Fjala e Ambasadorit të SHBA, zotit Donald Lu “24 Vite Marrdhënie SHBA – Shqipëri”
(16 mars 2015)
Me rastin e 24 vjetorit të rivendosjes së marrdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, Qendra Shqiptare e Politikave, më datën 16 mars 2015, organizoi konferencën “24 vjet partner strategjik”, ku morën pjesë presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani, ambasadori i SH.B.A.-ve, zoti Donald Lu si dhe zyrtarë, politikanë e diplomatë nga të dy vendet.
Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij amerikan pohuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe bashkëpunimin mes tyre në përballimin e sfidave aktuale.
Konferencën e përshëndeti dhe Ambasadori i SHBA, Shkëlqesia e Tij Donald Lu, i cili tha:
-I nderuar President i Republikës zoti Bujar Nishani, zonja Arta Dade, zoti Eduart Selami, Dr. Edith Harxhi, zonja dhe zotërinj, Mirmëngjes!
Në këtë 24 vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, dëshiroj të kujtojmë për një çast vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë, 24 vite më parë. Ndoshta disa prej jush e kujtojnë gjithashtu atë ditë historike qershori. Kohët e fundit, bisedova me Zv. Sekretarin e Shtetit Bill Burns, që si diplomat i ri pati qenë me Sekretarin Baker në atë udhëtim. Ambasadori Burns më tha se askush prej delegacionit nuk dinte se ç’të priste, pasi Shqipëria kishte qenë e mbyllur ndaj botës për kaq shumë vite. Kur mbërritën, ata u kapluan tërësisht nga përgjigja emocionale e popullit të Tiranës, shumë prej të cilëve po takonin për herë të parë amerikanë. Sekretari Baker tha: “Ju jeni të lirë të mendoni mendimet tuaja…të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Shqiptarët kanë zgjedhur të bashkohen me shoqërinë e burrave dhe grave të lirë kudo.” Në ambasadën tonë kemi një foto frymëzuese të Sekretarit që është duke folur përpara një turme të stërmadhe në Sheshin “Skënderbej,” disa valëvisin flamuj amerikanë dhe të tjerë parrulla shenja mirëseardhjeje. Sa herë e shoh, ajo foto më kujton që marrëdhëniet tona janë më shumë sesa thjesht një interes politik apo një aleancë ushtarake. Ne jemi të lidhur së bashku prej historisë, prej lidhjeve familjare dhe prej vlerave që bashkëndajmë. Muajin që vjen, James Baker mbush 85 vjeç. Nëse ai do të rikthehej në Tiranë, çfarë do të shihte? Ai do të gjente një popull që ka bërë përparim shumë të madh në një periudhë të shkurtër të historisë. Ai do të gjente një popull që ka sakrifikuar kaq shumë për një jetë më të mirë për fëmijët e tij. Do të gjente një vend në një moment tjetër kyç të tranzicionit të vet demokratik.
Populli shqiptar sot vazhdon të ndeshet me trashëgiminë e komunizmit. I duhet të luftojë me forcat e krimit dhe të korrupsionit çdo ditë,-në shkollat e tyre, në bizneset e tyre, në gjykatat e tyre, e madje, edhe në parlamentin e tyre. Shqiptarët janë një popull i fortë dhe ne jemi besimplotë se Shqipëria është e gatshme të përballet me këtë sfidë pa pasur frikë. Shtetet e Bashkuara besojnë tek Shqipëria. Jo tek një parti e caktuar politike apo një udhëheqës i vetëm politik, por në aftësinë e shqiptarëve guximtarë për të mbështetur ndryshimin dhe për të bërë sakrifica për veten dhe për fëmijët e tyre. Mbetem besimplotë se në fund të ditës, pjesa më
e madhe e shqiptarëve që përkrahin ndershmërinë dhe integritetin do të triumfojnë mbi ata që përkrahin krimin, dhunën dhe korrupsionin. Unë zotohem që shqiptarët do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë betejë të rëndësishme.(Pergatiti per DIELLIN, Shefqet Kercelli)
Gjoni says
….James Baker mbush 85 vjet, ose është 85 vjeç…..,
Lexuesi