
Analitikë – (Neoromani “Lodrimi i madh i vdekjes” i shkrimtarit Kristaq F. Shabani)
Nga Prend BUZHALA, studiues, Klinë, Kosovë
Tema e madhe e Kosovës, e Atdheut të shkelur e të copëtuar, tema e lirisë dhe e robërisë, tema e kulturës dhe e memories historike, te neoromani “Lodrimi i madh i vdekjes” i Kristaq F. Shabanit, bëhen preokupim i krijuesit për trajtime të gjera epike. Këto tema dalin e trajtohen në shumë variacione dhe shpalosen përmes trajtave të ndryshme të shkrimit romanor, të hapësirës së situatave metaforike e të komunikimit të figurshëm poetik; por ato ngjarje e situata narrative rrudhen për t’iu lënë më shumë hapësirë edhe vizioneve epike dhe vizioneve ekspresive e refleksive të krijuesit. Si rrjedhojë e kësaj përpjekjeje, përmenden datat e trajtat tjera dokumentare të gërshetuara në sfondin e poetikës së romanit. Ai dëshiron ta zërë çastin më dramatik e më kulmor të historisë më të re: aktualitetin e kthesës së madhe, që nga eksodi e deri te kthimi i magjishëm. Vetë autori, në një rast, komenton për veprën e tij:
“Toka e ndarë e kombit tim. Përballjet e këtyre pjesëzave ndaj njëra- tjetrës dhe ndaj tokës amë në pozicione të tilla të vendosura nga planet diplomatike të Fuqive të mëdha.. Kryetema : KOSOVA…”.
1. ANTOLOGJIA UNIKE E THËNIES NË SHUMËSINË E ARTIT ROMANOR
Në neoroman na vijnë mjediset shqiptare, si Kosova e Shqipëria, ato ballkanike, si Greqia, Serbia apo Turqia, kund e kund, vijnë ato të tryezave europerëndimore e ato të SHBA-ve; përfshihen kohë historike aq sa dhe ato që fokusohen te lufta e fundit, parakalojnë monologë rrëfimtarë dëshmitarë, kujtime, ditarë, letra, citate, biseda zyrtare e familjare, trajta eseistike e komentuese, lirika të mirëfillta që përplotësojnë e ligjërojnë për kuadrin romanor, apo shënime të tjera e ku secila kronikë fjalëshkurtër përmban një dramë më vete.
Veprat e Kristaq F. Shabanit shquhen për ALKIMINË E ZHANRIT, për unitetin e shumësisë së zhanrit letrar: aty ku dije, frymëzim, krijim e intelekt thurin Mesazhin e Madh letrar e shkrimor, njerëzoren, dritëditurinë e kombit (neologjizëm shkrimor i autorit Kristaq F. Shabani); vijnë shpalosje e tregimtari, fjalë të mençura të emisarëve te dijes dhe një diskurs fin i lirikës, shqiptohen artistikisht mite letrare dhe demitizime, modele shkrimore të shpirtit e të muzës dhe magjepsje nga thënia aq e pazhurmshme, e mbushulluar lirike; botët sfidante të Të Drejtit dhe shfletime kronikash të memories sonë të shenjtë historike, nyjëtime të mëdha të kohës, botës dhe njerëzimit dhe çelësa kodesh të të vërtetave të amshueshme, vibracione të esencave të qenies njerëzore dhe vetëdije diellore e kulturës… Me një fjalë, ti e lexon ANTOLOGJINE UNIKE të THËNIES në shumësinë e ARTIT SHRIMOR E DORËSHKRIMOR…
Neoromani shqipton mishërimin dhe lidhjen e fuqishme e të thellë të krijuesit me Kosovën, me Atdheun, me kombin shqiptar. Te kjo vepër autori shfaqet një njohës i mirë i Kosovës dhe i historisë së saj; spikat anët e ndritshme të virtytit historik dhe atdhedashës, me hilet e hileqarët e historisë, me kombin prej kaq e kaq statusesh të shumta, copëzash të prera të kufijve etnikë. Ndjenja patriotike, qëndresa dhe dhimbja, përshkohen nga faqja në faqe, nga dëshmia në dëshmi; janë dëshmi në shumë trajta, një polimorfizëm dokumentar artistik, të shumëzuara nëpër shumë vetje, ashtu si shumëzohet tragjedia, por ashtu si shumëfishohet qëndresa dhe përballimi. Kur historizon (“Tokë e mësyrë nga: gjysmëhënëçallma”), shkrimtari edhe metaforizon e kontraston reflektueshëm (“metafora: qelia qiellore, flamujt e armikut; buzëqeshje skenike, lojërat kukafshehtas), apo kur shpleks rrëfimin meditimin, atëherë ndodh një spostim nga qielli në hapësira tokësore. Kur shkruan poezi, ai poetizon dhe metaforizon pafundësisht emra poetësh e luftëtarësh, pushtuesish e liridasësish që nga epoka romake e deri më sot. Aty shpleksen mite e kulte frymëzimesh (me zanat, vilarët e verdhë, me kryerrëfenjat historike).
