendit “i huaji përgjithësisht nuk është i dashur e përgjithësisht shkon për i lik”, kur i huaji nuk njeh gjuhën, detyrohet të shesë lirë krahun e punës, diskriminohet në gjithçka, e mbi të gjitha nuk njeh “zanate te veçanta”. Për Konicën, zgjidhja ideale e kohës do të ishte që shqiptari të emigronte “në vise t’afërme – bie fjala n’Austie a gjetkë – të punojë pa fitim nonjë mot në një bushat17 [fshat] për të mësuar se si ritet e si shtohet bagëtia, si nxiret fitim andej”, si dhe “të mësojë methudhat [metodat] e bujqësisë të popujve të qytetëruar, e të kthehet pastaj në vendin t’onë”. Komentet për vlerën aktuale të këtij mësimi të madh konician në epokën e “emigrimit të trurit” janë më se të tepërta.
E dyta, kurbeti shqiptar, ka ruajtur përherë lidhjet e fuqishme me tokën mëmë dhe historikisht, krejt diaspora shqiptare në Europë e në kontinentin e ri,18 është përpjekur me sukses të organizohet e të ruajë frymën kombëtare dhe patriotike, të shndërrohet në dritare e atdheut me botën e përparimit dhe qytetërimit perëndimor, duke u bërë kësisoj mjeti përçues i ideve të reja. I lidhur fort pas diasporës shqiptare dhe figurave të ndritura të Rilindjes sonë, vetë Konica ishte i ndërgjegjshëm që në fillim për rolin politik madhor që do të luante emigracioni dhe diaspora shqiptare për fatet e vendit. Jo rastësisht e shohim atë, në shtator 1901, të shprehë një mendim të hollë filozofik, në polemikë me publicistin italian Ugo Ojetti, kur shkruan në frëngjisht: “Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, të lindur apo intelektuale”.19
Duke shfletuar gjithnjë “Albania-n”, shohim se kontakti i parë i Konicës me shqiptarët e Amerikës i bërë publik, do të ndodhë më 29 tetor 1901, kur ai mori letër nga një shqiptar i Bostonit me inicialet N.S.K. Me këtë rast, Konica shkruan: “Kemi edhe n’ Amerikë, e më tepër në Boston e në New York, disa shqiptarë. Të nxehtë e të vërtetë atdhetarë, këta vëllezër e kanë gjithnjë në Shqipëri zemrën. Shpesh na gëzojnë me letra e shumë herë na dërguan atdhetarisht ndihmën e tyre”.20 Del e qartë në këto radhë se Konica ka marrë letra dhe ndihmë (morale e materiale) nga të pakët shqiptarë të Amerikës që me botimin e numrave të parë të “Albania-s” në fund të shekullit XIX, pikërisht kur fillon e shkruan me entuziazëm për “Shtetet-e-Bashkuara t’Amerikës”. Tanimë, hapet te “Albania” një faqe e re kushtuar drejtpërdrejt diasporës shqiptare të Amerikës dhe çuditërisht, i njëjti shqiptar i Bostonit me inicialet N.S.K., si dërgoi fillimisht një vjershë kushtuar princit Aladro Kastrioti,21 (për nga gjuha që ai përdor në vargje, duket që është me origjinë nga zonat e Jugut), do të dërgonte më pas, po te “Albania”, edhe një tablo me ngjyra që paraqiste Skënderbeun duke çarë më dysh një dem me shpatë. Konica e boton këtë tablo te “Albania” dhe i kushton shkrimin “Palla e Skënderbeut”22 ku, në mënyrë të veçantë, përshkruan kapelen e lartë shqiptare që mbahej mbi krye nga stradiotët shqiptarë të Mesjetës. Këta stradiotë, thotë Konica, “quheshin ‘capelets’ [kapellasit]… emër [që] u ish dhënë prej kësullës së veçantë që kishin… [që] nuk ngjiste me as një tjatër…; ka qenë një kësullë e kuqe, e gjatë e e thyer, po thua si festia moriate.”23 Për fat të keq, ende nuk e dimë kush qëndron prapa inicialeve N.S.K. të shqiptarit të Bostonit, por dimë që tablonë e tij “Palla e Skënderbeut”, Aladro Katrioti e ka pasur në zyrën e tij të punës dhe mburrej me të.24
Vitet 1904-1905, shënojnë një etapë të veçantë në intensifikimin e marrëdhënieve të “Albania-s” me shqiptarët e Amerikës. Konica merr letra prej tyre dhe u dërgon jo vetëm “Albania-n”, por edhe libra që ka botuar vetë, sidomos “Hartën etnike të Shqipërisë”. Në nëntor 1904, ai jep lajmin se “Muarmë letra nga New Yorku. Mësojmë se shqiptarët qi ndodhen aty, të bashkuar e të nxehtë, s’e harrojnë atdhenë. Jo vetëm nuk e harrojnë, po përpiqen t’i bëjnë të mirë. U gëzuam, si do të gëzohen edhe të gjith’ atdhetarët e mirë”.25 Ndryshe nga kontaktet e para në rrafsh individual, e shohim Konicën përherë e më shumë të nënvizojë idenë e bashkimit dhe të organizmit të shqiptarëve të Amerikës dhe në shtator 1905, ai jep lajmin në frëngjisht se “Shqiptarët e Bostonit sapo themeluan një shoqëri. Parashikojnë