
Sokol Paja
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatat kryesore patriotiko-kulturore, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve shqiptarë në New York, New Jersey, Philadelphia etj organizon për herë të parë një festë madhështore të librit shqip në New York. Një ngjarje kulturore dhe atdhetare me synim themelimin e një tradite të vyer që rrit, promovon dhe bashkon shqiptarët e mërgatës rreth dijes, librit e kulturës.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra fton shtëpi botuese, autorë, grup autorësh, shkrimtarë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ti bashkohen festivalit të librit shqip që do të zhvillohet në New York nga datat 28 – 30 nëntor 2025. Ky festival libri është një ngjarje kulturore që promovon letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporën e Amerikës e më gjerë.
Për herë të parë libri shqip i të gjitha gjinive e prej të gjitha trevave do bëhet bashkë në New York për të shënuar ngjarjen më të rëndësishme kulturore për shqiptarët e Amerikës nën udhëheqjen e Vatrës. Komisioni i organizimit i përbërë nga profesionistët Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, Sokol Paja e me mbështetjen e organizatave në organizim i bëjnë komunitetit një shërbim të çmuar kulturor dhe atdhetar.
Roli i promovimit të librit shqip në Amerikë për herë të parë në këto përmasa interkontinentale prej Vatrës do të sjellë një impakt të fuqishëm në promovimin e kulturës kombëtare, gjuhës shqipe dhe ndërtimit të një ure komunikimi sa shpirtërore por edhe kulturore mes shqiptarëve të mërguar dhe trojeve etnike. Federata Vatra e gazeta Dielli e kanë pasur si qëllim në vetvete përgjatë gjithë historisë së veprimtarisë së tyre ruajtjen e identitetit kombëtar ku libri shqip i rrezikuar nga zhvillimet teknologjike dhe emigrimi masiv, sot më shumë se kurrë kërkon kujdes dhe impenjim në ruajtjen, zhvllimin e promovimin e tij. Libri shqip do të jetë e vetmja garanci në të ardhmen për ruajtjen e identitetit gjuhësor te shqiptarët e mërguar anembanë botës.
Libri shqip është mjeti më i fuqishëm identitar shqiptar për të ruajtur kujtesën historike, gjuhën, traditat dhe zakonet e një populli të shpërnarë në të gjitha kontinentet. Nëpërmjet librit shqip, brezat e rinj ruajnë të gjallë lidhjen shpirtërore me atdheun dhe mësojnë për historinë e lavdishme, rrënjët e gjenezën kombëtare të shqiptarëve. Libri bashkon, libri përfaqëson, libri mbron gjuhën, libri është ambasador kulturor dhe markë identitare e kombit në raport me kulturat dhe kombet e tjera. Trashëgimia e përbashkët kulturore e gjuhësore ka qenë në qendër të veprimtarive të Federatës Vatra e cila me mbështetjen e shkollave shqipe kudo në botë dhe me promovimin e dhjetëra librave të Selinë Qëndrore të Vatrës, e ka shëndërruar Federatën në promotoren më të fuqishme të kulturës dhe historisë kombëtare në mërgatën e Amerikës dhe jo vetëm. Libri shqip është drita dhe shpirti i një kombi.
Letërsia e të gjitha zhanreve e gjinive, historia, folklori dhe botimet e ndryshme shkencore, publicistike dhe enciklopedike kanë një rol specifik në formimin e vetëdijes kombëtare dhe morale te një shoqërie, shteti dhe kombi. Media, letërsia, historia dhe narrativa kombëtare ka pësuar një deformim të tmerrshëm në kohën e komunizmit dhe sot, promovimi i letërsisë së re është një hap i madh drejtë një çlirimi kombëtar prej ideologjisë komunistë e manipulimit të të vërtetave prej ideologjisë staliniste që poshtëroi kombin tonë për 50 vjet. “Një komb pa libra është si një trup pa shpirt” do ta përcaktonte i madhi Faik Konica. Autorët shqiptarë dhe libri shqip janë një mundësi fenomenale për të afruar dhe publikun amerikan e më gjerë me vlera e letërsisë shqiptare dhe autorët bashkëkohorë shqiptarë që për hir të vërtetës kanë lënë gjurmë të fuqishme në letërsisë bashkëkohore europiane.
Promovimet e përkthimet e librave të autorëve shqiptarë në Amerikë, Europë e kudo ku ka shqiptarë, është një promovim i identitetit kombëtar, punë e cila kërkon jo vetëm mbështetjen e vëmëndjen e institucioneve shtetërore shqiptare, por patriotët dhe organizatat e shoqatat që veprojnë në mërgatë duhet ta kenë librin shqip dhe gjuhën shqipe motiv të veprimtarisë së tyre kryesore. Duke qenë se ka një shtim të emrigrimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova kryesisht prej keqqeverisjes, nevojave dhe sfidave të emigranteve të rinj duhet tu përshtatet edhe promovimi kulturor dhe identitar kombëtar. “Libri është ura që lidh të kaluarën me të ardhmen” do të thoshte aktori i madh Aleksandër Moisiu. Një letërsi e mirë forcon imazhin e kombit tonë në arenën ndërkombëtare. Libri është një formë e posaçme e diplomacisë kulturore ku shtete dhe kombe e zhvillojnë së tepërmi.
Libri shqip shërben si arkiv shpirtëror e material ku ruhet trashëgimia e historisë e shpirti kombëtar. Libri shqip është trashëgimi dhe jetëgjatësi, dëshmi e pavdeksisë së kombit shqiptar.