Sokol Paja/
New York me 15 Mars 2022, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra organizoi një promovim madhështor të librit të Ambasador Mal Berishës “Ambasador i pushtetit të butë”. Studiues, vatranë, miq, media, artistë, diplomatë e personalitete shqiptare në diasporë, drejtues shoqatash të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë nderuan me pjesëmarrjen e tyre aktive duke e kthyer këtë promovim libri në një festë të vërtetë libri e takimi mes miqsh, patriotësh dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Nën drejtimin e gazetares Marjana Bulku dhe organizimin ekskluziv të Vatrës e Diellit, ky promovim shënoi një rekord për nga pjesëmarrja, interesi, kumtesat shkencore dhe mesazhet e forta diplomatike në një kohë kur bota vuan mungesën e diplomacisë aktive dhe paqes globale. Me pjesëmarrjen e posaçme të Ministrit Shqiptar të Diasporës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Dr. Xhemail Çupi, të Shoqatës Atdhetare Dibra, Shoqatës Kraja, Skenderbej, Batalioni Atlantiku, Open Hands, Shkolla Shqipe e Bronxit, Shkolla Shqipe Children Of the Eagle, Liga Shqiptaro-Amerikane e shumë pjesëtarë të organizatave e shoqatave shqiptare nderuan me pjesëmarrjen aktive në promovim duke treguar edhe një herë se Vatra është lokomotiva tërheqëse e krejt komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miq të veçantë të Ambasador Berishës në këtë promovim ishin edhe Orhan Sakiqi, Bashkim Ahmeti – Izano dhe Pranvera Ahmeti. Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj i cili kujtoi njohjen me Ambasador Mal Berishën dhe kontributin e tij në dobi të çështjes së Kosovës dhe shërbimin që i ka bërë Mal Berisha çështjes kombëtare e shtetit shqiptar me veprimtarinë e tij diplomatike e patriotike. Libri “Ambasador i pushtetit të butë” erdhi në Vatër pas një serie promovimesh në Tiranë, Durrës, Korçë, tregues ky i rëndësisë dhe efekteve ndikuese që kjo vepër ka në mjediset akademike, mediatike dhe pa dyshim edhe në ato diplomatike. “Pushteti i butë ambasadorial në kushtet e një realiteti kërcënues plot konflikte ndërkombëtare, kriza, pragluftë, e bën edhe më të domosdoshme këtë lloj diplomacie të butë pasi siç pohojnë manualet e shkencave politike fuqia e përqëndruar në vlera dhe parime është ajo që prodhon nder e normalitet dhe jo frikë e terror siç ndodh kur fuqia shtyp dhe kërcënon liri” theksoi në fjalën e saj gazetarja Marjana Bulku. Ky libër sipas zonjës Bulku përcjell mjaft mesazhe qytetarie në një botë të trazuar ku çdo individ pavarësisht detyrave që ushtron mundet të jetë patriot që e do kombin, respekton bashkëkombasin dhe mbi të gjitha historinë e tij me çdo të vërtetë të bukur apo të hidhur. Autori sipas gazetares Bulku na mëson se çdokush mundet të jetë “ambasador” i vendit të tij pavarësisht territoreve ku jeton apo funksioneve që ushtron. Gazetari Frank Shkreli në fjalën e tij deklaroi se Ambasadori Mal Berisha gjatë karrierës së tij diplomatike ka kontribuar me punë të mëdha dhe të vogëla, por të vyera, duke përdorur “pushtetin e butë” dhe “gojën e embël”, për të projektuar interesat e vendit që përfaqësonte në botën e huaj. Përdorimi i “pushtetit të butë” sipas z.Shkreli mund të ishte edhe e vetmja mënyrë për Ambasadorin Berisha dhe të tjerë si ai, për të shprehur talentet, energjinë dhe emocionet, në shërbim të Atdheut. “Miku i ynë Ambasador Mal Berisha (ashtu si të gjithë ambasadorët kudo në botë) mund mos të ketë qenë fuqiplotë, siç thotë edhe Konica, por qëllon të ketë qenë i jashtëzakonshëm, si ushtrues i pushtetit të butë në shërbim të Atdheut të vet dhe si përfaqësues i denjë i diplomacisë kulturore të shqiptarëve” tha