
Akademia e Studimeve Albanologjike/
Prof.asoc.dr. Edmond Malaj mori pjesë në konferencën “Albanologjia dje, sot dhe nesër” në Prishtinë, me ligjëratën “Kontributi i Peter Bartl-it për historinë e Kishës Katolike në trojet shqiptare gjatë periudhës osmane”. Kumtesa përqendrohet kryesisht tek pesë vëllimet me titull “Albania Sacra”. Vëllimet e “Albania Sacra”, krahas historisë kishtare, janë burim informacioni edhe për ndonjë aspekt të kulturës popullore të atyre trevave, për gjendjen ekonomike të popullsisë, situatat politike në shekujt e ndryshëm, gjendjen e të krishterëve dhe për islamizimin, lëvizjet migratore në vend, për lëvizjen kryengritëse kundër osmanëve dhe për masat e marra nga organet e perandorisë, si dhe për marrëdhënie të tjera të popullsisë së krishterë katolike me sunduesit osmanë. Duhet të kemi parasysh që periudha osmane për trojet shqiptare, edhe pse është e pasur me dokumente që ndodhen nëpër arkiva të ndryshme nuk është e ezauruar si historishkrim, shumë pika janë ende të errëta dhe mbetet jashtëzakonisht shumë për t’u bërë akoma. Për kompletimin e kësaj periudhe një rëndësi të jashtëzakonshme përbën edhe Historia e Kishës Katolike për shekujt respektivë.
Tek këto vëllime, renditja e dioqezave është bërë sipas viteve të botimit të tyre. Ato janë botuar në harkun kohor të 14 viteve. Vëllimet fillojnë secili me nga një hyrje në gjuhën gjermane dhe mbarojnë me nga një seri dokumentesh origjinale që janë raportime dhe relacione vizitash ipeshkëvnore. Përsa i përket harkut kohor të dokumenteve, mund të themi që tek Vëllimi I: Dioqeza e Lezhës, dokumentet fillojnë në vitin 1629 me Relacionin e ipeshkvit të Lezhës Benedetto Orsini dhe mbarojnë në vitin 1912 me Relacionin e vizitës baritore të ipeshkvit të Lezhës Luigj Bumçi.
Tek vëllimi II: Arqidioqeza e Durrësit, dokumentet fillojnë në vitin 1640 me Relacionin e Nikollë Mekajshit, ipeshkvit të Stefaniakës dhe të Bendës drejtuar kardinalit Cinzio Aldobrandini dhe mbarojnë në vitin 1912 me relacionin e vizitës baritore të Preng Bardhit (Primo Bianchi). Tek vëllimi III: Dioqeza e Sapës, dokumentet fillojnë në vitin 1610, me vizitën baritore që Marin Bici, arqipeshkvi i Tivarit bën në këtë dioqezë dhe mbarojnë në vitin 1914 me relacionin e Gjergj Kolecit (Giorgio Koleci). Në vëllimin IV: Ipeshkëvia e Pultit, dokumentet fillojnë në vitin 1628 dhe mbarojnë në vitin 1909, afërsisht 300 faqe. Tek vëllimi V: Dioqeza e Shkodrës, dokumentet fillojnë po me Relacionin e Marin Bicit, arqipeshkvit të Tivarit në vitin 1s610 dhe mbarojnë më datë 9 gusht 1911 me raportimin e Jak Sereqit drejtuar Kardinalit Girolamo Gotti, prefektit të Propaganda Fides. 139 dokumente.
Peter Bartl me këto vëllime ka vendosur një gurë tjetër të rëndësishëm themeli në lidhje me historitë e këtyre dioqezave. Nëpër këto relacione klerikët katolikë shkruanin çdo gjë që kishte rëndësi për famullitë e vizituara. Ata përveç se merreshin me gjendjen e kishave, të klerit dhe të numrit të besimtarëve, nuk linin pa përshkruar edhe gjendjen ekonomike të krahinave në fjalë. Marrëdhëniet e këtyre banorëve që kishin me sunduesit osmanë ishin gjithashtu edhe një aspekt tjetër që përshkruhej në mënyrë të detajuar nëpër relacione. Ata ishin të vëmendshëm ndaj abuzimeve të të gjitha llojeve që përfaqësuesit e pushtetit osman u shkaktonin këtyre krahinave. Pra, duke lexuar këto relacione që janë dëshmi okulare të asaj kohe, arrijmë të kemi një pasqyrë mjaft të qartë të situatës që ka ekzistuar sidomos në shekujt XVII, XVIII, XIX të Periudhës Osmane.
Por kontributi i Peter Bartl-it nuk fillon tek “Albania Sacra”. Krahas artikujve të shumtë, disa të dhëna mund t’i gjejmë dhe tek monografitë e tij, si për shembull, tek “Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane” (Der Westbalkan zwischen spanischer Mornarchie und osmanischem Reich); “Myslimanët shqiptarë në Lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)” (Die albanischen Muslime zur Ziet der nationalen Unabhängigkeitsbewegung), dhe ndonjë të dhënë ka edhe tek “Shqipëtarët – Nga Mesjeta deri në ditët tona” (Albanien: vom Mittelalter bis zur Gegenwart),
Si përfudnim mund të themi që Peter Bartl është një ndër historianët më të censhëm që bota evropiane perëndimorë, sidomos ajo gjermanishtfolëse, ka nxjerrë qoftë për historinë e trojeve shqiptare nën sundimin osman, qoftë për historinë e Kishës Katolike gjatë kësaj periudhe.