Zef Ujkaj
SHQIPTARËT DHE FQINJËT
Ballkani ishte një pikë e rëndësishme strategjike, nyja që bashkonte Detin e Zi me Adriatikun e Mesdheun, Evropën Danubiane me atë Juglindore dhe për këtë arsye do të shndërrohej në një zonë rivaliteti mes Fuqive të Mëdha. Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia të interesuara për vendosjen e ndikimit në Ballkan do të përpiqeshin të lidheshin me popullsitë vendase, për të fituar simpatinë e tyre. Kështu Luftërat Ballkanike do të nxiteshin nga interesat antagoniste të Fuqive, dhe veçanërisht nga kontradiktat mes dy blloqeve kundërshtare. Pushtimi i Bosnjë-Hercegovinës dhe krahinës së Sanxhakut nga Austro-Hungaria, shpallja e pavarësisë së Bullgarisë dhe mundësia e fitores së autonomisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë po i jepte fund ruajtjes së status quo-së në Ballkan.
Shqiptarët do të kërkonin bashkëpunim me shtetet ballkanike në luftën e përbashkët antiosmane, pasi të zhgënjyer nga politika xhonturke synonin pavarësi dhe liri kombëtare. Disa nga shtetet ballkanike do të ndihmonin kryengritësit shqiptarë gjatë viteve 1909-1912, por gjithmonë për interesat e veta, duke dashur të dobësonin pozitën e tyre dhe atë të turqve. Duke qenë se ekzistonin kontradikta të skajshme mes qëllimit të shqiptarëve dhe shteteve ballkanike, nuk do të arrihej ndonjë marrëveshje për luftë të përbashkët antiosmane. Përpjekje për bashkëpunim mes shqiptarëve dhe shteteve ballkanike kundër Turqisë ishte ajo e Nexhip Dragës me kryeministrin serb Pashiq, i cili shprehu dakordësinë e shteteve ballkanike për një Shqipëri që shtrihej midis lumenjve Mat dhe Vjosë, por Draga iu përgjigj se një marrëveshje e tillë do t’i detyronte shqiptarët të luftonin përkrah turqve.Edhe tentativat e Ismail Qemalit me Greqinë dështuan, pasi kishin pretendime ndaj Shqipërisë se Jugut. Në gusht 1912 mbreti Nikolla tentoi të ftonte Ismail Qemalin në Tivar për bisedime rreth një lufte të përbashkët kundër Turqisë, por Ismail Qemali nuk pranoi meqë tashmë njiheshin planet e aleatëve ballkanikë lidhur me Shqipërinë. Gjatë vitit 1912 anëtarë të organizatës së fshehtë ushtarake serbe “Dora e Zezë” u munduan të hynin në bisedime me Isa Boletinin, i cili do të shprehej se shqiptarët do të luftonin kundër turqve, përkrah serbëve vetëm nëse ata nuk do të shfaqnin pretendime shoviniste ndaj territoreve shqiptare, në të kundërt do të kundërvepronin ndaj tyre.Ndërkohë Hasan Prishtina zhvilloi bisedime në Shkup me përfaqësuesin e Organizatës Vërhoviste Maqedonase, të cilit i propozoi shpërthimin e një kryengritjeje të përbashkët shqiptaro-maqedonase, por ai refuzoi në mënyrë kategorike një aksion të përbashkët antiturk. Kështu shqiptarët mbetën jashtë Aleancës Ballkanike, por jo për faj të tyre. Ata ose duhet të luftonin përkrah osmanëve dhe të pësonin fatin e tyre, ose përkrah shteteve ballkanike, pa kushte, në mënyrë që të lehtësonin copëtimin e vendit të tyre mes fqinjëve.