Profeti si Vetëdije e Zgjuar e veprës (që shfaq shqetësimet e kombit, Pema me trungun në katër shtete) metafora e pemës (e popullit që mbijeton në trojet e tij etnike) që ngërthen tekstet komentuese eseistike. Kosova është gjithçka për krijuesin dhe për protagonistët e saj, ajo është trime dhe e durueshme, vend liridashës që nuk është dorëzuar kurrë. Kosovën e kanë sulmuar, e kanë bërë shpesh e shpesh rrafsh me tokë i kanë shkaktuar gjenocide, reprezalje, masakra, zhdukje të më të dashurve, dhunime, ia kanë prerë tokat etnike me kufij, duke e shkëputur nga trualli amë, shpesh ndoshta edhe e kanë rrëzuar e përgjakur për dhe, por asnjëherë ajo nuk është pajtuar me pushtues e dhunues regjimesh. Kurdoherë që është dukur e strukur, e shtypur përfundimisht, ajo ka lindë si feniks nga hiri për ta sfiduar pushtuesin dhe të keqen. Ajo mund të ketë pasur shumë të meta, por gjithnjë i ka shumëzuar virtytet e saj fisnike, mund të ketë pasur shumë tragjedi, shumë sulme e furi kundër saj, por ajo e ka mbrojtur veten me këngë dhe e ka forcuar vetveten kundër tiranisë e pushtuesve, sikundër na jep homazhi i bukur artistik për Esat Bicurrin. Përvijimet e shtresimet kompozicionale-tematike, ndërlidhen me fatin e Kosovës në përgjithësi, me fatin e familjes Sharani në veçanti,, kurse kaptinat tragjike të saj shtrihen deri tek trojet tjera (fati i Aristidh Koljes e i arvanitasve).
2. ARKETIPAT E EKZISTIMIT: BUKURIA E TEKSTIT
Neoromani na dhuron pamje të rënda të luftës, por të tilla janë edhe pamjet e dhimbjes së rëndë edhe të pasluftës, pasojë e vuajtjeve nëpër shekuj, … dhe këta shekuj vuajtjesh ligjërojnë nëpër faqet e kësaj vepre. Sa faqe trishtimi e përjetimesh plot dhimbje, plaçkitjesh e rrënimesh, tronditjesh e martirizimesh ka nëpër këto faqe libri, por sa e sa përpjekje, durim e qëndresë, shpërthejnë gjithandej mbi vuajtje e pësime. Sa e sa vdekje, shfarosje e masakra, zhdukje e dëbime eksodesh kanë ndodhur këndej, por aty është edhe dashuria e pakufi për Kosovën dhe lirinë, për jetën dhe bukurinë e të jetuarit, për dashurinë dhe familjen.