gjithashtu botimin e një gazete në gjuhën shqipe. Shpresojmë që miqtë tanë do dinë ta vënë së shpejti në zbatim këtë projekt”.26 Po në këtë numër të gazetës së tij, Konica vë në dijeni lexuesin edhe se “Shoqëria shqiptare e Bostonit” kishte demaskuar në atë qytet një batakçi shqiptar të quajtur Leonidas Dossi, i cili hiqej si “agjenti kryesor politik i komiteteve shqiptare” dhe se, nën emrin “Shaban bej Goça”, kishte bërë mashtrime e vjedhje fillimisht në Londër (ku ishte demaskuar nga vetë Konica me shkrimin “Beware of Pick-pockets!”)27, dhe më pas në Boston. Konica, edhe një herë nuk e kursen penën e tij të ashpër për të demaskuar gjer në Boston Leonidha Dosin alias Shaban bej Goça, i cili, ashtu si Gaspër Jakova më parë nga Italia, u orvat të intrigojë në kurriz të Konicës dhe të gazetës “Albania”.28 “Për fatin e keq të “beut”, nënvizon Konica, ekzistojnë në Amerikë një mijë shqiptarë të cilët – të ushqyer me ndjenja kalorësiake të Shqipërisë së lashtë të virtytshme: ndershmëria, çiltërsia, kulti i fjalës së dhënë [besa], respekti ndaj mirëbesimit – u indinjuan nga ideja se një keqbërës i poshtër guxon të përdorë emrin shqiptar për të shpërdoruar dashamirësinë e njerëzve seriozë të lidhur me kauzën tonë.”29 E veçantë këtu është se Konica jep shifrën “një mijë shqiptarë në Amerikë” në vitin 1905, si dhe boton pjesë nga letra që ka marrë nga Bostoni prej “një atdhetari me ment, me zemrë e nder”, që firmos me inicialet S.P. [Sotir Peci], të cilin e shohim, në janar 1906, të shfaqet te “Albania” me emrin e tij të plotë si drejtor i gazetës “Kombi”.
Tanimë, një faqe e re çelet te “Albania” në marrëdhëniet e saj me “Kombin” e Bostonit dhe me pas, me Shoqërinë “Besa-Besën”, një faqe e ndritur, që do premtojë për një të ardhme të guximshme drejt “Vatrës” flakadane, e cila nuk do vonojë të themelohet nga binomi Noli-Konica. Nis kështu një etapë e dytë zhvillimi për vetë Rilindjen shqiptare në hovin e saj final drejt shpalljes së pavarësisë së vendit, drejt asaj mëvetësie kombëtare që kish kërkuar aq shumë mund, lot, gjak e sakrifica ndër shekuj.
II
Rastësi a nxitje, fakti është se “Shoqëria shqiptare e Bostonit” u themelua si një nevojë e domosdoshme menjëherë pas botimit në Amerikë – maj 1905 -, të një artikulli për shqiptarët nga filozofi dhe sociologu i shquar Max Nordau30, vepra kryesore e të cilit “Degjenerimi” do të bëhej më pas burim frymëzimi për mjaft autorë e artistë, si Wilde, Ibsen, Wagner e Niçe. Artikullin e tij për shqiptarët dhe kryesisht për tolerancën e tyre fetare, veç një organi qendror të New Yorkut, e botoi edhe “La Questione Albanese”, revistë arbëreshe që dilte në Buenos Aires. Konica do ta botojë te “Albania” këtë artikull, duke e cilësuar “të shkëlqyer”.30 Për më tepër që konkluzioni i filozofit Max Nordau ishte mjaft domethënës dhe frymëzues: “Anët sipërfaqësore, thotë ai, nuk kanë pasur asnjëherë vlerën më të vogël në sytë e shkipëtarëve; e megjithatë, tre gjëra kanë qenë për ta të shenjta e të paprekshme: pavarësia, gjuha, zakonet”.
Sidoqoftë, gjatë vitit 1906, shohim te “Albania”, me gjithë vonesën e akumuluar në kohë për botimin e numrave të saj, se gazeta “Kombi” do jetë përherë e më shumë në qendër të vëmendjes së Konicës, duke e ndjekur hap pas hapi në tematikën që trajton. Është koha kur Konica njërin sy fillon ta mbajë drejt kontinentit të ri si një dritare perspektivash të reja për lëvizjen patriotike. Dhe ka arsye.
Në janar 1906, ai boton te “Albania” kryeartikullin e numrit të parë të “Kombit”31, që shpalos programin e “Shoqërisë shqiptare të Bostonit” dhe të vetë organit të saj, konkretisht: t’i vihet në ndihmë kombit shqiptar në robëri, që të fitojë të drejtat e tij në botën e qytetëruar; të përpiqet për përparimin e çështjes politike dhe për lërimin e gjuhës shqipe; të nxisë e të mbështesë gjithë atdhetarët për arritjen e këtyre qëllimeve, duke treguar rreziqet e kombit prej intrigave të armiqve; dhe më në fund, të ndezë frymën patriotike në radhët e shqiptarëve kudo në botë.32 Konica boton me këtë rast edhe titujt e nëntë artikujve të numrit të parë të “Kombit”, ku na bën përshtypje sidomos titulli “Dardharët e Bostonit”, që flet për vetë thelbin dhe themelin e kolonisë së parë shqiptare më të hershme në Boston.