ALEANCAT MES SHTETEVE BALLKANIKE
Të gjitha shtetet ballkanike do t’u kundërviheshin kërkesave të shqiptarëve për një Shqipëri autonome. Kryeministri serb Millovanoviq i cilësonte shqiptarët të paaftë për krijimin e një shteti të civilizuar, prandaj, sipas tij, problemi shqiptar zgjidhej vetëm me copëtimin e Shqipërisë mes Serbisë dhe Greqisë. Propaganda antishqiptare e fqinjëve arrinte deri aty, sa shqiptarët i paraqisnin të ndarë në fise, pa gjuhë, alfabet e pa fe të përbashkët, pa histori, pa identitet dhe pa përvojë vetëqeverisjeje, me qëllim që të pengonin krijimin e shtetit shqiptar, i cili shihej si pengesë për aspiratat e Aleancës Ballkanike, dhe legjitimitetin e pushtimit të tokave shqiptare prej tyre.
Bisedimet mes serbëve dhe bullgarëve filluan që në vitin 1910 dhe nëtetor të vitit 1911 ata u pajtuan për ndarjen e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Territoret në veri dhe në perëndim të vargmaleve të Sharrit bashkë me vilajetin e Shkodrës do t’i përkisnin Serbisë, ndërsa Adrianopoja, Traka dhe një pjesë e madhe e Maqedonisë do t’i kalonin Bullgarisë. Marrëveshja e miqësisë dhe aleancës serbo-bullgare u finalizua në mars 1912, ndërsa Konventa ushtarake në prill 1912.
Fuqitë e Tripalëshit ishin kundër një aleance mes shteteve ballkanike dhe bënë përpjekje të shumta për të penguar afrimin e tyre. Kryeministri serb Pashiq i shprehu shqetësim ministrit të Jashtëm rus Sazonov në qershor 1912 në lidhje me rrezikun që shfaqte Austro-Hungaria për Lidhjen Ballkanike pasi ishte e interesuar për një Shqipëri të Madhe. Austro-Hungaria dhe Italia pavarësisht rivalitetit të tyre të fortë për zotërimet e Ballkanit Perëndimor ishin të vendosura për të ndaluar daljen e Serbisë në Adriatik dhe forcimin e pozitave të shteteve sllave, për të mos u rritur ndikimi rus në Ballkan. Prandaj Vjena u mundua të ndalonte Malin e Zi dhe Greqinë të bëheshin pjesë e kësaj aleance.
Kryeministri Venizellos nisur nga përvoja e humbjes së grekëve në luftë kundër Perandorisë Osmane në vitin 1897, u bind që bashkëpunimi politik dhe ushtarak me vendet ballkanike ishte i pashmangshëm. Kështu qysh në vitin 1910 filluan bisedimet greko-bullgare që kishin për qëllim “çlirimin” e Maqedonisë. Në maj u lidh Traktati bullgaro-grek, me karakter mbrojtës në rast sulmi nga Turqia, ndërsa në tetor konventa ushtarake, me karakter sulmues kundër zotërimeve osmane. Përsa i përkiste Shqipërisë, Greqia pretendonte territoret ku banonte popullsia ortodokse, duke e konsideruar fenë si sinonim të kombësisë, pavarësisht gjuhës që flisnin, gjë që mund të arrihej sipas tyre me përçarje fetare përmes politikës kishtare dhe arsimore.