Një milion shqiptarë u dëbuan këndej, por dy milionë u duk se u kthyen, sepse jeta kishte kuptim këtu, vetëm në Kosovë, sepse vaji dhe kënga vetëm këtu mund të bëheshin së bashku, vetëm këtu, pranë hirit të shtëpive e eshtrave të të rënëve, kjo jetë merrte kuptimin e saj të ri. Është ai anteizmi i thellë jetësor, që ringjalli arketipat e moçëm të ekzistimit, të atyre lidhjeve të forta e të pashkëputshme truallin e dheut e të Atdheut. Ngjyra e blerimit i jep hijeshi ngjyrës së dheut, kurse ato qiellore, përfshijnë dimensione të shpirtit shqiptar që tejkalon krejt kufijtë fizikë. Brenda bukurisë së tekstit shkrihen në një dëshmi e rrëfime, fakte e përjetime, aty pleksen gëzimi e dhimbja, mundimet e ripërtëritja anteike, dhe, kudo e kurdoherë, në fund vjen një kryefjalë mbi të gjitha kryefjalët, e ajo është Kosova, me kryemrat e saj të mëdhenj e me kryengjarjet e saj që bëjnë prerjen e një Epoke planetare. Kohët kanë ndryshuar dhe ato ndryshojnë, shumëçka shkon e zhduket nëpër rrjedhat e dhimbjes e të historisë, por diçka mbetet gjithmonë e amshueshme, e pandryshueshme, e përhershme, e ajo është dashuria për Kosovën. Ajo dje përballoi e sfidoi kohët e rënda, ajo edhe sot e sfidon dhimbjen për të pagjeturit, dhe kjo dhimbje sikur e përmbys dhe e shtrin për tokë, por ajo ripërtërihet, me anteizmin e saj nëpër histori dhe kohë. Ajo ende nuk merr frymë ashtu si ia do zemra, ende mbetet e rrethuar me izolime e me indiferentizëm të jashtëm ndërkombëtar, por ajo edhe sot është trumbetë e zë kundër padrejtësisë njerëzore.
Neoromani “Lodrimi i madh i vdekjes”, duke u solidarizuar me njerëzit e Kosovës, me historinë e saj përplot martirizime e vetëflijime, nuk ka se si të mos e admirojë fuqishëm Kosovën e njerëzit e saj, protagonistët e saj që heroizuan jetën, me përjetimet që ia kalojnë edhe legjendave. Por kjo vepër na dëshmon se sa e njeh autori i saj Kosovën, ashtu sikundër na dëshmon se sa dashuri të pakufishme rrëfen për të, sepse vetëm ai që e do fuqishëm e me afsh këtë vend, vetëm ai e njeh ashtu si duhet. E pra, këtë roman e ka shkruar dashuria e pakufishme për këtë vend, ashtu sikundër kjo dashuri na dhuron njohuri të pakufi e të pamasë.
Është një kusht biblik, ku thuhet: dashuria nuk ka kushte. E pra, Kosovën duhet dashur në të mirë e në të keq, edhe kur ia kthejmë shpinën e ikim dikah, duke kapërcyer tela gjemborë në një kërkim të një jete më të mirë, sepse Kosova jonë e dashur ende nuk mund të na ofrojë atë që duam. Sepse, mesazhi i madh i veprës qëndron pra, në këtë dashuri të pakushte, dhe sepse pikërisht kjo dashuri dhe ky besim ndaj Kosovës na mban të gjallë, të fortë, e mban në këmbë një komb, kjo dashuri atdhetare e ky besim njerëzor e vret të keqen, nuk e pranon gjunjëzimin ndaj mjerimit, padrejtësisë apo fatkeqësisë që na mbulon. Në këso rastesh, edhe dhimbja e madhe fisnikërohet, kjo dhimbje bëhet burim drite e besimi.
