

Artan Nati/
Festivali i librit është çasti solemn ku fjala e shkruar ngrihet në lartësinë e një atdheu të përkohshëm. Ky festival librit i organizuar ne New York nga Varta’ nuk u zhvillua për pushtet, por për vetëdije, jo për zhurmë, por për mendim, jo për lavdi të rreme, por për dinjitet kulturor. Arsyeja është e thjeshtë: diaspora nuk jeton vetëm nga ekonomia, por nga kultura dhe nuk vlerësohet vetëm nga remitancat, por nga idetë. Idetë ushqejnë shpirtin, shpirti formon mendimin, mendimi ngre kombin – kjo ishte arsyeja kryesore e festivalit të organizuar nga Vatra. Në këtë ngjarje, diaspora dëshmon se nuk është vetëm burim remitancash ekonomike, por një burim i fuqishëm kapitali kulturor, shpirtëror dhe intelektual.
Festivali i librit në diasporë “Albanian BookFest” është prova më e qartë se identiteti kombëtar nuk mbahet gjallë vetëm me kujtime dhe mall, por me ide, me mendim kritik dhe me krijimtari. Aty ku libri kthehet në ngjarje, diaspora pushon së qeni thjesht një largësi gjeografike dhe shndërrohet në hapësirë ideore, ku Shqipëria dhe shqiptaria rimendojnë veten përtej kufijve. Në thelb, ky festival nuk është thjesht një panair botimesh, por një tribunë e hapur kombëtare. Është vendtakimi i autorëve të diasporës me ata të vendit amë, një urë jetike mes përvojës së ikjes dhe realitetit të qëndrimit. Këtu, përvoja e emigrimit rishkruhet në gjuhën e letërsisë, të filozofisë dhe të reflektimit politik, duke i dhënë zë një Shqipërie që mendon nga larg, por ndjen nga afër.
Njëkohësisht, festivali i librit në diasporë shërben si pasqyrë kritike e shoqërisë së origjinës. Shpesh është diaspora ajo që flet më lirshëm për atdheun, sepse distanca i jep guximin e së vërtetës dhe qartësinë e mendimit. Prandaj, ky festival nuk është vetëm festë e librit, por akt patriotik i vetëdijes kombëtare, ku fjala e lirë dhe kultura bëhen forma më e lartë e atdhedashurisë.
Pyetja se kush duhet ta organizojë Festivalin e Librit në diasporë nuk është thjesht çështje organizative, por çështje vizioni kombëtar. Pse “Vatra” dhe jo një shoqatë e ngushtë shkrimtarësh shqiptaro-amerikanë? Sepse Festivali i Librit nuk është aktivitet korporativ i një rrethi profesional, por ngjarje publike e gjithë diasporës. Vatra, si institucioni më i vjetër dhe më simbolik i diasporës shqiptare në SHBA, përfaqëson jo vetëm shkrimtarët, por kombin në mërgim. Ajo lindi si vatër mendimi, shtypi, gjuhe dhe atdhedashurie, si hapësirë ku libri, politika dhe çështja kombëtare ecën krah për krah. Pikërisht për këtë arsye, një festival libri nën ombrellën e Vatrës nuk do të ishte pronë e askujt dhe do të ishte pronë e të gjithëve.
Shoqatat e shkrimtarëve, sado të respektueshme, kanë natyrë më të kufizuar: ato përfaqësojnë autorë, jo lexuesin e gjerë, krijuesit, jo komunitetin në tërësi. Një festival libri kërkon më shumë se letërsi: kërkon publik, kërkon debat qytetar, kërkon histori, gjuhë, identitet dhe vizion kombëtar. Këto janë fusha ku një organizatë ombrellë si Vatra ka legjitimitet historik dhe autoritet moral.
Organizata më e përshtatshme për të organizuar një festival libri në diasporë është ajo që ka përfaqësim të gjerë komunitar, kredibilitet historik, neutralitet ndaj klaneve kulturore, dhe aftësinë për të bashkuar autorë, botues, studiues, studentë dhe publikun e zakonshëm.
Në këtë prizëm, Vatra plotëson më mirë se kushdo tjetër kriterin e një organizatori kombëtar, ndërsa shoqatat e shkrimtarëve mund dhe duhet të jenë partnere aktive, jo pronare të ngjarjes.
Përvoja e diasporave të tjera në Amerikë e dëshmon qartë këtë model. Diaspora hebraike, italiane, irlandeze apo armene i kanë festivalet e librit dhe kulturës të organizuara nga institucione komunitare të mëdha, qendra kulturore ose fondacione historike, jo nga shoqata të ngushta profesionale. Shkrimtarët janë zemra e këtyre ngjarjeve, por organizimi mbetet në duart e institucioneve që përfaqësojnë gjithë komunitetin dhe jo vetëm elitën krijuese.
Sepse libri, në diasporë, nuk është çështje grupi, por çështje kombi. Dhe kur fjala e shkruar ngrihet në nivel festivali, ajo ka nevojë për një shtëpi të madhe, me dyer të hapura për të gjithë. Për diasporën shqiptare në Amerikë, kjo shtëpi quhet Vatra.