Mali i Zi që ishte një territor i vogël malor dhe me një popullsi prej 250 mijë banorësh, nuk u përfill aq shumë nga shtetet e tjera ballkanike duke qenë se nuk posedonte forca të mëdha luftarake dhe shfaqte pretendime të tepruara. Gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911, mbreti Nikollë i bëri Serbisë një ofertë për bashkëpunim kundër Turqisë dhe ndarjen e territoreve shqiptare. Pejën, Shkodrën dhe Lezhën do t’i aneksonte Mali i Zi, ndërsa pjesën tjetër të Kosovës dhe Shkupin Serbia. Serbia nuk u dakordësua me propozimin malazez pasi ajo vetë synonte të dilte në Adriatik përmes Shëngjinit dhe Durrësit duke pohuar se akoma nuk ishin pjekur kushtet për një luftë kundër osmanëve. Duke qenë se Mali i Zi nuk ishte përfillur nga shtetet ballkanike, Rusia, në maj 1912, mendoi që edhe kjo mbretëri e vogël mund të jepte kontribut në Aleancën Ballkanike. Kështu në gusht Mali i Zi arriti marrëveshje verbale me Bullgarinë, me të cilën Sofja i njihte të gjitha territoret që do të pushtonte, kundrejt mbështetjes ushtarake kundër Turqisë, ndërsa mbret Nikolla kërkoi mjete financiare për të aramatosur ushtrinë e vet. Serbia arriti marrëveshje politike dhe ushtarake me Malin e Zi vetëm më 6 tetor 1912, marrëveshje që u ratifikua më 4 nëntor 1912. Të dyja palët zotoheshin t’i shpallnin luftë Turqisë jo më larg se 14 tetori 1912. Kontakte gjysmëzyrtare pati midis Greqisë e Serbisë dhe midis Greqisë e Malit të Zi gjatë verës 1912, mirëpo nuk prodhuan ndonjë marrëveshje të shkruar, duke bërë që aleancat të mos ishin krejtësisht të qarta pasi nuk ishte nënshkruar një traktat shumëpalësh apo një promemorie në vija të përgjithshme e pranuar nga gjithë aleatët. Kështu Aleanca Ballkanike mori trajtën përfundimtare në shtator 1912 me marrëveshjet formale të Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë me Malin e Zi, pa një traktat të shkruar. Kështu inati, indinjata dhe tmerri u bashkuan me synimet nacionaliste dhe interesat territoriale, dhe po vërtetohej thënia e rilindasve shqiptarë në fund të shek. XIX se qeveritë ballkanike “po lehin kundër njëra-tjetrës dhe të gjitha së bashku kundër qeverisë turke për të copëtuar atdheun tonë”. Megjithëse aleanca ishte krijuar për luftë kundër Turqisë, ajo ishte në fakt një komplot për copëtimin e Shqipërisë dhe zhdukjen e emrit shqiptar.
FUQITE E MËDHA DHE BALLKANI
Shkaqet e krijimit të Aleancës Ballkanike dhe luftës që do të pasonte, ishin: dobësia dhe paaftësia e Turqisë për të parashikuar të ardhmen, paaftësia e Evropës për të zbatuar reforma në Turqi, rraskapitja e popullit shqiptar nga luftrat e vazhdueshme antiosmane, gatishmëria e shteteve fqinje për të “çliruar” bashkëkombasit e vet brenda Perandorisë Osmane, lakmia për të pushtuar toka të reja, përkrahja e aleatëve ballkanikë nga Fuqitë e Mëdha dhe qëndrimi i tyre negativ ndaj çështjes shqiptare. Megjithatë shkaku kryesor i shpërthimit të luftrave ballkanike ishin padyshim kryengritjet shqiptare të viteve 1908-1912, të cilat në gusht 1912 e detyruan Perandorinë Osmane të pranonte kërkesat e kryengritësve për autonomi të Shqipërisë.
Austro-Hungaria duke parë që nuk mund të ruhej më gjendja e status quo-së në Ballkan, gjatë muajit tetor do të mbante konferenca të shumta në Vjenë ku do të diskutohej për të ardhmen e Ballkanit, e ku mes të tjerash do të shprehej për një autonomi të Shqipërisë me kufij sa më të gjerë ose pavarësi në rast disfate të osmanëve, duke qene e gatshme të mbronte këto territore edhe me luftë pasi nuk donte shtrirje të gjerë të ballkanasve në drejtim të Adriatikut dhe Jonit. Ndërkohë që Gjermania u shpreh kundër luftës, Italia u shpreh në favor të saj, pasi do t’i lehtësohej barra për pushtimin e Tripolit. Anglisë dhe Francës iu interesonte ruajtja e status quo-së pasi kishin fituar kapitulacione të mëdha nga Perandoria Osmane, kështu që kërkonin shtypjen e lëvizjes shqiptare për autonomi. Megjithatë Fuqitë e Antantës nuk do të pranonin që Blloku Tripalësh të kishte vazhdimësi të pandërprerë territoriale nga Gjermania, Austro-Hungaria, Ballkani për të dalë në Turqi, prandaj shpreheshin për këputjen e kësaj lidhjeje para se të fillonte lufta e madhe mes tyre.