3. KULTI I ATDHEDASHURISË DHE I MARTIRIZIMIT
Neoromani i bën një portret historik e kombëtar Kosovës, duke u përqendruar tek koha e luftës deri te vitet e para të pasluftës. Për ta dhënë këtë vizion historik, ai qëmton aq shumë fakte, ngjarje, të dhëna, citate, libra, gazeta e revista, i regjistron ato që thonë mediet radiofonike apo elektronike, shpalon veprimtari atdhetarësh, studiuesish pasionantë të të vërtetave të shpirtit kombëtar, ndërfut fjalime presidentësh, ambasadorësh apo nënash të të zhdukurve, metaforizon kronika, kontraston fjalime e qëndrime politike presidentësh si Klinton apo Milosheviç, vë në gradacion poetik varret dhe tokën, malet dhe luginat, epitetizon lotët, dhimbjen, varret, të rënët, njerëzit që kanë përjetuar tragjedi; dhe, së fundmi, vijnë dy personifikime të mëdha: Kosova që ligjëron dhe e merr rolin e subjektit romanor dhe jeta që përbirohet nëpër histori e vuajtje, duke lindur e rilindur mbi hirin e tragjedive dhe tronditjeve të mëdha. Të duket sikur po lexon një poemë epike moderne, të gjatë, të pafund, të shkruar me një ton nganjëherë patetik të pëlqyeshëm, por i gërshetuar me lirinë e ligjërimit surrealist në stil dhe shprehje. Janë copëza artistike që na vijnë si homazhe për sa e sa të dashur a për figura të zhdukurish e të rënësh, si Esat Bicurri, apo Ilir Damonaga.
Atdhedashuria dhe Kosova janë religjioni i këtyre njerëzve dhe i këtij romani, dhe besimi i tillë, i pakushte, jo vetëm që nuk e mënjanon qëndrimin humanist edhe ndaj njerëzve të kombeve tjera, qofshin ata edhe armiq, por pikërisht aty ai gjen burime force, dëshmish të tilla, sepse tragjedia njerëzore nuk njeh komb, nuk kursen askënd në vorbullën e saj të historisë, kurse dhimbja e solidariteti njerëzor shpërndahet gjithandej si erë që bart polemin frytdhënës. Po ashtu, kjo do të thotë se në këtë roman, të gjithë protagonistët janë personazhe kryesorë. Aty është rrëfimi dramatik për çastet në mes jetës e vdekjes; aty janë blloqe të tëra artistike që ligjërojnë për këtë lodër të madhe të vdekjes, kurse mbështetja, gjithsesi, do të gjendet në kikat e idealeve për të mbijetuar e për të qëndruar, do të gjendet tek ideali për lirinë dhe tek anteizmi i thellë jetësor.
Pjesa e parë e orkestrimit të tillë strukturor tekstor, përbën një projektim emocionues dhe protestues i së kaluarës sonë historike me padrejtësitë që u thyen në qenien e këtij kombi, për të marrë, pastaj shtrirje gjithnjë e më të gjerë humane, kurse gjithë pjesët tjera në vazhdim, thurin vizionin e krijuesit për njeriun e lirë, me aspiratën e madhe të një kombi për të qenë i lirë. Personazhet sa janë realë, si Luljeta Sharani, studiuesi i madh Aristidh Kolja, ish Presidentin Klinton e tjerë aktorë politikët Shqipërisë, Kosovës, SHBA-ve dhe Evropës, po aq janë edhe fikcionalë si Profeti, kronikanët, poeti, penelatëshkruesi etj. Ligjërimet e Profetit shqiptohen edhe si tekste autoideografike auto-intelektuale (epoka me heronjtë, eruditët, korifenjtë, zibunët, ciceronët, diplomatët, filozofët, estetët, etimologët, shkencëtarët, artistët dhe klounët…). në sfond e hapët të qiellit e të tokës, pamjet përgjaken me praktika gjakësore, me vrasje fizike, por edhe vrasje mendore:
“Në qendër vihet njeriu, eliminimi i kundërshtarit, njeriu dhe antipodi i tij, Mosnjeriu.” ndërkëmbehen tekste që ballafaqojnë dy botë: atë të përkushtimit për progres, që kanë luajtur rol aktiv – dhe trekëmbëshat, gijotinat, kurthet, atentatet, përplasjet, passhpinat, intrigat, …”vdekja vjen nga tekat e një perandori, princi, sulltani, mbreti, udhëheqës xhungle, princeshë, fallxhore”…
4. PROFETI, ZË I VETËDIJES SË ZGJUAR
Vjen një shpalim historik: me tellallë te Konferencës së ambasadorëve, e që përthyhet nëpërmes vetëdijes narrative-historike të personazhit të Profetit, që personifikon vetëdijen e Zgjuar; një ballafaqim që vjen me personifikimet e eliminimit fizik të kombit (e shënjuar stilistikisht nëpërmes notave muzikore); kalvari i ecjes së jetës në kohë. Nëpërmes kësaj vetëdijeje të Profetit (popullor), përthyhen “rrëfenja analitike” (si i quan autori me metakomentin e tij artistik tipat e teksteve-eseistike a refleksive, paraqitëse a faktografike, nga e kaluara)… Brenda një hapësire të tillë tekstesh vijnë këso “rrëfenjash” që nga Konferenca e Ambasadorëve e që përfundon deri te Haga (që e kanë domethënien e vet të thellë historike: ja ku përfundojnë aventurat e përgjakshme historike kundër një kombi; ja kah ka ecur, qoftë edhe një Evropë…). Por Profeti na del dhe personifikim i biografemës autoriale: “Kur isha në Tropojë, nga kujtimet e “shekullorëve”, dëgjoja bëma të bëra nga serbët, deri te ajo që përmenda më lart, shpime me bajonetë të grave të reja shtatzëna, një nga torturat më të mëdha, të cilën vetëm egërsia shtazore mund ta bëjë…”. do të ketë qenë shtysa për frymëzim shkrimi, një si metatekst procedimor i poetikës autoriale.
Në fillim të romanit kemi përkufizimin autorial “neoroman dramë”, si dhe dy tekste të tjera: “Hyrësi” (neologjizëm e ngjyrosur stilistikisht për fjalën hyrje, tradicionalisht të konsumuar) dhe “Pasprologim”, ndërkaq, në fund kemi një “Epilog”. Të gjitha këto tipa tekstesh, në fillim e në fund të veprës, sajojnë paratekstin. Shkrihen e bëhen Një, tipa tekstesh poetike me pjesë prozash poetike, tekste të tipit sinopsis (që vijnë pas një ngjarjeje, refleksioni a ballafaqimi) me tipin e tekstit komentues. Prandaj, dhe zbërthimi “kompozicional” (jotradicional) zbret shkallë-shkallë dhe ka lakoren e ngjithjes përpjetë drejt qiellit po andej. Kështu, te teksti “Fillesa e një ngacmimi jetësor (fillesa e prurjes)”, shfaqet rrëfenja për Avniun dhe Lulen e Skyfter Taranin. Kurse “Historia e Grykës së pamposhtur” tekstet metaforike marrin rolin ligjërimor të procedimorit narrativ e paraqitës… një si kuadër betejash në Malësi, që nga fillimshekulli 20 e deri te viti 1981, një histori tjetër që vishet me rroba gjaku, historia jonë shpirtërore e mbamendjes. Te “Thyerja e Iksit” vijnë personazhet e kronikanëve: Kronikani i parë V, kronikani i dytë Z. që bart një tekst biografeme), gjithnjë në roman shfaqet kufiri kah Malësia e Tropoja, ku ka jetuar e qëndruar autori, por ku me forcë metaforike, shfaqet ai raporti tragjik i kufirit Vendi Amë- Troje etnike (“Nga Padeshi po kundronim tokën tonë të ndarë… Një pjesë e tokës luftonte ndaj pjesës së madhe të saj… Eh, kontradikta e Tokave!”). Vijnë tekste tregimesh (Tregimi i ish kuadrit A. , Tregimi i I, Tregimi i L.