I ndërgjegjshëm për ndikimin e madh të “Albania-s” 10-vjeçare në Shqipëri, në Europë e gjer në Misir të Egjiptit, Konica ka në këtë kohë gjeninë për ta mbështetur fuqimisht, me forcën e penës, lindjen e një organi të ri shqiptar në kontinentin e ri, ka parandjenjën dhe vetë ndjenjën se qendra e lëvizjes patriotike shqiptare shumë shpejt do të zhvendosej drejt diasporës së re shqiptare në lindje e sipër. Veçanërisht, atij i bën përshtypje dhe propagandon me të madhe lajmin se “disa shqiptarë u nisnë nga Amerika të venë të luftojnë në Shqipëri për çlirim t’atdheut”. Do kemi këtu fillesën e asaj dukurie patriotike tipike vatrane kur, sa herë atdheu ishte në rrezik të madh dhe kish nevojë për njerëzit e saj të shquar, “Vatra” do ndodhej e gjithëfuqishme dhe e pranishme për të ndihmuar konkretisht Shqipërinë në mëkëmbje e në hall. Nga ana tjetër, Konica bën këtu një prezantim të bukur të drejtorit të “Kombit”, patriotit Sotir Peci, kur vë në dijeni lexuesin se veç formimit të tij me shkollë të lartë, është një “njeri qi mentohet me trut’e tija, jo me trut’e botës. Si atdhetar, e njohin dhe e lëvdojnë të gjithë kombëtarët e vërtetë.”32 Por çka e entuziazmon edhe më shumë Konicën, është “abeja e Bashkimit” që përdor “Kombi” i ri, sivëllai i “Albania-s”, kur dihet se alfabeti i “Shoqërisë Bashkimi” ishte bërë tashmë vija e demarkacionit që ndante ithtarët pro perëndimorë nga ata pro lindorë për një alfabet të unifikuar. Konica e mbyll prezantimin e tij për “Kombin” me një thirrje të fuqishme që të mbështetet organi i ri si një “fletë luftonjëse, e cila ka për të bërë punë të vërtetë. Ahere ndihini! Atdhesia nuk shfaqet me fjalë.”33
Numrat 2-8, të periudhës shkurt-gusht 1906 të “Albania-s” kanë secili të pasqyruar rregullisht kryeartikuj e artikuj nga “Kombi”. Tre çështje të veçanta për t’u shënuar në këto numra:
- a) Sotir Peci boton, krahas “Kombit” dyjavor, edhe një “Methodë për të mësuar gjuhën engleshçe” (110 faqe), libër që e përmbush fort mirë, thotë Konica, qëllimin e tij që “është për të vënë në duar të shqiptarëve që venë në Amerikë veglën e nevojshme për të nxënë fjalët englize më të përdorura në jetë të përditshme”;
- b) Konica sheh te “Kombi” i Bostonit dhe te “Shpresa” e Raguzës, krahas “Albania-s” së tij, një përparim të madh të “abesë së Bashkimit”, kur vetëm “Drita” e Sofjes vazhdon të përdorë alfabetin e Stambollit. Dhe thekson me këtë rast se përdorimi i “alfabetit të Bashkimit” nga tre organe të rëndësishme të gjuhës shqipe, është bërë “vetvetiu”, në mënyrë spontane, sepse tre drejtorët e këtyre organeve nuk njihen “në praktikë në mes të tyre dhe çështja e abesë as që është zënë me gojë”.34 Konicës i jepet këtu rasti të bëjë një historik të bukur të çështjes së alfabetit shqip, por mbi të gjitha, të përcaktojë sërish çështjet urgjente shtruar për zgjidhje përpara shqiptarëve: “Abeja, orgthografia, të bërët e një gjuhe letrare, të mbajturit e tërësisë s’atdheut, mjeti si të përparojmë kombin dhe si të zgjidhim krizin ekonomik të vendit”.35 E për të kurorëzuar gjithçka në fushën e gjuhësisë, Konica i dedikon Sotir Pecit shkrimin e bukur me theks aktual për kohën: “Themeli i çdo përparimi dhe çështja e abesë” ku, pasi bën një historik të shqipes së shkruar që nga koha e Budit dhe e Bogdanit, nënvizon idenë se problemi i shkrimit të gjuhës shqipe është një problem i karakterit kombëtar dhe ndjek “ligjin e vazhdimësisë”, apo siç shprehet ai, “kanunin e gjurmimit”.36
- c) Konica prezanton për herë të parë te lexuesi i “Albania-s” dhe kudo, tek të gjithë shqiptarët, Ali Baba Qytezën (Fan S. Nolin), i cili kishte përkthyer në shqip pjesë nga “Kështu foli Zarathustra” të Nietzche’s, botuar te “Kombi” nga fundi i vitit 1906. Dhe ja Konica, që thotë fjalët e para për të: “Ali Baba Qyteza është i pari bashkëpunëtor i fletës, edhe drejtori i “Kombit” zgjodhi mirë37… Ali Baba Qyteza përdor një shqipe të lidhur e të gjallë”38. Është me interes këtu të vihet në dukje se që 20-21 vjeç, Noli e kishte përpirë tashmë krejt “Albania-n” e Konicës që kur kishte qenë në Misir, e njihte mirë nga larg pikërisht atë që do bëhej për të mësues, model erudicioni dhe koleg; mbi të gjitha, të dy nuk do vononin të bëheshin bashkëthemelues të “Vatrës” dhe shokë armësh e Kalorës të Kryqëzatës Kombëtare39. Shumë shpejt, që në fillim madje, edhe vetë Konica do ta pikaste shpirtin patriotik dhe talentin organizativ të Nolit, krahas penës së tij mjeshtërore si përkthyes, publicist, studiues, e mbi të gjitha si krijues letrar e poet.