Përpjekjet e Ismail Qemalit, Preng Bibë Dodës dhe të tjerëve për të fituar mbështetjen e Austro-Hungarisë si e vetmja fuqi e interesuar për zgjidhjen e çështjes shqiptare do të ishin të vazhdueshme. Vjena iu propozonte shqiptarëve të mbanin anën e osmanëve në rast sulmi nga shtetet ballkanike. Në bisedimet e shumta që Ismail Qemali pati me përfaqësues austro-hungarezë pranonte edhe protektorat mbi Shqipërinë pasi ndodhej e kërcënuar të zhdukej si komb nga aleatët ballkanikë. Nga ana tjetër dom Ndre Mjeda, dom Luigj Bumçi, kryepeshkopi i Shkodrës Zef Serreqi i bënin thirrje Vjenës që të pushtonte sa më shpejt Shqipërinë para se të binte në dorë të shteteve grabitqare ballkanike.
Rusia ndërhyri pranë Stambollit që të kufizonte lëshimet ndaj shqiptarëve, ndërsa privilegjet e dhëna për ta të shtriheshin edhe në kombësitë e tjera. Stambolli i kufizoi lëshimet ndaj shqiptarëve dhe u bëri të ditur aleatëve ballkanikë se shqiptarëve nuk do t’iu jepej autonomia. Porta frigohej nga ndërhyrja e shteteve ballkanike, kështu në shpalljen e saj ajo shmangu njohjen e kombësisë shqiptare, përcaktimin e kufijve territorialë të Shqipërisë dhe nuk përmendi askund emrin shqiptar apo Shqipëri, e gjitha kjo për të qetësuar shtetet ballkanike dhe për t’iu lënë të kuptonin se privilegjet do të shtriheshin edhe mbi popujt joshqiptarë. Megjithatë shtetet ballkanike do të mbeteshin të pakënaqura, pasi e dinin se shteti autonom shqiptar në kuadër të katër vilajeteve ishte në krijim e sipër.
Fuqitë e Mëdha vazhdonin të mbështesnin parimin e ruajtjes të status quo-së si dhe detyrimin për ruajtjen e paqes mes shteteve ballkanike dhe Stambollit. Ato pranuan propozimin e kryeministrit francez Poincaré për një ndërhyrje kolektive në Ballkan dhe Stamboll, ku Austro-Hungaria dhe Rusia do të paraqisnin kushtet në emër të tyre. Më 7 tetor ato iu deklaruan shteteve ballkanike se Fuqitë do të dënojnë të gjitha masat që shkaktojnë prishjen e paqes, në bazë të nenit 23 të Traktatit të Berlinit, ndërsa ata do të merrnin në dorë kryerjen e reformave administrative në Turqinë Evropiane, por pa cënuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Perandorisë. Në rast shpërthimi të luftës ato nuk do të pranonin ndryshimin e status quo-së. Të njëjtat kushte iu bënë të ditura edhe Stambollit. Por kjo deklaratë e Fuqive të Mëdha tashmë ishte e vonuar, pasi nuk kishin asnjë mekanizëm për ta parandaluar shpërthimin e luftës. Të njëjtën ditë, ambasadori i Malit të Zi në Stamboll i paraqiti një notë qeverisë turke, ku i bëhej e ditur se Mali i Zi ishte i detyruar të mbronte të drejtat e tij me luftë, meqë qeveria turke nuk kishte përmbushur dëshirat e tij për rregullimin e vijës kufitare. Duke qenë se Fuqitë e Mëdha nuk dhanë ndonjë rezultat në parandalimin e luftës ballkanike, Porta e Lartë filloi mobilizimin ushtarak në pjesën evropiane, ku mori të njëjtën përgjigje edhe nga shtetet ballkanike. Lufta shpërtheu të nesërmen e protestës së Fuqive të Mëdha, më 8 tetor 1912, kur Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë, e më pas më 17 tetor pasuan Serbia dhe Bullgaria, ndërsa më 18 tetor Greqia.