Kosovë-Ambasadori Amerikan Kosnett uroi Albin Kurtin për fitoren në zgjedhje/PRISHTINË, 16 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Philip S. Kosnett të shoqëruar nga këshilltarja e tij për çështje politike Amy Carnie, i priti sot në mëngjes në takim Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me anëtaren e kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.
Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona, thekson njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT: URIME QYTETARËVE TË KOSOVËS
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, uron qytetarët e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara të dielën e 14 Shkurtit 2021:
“Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë demonstruar përkushtim ndaj demokracisë dhe një vizion për të ardhmen. Amerika qëndron me Kosovën dhe ne shpresojmë të punojmë me qeverinë e re, sapo të formohet, në qëllimet e përbashkëta të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit”, ka shkrur ambasadori Kosnett në Twitter.