
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra fton dhe njofton komunitetin shqiptar në New York e më gjërë se nesër me datë 15 Mars 2022, ditën e Martë, ora 6.00 PM, në Selinë qëndrore të Vatrës në Adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458 bëhet promovimi i librit “Ambasador i pushtetit të butë” shkruar nga Ambasador Mal Berisha. Ftohet komuniteti shqiptar të marrë pjesë në këtë ceremoni nderimi dhe festë të librit.
Kanë thënë për librin:
“Ambasadori Mal Berisha ka sjellë këtu një larmi episodesh, të përshkruara si tregime të shkurtra, të cilat lexohen me kërshëri dhe ëndje. Ai nuk synon të zbulojë para lexuesit të panjohurat apo enigmat e punës së një ambasadori, siç bëjnë rëndom ish – diplomatët e lartë, kur dalin në pension dhe duan të lënë dëshminë e rëndësisë së vet të jashtëzakonshme gjatë jetës në shërbimin e jashtëm. Jo. Nisur nga këto rrëfime, do thënë se ambasadori Mal Berisha nuk vuan nga asnjë delir protagonizmi. Ai shtyhet nga dëshira për të pohuar se, duke i shërbyer Shqipërisë, ka arritur të ketë edhe për veten e tij një jetë të bukur me gjithë andrallat e saj, gjë që i shkon një burri të realizuar” – Besnik Mustafaj.
“Mal Berisha mbetet jo thjeshtë më aktivi, por ndofta më i suksesshmi nga të gjithë ambasadorët tanë, kudo që ata kanë shërbyer. Asnjë shenjë inferioriteti, asnjë moment lëkundjeje, por krenar, dinjitoz dhe i barabartë me çdo përfaqësues tjetër diplomatik, Mali paraqitet në çdo pritje, takim apo veprimtari që zhvillohet. Madje, ai me arsye të ftohtë, me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme debaton dhe fiton ndaj çdo qëndrimi kaqdashës a provokues, sidomos kur vihet në diskutim çështja jonë kombëtare, pra Kosova e Çamëria apo ata të R.M.V.” – Shpendi Topollaj.
Ju mirëpresim të gjithëve.