Suksesi i Festivalit të Librit në New York, i organizuar nën ombrellën e Vatrës, mban firmën e qartë të përkushtimit dhe vizionit të dy figurave të spikatura të kulturës shqiptare: botuesit Bujar Hudhri, themelues dhe drejtues i shtëpisë botuese Onufri, si dhe publicistit dhe patriotit Frano Kulli. Ky festival libri nuk do të kishte arritur nivelin, dinjitetin dhe jehonën që pati pa kontributin e tyre të drejtpërdrejtë dhe vendimtar. Bujar Hudhri solli në New York jo vetëm librin si objekt, por librin si institucion kulturor. Me përvojën e gjatë botuese, me standardin profesional dhe me autoritetin që gëzon në botën letrare shqiptare, ai i dha festivalit peshë, seriozitet dhe përfaqësim të denjë të letërsisë shqipe. Prania e Onufrit ishte një garanci cilësie dhe një dëshmi se kultura shqiptare di të përfaqësohet me dinjitet edhe në metropolet më të mëdha të botës.
Nga ana tjetër, Frano Kulli i dha festivalit frymën qytetare dhe atdhetare që i takon një ngjarjeje të tillë. Me fjalën e tij publike, me angazhimin intelektual dhe me ndjeshmërinë ndaj misionit kombëtar të diasporës, ai e ktheu festivalin nga një aktivitet kulturor në një akt vetëdijeje kombëtare. Kontributi i tij dëshmoi se publicistika dhe patriotizmi, kur bashkohen, mund të ndërtojnë ura të forta mes librit dhe komunitetit.
Vatra, si institucioni historik i diasporës shqiptare në Amerikë, u bë skena ku këto përpjekje u bashkuan dhe u kurorëzuan me sukses. Prandaj, mirënjohja për Bujar Hudhrin dhe Fran Kullin nuk është vetëm institucionale, por mbarëkombëtare. Është mirënjohje nga Vatra dhe nga i gjithë komuniteti shqiptar në diasporë, që pa në këtë festival jo vetëm një ngjarje libri, por një dëshmi se kultura shqiptare jeton, punon dhe nderohet edhe larg atdheut.
Në Festivalin e Librit të organizuar nga Vatra në New York mungoi Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Një mungesë që, për habinë e askujt, nuk ndikoi aspak në suksesin e festivalit. Përkundrazi, aktiviteti ecën i qetë, librat u lexuan, debatet u zhvilluan dhe publiku u ndje si në shtëpi — një dëshmi se letërsia shqipe di të marrë frymë edhe pa protokolle të lodhura.
Shoqata në fjalë duket se ka mbetur peng i një kohe tjetër: i dosjeve të vjetra, i smirave personale dhe i inateve provinciale të eksportuara në kontinentin e gabuar. Në vend që të shfrytëzojë energjinë e hapësirës amerikane për të ndërtuar diçka të re, ajo sillet sikur New Yorku të ishte një zgjatim i kafenesë së lagjes, ku ftesat maten me qoka dhe vlerat me miqësi.
Librat e dobët që promovohen me zell ceremonial dhe përkëdheljet e ndërsjella që zëvendësojnë kritikën serioze nuk janë thjesht problem shijeje, por ato kthehen në fyerje për letërsinë shqiptare. Sepse letërsia nuk rritet me duartrokitje automatike, por me standard, konkurrencë dhe guxim intelektual.
Ndërkohë, Festivali i Vatrës tregoi se komuniteti shqiptar në Amerikë është gati për një mentalitet të ri, më të hapur, më meritokratik, më amerikan në formë dhe më shqiptar në thelb. Një mentalitet ku libri nuk shërben për të ushqyer egon e autorit, por për të zgjuar mendjen e lexuesit.
Ndoshta është koha që edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të zgjohet nga gjumi i vetëkënaqësisë, të dalë nga hija e së shkuarës dhe t’i hapë rrugë një fryme të re. Sepse në Amerikë nuk mjafton të quhesh shkrimtar: duhet të shkruash mirë, të mendosh lirë dhe të përballesh me publikun. Dhe publiku, siç u pa në këtë festival, tashmë ka filluar të zgjedhë vetë.
Mbyllja e Festivalit të Librit të organizuar nga Vatra shënoi më shumë se përfundimin e një aktiviteti kulturor: ajo përfaqësoi një hap cilësor dhe historik, që e vendos diasporën shqiptare në një nivel të ri vetëdijeje dhe përfaqësimi kulturor. Ky festival dëshmoi se diaspora nuk është më thjesht një zgjatim emocional i atdheut, por një faktor aktiv në ndërtimin e kulturës kombëtare.
Ky moment nuk është një kulm i rastësishëm, por fillimi i një rruge të re. Një rrugë ku libri, gjuha dhe mendimi kritik bëhen boshti rreth të cilit forcohet identiteti shqiptar në mërgim. Festivali i Vatrës tregoi se diaspora ka kapacitetin të prodhojë, të organizojë dhe të imponojë standarde kulturore, duke i dhënë komunitetit shqiptar në Amerikë dinjitetin që i takon.
Në këtë kuptim, festivali nuk mbylli një cikël, por hapi një epokë. Ai do të shërbejë si katalizator për rritjen e vetëdijes kombëtare dhe të ndjenjës estetike, duke edukuar brezat e rinj me dashurinë për librin dhe respektin për kulturën. Nëpërmjet fjalës së shkruar, diaspora rigjen rrënjët dhe ndërton të ardhmen.
Sepse kur diaspora investon në libër, ajo investon në shpirtin e kombit. Dhe kur Vatra ndez këtë dritë kulturore, ajo nuk ndriçon vetëm një sallë festivali, por një horizont të tërë shqiptarësh, sot dhe nesër.