-së,deri te kronika që sjell sulmin e NATO-s mbi Serbinë në Kosovë). Lexuesi papritmas ndien një lojë tjetër teksore: atë të dialogimit të kryepersonazheve Luljeta Sharani dhe Skyfter Sharani, që personifikojnë shpresën e Kosovës me atë të ndërhyrjes së NATO-s. Amplituda tekstore zbret në vitin 1999, në atë prerje epoke (Tregimi i I, “Ditët dhe muajt e trishta të studiuesit të madh”, sjell kronikat e vitit 1999 për ngjarjet në Kosovë, në trajtë të shprehjes ekspresive, të tipit të dendurisë artistike. dhe që relievon me anë të komentimit eseistik urrejtjen serbe mbi shqiptarët dhe Kosovën). Magjia e imagjinatës fluturake artistike, e tekstit, na hedh në një tjetër ambient etnik, të arvanitasve: Nansi Kolja e filmi “Rrënjët e mia janë Arbëria…”. që ringjall kujtesën e fortë arvanitase për toponimet e tyre e të folurën e gjuhës arvanitase. Përvijohet rruga e studiuesit Aristidh Kolja drejt sakrifikimit të tij jetësor, mu në atë vorbull ngjarjesh tragjike për jetë e vdekje në Kosovë: “Unë kam trajtuar problemin e Kosovës në mënyrë shumë realiste dhe domethënëse. Këtë e bëra për të hapur dritaret e mendjes dhe për të hapur sytë, pasi serbët gjithmonë janë përpjekur që Kosovën ta quajnë të tyre. Kësaj i thonë të ‘ardhurit’ quajnë të tyre vendasit!!!…Kjo është e papranueshme.”
5. POETIKA POSTMODERNE: TIPAT E TEKSTEVE
Ashtu sikundër veprat tjera të këtij autori (“Vityti i thyer”, “Shekulli i lotuar” etj), edhe ky neroman, duke tematizuar një përfshirje të gjerë të rrënjëve historike, kombëtare e njerëzore, strukturohet si vepër me fakturë moderne, si në anën e stilit dinamik, ashtu edhe në atë të rrafshit psikologjik a shpirtëror.
Autori zotëron strukturat tekstore të asaj që sot quhet faction e fiction, faktografi dhe rrëfim imagjinativ, ku hibridizimi i zhanrit postmodern të romanit shkrin në një kronikat, tratat dokumentare dhe ato të imagjinatës krijuese. Vepra, gjithsesi, që të detyron të merresh edhe me krijimin e saj në kontekstin stilistik e ku sistemi semiotik i ndërthurur këtu, ku na vijnë burimet e pasura të kontekstualizimit të gjuhës. Së këndejmi vepra mund të kundrohet edhe si zhanër i stilit, si forum elokuence, domethënë, kur të gjitha trajtat e përdorura të diskursit nga burimet jashtë gjuhës (si kronika, fjalimet, shënimet, citatet etj etj) orkestrohen me vlerë të re kuptimore e stilistike. Poetika e tillë postmoderne, e romanit, të shtyn të mendosh për një Një Libër që ngërthen brenda vetes Shumë Libra: Librin e fatit të familjes Sharani, Librin e Madh të Luftës së Kosovës, librin e fatit tragjik të arvanitasve dhe të Aristidh Koljas, më në fund – Librin e Rrëfimtarit, të Autorit dhe të Lexuesit. Madje, autori na shfaqet i shumëzuar tek Penelatëshkruesi, Poeti, Kronikani, e shumë të tjerë. Kjo është credo-ja e atdhedashurisë së studiuesit, e ndërgjegjes së tij shkencore e atdhetare, thellësisht njerëzore. Lexohen me tension përshkimet e fushatave kundër Aristidh Koljas nëpërmes mercenarëve shqiptarë (teksti “Ekstremistët ulërinin”, sepse ai shpalli trimërisht të vërtetën e ngjarjeve të Kosovës: “Edhe unë jam kosovar”, si shpallje e guximit të përballjes me qarqet ekstreme greke, kur po i digjnin publikisht veprat e tij. Por ai klithte: “Gjuha e perëndive nuk mund të digjet.”. Në vazhdim vjen rrëfimi mitologjik-historik për autoktoninë e lashtësinë krenare shqiptare, që nga rrënjët pellazgjike (tekstet “E vërteta e bukur” dhe “Është njësoj, si të shikosh të vallëzojnë vallen çame me rroba banje”), e ku krenaria për vargjet e vjetra arvanitase, për vajtimet e plakave në gjuhën arvanitase, kijojnë një tjetër simfoni tekstore. Të tjera copëza shpalojnë lëvizjet atdhetare shqiptare edhe në Athinë në mbrojtje të Kosovës.