Në këtë periudhë, 1906-1907, duke marrë shkas nga një letër e një bashkatdhetari korçar dërguar te “Kombi”, Sotir Peci boton në disa numra radhazi kryeartikuj që trajtonin çështjen delikate të besimeve fetare në Shqipëri, duke përkrahur idenë se përballë rrezikut turk e grek që përdorin fenë për të mohuar kombin shqiptar, mund të kërkohej një “zgjidhje e detyrueshme nga halli” në ndryshimin e fesë (ose unite, d.m.th. bashkim me Kishën e Romës, ose protestante), edhe pse “shqiptarët nuk e nderojnë atë që ndërron fe” dhe shohin në të një “tradhësi politike”.40
Mbi një bazë më të gjerë mendimesh të shprehura për këtë çështje (te “Kombi”, “Shqipëria” e Misirit dhe “Mendime të një atdhetari gegë përmi punët e Kombit”, Konica, me një qartësi të përkryer, habitëse, vendos pikat mbi -i- falë shkrimit të tij “Çështja fetare në Shqipëri”. Argumenton fuqishëm përse ai vetë është kundër ndryshimit fetar, në një kohë kur çështja e kombit qëndron mbi fetë, kur historikisht nuk ka pasur asnjëherë në Shqipëri lëvizje fetare dhe kur vetë dasitë fetare janë karakterizuar përherë nga toleranca shembullore historike. “Fetë në të cilat është i ndarë kombi shqiptar, thekson ai, kanë arritur që me kohë në një “modus vivendi” të pa-turbulluar” dhe “… çështja e parë, e më me rëndësi, çështja shqipe “par excellence” është bashkimi dhe çlirimi i Kombit”.41
Nga ana tjetër, nuk mund të lëmë këtu pa përmendur një faktor goxha të rëndësishëm që Konica e parashtron me forcë dhe që ka të bëjë me emancipimin e shoqërisë shqiptare të kohës së djeshme e të sotme. Ky faktor është pikërisht “…gruaja, e cila në Shqipëri, më tepër se gjetkë, ka një fuqi aq të madhe në formimin e ndjenjave dhe të mendimeve të njerëzies, sa ka qenë gjithnjë kundër islamizmit, se gruaja shqiptare, që në kohë të para, me një instinkt të pa-lajthitur [të pagabuar], ndjeu se islamizmi me poligamien dhe me ndarjen (divorcin) – aq të lehtë sa mund ta çporrsh një grua të kanunëshme posi një shërbëtore – ish i rrezikshëm për të drejtat e gruas dhe shenjtërinë e familjes”. Ja do fjalë të arta koniciane, si dinte veç ai të shprehej, e me theks tepër aktual kundër fanatikëve të sotëm fetarë. (E le të kujtojmë shkarazi këtu, në parantezë, se do të ishte nëna e tij, Zeliha Delvina-Konica, ajo që do të këmbëngulte fort në familje që djelmoshat adoleshentë Konica të merrnin që herët arsim e kulturë perëndimore, t’i kishin sytë nga Perëndimi i përparuar dhe jo nga Orienti i turkoshakëve, i mustaqemëdhenjve konservatorë shqipo të lidhur pas Turqisë së titujve e gradave. Sepse, siç thotë bukur e fuqishëm Dora d’Istria: vetë “Burrat lindin nga Gratë”!)
Po le ti t’i kthehemi shkrimit të Konicës për çështjen fetare, ku nënvizon një ide madhore, madhështore, do thoshim, që do t’i çelte perspektiva të ndritura vetë kishës ortodokse shqiptare autoqefale. Dy pengesa të mëdha u dilnin përpara ortodoksëve shqiptarë të Amerikës : kisha greke që nuk pranonte ortodoksët shqiptarë pa u deklaruar “subjekte grekë” dhe shfaqja e një protestantizmi artificial që mund të përçante radhët e tyre (Kristaq Dako, si kish përqafuar protestantizmin, ishte bërë prift dhe propagandonte ndërrimin e besimit tek ortodoksët shqiptarë të Jamestown N.Y.), “udhë që në vent të dobisë, thotë Konica, sjell dëm në çështjen t’onë dhe e largon njerëzinë”.42
Duke e trajtuar çështjen me themel, Konica fokusohet drejtpërdrejt në ortodoksinë shqiptare, dhe i bën jehonë pikërisht zërit të “ortodoksëve atdhetarë”, siç i quan ai që, as më shumë, as më pak, DUAN TË MBETEN THJESHT ORTODOKSË por, “ashtu si Rumunët dhe si Bullgarët, DUKE U NDARË ME GREKËT DHE DUKE BËRË NJË KISHË MË VETE.” Pra autoqefale. Ide gjeniale! Ide që do çelte tashmë rrugën e njohur kur Noli do thërritej nga Historia për të luajtur rolin e tij të peshkopit të pashembullt, me nismën që ndërmori në shkurt 1908, për t’u lidhur me Platonin, kryepeshkopin rus, e për të themeluar Kishën ortodokse autoqefale shqiptare në kërthizë të Amerikës !