ndër të tjera në fjalën e tij Frank Shkreli. Studiuesi Idriz Lamaj theksoi në fjalën e tij rëndësinë historike dhe shkencore që ka libri dhe mbi të gjitha u ndal në disa detaje të rolit të jashtëzakonshëm që ka pasur Mal Berisha si diplomat në dobi të çështjes së Kosovës dhe promovimit të vlerave kombëtare në shtet ku ka shërbyer. Editori epokal i Diellit z.Dalip Greca deklaroi në fjalën e tij se libri “Ambasador i Pushtetit të Butë” i diplomatit par exellent Mal Berisha i kalon kufijtë e një ditari me shënimet dhe mbresat e një diplomati,ai është më shumë se kaq, është një libër për dashurinë dhe devocionin ndaj Kombit, është një libër për diplomacinë dhe miqësinë, për historinë, humanizmin, mbi të gjitha siç ka titullin është një libër për Diplomacinë kulturore ose Pushtetin e butë, një libër që të mëson se si t’i duash njerëzit dhe vendin tënd me përkushtim dhe si t’i kapërcesh situatat e vështira pa u kthyer mbrapsht. “Në këtë libër voluminoz prej 537 faqesh, të organizuar në gjashtë kapituj-nga Kreu 1 tek 6-shti, shkruar me një stil original që e dallon autorin se është vetja, një stil rrëfimtar, emocional, përmes të cilit ambasadori Berisha e mbanë lexuesin të mbërthyer pas ngjarjeve, shumë prej të cilave të japin tronditje të fortë emocionale” citoi ndër të tjera z.Greca. Studiuesi Dr. Paulin Marku u shpreh në fjalën e tij se libri “Ambasador i pushtetit te bute” është një libër shumë i rëndësishëm dhe shërben edhe si një udhërrëfyes për diplomatet e rinj dhe të karrierës, gjithashtu edhe për studiuesit, albanologët, profesorët, polititologët, gazetarët dhe më gjërë. Jemi mësuar të lexojmë, libra, ditare, shënime e dokumente diplomatike me autorësi kryesisht te huaj, ndërsa sot kemi në dorë një libër të një diplomati të lartë shqiptar. “Në këtë libër autori është treguar i kujdesshëm dhe mjaft detajist qe te përshkruajë punën dhe rolin e një diplomati, qëndrimin dhe momentin e duhur se kur duhet te ndërhyje një diplomat për çështje te caktuara, qe cenojnë apo dëmtojnë imazhin e atdheut. Libri trajton një gamë të gjërë të aktiviteteve të shërbimit diplomatik që nga udhëtimi i tij drejt Stambollit, te aktiviteteve diplomatike, kulturore dhe artistike, ku një vend te rëndësishëm zënë përkushtimi ndaj atdheut dhe çështjes se Kosovës e deri ne largimin e tij si diplomat. z. Berisha nuk reshti se promovuari kulturën dhe artin shqiptar qe nga Turqia, Britania e Madhe e deri ne Amerike. Ambasador Berisha ishte jo vetëm promovues i vlerave kombëtare por dhe organizator i takimeve e shkëmbimeve me qëllim promovimin e interest të kombit shqiptar” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku. Ministri Shqiptar i Diasporës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Dr. Xhemail Çupi si pjesëmarrës nderi në këtë promovim theksoi rëndësinë shkencore të librit, rolin e diplomacisë në shuarjen e konflikteve dhe mbi të gjitha vlerësoi figurën e jashtëzakonshme të Ambasador Mal Berishës në Diplomacinë shqiptare. Ministri Çupi gjithashtu i dhuroi Vatrës një pllakatë mirënjohje në emër të shtetit të Maqedonisë, të cilën ia dorëzoi Presidentit të Nderit z.Agim Rexhaj. Në përfundim të kumtesave Ambasador Mal Berisha falenderoi të gjithë të pranishmit, Vatrën e Diellin për organizmin model dhe solli ndërmend detaje nga shërbimi i tij në diplomacinë shqiptare dhe episode që kanë shënuar rrugëtimin e tij diplomatik. Mbrëmja vëllazërore vazhdoi deri në orët e vona me një koktejl festiv të përgatitur nga patrioti Toni Musaj dhe biseda të gjata mes miqsh e patriotësh që e kthyen Vatrën në një shtëpi të vërtetë patriotike për të gjithë shqiptarët në mergatën e Amerikës.