Kurse romani zhvendos hapësirat e romanit në ambientet ruke, për ndihmën e saj.
6. NJË HISTORICUS NË NJË ORATORIUM LETRAR
Vlera dokumentare e autenticitetit të ngjarjeve, shërben si lëndë për roman, duke pasur parasysh se protagonistët e kësaj vepre janë personazhe letrare, pa marrë parasysh emrat e përveçëm të tyre. E kjo do të thotë se autori dëshiron t’i respektojë jo vetëm ligjet krijuese letrare, por t’i bëjë homazh letrar edhe një realiteti të caktuar. Teksti, shpesh e shpesh, e merr trajtën e një toni me disponim të lartësuar ekstatik, ekzaltues. Reminishencat e faktografisë vijnë e marrin formë nga kujtesa e gjallë e protagonistëve, nga ringjallja e imazheve të ambienteve që nga errësirat e thella historike e deri tek pamjet e rënda të luftës, që nga ambientet e vendlindjes e të familjes e deri te ato të të afërmve, apo të të martirizuarve të tjerë për lirinë e Kosovës; që nga sugjerimet e thellësive të përjetimit të këtyre imazheve e deri te skenat dokumentare jetësore. Sikundër te veprat e ngjashme, çelësi i leximit të kësaj vepre të Kristaq F. Shabanit, do të gjendet tek uniteti ifaction-it me fiction-in, tek uniteti i përmbajtjes me formën, apo tek struktura shtresore e tërësisë së librit. Aty ligjëron një zhanër romanor i biografemave memoriale të Kristaq F. Shabanit, me rrjedhën suksesive e të mëtutjeshme të ngjarjeve, e mban lexuesin në tension të vazhdueshëm. Prandaj fakcion e fiction pleksen e shkrihen në korpusin tekstor të romanit. Rrëfimi, së këndejmi, i bart shenjat vizuale dhe referencat e realitetit (si do të shprehej Sylvie Aubenas). Posi në romanet e tij të tjerë, edhe në këtë vepër rrëfimi romanor zhvillohet në kushtet e sprovave më të rënda të Trupit e të Shpirtit. Me një fjalë, tekstet kompozohen sipas një ritmi dinamik me perigjet e apogjet e kësaj drame historike, me strukturime të tilla ligjërimore, të cilat, te romani i Kristaq F. Shabanit hyjnë me një ton të ri sajimesh e shpikjesh të mahnitshme të gjuhës e të fjalëformimeve artistike, me freskinë joshëse e tërheqëse të imazheve të pasura që t’i dhuron teksti i tillë, me atë energjinë e pashtershme të frymëzimeve, sikundër është fjalësi: trimimi, pikjadonin, shfanit(je), homazhim, homazhohej, korbonte (folje stilistikisht e ngjyrosur nga fjala korb), klithmonte, klithmim, korbsorrimi, ngrënëpjesëza, kryesyrikeq, …e të tjera, që hasen deri në fund të romanit. Krijuesi shkruan roman, dhe aty për aty krijon elegjinë e mendimit, kurse vepra orkestohet në trajtën e një simfonie shumëzërëshe, në trajtën e një oratoriumi muzikor, ku shpërfaqen rrëfimet e brendshme, shpirtërore, si copëza shpirti e jete. Në këtë oratorium një udhërrëfyes, si një Historicus, na merr përdore dhe na shpie nëpër lojën e pafund të teksteve a të kantikëve të përshpirtshëm e dokumentarë, të cilat na dhurojnë reflektime dinjitarësh a komente frymëzuese, frymë eseistike solemne apo orkestrim shpirtëror dialogësh e monologësh.