Nuk do vonojë dhe do shohim Nolin, flakë e shpuzë djaloshar, t’i dërgojë “Albania-s” për botim që nga Bostoni, aty nga fundi i vitit 1907, artikullin e tij “Jo lundërthyerit.”44 Noli vë drejtpërdrejt gishtin mbi plagë, duke pyetur pse çështja shqiptare ende nuk po zgjidhej 30 vjet pas Lidhjes së Prizrenit. Dhe për këtë fajëson parinë shqiptare që s’ka ide dhe është e pavetëdijshme për rolin udhëheqës: “Kur s’ka ide te paria, s’ka ide në popull”, thotë ai, duke e parë zgjidhjen e çështjes shqiptare te organizimi i popullit dhe kryengritja e armatosur, kur koha e kërkonte tanimë një udhëheqës të shquar, një Skënderbe të dytë. “Eja o Zot mbi kohën, o zot mbi njerëzinë, o trim flamurtar i Shqipërisë, se u lodhmë nga lundërthyerit… Ngreje pallën dhe urdhëro të vijë kohë e çlirimit, urdhëro njerëzinë të të vijë pas!”45
Çuditërisht, menjëherë në numrin pasardhës të “Albania-s”do shohim Faik Konicën t’i bëjë jo vetëm një skaner krejt artikullit të gjatë të Nolit, por edhe t’i vërë fre hoveve të tij djaloshare në zjarrin patriotik të shpirtit. Me urtësi, largpamësi e realizëm, bazuar në elementë të historisë, psikologjisë shoqërore dhe të akteve juridike ndërkombëtare, Konica shpjegon se “liri e Shqipërisë do të thotë ta bëjmë Shqipërinë një shtet”, dhe në këtë rast, “Trajtimi i një shteti është një e bërë ndërkombëtare, një “acte internacional”, sepse nuk mjafton që një komb t’i thotë vetes shtet, por duhet ta njohin edhe shtetet e tjera si të tillë”.46 Për më tej, vijon ai, një popull duhet të arrijë në lartësinë e dinjitetit shtetëror për të realizuar detyra të rënda vetëqeverisjeje, duhet të arrijë shkallë të lartë qytetarie e, mbi të gjitha, të ketë aleatë të fuqishëm, apo siç i quan Konica “mbronjëtorë të shëndoshë”. Për të, “qytetari do të thotë disiplinim” (sot e quajmë “shtet ligjor”), nga ku nevoja e domosdoshme që ai predikoi për të sajtën herë: “Stërvitja mendore e popullit shqiptar”. Dhe, në fazën e agonisë të sëmurit të Bosforit, kjo arrihet – krahas dashurisë për gjuhën shqipe si shenjë e gjallë e njësisë kombëtare -, “duke zgjuar në zemrë të shqiptarit ndjenjat e besës e të drejtësisë, duke luftuar ato egërsira, poshtërsia dhe vogëlira… duke i bërë bashkatdhetarët tanë të kuptojnë se ka në jetë punë më të bukura se vrasja nga prapa, shtypja e të dobëtit, vjedhja, çpifja, dinakëria”, duke u shkëputur shoqërinë nga koha e Gasparëve, Dossëve, Hasan Çaushëve dhe Demir Onbashëve, nga koha e batakçinjve, “e shqiptarëve të putanësuar në shkollë politike të turkut”,47 nga koha e dudumëve që u pasua nga dumbabët!
“Stërvitja mendore e popullit”, arritja e një shkalle të lartë qytetarie e qytetërimi, në rrafsh individual e kombëtar, me model perëndimor, që nënkupton në vetvete ndërtimin e shtetit të sotëm ligjor dhe shtetit të së drejtës, – ja çelësi i artë konician i përparimit aq të mirëpritur të kombit tonë, shprehur me forcë gjeniale këtu e njëqind vjet më parë, me bukuri e rezonancë të fuqishme aktuale, ku gjen përgjigjen e duhur vetë pyetja “kur do bëhet edhe kombi ynë si Europa dhe bota e qytetëruar?” Lypsej një gjakftohtësi e largpamësi koniciane për ta tejkaluar militantizmin e thjeshtë “Oburra shqiptarë!” përsëritur sa herë në historinë tonë tragjike, dhe për të zbuluar shkakun e vërtetë përse tërë ai gjak shqiptar i derdhur gjer atëherë nuk ishte kurorëzuar me fitore.
Pas “përgjigjes” që mori, Nolit s’i mbetej veç t’i hiqte kapelën atij Mësonjësi të Madh Modern të Kombit që ishte Konica, dhe lidhja e të dyve do vinte duke u konsoliduar. Për më tepër që Konica, që në fillim të artikullit “Udha e çlirimit” e vlerëson Nolin për shqipen e hijshme që përdor “gjithnjë e bukur në formë, por edhe shpesh e shëndoshë në mendime”, e vlerëson sidomos si stilist. Dhe shpejt do e shohim Nolin t’i hyjë udhës së “shpirtërores” si udhë emancipimi shoqëror, duke zgjidhur e ndërmarrë, me parashikim konician, dy çështje: si problemin e mëvetësisë në ortodoksinë shqiptare, ashtu dhe problemin e edukimit të vazhdueshëm shpirtëror e patriotik të mbarë kombit në atë fazë ultime të Rilindjes shqiptare.
Numri 2, i “Albania-s 1907”, që përkon me periudhën shkurt-mars 1908, i kushtohet ngadhënjimit të Nolit në krye të Kishës ortodokse shqiptare dhe Konica, para se të japë të plotë fjalën e Nolit në meshën e tij të parë, shoqëruar me një foto të bukur të peshkopit shqiptar, nënvizon me një paragraf hyrës rëndësinë historike të këtij Akti të madh: “Të përzgjedhurit e të Nd. Fan S. Nolit prej shqiptarëve t’Amerikës dhe t’urdhëruarit e tij si prift prej kryepeshkopit rus të New-Yorkut, është një e ngjarë për të vënë re, rëndësirën e së cilës bota do ta kuptojnë më mirë në disa vjet.”48
Po në këtë numër, Konica e jep lajmin edhe në frëngjisht për publikun e huaj, duke e vënë në dijeni se ka botuar në pjesën shqipe të “Albania-s” “Mesazhin e Nolit drejtuar kombit shqiptar”, se Noli në një ceremoni të dytë “pagëzoi një vajzë të vogël dhe bekoi një çift shqiptarësh, si një fillim i bukur i karrierës së tij kishtare”, se “Noli ka përgatitur për botim librin e lutjeve në shqip” dhe se më në fund, “shqiptarët nga Filadelfia e gjetkë në Amerikë po gatiten të presin krahëhapët e me entuziazëm Nolin, mikun tonë, i cili do nisë turneun e vet në fund të muajit mars”.49
Kulmi i këtij hovi të parë atdhetar nolian dhe i këtij entuziazmi të paparë mes shqiptarëve të Amerikës, të rigjallëruar tashmë shpirtërisht e patriotikisht, do arrihej me meshën e Nolit ditën e Shën-Gjergjit, më 6 maj 1908. Konica e titullon “Skënderbeu” fjalën e Nolit në këtë meshë dhe para se ta japë të plotë, nënvizon: “Më 6 të majit, ditën e Shën-Gjergjit, e cila po njihet ngadalë për e kremtia kombëtare e gjithë shqiptarëve, sikundër ka qenë kurdoherë e kremtia vendore e myslimanëve dhe e krishterëve të shumë viseve të Shqipërisë së mesme e së poshtme, – i Përnd. Fan S. Noli, përpara pikturës së kuroruar me tule të mbretit të pavdekshëm t’onë Gjergj Kastriotit, tha një fjalë të bukur, tekstin e së cilës jemi fatmirë që mundim ta botojmë in- extenso këtu më poshtë”.50
Në faqet frëngjisht që shoqërojnë po këtë numër, në rubrikën “Shënime”, Konica pasqyron bukur turneun e Nolit në SHBA mes shqiptarëve atdhetarë, duke theksuar mbi të gjitha karakterin patriotik, mbarëkombëtar e mbarëfetar të kësaj veprimtarie”. “I Përnd. Fan S. Noli, – shkruan Konica – ka nisur një turne nëpër Amerikë për të hyrë në lidhje me të gjithë miqtë e tij. Kudo është pritur me po aq entuziazëm sa dhe respekt, dhe nuk janë vetëm bashkëpatriotët tanë që nxitojnë për të marrë pjesë në meshën dhe predikimin në gjuhën shqipe, por edhe, në shenjë simpatie, një numër i madh armenësh, bullgarësh e sirianësh. Shihen madje edhe ndoca grekë, të shtyrë nga një kërshëri armiqësore, por gjithë mirësjellje. Çka shquhet në këtë mes, dhe që do t’i japë një shtysë të re lëvizjes nga pikëpamja kombëtare, është qëndrimi i çiltër miqësor i shqiptarëve myslimanë. Shumë prej tyre i kërkojnë mikut tonë bekimin dhe të tjerë i puthin dorën. Dhe duhet nënvizuar se bëhet fjalë për njerëz nga populli dhe dashuria e tyre është mbi të gjitha sa e çmuar, aq edhe e vetvetishme.”51
Në kushtet e reja të krijuara gjatë vitit 1908, qoftë në diasporën shqiptare të Amerikës, qoftë në perandorinë osmane, kur xhonturqit shpallën kushtetutën e tyre dhe bënë premtime të mëdha për fatet e Shqipërisë, e shohim Konicën, në numrin e parafundit të “Albania-s”, në një udhëkryq vendimmarrjeje: në duhej apo jo ta vazhdonte “Albania-n” e tij – në Shqipëri a gjetkë -, apo në duhej të tërhiqej plotësisht e përfundimisht nga veprimtaria e tij patriotike e gjeratëhershme: “Mendimi im i parë, thotë ai, ish … ta pushoja të Përkohshmen [Albania-n] dhe të hiqesha fare nga punët shqiptare. Por, këshillat miqësisht të cave, lutjet patriotike të të tjerëve më bëjtin të ndryshoj mendim”.52 Ja një sinjal që Noli në Boston do dinte aq bukur ta përthithte për t’i zgjatur dorën Konicës e për ta tërhequr gjeniun shqiptar në Amerikë, për t’u shndërruar shpejt të dy në binom Noli-Konica, në bashkëthemelues të “Vartës” dhe drejtues të “Diellit”. Kemi në këtë rast të drejtë të themi se dora që i nderi Noli Konicës ishte vetë nderi e nderimi që i bënte Patriku i parë shqiptar Atit të “Albania-s”, ishte gjesti shpëtimtar për vijimin e Rilindjes shqiptare në fazën e saj përfundimtare të krijimit dhe mëkëmbjes së shtetit të parë shqiptar, kur bashkërisht, në unitet, të dy do realizonin dy mrekullitë e diasporës shqiptare në SHBA, institucionet e flakta patriotike që vazhdojnë veprimtarinë e tyre sot e kësaj dite. Sepse, pa Nolin, në fund të fundit, hajt t’i dihej fati gjeniut shqiptar Konica, në Paris pranë Apolinerit dhe shokëve të tij simbolistë, në ndonjë katedër të shqipes a të sanskritishtes në Sorbonë a në Gratz, në ndonjë organ madhor të vetë Londrës a Parisit, apo makar pranë gjermanes së tij bukuroshe Antonia (mikesha e tij e dytë në Londër), kur dihet se me poliglotizmin dhe erudicionin e tij fantastik, me mendjen gjeniale që kishte, AI hante bukë kudo. Po një gjë ama, do të ishte e sigurt: Shqipëria, në atë rast, do kish humbur përgjithmonë gjeniun e vet, atë Konicë të pazëvendësueshëm për forcën e fjalës, penës dhe veprimit apo, të paktën, do humbiste kryediplomatin e saj të paarritshëm.
Dhe si një finale wagneriane, te numri i fundit i “Albania-s” (prill 1909) shohim Faik Fisnik Konicën të përshëndesë me entuziazëm daljen e numrit të parë të “Diellit” në Boston, si dhe të porosisë te miqtë e tij në Vjenë kostumin shqiptar, me fustanellë, qylaf të bardhë e brez të mëndafshtë të kuq, për t’u paraqitur shqiptarisht e krenarisht mes miqve të rinj vatranë. Porta e Amerikës po hapej për të. Noli po e priste krahëhapur.
1 “Albania”, 30 janar 1898, nr. 9, A, f. 199.
2 “Albania”, nr. 6, 30 shtator, 1897, A., f. 94; mars 1903, vëll. H, f. 35.
3 “Albania”, C, 15-30 shtator, 1899, f. 147.
4 “Albania”, gusht 1904, vëll. I, f, 157;
5 “Albania”, 20 qershor 1901, etj.
6 “Albania”, 15-30 prill 1899, “Të dreqtat e grave”, f. 60-61.
7 “Albania”, qershor 1902, vëll. G, f. 140.
8 “Albania”, nr. 9, 30 janar 1898, vëll. A, f.155. Në një letër Konica i dërgon I. Temos nga Brukseli më 6 mars 1898, ai shkruan: ” Njoha një Kuban, i cili më tha që komitetet e tyre po punojnë që më 1863, do me thënë 35 vjet…” ( F. Konica, Vepra 4, f. 50, bot. Dudaj, 2001). Me këtë rast, nuk mungojnë te “Albania” thirrjet e Konicës që populli shqiptar të ngrihet kundër pushtuesit osman duke marrë shembull nga populli kuban, i cili arriti të fitojë pavarësinë e tij në luftë kundër pushtuesit spanjoll.
9 “Albania”, 15-30 korrik 1898, nr. 16, B. f. 60.
10 Anton Çefa, “Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni”, “Dielli”, 11 shtator 2014.
11 “Madhësia Kombëtare”, Roosevelt, “Albania”, gusht 1902, nr. 7, viti 6, G, f. 179.
12 “Albania”, nëntor 1903, nr. 11, viti 7, H. f. 163.
13 “Albania”, 15-30 qershor 1898, vëll. C, f. 100. Në këtë shkrim trajtohet kryesisht emigracioni në Republikën e Argjentinës, që Konica e quan “Komb-republika Ergjendare”. Numërohen në këtë vend, thotë ai, ndër të tjerë, edhe “1503 Turq a prej të Turqisë”, duke pasur këtu parasysh emigrantë nga Turqia europiane, përfshirë edhe Shqipërinë.
14 Është e njohur tashmë se ndër pasagjerët e Titanikut, që i mbijetuan tragjedisë së mbytjes natën e 14 prillit 1912 kishte të regjistruar edhe shqiptarë, si Ilo Deti nga Vithkuqi, dhe vëllezërit Tullga po nga Korça.
15 Ndërkohë që Viktor Hygo shfaq te vepra e tij “Rhini”, një familje të tërë fshatare franceze në mesin e dytë të shekullit XIX të emigronte drejt Kanadasë me këngë në gojë, drejt një jete të re, plot optimizëm të veçantë.
16 “Albania” nr.8, gusht 1903, viti 7, vëll. H, f. 119-122.
17 Neologjizëm krijuar nga Konica duke bashkuar termin frëngjisht “bourg” me “fshat”, për të dhënë të barasvlershmin shqip të termit frëngjisht “ferme” (fermë).
18 Domosdo edhe në Orient, në Egjipt (Misir) e Siri dhe në krejt ish perandorinë osmane, sidomos në diasporën historike arbëreshe (Itali e Greqi).
19 “Albania”, 15 shtator 1901, nr. 9, viti V, vell. F, f.144.
20 “Albania”, 15 nëntor 1901, nr. 1, viti V, vëll. F, f. 171-172. Sipas “Tirana Observer”, deri në viti 1900 përllogariteshin 42 shqiptarë në SHBA, kryesisht në Massachusetts. http://lajmetshqip.com/shqiptaret-qe-iken-ne-shba-nga-viti-1900-1932-lista-e-plote/
21 Po aty. Princi spanjoll Aladro Kastrioti, që pretendonte se ishte me gjak kastriotas apo “Stërnip i Skënderbeut”, mori përisipër nga fundi i vitit 1901 të financonte “Hartën e Shqipërisë etnike” konceptuar nga Faik Konica, si dhe themeloi “Çmimin Skënderbeg” që do të jepej çdo vit për shqiptarin që do të ndihmonte më shumë çështjen shqiptare në fushën e Letrave, artit dhe propagandës kombëtare.
22 “Albania”, mars 1902, nr. 3, vëll. G, f. 61-62.
23 Po aty.
24 Është e njohur se Aladro Kastrioti ka qenë një koleksionist i madh veprash arti (sidomos me tematikë shqiptare) dhe nga hulumtimet që kemi bërë, na del se në zyrën e tij të punës, ai ka pasur, veç portreteve të tij të shumta me veshje shqiptare, edhe një medaljon të veçantë me portretin e Skënderbeut, krahas tablosë “Palla e Skënderbeut” dhe një numër tablosh për Skënderbeun nga Theohar Gjini, të cilat ai i botoi më vete, edhe si kartolina. Tablonë “Palla e Skënderbeut” e kemi gjetur të botuar në revistën franceze “Soleil du Dimanche”, 7 qershor 1903, të dhënë për botim pikërisht nga Aladro Kastrioti, duke i bërë reklamë vetes si “princ i Shqipërisë”.
25 “Albania”, nr. 11, nëntor 1904, viti 8, vëll. I, f. 216.
26 “Albania”, , nr. 9, shtator 1905, vëll. IX, f. 183.
27 “Albania”, viti 8, prill 1904, nr. 4, f. 86.
28 “Qindra letra që kam marrë – shkruan Konica -, kundër këtij zuzari të qelbur e të krimbur më provojnë se çdo shqiptar është në një mendje me mua. Arrin të ketë pak ment njeriu për të kuptuar se të bërat e këtij zgjebaraku i bëjnë dëm të math Shqipërisë, i mbyllin dyert shqiptarëve qi duan të gjejnë punë a të tregëtojnë në vise të huaja, ftohin miqësinë e botës së qytetëruar për ne, e më në fund, e çnderojnë emrin e pëlqyer të bashkatdhetarëve të Skënderbeut”. (“Albania”, bot. cit. Shtator 1905; f. 180-181.)
29 “Albania”, nr. 9, shtator 1905, vëll. IX, f. 184.
30 Max Nordau (1849-1923), hebre gjerman, një nga themeluesit e mëdhenj të sionizmit, si lëvizje emancipuese për popullin hebre.
30 “Albania”, nr. 5, maj 1905, vëll. IX, f. 104-105. Në vija të trasha, artikulli nënvizon se “shqiptarët kanë ndërruar fe shumë herë…, se askush prej tyre nuk e di se çfarë beson me të vërtetë në thellësi të zemrës… se ruajnë tradita e rite, përherë të njëjtat që i quajnë sa pagane, aq edhe të krishtera apo myslimane… por që janë në fund të fundit besime popullore të njëjtat, duke iu përmbajtur zakoneve shumë të lashta”.
31 Numri i parë i “Kombit” doli në fakt, në qershor 1906, ndërsa “Albania, nr. 1, janar 1906” kishte një vonesë botimi mbi gjashtë muaj, gjë që shpjegon mospërputhjen e lajmit. .
32 “Albania”, nr. 1, janar 1906, viti 10, vëll. X, f. 21.
32 Po aty, f. 22.
33 Po aty.
34 “Albania”, nr. 4, prill 1906, viti10, vëll. X, f. 59.
35 Po aty, f. 61.
36 “Albania”, nr. 6, qershor 1906, viti 10, vëll. X, f. 119-124.
37 Fan Noli shumë shpejt do të bëhej zv. Kryeredaktor I gazetës “Kombi”.
38 Në një shënim të shkurtër në frëngjisht te “Albania” e tetor-dhjetorit 1906, nr. 10-12, f. 218, Konica e prezanton Nolin te lexuesi shqiptar e i huaj si njeri me “kulturë të lartë”, si autor i dramës në prozë “Izraelitë e filistinë”, që “shkruan një shqipe plot nerv e muskloze”.
39 Sipas përkushtimi të Nolit për Faik Konicën me rastin e përkthimit prej tij të poemës “Skënderbeu” të Henry Wardsworth Longfellow, Boston 1916.
40 “Albania”, viti 10, nr. 7, korrik 1906, f. 146.
41 Po aty, f. 144.
42 “Albania”, nr. 10-12, tetor-dhjetor 1906, f. 213.
44 Konica jep shpjegimin e fjalës “lundërthyer” – të mbijetuarit nga mbytja e anijes. Konkretisht është fjala për parinë e korruptuar shqiptare, që kërkon të shpëtojë nga mbytja e anijes “Turqi”, apo nga i “sëmuri i Bosforit”. “Albania”, viti 10, nr 9, shtator 1906, f. 174, vëll. X.
45 Po aty, f. 178.
46 “Albania” nr. 10-12, f. 198-200.
47 “Albania” nr 1, janar 1907
48 “Albania”, nr. 2, 1907, viti 11, f. 35.
49 Po aty, f. 45.
50 “Albania”, nr. 6, 15 qershor 1908, f. 51-54.
51 Po aty, f. 66.
52 Nënvizimi ynë me kapitale. “Albania”, nr. 5 – 1907, viti 11, f. 89.
Studim i pazevendesueshem nga Fotaq Andrea per dijetarin e pazevendesueshem Faik Konica.
Urime z. Andrea. Fletoret e tua Koniciane po na sjellim materiale interesante te trajtuara me profesionalizem e gjuhe mjeshterore.
Mezi po presim botimin e vellimit me dy romanet e Faik Konices perkthyer shqip prej jush me nje hyrje studimore si dhe permbledhjen “Fletore Koniciane”.
Ju faleminderit te nderuar,
dhe falenderoj Vatren qe celi kete dritare
me vitin Konica,
Fotaq